Afërdita Gjurra: ”Ju rrëfej babain, Ademin, pjesëtarin dhe kreun e Misionit të Parë, të Kompanisë 4000

aferdita

Jeta e babait nga largimi prej Shqipërisë në vitin 1946 për në Greqi, zhvendosja në Itali i bashkuar me Komiteti Shqipëria e Lirë, bashkimin me Kompaninë 4000 në Gjermani, desantimin në Martanesh, largimin për në Reç pas plagosjes dhe pastaj arrasitja për në Jugosllavi ku pas kapjes burgoset në Shkup, zhvendosja në Shabac të Serbisë, largimin për në Itali deri në vendosjen në Nju York të SHBA. Të gjithë anëtarët e kompanisë 4000 kanë qenë gati të jepnin jetën për Kombin ndaj për mua heronj

1Shumë pak, në Shqipëri kanë informacion për kompaninë 4000, anëtarët e së cilës mund të konsiderohen heronjtë e parë të atyre që luftuan për lirinë e shqiptarëve pas rënies së vendit nën kthetrat e komunizmit.

Njëri prej tyre ishte edhe Adem Gjurra, atdhetar, nga Reçi i Dibrës i cili jo vetëm që nuk u pajtua asnjëherë me regjimin komunist, por sakrifikoi jetën e tij për ta rrëzuar atë sistem që sapo kishte hedhur rrënjë.

Ademi ishte njëri prej atyre që luftoi, jo vetëm kundër fashizmit më parë, por dhe regjimin vrastar që u instalua në Shqipëri pas vitit 1945. Për të mësuar më shumë rreth Adem Gjurrës, kompaninë 4000 dhe asaj çfarë Ademi i ka rrëfyer së bijës ndër vite, në një intervistë ekskluzive për gazetën “55” flasim me Afërdita Gjurrën (e thërrasin Dita) e cila na rrëfen momentet më të vështira të jetës së familjes së saj të rrëfyera nga babai, të atyre që kujton ajo personalisht, si dhe rreth bashkëpunëtorëve të Ademit në kompani, në mision, të treguara nga babai për të. Teksa flasim me Afërditën, në sytë e saj shohim dhimbjen që ajo ka, jo vetëm për vuajtjet e babait të saj, por dhe në rrëfimet që ka pasur nga Ademi, ajo flet me superlativa për bashkëpunëtorët e tij, anëtarët e kompanisë dhe thotë se çdo pjesëtar i kompanisë 4000 desantues apo jo duhet të marrë vlerësimin e merituar. Afërdita Gjurra (Dita) ndodhet në Tiranë dhe ndihet shumë e nderuar që sot do të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani për dekorimin e kompanisë 4000. Ishte një ëndërr e të gjithëve thotë ajo (teksa nuk e fsheh emocionin duke rrëfyer) që një vlerësim i tillë të vinte nga Shqipëria. Duhej ky vlerësim për kompaninë sepse të gjithë anëtarët e saj ishin të angazhuar për lirinë e Shqipërisë (të thirrur nga Komiteti Shqipëria e Lirë) pavarësisht se stërviteshin nga amerikanët dhe britanikët. Ky vlerësim nga Presidenti Nishani shkon për të gjithë anëtarët e kompanisë që në dijeninë time ishin diku të 350 veta (Legaliteti, Balli, grupi i Kosovarëve (Sait Kryeziut) dhe të pavarurit). Nga kompania ka diku 19 të vrarë të tjerë dhe disa të kapur gjallë. Në këtë intervistë Afërdita Gjurra flet për vuajtjet e Adem Gjurrës nga momenti i arratisjes nga Shqipëria, desantimi në Shqipëri duke rënë me parashutë në Martanesh, ku babai i saj ishte dhe Kryetar i Misionit të Parë të organizuar prej Komitetit Shqipëria e Lirë dhe Mbreti Zog për kompaninë 4000. Ja çfarë rrëfen ajo për gazetën “55”.

Zonja Afërdita, ju jeni vajza e Adem Gjurrës anëtarit të kompanisë 4000, si dhe Kryetari i Parë i Misionit të kësaj kompanie në desantimin në Shqipëri. A mund të na rrëfeni kush ishte babai juaj?

