Zëri i Amerikës: Rama tërhiqet nga ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar

Tuesday, 11 September 2018 07:22

Në Shqipëri, qeveria duket se do të bëjë një tërheqje nga ligji për Teatrin kombëtar, duke parashikuar hapjen e një gare për ndërtimin e tij dhe zhvillimin urban të zonës.

Të paktën, kështu bën të njohur letra që Komisioni europian i ka dërguar autoriteteve në përfundim të vlerësimit të Ligjit të posaçëm të propozuar nga qeveria i cili hasi në kundërshtime të forta publike dhe u kthye pas nga presidenti Ilir Meta.
Ligji për Teatrin kombëtar i miratuar me forcën e kartonave të shumicës në fillim të muajit korrik parashikon ndërtimin e një godine të re moderne me fondet e shoqërisë private Fusha së cilës në këmbim i jepen mijëra metra katrorë të tjerë për të ngritur aty pranë, një kompleks kullash shumëkatëshe.
Më shumë se sa debati nëse duhet apo jo një ndërtesë e re për Teatrin, procedura e veçantë që u ndoq në këtë rast përbënte një aspekt me dritë-hije të shumta.
Edhe në letrën që Komisioni europian i dërgon autoriteteve shqiptare theksohet se ‘ligji i posaçëm i miratuar, i cili ka paraparë një përzgjedhje të një kontraktori pa një tender të hapur, ngriti shqetësime lidhur me respektimin e parimit të sipërpërmendur të mosdiskriminimit dhe të parimeve të tjera të prokurimit publik të BE, p.sh trajtim të barabartë, dhe konkurrencë të hapur’.
Në letër, ndonëse shkruhet se ‘nuk mund të konstatohet asnjë shkelje e Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit, në këtë fazë’ theksohet se ‘shërbimet e Komisionit, inkurajojnë autoritetet shqiptare që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg’.
Është pikërisht vijimi i tekstit që zbulon se në ndërkohë qeveria shqiptare duket se ka premtuar të bëjë një ndryshim në ligj.
‘Shërbimet e Komisionit mirëpresin angazhimin e autoriteteve shqiptare për të ndryshuar Ligjin e Posaçëm me qëllim të futjes së një thirrjeje të hapur për zbatimin e projektit të zhvillimit të Teatrit Kombëtar, ku çdo palë private mund të paraqesë një propozim për projektin’.
Opozita shqiptare e cila e ka kundërshtuar më forcë projektin duke folur për një aferë korruptive, u shpreh sot për një fitore të saj
‘Përgjigja e Brukselit është e qartë: Qeveria ka shkelur ligjin! Përgjigja e Komisionit Europian qartësisht i jep të drejtë opozitës për shqetësimet kryesore. Patëm të drejtë kur u shprehëm se ligji shkel parimin e konkurencës. Patëm të drejtë edhe kur akuzuam qeverinë se kishte një paracaktim dhe klient preferencial, si ‘Fusha shpk’, deklaroi deputetja Jorida Tabaku.
Nga ana e tij kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili u vu në vijë të parë të mbrojtjes së këtij projekti, e cilësoi letrën e Komisionit europian ‘një lajm të shkëlqyer.
Ndërsa Ligji nuk shkel MSA-në, kemi shansin ta bëjmë më të mirë’, shkruajti zoti Veliaj në rrjetet sociale. Në fakt pozicioni i zotit Veliaj është i ndryshëm nga ai i pak javëve më parë, kur reagoi ashpër ndaj kthimit pas të ligjit nga ana e presidentit Ilir Meta, duke deklaruar se brenda 40 ditëve do të miratohej siç ishte.
Ndërsa tre ditë më parë, pikërisht në ditën kur Komisioni europian i është drejtuar autoriteteve, ai deklaroi se ‘Besoj se në një draft të dakortësuar me Komisionin europian, ne shumë shpejt do të kemi bazën e nevojshme ligjore, procesin e nevojshëm transparent dhe të hapur për të gjithë dhe në fund fare një Teatër të ri për Tiranën’.
Tani mbetet për të parë se çfarë procedure do të ndiqet.
Nëse shumica do të bëjë një ndryshim në ligj, atëherë do të duhet të votojë pro dekretit të presidentit Meta, për kthimin pas në parlament të tekstit aktual dhe të paraqesë më pas ligjin e ri me ndryshimet që do të lejojnë një garë të hapur për këtë projekt në zemër të kryeqytetit.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Përse duhet mbështetur një kauz e drejtë, lexoni pastorin gjerman

Aktualitet

Përse duhet mbështetur një kauz e drejtë, lexoni pastorin gjerman

Përse duhet mbështetur një protestë e një kauze të drejtë? Lexoni “ They first came...” të pastorit gjerman Martin Niemöller. Ne fillim erdhen... -Ne filim erdhen per komunistetUne nuk fola se nuk...

VIDEO/ Tifozët shqiptarë zbresin në fushë

Sport

VIDEO/ Tifozët shqiptarë zbresin në fushë

Më shumë se goli, tifozët shqiptarë i ka gëzuar prania e yllit të Realit, futbollistit të Uellsit Gareth Bale. Pak çaste pas përfundimit të ndeshjes një situatë e pazakontë është...

600 policë italianë për 8 vila të paligjshme të mafias

Globi

600 policë italianë për 8 vila të paligjshme të mafias

Policia italiane konfiskoi tetë vila të ndërtuara në mënyrë të paligjshme nga anëtarët e mafias në zonën e Romës. Plot 600 agjentë policie u angazhuan për këtë mision, kundër një klani...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!