Adriatik Llallën po e sulmon korrupsioni politik i mazhorancës

Përpjekja e mazhorancës për të uzurpuar kompetencat e kushtetutës e të ligjit dhe për të kapur mandatin e kryeprokurorit, nuk vjen nga dashuria e Edi Ramës për të zbatuar ligjin, por nga padurimi për të larguar nga zyra Adriatik Llallën, i cili ka në dorë një numër dosjesh që vërtetojnë korrupsionin e mazhorancës si dhe ortakërinë e saj me narko-klanet e krimit të organizuar

Bylykbashi: Të plotësohen vendet në KLP, pastaj të zgjidhet një kryeprokuror i përhershëm, jo i përkohshëm

 

I zënë ngushtë nga aferat dhe skandalet që po i plasin çdo ditë, kryeministri po përshpejton uzurpimin e sistemit të drejtësisë. Përpjekja e pandalshme e Edvinit për të dalë mbi kompetencat e ligjit dhe kushtetutës së vendit është ashiqare, sikundër është ashiqare edhe sulmi politik ndaj kryeprokurorit Adriatik Llalla. Rama këtë sulm ndaj Llallës nuk po e bën nga dashuria që ka për mandatin e kryeprokurorit e aq më pak për të zbatuar ligjin, gjithçka është në kuadër të  skandaleve për të cilat është në dijeni kryeprokurori Llalla. Teksa sheh sesi perandoria e ngritur prej drogës dhe krimit po i shembet, Rama po përdor të gjitha metodat anti-kushtetuese për të larguar kryeprokurorin, duke arritur deri atje sa të blejë edhe zëra ndërkombëtarësh. I frikësuar deri në palcë nga numri i lartë i dosjeve që posedon kryeprokurori Llalla, në të cilat faktohet korrupsioni i mazhorancës si dhe ortakëria e saj me narko-klanet e krimit të organizuar, Rama synon që përmes sulmeve të vazhdueshme të detyroj kryeprokurorin të qëndroj sa më larg aferave dhe skandaleve të tij. Duke ‘fshirë’ nga skema Llallën dhe duke pasur nën hyqmin e tij të gjithë sistemin e drejtësisë, Rama do ta ketë më të lehtë vazhdimin e projekteve famëkeqe kanabiste dhe kriminale. Teksa të tjera “bomba” priten të shpërthejnë për mazhorancën, kryeministri është investuar për të çuar deri në fund largimin e Llallës. Për t’i bërë shqiptarët të besojnë se ideja e tij për Kryeprokurorin është mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, me bekimin e kryeministrit Rama dy organizma këshillimorë juridikë si Euralius dhe Opdat, shpesh të kritikuar për njëanshmërinë e tyre dolën e thanë se juridikisht, kushtetuta nuk parasheh asnjë mundësi që mandati i Llallës të zgjatet dhe zgjidhja e vetme është vendosja kryeprokurorit të ri nga parlamenti. Rama nuk dorëzohet pa çuar deri në fund projektin e tij kriminal dhe korruptiv, edhe nëse i duhet të dalë kundër të gjithë, apo edhe më keq akoma nëse i duhet të blejë ‘zëra’ të tjerë ndërkombëtarë.

Bylykbashi: Të plotësohen vendet në KLP, pastaj të zgjidhet një kryeprokuror i përhershëm, jo i përkohshëm/Përpjekja e Edvinit për të zgjedhur një prokuror të përkohshëm, pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës, konsiderohet si e paligjshme nga opozita. Në një dalje për media, deputeti Oerd Bylykbashi tha për mediat se vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë konstaton mbarimin e mandatit të prokurorit të përgjithshëm, institucion që akoma nuk është krijuar. Përsa i përket zgjedhjes së tij, Bylykbashi theksoi se është sërish kushtetuta ajo që vendos se prokurori i ri zgjidhet me 84 vota, dhe jo me 36 siç kërkon maxhoranca që sipas deputetit demokrat, kërkon të mbyllë aferat korruptive të muajit të fundit. Qëllimi i zgjedhjes së këtij prokurori të përkohshëm sipas Bylykbashit është kapja e këtij institucioni nga maxhoranca. “Ka kohë që Partia Socialiste është e vendosur për të shkelur Kushtetutën. Kushtetuta është mëse e qartë, përcakton rregulla kushtetuese të cilat nuk mund të shtohen qoftë në një ligj tjetër, i cili mungon, qoftë në veprime mbi baza të rregullores nga mazhoranca. Kushtetuta përcakton Këshillin e Lartë të Prokurorisë si organ që deklaron fundin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Pra, organi kushtetues i parashikuar nga Kushtetuta është Këshilli i Lartë i prokurorisë, fakti që kanë lënë boshllëk kushtetues për këtë çështje është një problem i cili nuk mund të zgjidhet as me deklarata, as me memo dhe as me ndonjë ligj apo rregullore të Kuvendit sepse është normë kushtetuese. Sigurisht, zgjidhja është e thjeshtë, të çojnë siç kanë bërë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, të çojnë përfaqësues të shoqërisë civile të cilët i përzgjedhin vetë për të kompletuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Është e qartë që qëllimi është kapja e Prokurorit të Përgjithshëm nëpërmjet shfrytëzimit të këtij boshllëku kushtetues që kanë lënë vetë. Së pari, ligji nuk zëvendëson Kushtetutën, e dyta rasti që ju i referoheni, mbarimi i parakohshëm i mandatit, kur Prokurori i Përgjithshëm jep dorëheqjen, vdes, largohet nga detyra, siç ishte rasti i vettingut, ne nuk jemi në këtë rast. Edhe në rastin e ligjit, përcaktohet që merr vendim Kuvendi dhe Kushtetuta është e qartë. Vendimi merret nga Kuvendi me 3/5 e votave. Përfshirë faktin se asnjë kandidat nuk ka kaluar vettingun dhe kjo është një kërkesë themelore, janë të gjitha përpjekje të mazhorancës që Prokurorin e Përgjithshëm deri me 1 shtator duhej të votohej me 2/3 e Kuvendit, dhe pas datës 1 shtator duhet të jetë me 3/5, mazhoranca kërkoi ta zgjedhë me 36 vota në Parlament, përfshirë edhe votën e Sajmir Tahirit”.  Në përfundim, Bylykbashi tha se qëllimi i mazhorancës është që nëpërmjet Prokurorit të mbyllin të gjitha skandalet që kanë përfshirë qeverinë Rama. “Qëllimi është që nëpërmjet një Prokurori që venë ata të mbyllin të gjitha çështjet të cilat përfshijnë jo vetëm skandale të karakterit korruptiv por edhe skandale të karakterit kriminal, siç është rasti i Tahirit”.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>