70 vjet më pas, Kuvendi i Shqipërisë përkujton pushkatimin e deputetëve opozitarë të regjimit komunist

basha1

Basha: I turpëruar që jam në Kuvendin që drejtohet ende nga ajo klikë kriminale

 

70 vjet më pas, Kuvendi i Shqipërisë përkujton pushkatimin e deputetëve opozitar të regjimit. Në fjalën e tij në Parlament, kryetari i PD Lulzim Basha deklaroi se ndihej “i turpëruar” që edhe pas 70 vjetësh, ishte ende në një Kuvend që drejtohet nga pjesë të asaj klike kriminale. Kreu i PD theksoi se do të propozojë nisma si dhe do të propozojë që buxhetin e ardhshëm të përfshihet një fond për studimin dhe botimin e historive kriminale të komunizmit

 

Në Kuvendin e Shqipërisë u përkujtua vrasja 70 vjet më parë nga regjimi i Enver Hoxhës, i grupit të deputetëve opozitarë. Në fjalën e tij në Parlament, kryetari i PD Lulzim Basha deklaroi se ndihej “i turpëruar” që edhe pas 70 vjetësh, ishte ende në një Kuvend që drejtohet nga pjesë të asaj klike kriminale. Kreu i PD theksoi se do të propozojë nisma si dhe do të propozojë që buxhetin e ardhshëm të përfshihet një fond për studimin dhe botimin e historive kriminale të komunizmit. “Të nderuar familjarë të deputetëve të martirizuar 70 vite më parë, të grupit të elitës intelektuale, bashkëvuajtës të tyre. 70 vjet më parë regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës pushkatoi grupin e deputetëve të fundit opozitarë që kishin mbetur në këtë sallë. I vrau sepse mendonin ndryshe, i vrau sepse nuk u pajtuan me komunizmin, nuk u pajtuan me vdekjen e pluralizmit politik. Grupi i deputetëve dhe dhjetëra bashkëvuajtës të tyre, ishin të fundit në radhën e intelektualëve, patriotëve dhe shqiptarëve që i kishin shërbyer me përkushtim dhe mençuri vendit dhe popullit të tyre, por që nuk ju bashkuan klikës së dhunshme komuniste. Para tyre ishin eleminuar, burgosur, torturuar, ekzekutuar dhe internuar pjesa më e madhe e elitës së kombit. Klerikë, intelektualë, inxhinierë, ekonomistë, artistë, mjekë, dhe profesionistë të shkëlqyer do t’i pasonin në dekadat e ardhshme. Të gjithë u dënuan pa gjyq ose me gjyqe farsë të montuara nga prokurorët dhe hetuesit kriminelë. Të gjithë u vranë në emër të popullit nën moton “drejtësia është levë e partisë”. Eliminimi i deputetëve opozitarë 70 vjet më parë varrosi përfundimisht çdo lloj lirie politike në Shqipëri, çdo lloj lirie mendimi dhe çdo lloj disidence apo mosbindje ndaj regjimit. Pas tyre salla e të ashtuquajturit Kuvendi Popullor u mbush me kriminelë, injorantë dhe shërbëtorë të bindur të klikës gjakatare që shërbyen vetëm si fasadë e shëmtuar dhe gojëkyçur të pushtetit personal të Enver Hoxhës. Pas kësaj, në Shqipëri kishte vetëm një zë, një mendim, një ngjyrë: enverizmi. Të gjitha institucionet politike dhe shoqërore të vendit, kuvendi, qeveria, organizatat e rinisë, organizatat e gruas, fronti demokratik, media dhe çdo institucion tjetër, pavarësisht prapashtesave popullore apo demokratike, ishin thjesht instrumente të sundimit të Enver Hoxhës dhe rrethit të tij të ngushtë, përmes propagandës, manipulimit, dhunës dhe terrorit. Vrasjet, burgosjet, internimet, persekutimet, shpronësimet dhe gjithë dhuna që u ushtrua në fillimet e regjimit komunist dëshmojnë një të vërtetë të madhe e cila vazhdon t’i mbahet e fshehur kësaj shoqërie dhe këtij kombi: komunizmi nuk ishte zgjedhje e lirë e popullit shqiptar por një regjim që u instalua dhe iu imponua popullit me dhunë dhe me gjak dhe që u mbajt me dhunë dhe me gjak’, tha Basha. Më tej, ai shtoi se të gjitha diktaturat në thelb janë pushtete personale që përdorin ideologjitë dhe kauzat e mëdha si instrumente. “Të njëjtën gjë bëjnë të gjitha autokracitë, të reja dhe të vjetra, që maskohen pas populizmit, pseudonacionalizmit, patriotizmit të rremë, të mirës së popullit. Ky është mësimi që duhet të nxjerrim nga e shkuara komuniste. 70 vjet pas vrasjes së deputetëve unë ndjehem i turpëruar që jam pjesë e një kuvendi i cili drejtohet nga njëri prej atyre që ishte pjesë aktive e asaj klike kriminale që vrau dhe dhunoi shqiptarët që donin lirinë dhe dinjitetin e njeriut. Ndjehem i trishtuar që 27 vjet pas rënies së komunizmit ky vend ende vazhdon të ketë në krye të institucioneve njerëz të edukuar dhe stërvitur me mësimet e Enver Hoxhës dhe të ushtruar me frymën dhe praktikën enveriste. Ndaj sot, dua të zotohem që së bashku me Partinë Demokratike të punojmë që kjo të ndryshojë. E ka ende shumë që ne mund të bëjmë”, tha Basha. Në përfundim, kreu i PD theksoi se do t’i prezantojmë Kuvendit akte konkrete për përmbushjen e disa objektivave. “Së pari, duhet të gjejmë dhe të identifikojmë të gjitha eshtrat e viktimave të komunizmit ende të pazbuluara. Së dyti, duhet të nderojmë emrat dhe kontributin e të gjithë martirëve të vërtetë të demokracisë dhe pluralizmit shqiptar. Ne duhet t’i kujtojmë ata, duhet të rrëfejmë jetën e tyre, sakrificat e tyre, tragjeditë e tyre, që janë akte të tragjedisë sonë të kobshme kombëtare nën diktaturën e Enver Hoxhës. Së treti ne duhet të tregojmë krimet e komunizmit dhe historinë tragjike se si një popull i tërë ra në kthetrat e përgjakura të komunizmit dhe iu nënshtrua atij për gati pesë dekada. Së katërti, duhet t’u presim rrugën një herë e mirë të paktën drejtuesve të lartë komunistë nga drejtimi i vendit. Së pesti, të ndalojmë festimin në publik të shenjave, simboleve dhe figurës së Enver Hoxhës dhe figurave të tjera gjakatare të regjimit të tij. Jo vetëm ligje dhe amendamente por do të kërkojmë që nisur nga buxheti i vitit të ardhshëm të përfshihet një fond për studimin, hulumtimin dhe botimin e historive kriminale të komunizimit dhe të viktimave të tij. Është koha të sjellim zërat dhe jetët e atyre që luftuan për liri dhe demokraci kundër komunizmit në çdo shkollë, në çdo klasë dhe në çdo bankë të nxënësve shqiptarë”, tha Basha.

