Ahmet Prençi: Rilindja qeverisja më e dështuar në 27 vjet, të votohet Republika e Re me Bashën kryeministër

ahmeti

Flet kandidati i PD-së për deputet në Tiranë: Jo qeverisjes së bojatisur dhe fasadave!. Ja përse iu përgjigja ftesë për tu përfshirë në politikë. I bëj thirrje gjithsecilit të besojë në vizionin e Lulzim Bashës, liderit të PD-së dhe opozitës nesër Kryeministri i Shqipërisë në ndërtimin e Republikës së Re, Shqipërisë evropiane. Kjo është qeverisja më e dështuar në 27 vite demokraci, pasi vjen para zgjedhësve pa bilanc

 Listës së Partisë Demokratike për kandidatë për deputetë i janë bashkëngjitur intelektualë të shquar, biznesmenë me histori suksesi, por edhe zyrtarë të shtetit, të cilët kanë qenë absolutisht të suksesshëm në detyrat që kanë mbajtur në shërbim të qytetarëve. Ata sot janë gati që gjithë përvojën e tyre kanë pranuar ta vënë në dispozicion të qeverisjes së forcës politike, e cila i ftoi në gjirin e saj, në funksion të ngritjes së Republikës së Re të premtuar nga Lulzim Basha.

Njëri prej tyre është edhe Ahmet Prençi, një emër i njohur për të gjithë i organeve ligjzbatuese në vend, me një karrierë brilante, profesionist i zoti për çdo ditë që ka qenë si shërbëtor i denjë i shtetit. Zoti Prençi është mjaft aktiv në zonën që ka ngarkuar PD në Kamëz, por ai gjendet kudo në Tiranë krah kandidatëve të tjerë me një mision të vetëm: sigurimin e fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit.

Në një intervistë për gazetën “55”, Ahmet Prençi flet për besimin dhe vlerësimin për të qenë pjesë e listës së PD-së për deputet, si u prit nga strukturat e partisë, përse vendosi të angazhohej në politikë si dhe jep një koment për listën “Basha”.

Në këtë intervistë Ahmet Prençi flet edhe për hallet dhe shqetësimet që po ndan me zgjedhësit në këtë fushatë elektorale, komenton qeverisjen e Ramës në këto 4 vite dhe impaktin që ajo ka pasur për një jetë më të mirë në Kamëz, Tiranë e shkallë vendi, si dhe komenton dallimin mes qeverisjes së PD-së dhe “Rilindjes” sa u përket investimeve, gjendjes pranë qytetarit, duke e ilustruar këtë dhe me rastin e Kamzës para dhe pas vitit 2013. Në mbyllje të intervistës Ahmet Prençi komenton listën kundërshtare dhe sa moral kanë ata të dalin para votuesve si dhe ka një mesazh për zgjedhësit. Ja si shprehet më tej z. Prençi.

Zoti Prençi, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha ju ka besuar për të kandiduar për deputet i Qarkut Tiranë. Si ndiheni pas këtij vlerësimi?

Unë që në vitin 1990, kur isha student, jam përfshirë në lëvizjen e ndryshimit të madh si të gjithë bashkëmoshatarët e mi. Pas ndryshimit të sistemit vazhdimisht kam qenë i punësuar në struktura shtetërore në pozicione nga fillestaret deri në drejtimin e strukturave të larta si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Nga prejardhja ime dhe prindërve të mi, si pjesë e brezit që shembi komunizmin, si një zyrtar i promovuar në detyrë shumë të lartë nga Partia Demokratike, unë ndiej detyrimin për të kontribuar sa të mundem për këtë forcë politike. Ftesën për të dhënë një kontribut në këtë parti e kam pritur me shumë dëshirë dhe jam i privilegjuar që pas gjithë kësaj karriere administrative të vë në dispozicion të Partisë Demokratike gjithçka mundem. Ndihem shumë i nderuar.

Është bërë prezantimi juaj dhe i kandidatëve të tjerë në shkallë qarku. Si u pritën nga strukturat e partisë dhe si po shkojnë takimet me zgjedhësit?

