Analiza/Alibia qeveritare e “epidemisë gripale” fsheh mungesën e kushteve në strukturat e sistemit arsimor

grip

Vendi ynë po përballet me këtë fillim viti me një gjendje virale vërtet shqetësuese, në veçanti kjo për moshat e vjetra dhe fëmijët si më të rrezikuarit nga këto viroza. Numri i të prekurve është rreth 19 mijë dhe alarmi i qeverisë që duhej të jepej ditë më parë është dhënë vetëm kur gjendja ka marrë përmasa alarmante dhe filloi të flitej për një epidemi. Mungesa e reflektimit dhe marrjes së masave ne kohën e duhur për sa i përket sistemit shëndetësor dhe vaksinimeve ka bërë që numri i të prekurve nga viroza të rritet duke krijuar kështu një fluks të papërballueshëm në të gjithë vendin. Viti 2017 fillon me mashtrimet e radhës nga qeveria Rama, këtë herë nga protagonisti më i përfolur gjatë vitit të kaluar, Ministrit të Shëndetësisë Beqja, i cili ka përdorur këtë situatë për të justifikuar mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave në të gjithë vendin. Justifikimi i Ministrit për shtyrjen e procesit mësimor duke përdorur si alibi epideminë e virozave në vend fsheh situatën e mjerueshme që ndodhen institucionet ku edukohen fëmijët tanë. Kushtet jo të favorshme dhe mungesa e ngrohjes në pjesën më të madhe të shkollave apo kopshteve, në prag të ndryshimit klimaterik dhe temperaturave të ulëta e gjejnë Beqen të gatshëm të shfrytëzojë çdo situatë për të mbuluar atë që nuk u realizua gjatë këtyre viteve. Problemet e konsiderueshme higjeniko-sanitare, prania e lagështisë bën që këto ambiente të jenë jo vetëm të papërshtatshme por edhe të dëmshme për shëndetin e fëmijëve. Premtimet elektorale që u përmbushën vetëm me ristrukturim fasadash dhe lanë përsëri fëmijët, nxënësit dhe studentët pa kushtet minimale për zhvillimin e proceseve mësimore. Si rilindje mashtruese, përdor c’do situatë të disfavorshme në dobi të saj duke hedhur hi syve të qytetarëve. Mijëra persona, fëmijë dhe të rritur gjenden nëpër dyert e spitaleve pasi sistemi shëndetësor dështoi, mungoi alarmi që në fillimet e përhapjes virale, munguan vaksinimet dhe ndihma parësore duke ekspozuar qytetarët që gjenden nëpër dyert e spitaleve me rrezikun edhe më të madh për infeksione të tjera. Viktimat e para janë shënuar prej  neglixhencës dhe situatës jashtë kontrollit,  ndërkohë që propaganda e qeverisë për marrje masash apo vaksinim të personelit dhe qytetarëve vjen tepër vonë kur tashmë viroza ka kapur pikun dhe këto vaksinime duhet të ishin bërë javë më parë për të qenë të vlefshëm gjatë kësaj faze. Realiteti i vrazhdë i kushteve të arsimit publik me mungesën e ngrohjes dhe kushteve higjenosanitare të nevojshme, në kushtet e një epidemie dhe temperaturash të ulëta e gjen qeverinë Rama të papërgatitur për ta përballuar atë, por të aftë për ta fshehur me mashtrimin e nevojshëm dhe justifikimin e radhës. Kësaj radhe u përdor emergjenca e një viroze që ka filluar prej javësh, papërgjegjshmëria e menaxhimit të situatës në vend për të mbuluar problematika të mëdha që rëndojnë në vend, nëse temperaturat e ulëta do të vazhdojnë ende gjatë javës në vazhdim ç’farë do të përdorë si justifikim Ministri Beqja? Zgjimi i qeverisë nga gjumi letargjik nuk bëhet veçse në mbrojtje të interesave personale dhe kriminale ndërkohë që vendi përmbytet dhe sëmuret, katastrofave natyrore i përgjigjet një qeveri katastrofike, që le qytetarët e vet pa asnjë lloj mbështetjeje, një qeveri “epidemike” dhe e dëmshme që shpresohet të përfundojë mandatin e saj dhe të largohet si një sëmundje e keqe me pasojat “virale” që ka lënë pas gjatë mandatit të saj.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>