Alibeaj: 27 vjet pas komunizmit, Shqipëria dhe pluralizmi në rrezik

Deputeti demokrat, Enkeled Alibeaj deklaroi se 27 vjet pas shembjes së regjimit komunist, Shqipëria ende lëngon dhe vuan prej një klase banditësh e kriminelësh. Alibeaj apelon se duhet të reflektojmë për tranzicionin. “Duhet të gjejmë forca të reflektojmë thellë! Duhet të pranojmë hapur, si shoqëri, se nuk kemi hetuar krimet e kryera nga komunizmi; se autorët e krimeve të komunizmit nuk janë përballur me drejtësinë; se viktimat e komunizmit ende nuk kanë dëgjuar falje për persekutimin që pësuan dhe se nuk janë dëmshpërblyer realisht!

Së dyti na duhet një reflektim për tranzicionin. Prej 27 vitesh vazhdojmë të përkundemi nën idenë iluzive të një sistemi të lirisë dhe demokracisë, ndërkohë që sistemi i vlerave morale është tërësisht i munguar apo në bjerrje e sipër. Së fundmi një reflektim i domosdoshëm duhet për të sotmen dhe të ardhmen. Një reflektim që duhet së paku nën emrin tim, e për aq sa me takon, ta shpreh me kërkimin e një ndjese. Ndjesë, për të cilën do të doja të ftoja, ti bashkohej, çdonjërin brenda apo jashtë kësaj salle, për çdo shqiptar dhe çdo njeri që ia do të mirën këtij vendi, që ta kishte një brerje të tillë ndërgjegje. Ndjesë që edhe pas 27 vitesh nga rënia e komunizmit, Shqipëria është ende shumë larg standardeve të një shteti të demokracisë liberale. Ndjesë që edhe pas 27 viteve nga rënia e komunizmit, në Shqipëri pluralizmi është në rrezik! Ku krimi lulëzon dhe vota vidhet”, deklaron Alibeaj.

Tabaku:Vendin e martirëve të parlamentit po e zënë portretet e diktatorit

Edhe deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me 70 vjetorin e martirëve të parlamentit. Në fjalën e saj, deputetja demokrate thekson se këta luftëtarë të vendit tonë nuk kanë marr atë çka u takon, pasi sot në Shqipëri vendin e këtyre figurave të ndritura po e zënë portretet e diktatorit komunist. “Sot, ende nuk ka vend për një institucion të marrë emrin e Musine Kokalarit, Riza Danit, Selaudin Totos, Jup Kazasit, Sheh Karbunarës e sa viktimave të tjera të vrarë padrejtësisht dhe që sot nuk u gjenden eshtrat. Në fakt vendin e tyre e zënë portretet e diktatorit që tanimë nuk mbahen vetëm nga mosha e tretë e adhuruesve të tij, por nga fëmijë e të rinj. Kjo është historia jonë e trishtë! Ne ende gjendemi mes dy antagonizmave, e djeshmja vazhdon të na shtyjë përpara duke na kujtuar vuajtjen tonë ndërsa e ardhmja vazhdon të qëndrojë si bllokadë duke na kërkuar të lajmë hesapet me të djeshmen që e mohojmë apo transformojmë. E gjithë kjo tingëllon si mëshirimi i asaj çfarë Tocqueville pat thënë “derisa e djeshmja ka reshtur të hedhë dritë mbi të ardhmen mendja e njeriut endet në errësirë” dhe në errësirën e kësaj beteje për të kuptuar realisht tragjedinë që kaluam si shoqëri endemi përditë”,thotë Tabaku.

