140-vjet nga Kuvendi i Tërthores së Dibrrit

-Një kujtesë e vockël për të rënë në veshët e atyre që duhet ta dëgjojnë-

 

Mirdita kjo trevë e lashtë dhe fisnike në rrjedhat e historisë ka spikatur ndër të tjera për ruajtjen dhe trashëgimin ndër breza të fesë së Jezu Krishtit dhe besimit katolik, dhe qëndresën antiosmane (mos pranimin e osmanizimit).Gjë të cilën e ka arritur me kryengritje të vazhdueshme dhe të armatosura, të organizuara herë pas here nën drejtimin e prijesve të tyre fisnikë dhe atdhetarë dhe të mbështetur nga luftëtarët trima dhe besnikë të idealeve të tyre nacionaliste dhe kombëtare.

Paradhoma e çdo kryengritje kanë qenë kuvendet e zhvilluara në kondicion me situatat e krijuara. Nisur nga situata e krijuar në fillim të çerekshekullit të XIX-të (viti 1876) si rezultat e reprezaljeve të turqëve ndaj popullsisë së kshtenë (katolike) siç ishin; caktimi i kajmekanëve, tendenca për të hapur shkolla turke në Mirditë, bllokimi i tregjeve të Shkodrës, Lezhës dhe Milotit për katolikët, kërkesa për nizamë (ushtarë) etj, u mbajt KuvendiHistorik i Shpalit në vendin e quajtur Lisat e Shpalit (Kisha e Shpalit) më 27 Dhjetor 1876. Në këtë kuvend krerët e Mirditës lidhën besën dhe u bashkuan njëzëri nën drejtimin e prijësve  të tyre fisnik Prend Doçi (Abati i Mirditës) dhe Preng Bib Doda i ri, duke shpallur luftëtë pakompromis kundër perandorisë osmane. Llavët e kryengritjes u përhapën anë e kënd Mirditës dhe gjithandej nëpër treva të tjera të Shqipërisë së Epërme.

Padyshim që flakadani kryengritës u përqafua edhe nga zona e Ungrejt, ku luftëtarëvendas të prirë nga prijësit e tyre Gjin Dedë Lala. Marka Gjergji,Frrok Marka Ndoj, Dedë Ndrecë Ndoj,  Ndue Zef Ndreca, Pjetër Margega etj, iu bashkuan kryengritësve të drejtuar nga Abat Prend Doçi e Preng Bib Doda iri, dhe luftuan me heroizëm në luftimet që u bënë nëTokat e Kryezezëve, Molung, Zejmen etj, në muajn Mars të vitit 1877.

Drejtuesit e kryengritësve ungrejas Gjin Lala dhe Marka Gejrgji në emër të banorëve të Dibrrit nënshkryuan më 14 Maj 1876, së bashku me krerët e tjerë të Mirditës një peticion drejtuar Vezirit të Madh, në të cilin ndër të tjera shpallën kryengritjen antiosmane që kërkonte që krahina e Mirditës të vetëqeverisej nga krerët e vet e jo të qeverisej nga kajmekanët (qeveritarë turq).

Nisur nga fakti i pabarazisë në numër dhe logjistikë luftarake si dhe meqenëse kësaj kryengritje nuk ju bashkuan trevat e tjera të Shqipërisë së Epërme, ajo dështoi. Për rrjedhojë qeveria turke me mbërritjen e taborreve të saj më 22 Prill 1877 në Orosh e Dibërr, shpalli rrethimin e Mirditës. Në përbërje të këtyrë taborreve kishte mbi 1000 forca si dhe një logjistikë ushtarake të sofistikuar e të përshtatur për terrenin ku forcat turke vepronin, e cila filloi të veproi menjëherë nëpër Mirditë.

Situata sa vinte e përkeqësohej. Ushtria turke mori sistuatën nën kontroll dhe filloj të përgatiste skenarët e arrestimeve dhe hakmarrjen ndaj drejtuesëve të kryengritjes antiosmane dhe nënshtrimin e plotë të krahinës së Mirditës.Në këto kushte me nismën e disa ungrejasve filloj përgatitja dhe më pas u realizua mbledhja e Tërthores që më pas mori emrin “Kuvendi i Tërthores së Dibrrit”.Ku kuvend u mbajt në vendin e quajtur “Dardha Malz”.

