A po rrëshqet Turqia drejt luftës civile?

 

Politika turke po rrëshqet thellë e më thellë në një gjendje kaosi, me implikime të rëndësishme për politikën amerikane në Lindjen e Mesme, dhe veçanërisht në Siri

 

Në dy javët e fundit, nuk ka pasur një ditë të vetme pa atentate, ku kanë mbetur të vrarë ushtarë dhe punonjës policie nga Partia Punëtorëve e Kurdistanit (PKK), civilë të bllokuar në qytetet nën shtetrrethim, dhe Forcat Ajrore turke që bombardojnë zonat e kontrolluara nga kurdët. Ky përshkallëzim i dhunës është duke u nxitur nga një mori ngjarjesh. Më kryesorja është rezultati i paqartë i zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në fillim të qershorit të këtij viti. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet, e mbështetur energjikisht nga presidenti Rexhep Taip Erdogan, nuk arriti të marrë numrin e nevojshëm të vendeve në parlament, për të formuar një qeveri më vete. Kjo dëmtoi planet vetjake të Erdoganit, të strukturuara rreth AKP-së për marrjen e vendeve të mjaftueshme për miratimin e një kushtetutë të re, që do t’i jepte atij fuqi më të mëdha ekzekutive. Ironikisht, Erdogan pati bërë thirrje edhe për zgjidhjen e problemit kurd në Turqi – një lëvizje kjo taktike për të gjeneruar kapital politik në mesin e elektoratit kurd. Ishte administrata e AKP-se, ajo që kishte zbatuar një seri reformash, në mbështetje të drejtave kulturore kurde përgjatë viteve 2000, dhe ishte Erdogani ai që nisi një dialog me liderin e burgosur të PKK-së Abdullah Oçalan në vitin 2012. Këto përpjekje dhanë frytet e tyre. Në vitin 2007 dhe në zgjedhjet e përgjithshme të 2011-s, AKP-ja fitoi 26 nga 38 vendet e mundshme në krahinat e populluara kryesisht nga kurdët, shkruan gazeta Zëri.

Kurdët shkojnë në Ankara/Shumë ngjyra janë venitur që nga ajo tablo rozë. Kur “Shteti Islamik”, e rrethoi qytetin kurd të Kobanit në kufirin sirian-turk në tetor të vitit 2014, qeveria turke hezitoi të mbështeste kurdët. Kjo, së bashku me akuzat se Turqia ishte në fakt mbështetëse e ISIS-it, për të parandaluar kurdët nga konsolidimi i kontrollit në territoret e tyre në veri të Sirisë, nxiti pakënaqësi të mëdha në mesin e komunitetit kurd. Goditja vendimtare erdhi kur Erdogani la të kuptohej, se mbrojta e Kobanit ishte diçka e parëndësishme. Ai shkoi më tej, duke u shprehur troç se ishte çështje kohe, që ai qytet të binte në duart e ISIS-it. Kundër sfondit të zhdukjes Kobanit dhe largimit të më shumë se 200 mijë kurdëve sirianë drejt Turqisë, besimi mes qeverisë turke dhe kurdëve në përgjithësi u zhduk plotësisht. Ndërkohë në kundërshtim me parashikimin e Erdoganit, ndihma nga kurdët e Turqisë dhe Irakut, si dhe nga Shtetet e Bashkuara, e shpëtoi Kobanin nga ISIS-i. E gjitha kjo e motivoi Partia Demokratike të Popullit (HDP), që të konkurronte në zgjedhjet e qershorit si një parti politike.

Çfarë do të ndodhë me AKP-në? Shumë vetë i kanë interpretuar rezultatet e zgjedhjeve të qershorit, si një dëshmi se votuesit donin një kalim te një epokë post-Erdoganit. Në fund të fundit, nevoja për të formuar një qeveri koalicioni, ishte e sigurt në frenimin e ambicieve të Erdoganit. Megjithatë, kjo atmosferë optimiste, nuk zgjati për shumë kohë. Erdogan bllokoi krijimin e një koalicioni të tillë, dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja në muajin nëntor, teksa dhuna në vend filloi të përshkallëzohet. Që atëherë, ai ka bazuar strategjinë e tij mbi supozimin, se shpërthimi i dhunës do të tubojë votat e nacionaliste dhe konservatorëve rreth AKP-së. Pavarësisht këndit të analizës, Turqia duket e destinuar për më shumë paqëndrueshmëri. Kjo është e sigurt, përveçse rastit kur Erdogani të vendosë të rishqyrtojë strategjinë e tij dhe ta rikthejë AKP-në te rrënjët e saj reformiste, demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Kjo ishte Turqia, me të cilin presidenti amerikan Barak Obama aspironte që kishte një “partneritet” model. Dështimi për të ringjallur atë agjendë, ka gjasa të përkeqësojë kaosin në Turqi, duke rrezikuar mundësinë e asaj që disa e kanë quajtur “sirianizimi” i Turqisë.

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>