Alarmi/Prokurori i Antimafias italiane: Shqiptarët, të dytët në botë për tregtimin e drogave të lehta

francesko

Në një intervistë për “La Repubblica” Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias e Antiterrorizmit italian Franco Roberti është shprehur se “pas amerikano-jugorëve, shqiptarët janë komisionarët më të mirë të drogave të lehta në botë

Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane Franco Roberti, i cili vizitoi Shqipërinë javën e kaluar, gjatë ditës së djeshme ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane “La Repubblica”, ku ka deklaruar se pas trafikantëve amerikano-jugorë, shqiptarët janë komisionerët më të mirë të drogave të lehta në botë. “Foxhanët, tha ai, janë liderët e trafikut të lëndëve narkotike në Itali, falë raportit të privilegjuar që kanë me shqiptarët, të cilët pas amerikano-jugorëve që janë të parët, janë komisionerët me të mirë të drogave të lehta në botë”, tha Roberti. Duke marrë në konsideratë ngjarjet e rënda të ndodhura në provincën e Foxhias, mes të cilave zjarri i qëllimshëm në një kamp emigrantësh, i vënë nën hetim nga prokuroria si vend lidhje me aktivitetin e grupeve kriminale apo sulmi me armë ndaj forcat të policisë në qytezën San Severo, nga persona të lidhur me krimin, Prokurori Roberti u shpreh se në Foxhia ekziston një mafia e vërtetë që merret me trafikun e drogës dhe grabitjet me armë, ku eksponentët kryesorë janë shqiptarë. “Në Itali prej kohësh nuk ekzistojnë më vetëm mafia siçiliane, Camora e Ndrangheta. Është edhe një e katërt, me karakteristika të ndryshme, por po aq e fortë, e organizuar dhe ndoshta më e papenetrueshme, është La Società, organizata kriminale foxhiane. Foxhia është zona ku krimi e mafia kanë gjetur terren për të lulëzuar e kjo edhe falë ‘kontributit’ që u vjen nga ana tjetër e Adriatikut, Shqipëria”, deklaroi Franco Roberti, Prokurori i Përgjithshëm Antimafia i Italisë, i cili ka vizitoi qytetin e Italisë jugore, për të folur pikërisht për çështjen e kriminalitetit. Kryeprokurori Roberti teksa foli me nxënës të shkollave të Foggias dhe u takua me kryebashkiakun e San Severos, Francesco Miglio theksoi se autoritetet italiane do të vijojnë të sekuestrojnë tonelata hashash a marijuanë. Ai e cilësoi tepër të rëndësishme vizitën në Shqipëri gjatë javës së kaluar, ku së bashku me prokurorin e Drejtorisë Distriktuale të Barit, Giuseppe Volpe, i cili po drejton shkëlqyeshëm luftën kundër kriminalitetit foxhian, takuan kryeprokurorin Adriatik Llalla.  “Nga autoritetet shqiptare, kërkuam vigjelencë më të madhe e një shkëmbim informacioni më të shtrënguar, pasi nga ky trafik rrjedhin para të mëdha që më pas investohen në ekonominë legale, në rajonin e Puglias dhe në Itali”, deklaroi Roberti.

Itali, arrestohen dy shqiptarë me 1 milionë euro drogë/ Policia italiane gjatë ditës së djeshme ka arrestuar dy shtetas shqiptarë teksa i ka kapur me një sasi droge të një vlere prej 1 milionë eurosh. Mësohet se dy të rinjtë shqiptarët të arrestuar janë të moshave 22 dhe 23 vjeç. Arrestimi i tyre është bërë në lagjen e quajtur Borghesiana dhe nga kontrolli i ushtruan në banesën e tyre policia ka zbuluar 240 kg marijuanë, 50 gramë kokainë të pastër, një pistoletë e rreth 20 mijë euro kesh. Sipas policisë italiane, lënda narkotike e sekuestruar do të kapte në treg një vlerë shitje prej 1 milionë euro. Në momentin e arrestimit dy shqiptarët janë përpjekur t’u fshiheshin policisë italiane, duke u larguar përmes çative të ndërtesave. Policia ka mundur të prangosë dy trafikantët shqiptarë pas disa minutash ndjekje.

Malësi e Madhe, arrestohet 23 vjeçari që transportonte 2 çanta me kanabis/ Policia e shtetit ka arrestuar gjatë ditës së djeshme një të ri nga fshati Bajzë i Malësisë së Madhe teksa ishte duke kaluar në këmbë kufirin me Malin e Zi, duke mbajtur dy çanta të mbushura me kanabis. Mësohet se i arrestuari është 23 vjeçari Lorenc Rushaj, i cili u arrestua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër dhe ato të Kufirit të Gjelbër në afërsi të Pikës Kufitare të Hanit të Hotit. Nga krehja e zonës që kanë bërë autoritetet është arrestuar trafikanti dhe janë sekuestruar dy çantat ku ishin vendosur 35 pako të mbushura me  37 kg kanabis. Ndërkohë materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike i mbetur në tentativë.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>