Adem Gjurra ka qenë një oficer xhandarmërie në kohën e qeverisjes së mbretit Zog. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ka nisur lëvizjen për lirinë e kombit të vet. Ai ka krijuar një rrjet rezistence ku ka dhënë shumë prova gjatë luftës kundra italianëve dhe gjermanëve. Pas luftës së dytë botërore më të ardhur në pushtet komunistët babai doli sërish në mal kundër komunistëve kundër këtij sistemi pasi e konsideronte të dëmshëm për kombin ku të ndalonte edhe besimin në Zot. Adem Gjurra luftonte për një Shqipëri të lirë Etnike prandaj si i tillë ishte zgjedhur si përfaqësuesi i të gjithë grupeve të arratisurve të Dibrës, pjesës së Lumës në të gjithë mbledhjet e nacionalistëve deri në vitin 1946 kur vendosi të kërkojë ndihmë për çlirimin e popullit shqiptarë nga Komuniteti dhe mbreti Zog që në atë kohë gjendeshin jashtë Shqipërisë.

Ndalemi pikërisht këtu. Kur u arratis Adem Gjurra nga Shqipëria dhe përse dhe çfarë dini për atë moment të largimit të tij?!

Babai u detyrua të arratiset nga Shqipëria në vitin 1946. Në atë vit u bashkuan shumë grupe antikomuniste. Ishte grupi i Adem Gjurrës, grupi i Muharrem Bajraktarit disa grupe nga Kosova, të tjera grupe nga Shqipëria me 3-4 veta gjithsej në dijeninë time dhe u bënë 56 persona dhe vendosën të kalojnë kufirin me Greqinë ku prej andej të shihnin mundësinë se çfarë mund të bënin diçka për të ndihmuar popullin e tyre për instalimin e një regjimi demokratik, për një tjetër mënyrë jetese jo atë që u krijua pas luftës me instalimin e komunizmit në Shqipëri.

Kur u arratisën ka qenë natë dhe kanë kaluar kufirin përmes Jugosllavisë ku kanë kaluar 2 ditë luftë duke humbur shumë shokë gati gjysmën e shokëve ku disa u kapën gjallë se ishin të plagosur, disa kanë ndenjur me anëtarë të familjes se nuk i linin të plagosur vetëm dhe të tjerë kaluan në Greqi pas 2 ditëve luftë.

Çfarë ndodhi në Greqi me ata që mundën të kalonin mes tyre dhe babai juaj Ademi?

Pas kalimit të kësaj situate të rëndë dhe ata që mundën të kalojnë janë çuar në kamp në shtetin fqinj. Në Greqi ata kanë vazhduar Lëvizjen Monarkiste që e kishte në atë kohë emrin sepse më vonë u quajt Lëvizja e Legalitetit ku zgjodhën kryesinë në atë kohë dhe babai u caktua drejtori i anëtarësimeve në rini. Gjatë kësaj kohe, por dhe më vonë kur kanë kaluar në Itali janë anëtarësuar nga babai mbi 1500 të rinj në Lëvizjen e Legalitetit.

Si mundën të kalojnë në Itali?

Kalimin në Itali e mundësuan shoqata ndërkombëtare plus Komiteti Shqipëria e Lirë, por që më vonë u krijua dhe Fronti i Rezistencës, ku të gjithë faktorët shqiptarë vendosën të luftojnë ndaj komunizmit. Në vitin 1950 u krijuar Komiteti Shqipëria e Lirë në të cilën merrnin pjesë; Legaliteti, Balli Kombëtar, të Pavarurit dhe Grupi i kosovarëve të Sait Kryeziut. Gaçi Gogo u caktua sekretar i Komitetit Shqipëria e Lirë i cili ka qenë drejtues një partie monarkiste të vogël, por që më vonë i shkriu anëtarët në Lëvizjen e Legalitetit.

Ishte Gaçi Gogo ai i cili i kërkoi babait të ofrohej në grupin që do të luftonte për Shqipërinë e Lirë duke i deklaruar se kishin ndihmën e amerikanëve dhe anglezëve dhe se do bënin diçka për kombin. Ishte Gaço Gogo që i ka kërkuar babait në pranverë që të zgjedhë personat që dëshironte dhe do të stërviten, përgatiten për tu kthyer në Shqipëri.

Po më pas çfarë ndodhi?

Babait i kanë caktuar 25 persona duke i pohuar të merrte kë të donte pasi planifikimi i kompanisë 4000 ka qenë krijimi i tre togave; një për Lëvizjen e Legalitetit, një për Ballin Kombëtar, si dhe një për Grupin e Sait Kryeziut dhe të tjerë të pavarurve duke mos qenë të angazhuar në parti politike. Brenda togës së Lëvizjes së Legalitetit babait i kanë caktuar 25 persona që do t’i zgjidhte vet, mes tyre dhe kushëririn e vet Shaban Gjurrën dhe nga muaji maj i vitit 1950 ku më pas i kanë transportuar nga Italia për në Gjermani.