Unë nuk kam përvojë politike, por kudo ku kam shkuar, kam gjetur miq e shokë mjaft dashamirës me mua. Pothuajse me pjesën me të madhe të tyre kisha njohje personale dhe unë jam ndier shumë mirë, shumë i motivuar dhe shumë komod për sfidën e përbashkët. Unë kudo ku kam shkuar në Kamëz, Paskuqan, te njësia 8, njësia 4 dhe kudo ku kam qenë në fushatë këto ditë, kam takuar me qindra miq, kolegë, patriotë të mi. Sigurisht që unë nëpërmjet punëve shtetërore që kam kryer, kam njohur shumë persona, por tani më jepet rasti t’i përkushtohem pikërisht asaj që më ka munguar: të shkoj pranë tyre kudo e të ndajmë së bashku hallet e shqetësimet, kujtimet dhe respektin e ndërsjellë. Është një gjë që kam filluar këto ditë ta bëj me shumë dëshirë, pasion e vendosmëri.

Zoti Prençi, ju jeni i ri në politikë, por vini si shembulli i profesionistit, pasi konsideroheni drejtori më i suksesshëm i Policisë që pas rënies së komunizmit e rrjedhimisht jeni edhe një vlerë qytetare. Si e pritët ftesën për t’u kandiduar dhe a mund të marrim një koment tuajin për listën “Basha” në Tiranë, por edhe në shkallë vendi?

Ftesën e prita me shumë krenari, pasi kam mundësi që gjithë përvojën time tashmë ta vë në dispozicion të bashkëqytetarëve të mi nëpërmjet politikës që është në gjendje të ndryshoj shoqërinë. Kudo ku shkoj, marr përgëzime për punën që kam bërë në krye të Policisë së Shtetit. Kjo më bën disa herë krenar. Është shumë e rëndësishme të jesh me ballin lart për historinë e suksesit tënd. Lista e kryetarit Basha është listë e fitores, unë jam pjesë e saj dhe kjo gjë më gëzon shumë. Është një listë pothuajse e re, mua më gëzon kjo gjë.

Si profesionist po të shtrojmë pyetjen: Pse ka ndodhur ky degradim i rendit në vend nën qeverisjen e “Rilindjes” ku krimi është në nivele alarmante dhe se hashashi pushtoi gjithë vendin. Nëse më 26 qershor PD vjen në pushtet, a ka ndonjë plan për rikuperimin e kësaj situata sa më shpejt të jetë e mundur?

Gjithçka lidhet me vullnetin politik. E kam thënë publikisht dhe po e përsëris që kanabizimi i gjithë vendit nuk ndodh pa një dirigjim shtetëror. Kriminalizimi i Parlamentit, i administratës dhe i shoqërisë nëpërmjet kanabisit ishte skema e dukshme e qeverisjes së Partisë Socialiste. Kjo ishte me pasoja të rënda për vendin. Edhe situata e rendit nuk ka qenë në nivelet e pritshmërisë ku krimit i është lënë terren për të vepruar. Pa dashur të ndalem në çdo ngjarje ne jemi dëshmitarë të mjaft ngjarjeve të bujshme kriminale që ende dhe sot e kësaj dite janë të pazbardhur dhe autorët nuk janë çuar para drejtësisë.

A mund të na thoni cilat janë hallet dhe shqetësimet të cilat ju janë ngritur dhe po ndani në fushatë me zgjedhësit?

Problemet e qytetarëve të Kamzës dhe Paskuqanit janë të shumta dhe kjo, falë keqqeverisjes. Papunësia është kryefjala e çdo banori, me të cilët takohem pasi siç thonë as dhe në ndërtim nuk ka punë tani! Varfëria është ulur këmbëkryq në shumë familje. Të gjendur me shpatulla pas murit, pa asnjë shpresë, këta qytetarë kërkojnë të paktën të trajtohen me ndihmë ekonomike, por as këtë nuk ua jep qeveria. Mjaft familje më kot trokasin në Bashki ku aplikojnë për të përfituar këtë ndihmë, pasi Shërbimi Social Shtetëror i refuzon, edhe pse atyre u takon ligjërisht dhe plotësojnë kriteret e duhura për ta marrë atë pagesë lëmoshë nëse mund ta quajmë kështu!. Me mijëra familje janë hequr padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike. Prej vitit 2013 numri i familjeve që janë larguar nga skema e përfitimit të ndihmës ekonomike në Kamëz dhe Paskuqan është 6 mijë familje. Çudia nuk ndalet këtu, pasi grupmoshat 35-70 vjeç përfitues të ndihmës ekonomike detyrohen me VKM të bëjnë analizat e detyrueshme bazë çdo vit (Check Up), në të kundërt u hiqet ndihma! Një problem prekës janë edhe marrëveshjet me OSHEE-në, jo se qytetarët nuk duan të paguajnë energjinë, por na pohojnë mjaft probleme si mbifaturimet dhe mossistemimi i kilovatëve në sistem kur ankohen. Ka familje që është faturuar me miliona lekë, ndërkohë që kanë vetëm një llambë në shtëpi. Këto ankesa nuk janë zgjidhur. Padrejtësia është e pranishme në qindra familje. Të tjera probleme janë dhe ato më të cilat përballet çdo shqiptar, si: mjekësia e rrënuar, arsimi i degraduar si dhe situata e rendit e përkeqësuar. Sa i përket kësaj të fundit, me kompetencë mund ta them duke qenë ish-kreu i Policisë së Shtetit, situata kriminale me vullnet politik përmirësohet menjëherë. Prova është dhënë në 2005-ën e mbrapa. E kujtoni besoj se sa grupe kriminale shumë të rrezikshme përfunduan prapa hekurave.

