Analiza/Armando Prenga dorëzon mandatin duke i shpëtuar ligjit të dekriminalizimit

armando

Armando Prenga mund të jetë sërish kandidat për deputet. Dhe këtë mundësi, deputetit socialist ia dha KQZ –ja e drejtuar nga Denar Biba. KQZ nuk mori vendim për ta shpallur të pavlefshëm mandatin e Armando Prengës. Duke e zvarritur vendimmarrjen prej të premtes dhe duke mos u shprehur me vendim, KQZ i la mundësinë deputetit socialist që të dorëhiqet, duke evituar që ndaj tij të regjistrohet një rekord i dekriminalizimit, që do ta pengonte të ishte sërish kandidat në zgjedhje

Ish-kryeministri Berisha: Rama e nxori banditin nga dritarja për ta futur nesër nga dera

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga njoftoi në orët e para të ditës së djeshme dorëzimin e mandatit të deputetit pranë kreut të Kuvendit. Në një letër dërguar Kuvendit, Prenga thotë se e dorëzon mandatin edhe pse nuk është prekur nga ligji i dekriminalizimit, pavarësisht se ai ka qenë subjekt i ligjit të famshëm që synon të pastrojë klasën politike nga individë me të shkuar kriminale. Prej ditësh KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme ishin në konflikt për mandatin e Prengës që kishte fshehur nga formulari i dekriminalizimit një dënim me gjobë dhe një dënim për vjedhje banesash në Milano ku ai rezultonte të mbante edhe 10 emra të ndryshëm. Vendimi për ndërprerjen e mandatit të Armando Prengës ishte marrë nga Prokuroria e Përgjithshme, ndërsa anëtarët e mazhorancës në KQZ nuk iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Prokurorisë, por kërkuan material shtesë, duke zbatuar urdhrat politikë të Edi Ramës. Me largimin e Prengës mandati i socialistëve në qarkun Lezhë i kalon LSI-së, sepse kandidati pasues në listën e PS-së është po ashtu subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Ndërkohë në bilancin 8 vjeçar të prezencës së Prengës në parlament rezulton se gjurmët që la ai në politikë nuk mund të harrohen lehtë, pasi ai ka qenë pjesë e çdo përplasje fizike në ambientet e kuvendit. Karakterin kriminel e shfaqi për herë të parë në maj të vitit 2011, ku qëlloi me grusht deputetin demokrat Edi Paloka. Ndërkohë në maj të 2014 në korridorin e kuvendit Prenga qëlloi me grushta dhe me rripin e pantallonave deputetin e PD, Gent Strazimiri. Ndërkohë jashtë ambienteve të Kuvendit për të marrë Lagunën e Patokut nga familja Cali që e menaxhonte prej vitesh, deputetit i besuar i Edi Ramës përdori plumbat, duke lënë shtatë vetë të plagosur në një përleshje me armë dhe sende të forta. Por pavarësisht se faji ishte i tij përpara ligjit po përgjigjen ende të plagosurit ndërsa Prenga  me mbështetjen e Edi Ramës i shpëtoi akuzave edhe pse mori një përjashtimi nga grupi që ishte sa për sy e faqe, sepse kur Partia Socialiste pati nevojë për të në shkurt të vitit të 2016 ai u ftua sërish nga Rama për të votuar ndryshimet në qeveri. Prenga ndërkohë rezulton të jetë marrë me vjedhje banesash në Milano teksa përdorte aty plot 10 emra