Pra ky ishte starti i krijimit të kompanisë 4000 nga Komiteti Shqipëria e Lirë?

Po kompania ishte ngritur dhe Caush Basho u caktua Komandant i Përgjithshëm i Kompanisë 4000 dhe ishte pjesë e Ballit, Xhemal Laçi zv/komandant i kompanisë 4000 dhe Komandant i Togës së Legalitetit, kurse Adem Gjurra ishte zv/komandant i Togës së Legalitetit.

Cili ishte aktiviteti i Kompanisë 4000 dhe çfarë roli kishte Adem Gjurra?

Siç e thashë dhe më lart Adem Gjurra ishte zv/komandant i togës së Legalitetit me detyrë oficer roje i objekteve të ushtrisë amerikane në Gjermani, kurse të tjerët u caktuan në punë të tjera kuzhinë, magazinë, shofer etj. Babai u caktua oficer roje duke qenë se ka pasur eksperiencë pasi ka qenë në xhandarmëri në kohën e mbretit Zog. Pas disa muajve kanë ardhur e kanë marrë hipur në makinë nuk ka pas as paralajmërim ku i kanë marrë dhe me të tjerë dhe i kanë çuar në stërvitje për t’u përgatitur në 2-3 vende. Brenda kompanisë gjërat personale të tyre janë sekuestruar i kanë magazinuar me çelës sepse këto do të ishin njerëzit pa dokumente ku do të shkonin. Gjatë stërvitjes babain e kanë caktuar komandant i personave në stërvitje, kurse stërvitjen e kanë mundësuar të huajt. Ata stërviteshin nga amerikanët dhe anglezë, por me marrëveshje të plotë me Komitetin Shqipëria e Lirë.

2Cili që aktiviteti pas stërvitjes nga amerikanët dhe anglezët të anëtarëve të kompanisë 4000 që stërviteshin me Ademin?

Pas stërvitjes janë ndarë në 4 grupe me u nis për Shqipëri. Babai ishte komandant i grupit të parë, por për arsye të ndryshme Ademi caktohet të ishte dhe Kryetar i Misionit të Parë të organizuar prej Komitetit Shqipëria e Lirë për Kompaninë 4000 dhe erdhi të luftojë për çlirimin e shqiptarëve nga regjimi komunist. Kur i kanë treguar babait se ku do të shkonin pasi nuk janë diskutuar më parë me pjesëtarët në stërvitje, ai e ka kuptuar se diçka nuk do të shkonte mirë pasi ai ka qenë me shërbim në Martanesh para lufte komandat poste dhe iu ka thënë se Martaneshi nuk ka qenë vend shumë i mirë apo Luma për grupin e kuksianëve, pra, jo të përshtatshme, por vendimet ishin marrë dhe pasi i kanë diskutuar mes vetes, dy grupe janë ndal nuk kanë  shkuar mes tyre dhe grupi i Krujës veç Iljaz Toptanit që ishte zv/komandant i këtij grupi, kurse babai ka qenë komandant i grupit të parë, Dibrës, Miftar Planea ka qenë komandant i grupit të Kukësit. Iliaz Toptani ka kërkuar të vij me grupin e babës dhe ai e ka pranuar.