Në këto 4 vite të qeverisjes së Edi Ramës a mund të na bëni një bilanc, nëse ka, të asaj çfarë “Rilindja” ka bërë në Qarkun Tiranë e veçanërisht Kamëz, për të ndikuar në përmirësimin e jetesës së qytetarëve?

Kjo qeveri është totalisht e dështuar. Asnjë premtim i dhënë në fushatën e vitit 2013 nuk është mbajtur dhe për këtë arsye duhet të japin llogari së pari para zgjedhësve, pastaj të dalin e ripremtojnë. Bashkia e Kamzës është parë politikisht nga qeveria, sepse kam marr informacion dhe me rezulton se ka aplikuar me mbi 130 projekte pranë institucioneve qendrore me standardet e duhura dhe asnjë nuk është miratuar dhe financuar asnjë nga ana e institucioneve të qeverisjes qendrore. A nuk tregon kjo indiferencën e kësaj qeverie ndaj qytetarëve të Kamzës?! Aplikimi i projekteve ka qenë në fusha jetike, si: infrastruktura rrugore, arsimi, ujësjellësi, kanalizimet, kultura, sporti, bujqësia etj. Më konfirmuan dhe për turp në 4 vite qeveria ka rikonstruktuar vetëm qendrën shëndetësore dhe ajo ende nuk ka mbaruar!.

Pavarësisht se sot shkoni para zgjedhësve me një platformë tjetër për një qeverisje shumë më të mirë, qeverisjen që do të ketë në qendër qytetarin, jo si të Edi Ramës, por më të mirën e 27 viteve, a mund të bëjmë një krahasim të investimeve të qeverisë së PD-së para 2013-ës dhe të qeverisë “Rama” në Kamëz?

Kjo qeverisje është vetëm fasadë. Partia Demokratike bën vepra të mëdha, këta i bojatisin. Në Kamëz investimi i qeverisë është 0 në këta 4 vjet. Qeverisja e Partisë Demokratike ka qenë qeveri e cila ka investuar anekënd vendit e sigurisht Kamzën nuk mund ta linte pas dore. Deri në vitin 2013 vetëm në Kamëz janë ndërtuar 18 shkolla të reja të tjera si dhe janë rikonstruktuar të tjerat. Është ndërtuar Pallati i Kulturës, Palestra e Bathores, është financuar shtrimi i qindra kilometrave rrugë, është siguruar kontrata nga qeveria “Berisha” e financimit të ujësjellësit që sot po konkretizohet etj. Qeverisë “Rama” i mungon çdo lloj bilanci, sa ka bërë qeveria e PD-së në Kamëz; “Rilindja” nuk i ka bërë në gjithë Shqipërinë. Kanë vetëm fjalë. Nga sa jam informuar, Bashkia Kamëz po punon më ritme të shpejta me të ardhurat e veta pavarësisht nga vetoja qeveritare. Investimet që po bëhen gjithandej në Kamëz dhe Paskuqan po bëhen vetëm me fondet e Bashkisë. Punohet çdo ditë dhe me intensitet. Për këtë vit nga Bashkia janë mbi 50 projektet infrastrukturore në rrugë, kanalizime etj. Prioritet shihet furnizimi me ujë 24 orë, falë projektit të KfË-së dhe ky është projekti më strategjik i qytetit të Kamzës që bën të mundur furnizimin me ujë të pijshëm të më shumë sesa 70 për qind të qytetarëve të Kamzës. Shoh që po punohet intensivisht në rrugën “Demokracia” (segmenti Ura e Institutit-Qendër-Babrru) 7 km. Ky investim u vjen në ndihmë mbi 50 mijë banorëve të Njësisë Administrative Paskuqan. Realizimi i këtij investimi do të ndikojë në lehtësimin e trafikut edhe për banorët e kryeqytetit, të cilët do të zgjedhin të kalojnë përmes kësaj rruge. Po në Paskuqan po bëhet edhe rivitalizimi i qendrës së Babrrusë si dhe po investohet në rrugë, kanalizime dhe në disa fusha të tjera, ku paraqiten nevoja emergjente dhe ka pasur kërkesa të shumta për ndërhyrje. Në Kamëz, përpos mjaft zonave ku ndërhyhet mund të veçoj segmentet rrugore në të cilat është investuar, si: rrugët “Liria” dhe “OSBE” rreth 1 km, investime shumë rëndësishme, me fondet e Bashkisë Kamëz. Dua të përmend dhe një nga investimet më të rëndësishme të realizuara nga bashkia siç është bulevardi “Donald Trump”. Janë dhe dy projekte të rëndësishme të Bashkisë që pritet të konkretizohen po me fondet e saj, si: ndërtimi i sheshit të ri në qendër të qytetit, pranë Pallatit të Kulturës si dhe ndërtimi i një pedonaleje përgjatë “Bulevardit Blu”. Edi Rama vazhdon të tregojë barsoleta hallexhinjve në gjithë vendin. Nuk është serioze absolutisht për një Kryeministër serioz të një vendi shumë të varfër.