Loja procedurale KQZ-Edi Rama/Armando Prenga mund të kandidojë sërish për deputet/ Ithtari i krimit Armando Prenga që gëzon mbështetjen pa kushte të Edi Ramës, me dorëheqjen e djeshme ka finalizuar me sukses një lojë të ndyrë politike prej së cilës triumfon bindja prej krimineli e kryeministrit, i cili tashmë i ka rrugët e hapura për ta regjistruar sërish si kandidat për deputet kriminelin e tij me dhjetë emra. Këtë mundësi Prengës ia dha kreu i KQZ-së Denar Biba, i cili iu bind më së miri urdhrave të shefit Edvin për t’i lejuar atij mundësinë që të luajë kartën e krimit edhe në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm. Kështu gjatë ditës së djeshme KQZ nuk mori vendimin për ta shpallur të pavlefshëm mandatin e Armando Prengës dhe nuk e shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme që kishte konstatuar pavlefshmërinë e mandatit sipas ligjit të dekriminalizmit, pasi ai kishte fshehur një vendim me gjobë të Gjykatës së Kurbinit. Edi Rama duke luajtur me dy standarde, zgjodhi që të marrë sërish në mbrojtje Armando Prengën duke urdhëruar marionetat e tij në KQZ që të zvarrisnin vendimarrjen dhe të mos shprehnin dje asnjë vendim duke i dhënë deputetit me 10 emra, e me bilance të frikshme kriminale mundësinë që të dorëhiqet, duke evituar që ndaj tij të regjistrohej një rekord i dekriminalizimit, që do ta pengonte të ishte sërish kandidat në zgjedhje. Nëse vërtet KQZ do të kishte vendosur për t’i ndërprerë mandatin, siç kërkoi organi i akuzës bazuar në ligjin e dekriminalizmit, vendimi do të ishte shoqëruar me heqjen e të drejtës për të paktën 10 vjet nga kandidimi. Por pa një vendim të tillë, Prenga është i lirë të kërkojë sërish të zgjidhet, sepse duke mos pasur një rekord të dekriminalizimit dhe duke e deklaruar vendimin e Gjykatës së Kurbinit në formularin e posaçëm, atë nuk e pengon më asnjë ligj që të kërkojë sërish të jetë në listën e deputetëve të PS. Dredhitë proceduriale të aplikuara nga KQZ e të urdhëruara nga Rama i dhanë atij mundësinë për t’i shpëtuar ligjit të dekriminalizimit. Edi Rama luajti një lojë të pisët politike duke shfaqur edhe njëherë dëshirën e tij për të vazhduar bashkëjetesën me kriminelët, por edhe sepse veproi me një tjetër standard kur KQZ i hoqi mandatin deputetëve Shkëlqim Selami e Dashamir Tahiri. Duke marrë në konsideratë faktin se Partia Socialiste ka dhënë prova të mosdistancimit nga eksponentët më në zë të botës së krimit, nuk do të përbënte aspak habi në qoftë se më 18 qershor Armando Prenga të shpallej sërish deputet i Lezhës. Armando Prenga është shembulli i qartë i përdhosjes së kushtetutës dhe fatkeqësisht pasqyron vullnetin e Ramës për të mos pranuar kurrë politikisht ligjin e dekriminalizmit, të cilin e votoi për të bërë një figurë të mirë në sytë e ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve. Dorëheqja e djeshme e Ramës dhe loja proceduriale e KQZ-së me urdhër të kryeministrit për të nxjerrë të larë nga zullumi Armando Prengën  është lëvizja finale e tij për t’i treguar kriminelëve të vet se ai nuk do ti shesë asnjëherë përpara organeve të drejtësisë dhe se mbështetja e tyre do të jetë asi nën mëngë që do të luajë në zgjedhjet e qershorit.

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson dorëzimin e mandatit të Prengës si përdhosje e ligjit. Berisha: Rama e nxori banditin nga dritarja për ta futur nesër nga dera/Dorëheqjen e deputetit të PS Armando Prenga, i cili me urdhër të Edi Ramës i bëri rezistencë ligjit të dekriminalizmit dhe u mor në mbrojtje nga KQZ, është komentuar edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha që nëpërmjet një postimi në Facebook thekson se Rama e nxori deputetin e Lezhës nga dritarja për ta futur sërish në parlament nga dera. Berisha e konsideron këtë veprim të djeshëm si një poshtërim për institucionin e parlamentit dhe për ligjin që votuan me konsensus në korrikun e kaluar. “Të dashur miq, dorëzimi i mandatit nga vrasësi, trafikanti, hajduti ordiner, Armando Rama, është poshtërim për mandatin, përdhosje për ligjin, menderosje për parlamentin dhe është akt pa asnjë vlerë, nul and void! Me këtë akt, Edvin Kristaq Prenga kërkon të nxjerrë banditin, vrasësin nga dritarja për ta futur nesër nga dera”, shkruan Berisha në Facebook.

 

1 Koment

  1. ZEKIJE BRAHO

    28/02/2017 at 00:55

    Mos I besoni shume lojes Rama-Vlahutin, sepse jane mbase dhe kusherinj, gjyshja e Rames eshte kroate, po dhe ajo andej eshte, I bejne hesapet bashke, sot ka ardhur koha e pasurimit me ane te vjedhjes dhe mashtrimit, turpin e kane ngrene me buke, mos e lini te qete, sepse po shkaterron nje shtet te tere, ne te njejten kohe po nderhyn dhe tek fqinjet, po mundohet t’i mbushe mendjen atyre qe ka ardhur koha te bashkohemi dhe ai te jete kryetari I te gjitheve, ky do jete fundi I demokracise se vertete, ku qeveria do jete nje bashkim I forcave te majta ekstremiste komuniste. Nje pakujdesi e vogel dhe mashtrimi triumfon, hajde t’i heqesh pastaj, parate e droges I kane me shumice, naften dhe parate e saj po I perdorin per te mare pushtetin me mashtrime, nuk e kane te gjatre, po I luftove shpejt, nuk e marin dot veten, urojme te dilni fitimtare per nje demokraci te drejte.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>