Siç dhe e thashë, babai u caktua komandant i Misionin të Përgjithshëm dhe në mision kanë pas pilotë polakë dhe kanë bërë dy herë lëvizje në ajër dhe nuk kanë mundur të hyjnë për arsye të ndryshme si koha etj arsyje. Natën e 19 nëntorit të vitit 1950 kur ka ardhur koha të bien me parashutë babai i ka thënë pilotit: A jemi gati dhe ai i tha kur të duash unë të kam ndez dritën, por diku të rreth 2 minuta pasi ishte ndezur drita e kuqe kur duhej të hidheshin babai i ka pyetur dhe njëherë shokët duke pas dyshimin që dhe mund të ishte rrethuar zona gjithnjë duke menduar se mund të kishte tradhti nga brenda me idenë se mos ka pasur të infiltruar nga qeveria komuniste duke qenë se vinin e inkuadroheshin të rinj në Kompaninë 4000, por siç më vonë u kuptua që ai që kishte tradhtuar ishte Kim Filbi. Dyshimi vinte dhe për faktin se nuk ka qenë vendi i desantimit sipas babait i konceptuar shumë mirë e në rast se duhej të kishte ndonjë problem nuk do të dilnin dot. Çdo grup ka pas 4 anëtarë, por grupi i Ademit ka pas 5 veta duke qenë se ishte bashkuar me të dhe Iljaz Toptani. Veç Iljaz Toptanit me babain ka qenë dhe zëvendësi i tij Selim Daci, Xhetan Daci si dhe Sali Dalliu. Kur kanë ra me parashutë Xhetan Daci është vrarë duke rënë dëshmorë dhe babai gjithnjë e ka vajtuar e kujtuar gjithë kohën, pasi ka qenë dhe djalë i ri, Selimi u kap i gjallë. Xhetani ka qenë radist, Selimi si arkëtar pasi ata kanë pas disa fonde për të blerë ushqim dhe armë. Iljaz Toptani ka rënë më larg me parashutë, por babai nuk ka mundur të komunikojë më të dhe ai u kap gjallë, ndërsa babai i plagos lehtë dhe bashkë me Sali Dalliun pas një rezistence kanë mundur të largohen nga vendi dhe kanë mundur të shkojnë deri në Reç në fshatin e tij ku është takuar me pjesëtarë të familjes dhe është mjekuar.

Pas qëndrimit në Reç çfarë ka ndodhur?

Ky ka qenë një moment i vështirë për babain. Nuk kishte asnjë mundësi të komunikonte të jepte lajmin që mos sillni të tjerë pasi ishin tradhtuar. Xhetani u vra, radio ishte shkatërruar, por dhe ishte vetëm për një komunikim të brendshëm mes anëtarëve të misionit. Pas qëndrimit disa ditë në Reç ku u përmirësua pak siç e thotë vet në një shënim të tijin, i mbylla sytë dhe u drejtova drejt kufirit me Jugosllavinë të takohem me shqiptarët atje më pas mundësi me dërgua ndonjë lajm jashtë. I kanë strehuar familja e Abdulla Dragoshit si dhe i ka ndihmuar që të kalojnë kufirin. Ditën e vitit të Ri janë kapur nga forcat jugosllave. Babai ende nuk ka qenë i shëruar nga këmba, e kanë marrë dhe e kanë çuar në burg në Shkup. Aty ka qenë tmerri që babai ka parë me sy. Torturat kanë qenë të tmerrshme që nga psikologjiket kur ai dëgjonte që nga komunikimi i gardianëve të cilët flisnin më njëri-tjetrin se, shihni se çfarë do t’u bëjmë këtyre më vonë. Babai ka vendosur të qëndronte kur e kanë thirrur dhe i kanë thënë e di se të pret e zeza nëse nuk na tregon atë çfarë ne duam. Babai nuk e kishte problem dhe iu thoshte që unë kam qenë në vendin tim për lirinë e Shqipërisë dhe nuk kam asgjë me ju. Ndërsa ata donin të dinin që në mos e njëjta gjë e përgatitur nga perëndimi për Shqipërinë mos ishte përgatitur dhe për Jugosllavinë. Ata dyshonin dhe e pyesin dhe për natën e kalimit në Maqedoni në vitin 1946 pasi nga përplasja pati disa ushtarë të vrarë nga pala Jugosllave dhe donin ta pranonte që ta gjykonin për atë ngjarje dhe ta donin për vdekje. Duke qenë se nuk mundën që me presion psikologjik dhe tortura ta bindnin babën të fliste në burgun në Maqedoni, pastaj nisën të përdornin drogëra të ndryshme. Sa ditë kalonin babai se kuptonte, shkonte flinte kur e gjente veten në zyrë, apo në një vend tjetër në burg!.

Çfarë ndodhi pas burgut në Shkup?

Pas lirimit nga burgut në Shkup, jugosllavët nisën me një taktikë tjetër duke i thënë ti je burrë i mirë, kemi respekt, do të japim apo atë, si dhe një punë në shtet, shtëpi etj. I kërkuan të çojnë agjentët e tyre të merrnin  familjen në Reç të ia sillnin aty, por i thonin do punosh me ne. Babai nuk pranoi duke iu thënë se jo, ju do ta merrni familjen ta sillni këtu, ta përdorni kundra meje që të bëj unë punën tuaj kundra vëllezërve të mijë në Kosovë dhe Maqedoni dhe kjo nuk bëhet. Babai ishte atdhetar dhe nuk e shiste çështjen shqiptare. Ai kurrë nuk ka pranuar të bashkëpunojë në asnjë mënyrë për asnjë kusht.4

Më pas ku e çuan Ademin?