Tërthorja ka në përbërjen e saj gjashtë fshatra:-Ungrej, Fregën, Rras(që janë tre vllazën) Kalor, Gjazuj, Sukaxhi. Kryetar i Tërthores u zgjodh Gjin Dedë Lala e më vonë pas tij Marka Gjergji, Nikoll Boci, Marka Boci.Në kuvendin e Tërthores u morën një sërë vendimesh të rëndësishme dhe u miratua njëzëri nga të pranishmit një platformëqë konsistonte në një organizim mbarë popullor dhe luftarak në qëndresën dhe luftën e paepur antiosmane. Përmbajtja e kësaj platforme mund të sintetizohet në këto pika dhe konkretisht: 1.          Ndalimi i vëllavrasjes dhe shtrirja e dorës së pajtimit njëri-tjetrit. Thënë ndryshe JO VLLAVRASJES PO PAJTIMIT, të cilin e ka slogan të sajin Lidhja Shqiptare në Botë, edhe sot pas dy shekujsh. Për vetë faktin se në shqiptarët jo se jemi gjenetikisht të tillë por ndër vite na ka bërë të tillë ata që nuk na duan të bashkuar por veç të përçarë. 2. Flamuri që do të prijë në krye të luftëtarëve është flamuri i bajrakut të Dibrrit.(Me ngjyrë të kuqe e shqiponjë të zezë dhe me mbishkrimin “Mirdita”, që është i ngjashëm me flamurin e Gjergj Kastriotit). 3. Ndalimi kategorik i çdokujt për të shkuar nizamë (ushtar i ushtrisë turke). 4. Kush shkon nizamë i digjet shtëpia, priten pemët, lihet toka djerr dhe nxirret nga Tërthorja të paktën për pesë vjet. 5. Organizim në luftë kundër turqve me nga një burrë për shtëpi e në raste të jashtëzakonshme edhe ma shumë.

Pavarësisht përpjekjeve të turqve për të joshur persona të lëkundur dhe venë në shërbim të tyre, banorët fisnik të Tërthores i qëndruan besnik vendimeve dhe platformës së miratuar në Kuvendin e Tërthores dhe u rreshtuan nën drejtimin e krerëve të tyre fisnik në luftrat e vazhdueshme antiosmane. Ata ishin të parët që u hodhën dhe morën pjesë edhe në kryengritjet anti turke dhe antimalazeze të viteve 1910-1912 deri në shpalljen e pavarësisë sonë kombëtare, më 28 Nëntor 1912.

Organizimi luftarak i Tërthores ka qenë një model i veçantëorganizimi popullor dhe luftarak dhe ka funksionuar për 53 vjet (1877-1930). Në këtë organizim mobilizoheshin nën armë 850-1000 burra të aftë me përdorur armën. Në raste të veçanta e të jashtëzakonshme nën kushtrimin “Burra për shpi” të kreut të kuvendit, banorët e Tërthores  mobilizoheshin nga mosha 7-70 vjeç, sipas besëlidhjes së Mirditës.

Në kuvendin e Tërthores së Dibrrit që mbahej tek “Fusha e Dardhës Malz”, burrat pjesëmarrës vendoseshin në formë rrethoreje, vendet ziheshin sipas të takuemes, në krye qëndronte kreu i kuvendit (plaku i parë  ka qenë Gjin Dedë Lala nga Ungrej). Të gjithë pjesëmarrësit në logkuvend ishin të armatosur dhe armët i mbanin në prehër.Ndërkohë përpara fillimit të kuvendit merreshin të gjitha masat mbrojtëse dhe sinjalizuese ndaj ndonjë sulmi të mundshëm apo pabesie. Në kuvend të gjithë të pranishmit kishin të drejta të barabarta.Për sigurimin e plotë të pjesëmarrjes shpallej amnistia për 24 orë që quhej “Dita e Besës së Tërthores”.Të gjitha vendimet merreshin pasi sheshoheshin e arrihej mirëkuptimi dhe në fund bëhej betimi me ungjill në dorë. Kështu vendimi merrte formën e prerë dhe ishte i detyrueshëm për zbatim, ndryshe vendoseshin sanksionet sipas platformës së miratuar. Kuvendi mbyllej nga kreu i kuvendit, i cili shpallte shpallte vendimet e tij. Kuvendi i Tërthores gjatë funksionimit të tij ka bashkëpunuar edhe me kuvende të tjera të krahinës së Mirditës.

I solla këto pak radhë për Kuvendin e Tërthores për faktin se me 10 Maj 2017, ky kuvend mbush plot 140-vjet nga dita kur ai është mbajtur, sa për ta kujtuar këtë ngjarje të rëndësishme të Tërthores dhe krejt bajrakut të Dibrrit dhe më gjëre, me shpresën se dikush do të mund të kujtohet, për të mos e lënë në harresë si deri më sot këtë ngjarje të rëndësishme patriotike dhe kombëtare të kësaj krahine. “Të tjerë që nuk i kanë ngjarjet i sajojnë, ndërsa ne që i kemi i harrojmë”. Është ky një postulat që rëndom mbisundon edhe sot e kësaj dite edhe pas afro tre dekadash pluralizëm. Ka ardhur koha që pluhuri i harresës të zëvendësohet me hedhjen dritë të së vërtetës, larg pasioneve, emocioneve dhe dasive politike. Historia është një dhe na përket të gjithëve. Ajo duhet thënë e shkruar ashtu siç në fakt është.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>