Si ju duket lista e kundërshtarëve politikë dhe a kanë ata moral të dalin sërish në fushatë sot për të ripremtuar ato që nuk i realizuan për 4 vite?

Unë nuk besoj se qeveritarët të quajtur ndryshe rilindësit nuk kanë moral të dalin para qytetarëve me pseudoplatforma, premtime pasi në një mandat nuk mundën të mbajnë qoftë dhe një pikë të programit të tyre shpalosur para shqiptarëve. Nuk di se çfarë mund të premtojnë kur kanë dështuar. Thonë do hapim 250 mijë vende pune, por a i hapën ato 300 mijë që premtuan në vitin 2013?!. Këtë do ta provoj më datë 25 qershor. Qytetarët po janë ndier mirë me këtë qeverisje gjë të cilën unë kurrsesi se besoj.

Një koment juaji i shkurtër për qeverisjen e Edi Ramës. Si do ta cilësonit?

Qeveri e bojatisur, qeveri e fasadave. Kjo është qeverisja më e dështuar në 27 vite demokraci, pasi vjen para zgjedhësve pa bilanc. Nuk di të ketë një premtim të mbajtur dhe të shkojnë para shqiptarëve dhe t’u thonë: Po, këtë e kemi mbajtur. Të kërkosh votën, të propagandosh mandat të dytë kur nuk ke bërë asgjë, vetëm “Rilindja” mund ta bëjë.

Cili është mesazhi që Ahmet Prençi jep për zgjedhësit?

I bëj thirrje çdo qytetari, me apo pa bindje politike, që në zgjedhjet e 25 qershorit të përqafojë platformën e Partisë Demokratike, të besojë në Republikën e Re të Lulzim Bashës, pasi e nesërmja dhe e ardhmja do të jenë më të sigurta. I bëj thirrje gjithsecilit të besojë në vizionin e Lulzim Bashës, liderit të PD-së dhe opozitës nesër Kryeministri i Shqipërisë në ndërtimin e Republikës së Re, Shqipërisë evropiane.  Shqiptarët duhet të krahasojnë modelet e qeverisjes mes së majtës dhe të djathtës. Këto 27 vite Partia Demokratike bën diferencën ku thuajse çdo proces integrues ka firmën e PD-së, siç është liberalizimi i vizave, pranimi i Shqipërisë në KE, në NATO, përmirësimi rrënjësor i infrastrukturës rrugore etj., si dhe anëtarësimi në BE do të bëhet nga Luzim Basha Kryeministri i Republikës së Re.

 

 

 

2 Komente

  1. Aqif Lala

    07/06/2017 at 13:34

    Ahmet Prenci te pershendes dhe ndjehem krenare per ty si Bashkfshatar dhe per te cilin kam paturdhe kam shum respekt sukseeeeeeeeeeeeeseeeeeeee

    • Aqif Lala

      07/06/2017 at 13:37

      Ahmet Prenci te pershendes dhe ndjehem krenare per ty si Bashkfshatar dhe per te cilin kam paturdhe kam shum respekt sukseeeeeeeeeeeeeseeeeeeee

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>