 

E çuan, e internuan në Shabac të Serbisë, 86 km nga Beogradi ku sillnin dhe të tjerë. Shabaci u bë zonë e hapur, por jashtë qytetit nuk lëvizje dot. Një pjesë mundën të dalin me mënyrat dhe ndërhyrje më shpejt, kurse babai ndenji në internim 14 vjet duke mos u dorëzuar dhe mos iu firmosur asgjë jugosllavëve pavarësisht propozimeve të tyre dhe mbeti vetëm ai në Shabac. Aty është njohur më nënë time Milica, me të cilën u dashurua e cila në çdo rast do të ishte një dëshmitare e jetës së tij, për atë çfarë do që t’i ndodhte babait. Trajtimi aty ishte skandaloz i kanë lënë me vdek urie. Kur ikën të gjithë dhe babai mbeti vetëm erdhi një shans për të ikur në një kamp tjetër në kampin e Gerovës në Kroaci për procesim me dal jashtë. Shumë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia shkuan si dhe babai më nënën time, ku ndenjën disa muaj por i kthyen të gjithë ku ishin më parë, pra i gënjyen!. Ka jetuar në një dhomë të vogël 3 me 3 me tulla balte dimrit ku kishte dy gishta akull siç thotë babai. Babai përfundoi në spital për ftohje dhe doli me turbekuloz dhe gjithmonë më rrëfente që e bënin këtë që të vdisja nga arsye natyrale, pasi nuk mund të më vrisnin drejtpërdrejtë pasi në Kosovë do bëhej zhurmë e madhe pasi e njihnin si nacionalist që jepte gjithçka për kombin. Plus kësaj kryetari i OKLL në perëndim ka qenë Pr.Dr. Nuqi Kota i cili e kishte regjistruar babën në Shoqata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, të Persekutuari Politik dhe të Persekutuarit për Kombësi dhe ka pasur mbikëqyrje nga Kryqi i Kuq dhe shoqata të tjera të cilat do të kërkon arsyet e vdekjes. Babait të sëmurë i vinin disa ilaçe nga shokë që kishte në perëndim dhe nga kushëri i vet Shaban Gjurra edhe ai anëtar i kompanisë 4000, i cili pas daljes nga kompania shkoi në SHBA dhe na ka nis ndonjë gjë ai shokët e babit për të mbajtur shpirtin e gjallë si dhe kemi mbijetuar fal punës së nënës sime e cila bënte punë shumë të rënda, punë burrash. Në Shabac kemi vuajtur nga i ftohti, uria sëmundje, dhe unë kur kam lindur që e vogël kam pas shumë sëmundje si pasojë e mungesës së ushqimit, ftohjes etj.

Kur ikët nga Serbia dhe si mundët të largoheshit?

Kushëriri i babait, Shaban Gjurra mori vizë si turist kërkoi të vinte në Serbi. Siç më tregon babai kur u mor vesh lajmi se do të vinte Shabani nga SHBA, menjëherë na kanë marrë nga ajo dhoma 3 me 3 dhe na çuan në një banesë me dy dhoma!. Babai me kushëririn bën plane dhe më vonë me dokumente false për babën u larguan (duke njoftuar në kamp se gjoja do të shkonin në det). Ne ikëm me tren deri në kufi dhe më pas kemi ecur në këmbë pak dhe prej andej mundëm të shkojmë në Itali ku ndenjëm në një kamp në Trieste dhe më pas u transferuam në Latina afër Romës dhe për 6 muaj pasi shkoi babai në ambasadën e SHBA dhe më pas mundëm të shkojmë në Nju York.

Por kur shkuat në SHBA?