Krimet e komunizmit/Bernd Borchardt: Regjimet shtypëse bien me revolucion

Regjimet shtypëse bien me revolucion por ideologjia e tyre mund të vazhdojë nëse ato nuk diskreditohen. Kështu u shpreh ambasadori i OSBE në vendin tonë Bernd Borchardt gjatë fjalës së tij në parlamenti me rastin e 70-vjetorit të vrasjes së grupit të deputetëve nga regjimi komunist. “I takon shoqërisë shqiptare dhe këtij parlamenti të vendosë nëse mund të bëhet më shumë në këtë fushë. Ju po njiheni me krimet e së kaluarës dhe po i  dënoni ato. Kjo arrin përmasa shndërruese, sepse pranimi publik kontribuon në çlirimin e shoqërisë. Ekspozimi i shkeljeve i damkos shkelësit, duke i surgjynosur në të kaluarën e hidhur. Në vendin tonë iu desh 47 vjet për ta arritur këtë vendim. Regjimet shtypëse bien me revolucion ose me përmbysje, por ideologjia e tyre mund të vazhdojë nëse ato nuk diskreditohen. Ju shpallni qëndrimin e përbashkët politikë dhe ndani të njëjtën vetëdije politike me votuesit tuaj. Kjo vetëdije që shpall atë që ishte e gabuar e ndan edhe më shumë shoqërinë nga regjimi i mëparshëm.

 

 

 

 

1 Koment

  1. Z. B. SHBA

    11/10/2017 at 22:05

    Ai regjim vrastar I ka future friken jo vetem atyre qe e kane perjetuar, por dhe brezave pasardhes, ne, femijet e tyre, nuk guxonim te pyesnim pse e burgosen babane, pse nu e kemi dajon tone ne shtepi, pse ai perfundoi nen kthetrat e serbeve, u torturua dhe u semur menderisht nga ato tortura edhe pse ishte 18 vjec, I pafajshem, sepse nuk kishte bere asgje, ishte ne punen qe e kishin derguar ajo qeveri ne vitin 1948, ku si nje person me shtetesi greke ne pasaporte, si rezultat I atij genocidi te qeverise se Napolon Zerves te vitit 1944, ai dhe gjithe te tjeret ekzistonin me nenshtetesi greke, po ne ate vit maredheniet midis Shqiperise dhe Greqise u prishen, u mbyllen kufijte, ai u gjend ne oher se bashku me doktorin dhe personelin e asaj klinike ku ai u cua per te punuar, u arestua nga serbet dhe ka ndenjur atje deri ne vitin 1953, ku me pas u mor nga kusherinjte e tij qe jetonin ne TURQI, u mor me avion ku u pagua nje shume e madhe ne flori prej tyre, por megjithate ai kishte pesuar nje traum te madhe, ku kishte nevoje per nenen dhe motrat e vellane e tij, gjithashtu per xhaxhane qe I riste, sepse babane dhe vellane tjeter ia vrau regjimi grek. Ne nuk flisnim dot lirshem, sepse frika ishte teper e madhe, me pas me burgosen 2 here babane, une isha e vogel, nena ime ishte shume e re, heren e dyte nena kishte nje muaj qe kishte lindur femijen e trete, ishte fare e re, nje drame pas nje tragjedie greke, ne vend qe te na ndihmonin, na poshteruan per te mos fol me, aresyeja e babait, nuk dihej, sajuan nje version te tyre, per te na mbyllur gojen, me vone ka kerkuar pafajesine dhe e ka fituar ne saje te nje avokati shume te pergatitur, megjithate parate I pagoi, por kurre nuk I mori nga shteti pas pafajesise, vdiq me dhimbjen e madhe te zhdukjes se vellait dhe djalit te tij 20 vjecar ne vitin 1980, qe sipas tyre eshte vrare nga rrufeja ne sherbimin ushtarak, gje qe nuk e besoi asnje here, kurre nuk vajti ne ate varr, sipas tij te rreme, gjithe jeten ka qare per te, dhe para se te mbyllte syte, nuk I ndau nga fotografia e tij qe kishte ne mur, vetem lote I dilnin derisa dha shpirt. Keta jane ata qe te vrasin, pastaj te qajne, te bejne sikur ke vdekur dhe ia servirin familjare te tille, mos e paste njeri fatin tone, prandaj ikem per te mos u kthyer me, por a do happen ndonje here ato dosje enigmatike?

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>