Kur kemi mbërritur në aeroport në Nju York nëna tha shyqyr që shpëtuam që nuk ra avioni, ndërsa baba; fitova ndaj Jugosllavisë se dola gjallë. Ishte një fitore e madhe pasi nuk ka pasur besim se do të shpëtonte. Ai gjithnjë me ka pas fol për familjen që la në Dibër, për historinë e Shqipërisë, për vuajtjet e veta, shokëve dhe sot historitë e vuajtjes së tij dhe shokëve janë të gjalla tek unë, të atyre që kanë luftuar për lirinë e Shqipërisë, të atyre që u vranë, u kapën kur ishin në mision si dhe për ato që ishin pjesë e kompanisë po nuk u desantuan. Të vrarët dhe të kapurit nga misioni i kompanisë 4000 janë si trashëgimi për mua dhe e kam për detyrë të luftojë flas për ta për aq sa di. Babai im ka luftuar që personat që kanë marrë pjesë në kompaninë 4000 ose të gjithë ata që nga 1949 -1954 të trajtohen si Dëshmorë Kombi. Doli që Kim Filbi i tradhtoi dhe babai nuk e ka ditur këtë derisa u shkrua libri i Nikola Bethel “Tradhtia e Madhe”. Babai ka dyshuar tek ky person por që anglezët e lanë më shumë në detyrë pasi ka pasur dhe misione të tjera të dështuara si në Poloni e vende të tjera. Anëtarët e kompanisë 4000 nga 1952-1954 për mua personalisht janë gjaku ynë.

A ka pasur më parë vlerësim më parë për kompaninë 4000. Presidenti i Republikës do ta dekorojë kompaninë. Cili është komenti juaj?

Vlerësimi nga Presidenti i Republikës më 20 shkurt është realizimi i një ëndrre për të gjithë ne si familjarë të anëtarëve të të Kompanisë 4000. Kjo ka qenë dhe ëndrra e babait tim gjithë jetën i cili nuk ka luftuar vetëm për veten, por që të vlerësohet ky kontingjent, të vrarët, të burgosurit, familjet e tyre dhe të tjerë që kanë qenë në mision dhe të tjerë që kanë qenë gati të nisen në mision kur tu thoni që keni radhën. Të gjithë anëtarët e kompanisë 4000 kanë qenë gati të jepnin jetën për Kombin. Personalisht jam përpjekur të ketë vlerësim për anëtarët e kompanisë 4000 dhe me vjen keq që në Shqipëri nuk ka pasur kaq shumë njohuri apo vlerësim për të. Duhet të njihet kjo pjesë e historisë nga shqiptarët pasi kjo kompani ishte krijuar nga Komiteti Shqipëria e Lirë që ishte organ i komunitetit antikomunist shqiptar.

Presidenti Berisha i ka dhuruar babait tim një dekoratë “Pishtari i Lirisë”, por sa i përket anëtarëve të Kompanisë 4000 desantuesve kryesisht dhe të vrarëve veçanërisht, nuk iu është dhënë vlerësimi i duhur ndaj falënderojë shumë Presidentin Nishani që me këtë dekoratë ka marrë përsipër vlerësimin e kësaj pjese të historisë shqiptare. Dua të them që dhe për ata nuk kanë preferenca të njëjta, pra bindje të tjera politike, duhet të vlerësojnë dashurinë e anëtarëve të kompanisë 4000 për Kombin. Historia duhet t’i trajtojë të gjithë ngjarjet e kombit siç janë. Për mua mjafton të njihet fakti që Kompania 4000 ka luftuar për lirinë e Shqipërisë, kthimin e demokracisë moderne. Komiteti Shqipëria e Lirë ju ka dhuruar një medalje anëtarëve të kompanisë 4000 në përkujtim të desantuesve të parë.

3Kush ishte Adem Gjurra?

Adem Gjurra ka lindur në Reç të Dibrës më 13 mars 1912 dhe vdiq më 6 janar 1985. Ishte pjesëtar i një familje atdhetare e cila kishte luftuar për çlirimin e Shqipërisë që nga koha e Turqisë. Ishte i Biri i Hysen Shaban Gjurrës i dalluar për trimëri. Adem Gjurra mbaroi shkollën e nënoficerëve në vitin 1932 në Shqipëri. Më pas iu dha detyra e komandantit të Xhandarmërisë Mbretërore në Kalanë e Dodës. Ademi në Shqipëri ka qenë i martuar me Xhevahire Markun më të cilën pati 6 fëmijë dhe vetëm dy i jetuan Ismail Gjurra dhe Sali Gjurra. Ndërsa jashtë Shqipërisë u martua me Milica Risiç me të cilën ka një vajzë Afërdita Gjurra.

 

 

 

1 Koment

  1. Aferdita Gjurra

    27/02/2017 at 11:12

    Shum faliminderit per mundin tuaj ne drejtim zdritimit qashtjes Kompanies 4000. Gjithashtu falinderoj President Nishanin per iniciativen e tij per te nderue antaret Kompanies edhe me paraqit publikut Shqiptar vujtjet e famileve te tyre.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>