Analiza/Donald Trump dhe shërbimet amerikane të zbulimit

Drejtori i shërbimeve amerikane të zbulimit thotë se është më i bindur se kurrë se Rusia ka përdorur sulmet kibernetike për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar dhe paralajmëroi presidentin e zgjedhur Donald Trump të mos bëjë komente nënvlerësuese ndaj shërbimeve inteligjente. Kritikat e matura, por të pazakonta nga drejtori i shërbimeve të zbulimit James Clapper në një seancë me pyetje-përgjigje në Senat është një tjetër dëshmi e fërkimeve mes presidentit të ardhshëm dhe specialistëve që shërbejnë si sytë e veshët e Amerikës: “Mendoj se publiku duhet të informohet sa të jetë e mundur mbi këtë temë,” shprehet Drejtori i Shërbimeve të Zbulimit James Clapper para senatorëve ku tha se raporti i administrates Obama mbi piraterinë kibernetike ruse do të lëshohet javën e ardhshme dhe nuk do të lërë dyshime për synimet e Moskës që të ndikonte në zgjedhjet amerikane. “Kjo ishte një fushatë zgjedhore me shumë elementë. Pirateria kibernetike ishte vetëm një prej tyre; përveç saj u shoqërua me propagandë, dezinformim dhe lajme të sajuara,” tha zoti Clapper. “Kundërshtarët tanë kanë arritur në përfundimin se përfitimet për sulme kundër Amerikës janë më të mëdha se sa çmimi që do të paguajnë,” thotë John McCain. Senatori McCain kryeson Komisionin e Senatit për Shërbimet e Armatosura. Ai i ka cilësuar si akt lufte sulmet kibernetike ruse, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara e lejuan këtë situatë, pasi nuk po tregoheshin vigjilente. “Për momentin nuk kemi një vijë politike, apo strategji. Nuk kemi një përgjigje ndaj këtyre sulmeve”. Dje Donald Trumpi komentoi në Twitter se është “simpatizant i fortë” i shërbimeve të zbulimit. Por presidenti i zgjedhur ka vënë në pikëpyetje nevojën për seanca informimi mbi faktet e mbledhura nga këto shërbime, ka folur për gabime të CIA-s në të kaluarën dhe disa herë ka hedhur poshtë përfundimet e agjencive inteligjente se Rusia ishte pas piraterisë kibernetike gjatë zgjedhjeve. “Kush përfiton kur personi që do të bëhet komandant i përgjithshëm flet me përçmim për shërbimet e zbulimit,” pyet Senatorja demokrate Claire McCaskill. “Mendoj se ekziston dallim mes skepticizmit dhe nënvlerësimit,” shprehet zoti Clapper. “Ato që bëjmë ne, në masë jo të vogël marrin shtysë nga besimi që kanë udhëheqësit e vendit tek ne. Pa këtë besim… nuk do të doja që të ballafaqohemi me një skenar ku specialistët tanë vendosin të dorëhiqen nga postet e tyre,” thotë Admirali Michael Rodgers i Komandës Kibernetike Amerikane. Në Kongres po shtohen impulset dypartiake për ndëshkime më të forta kundër Rusisë. “Nuk ka dyshim, asnjë dyshim se rusët ndërhynë, sulmuan dhe vodhën informata dixhitale dhe më pas i përdorën si armë kundër Shteteve të Bashkuara, prandaj duhet të vendosim sanksione edhe më të rënda”, thotë Senatori demokrat Richard Blumenthal. “Nuk ka diskutim që rusët e ndërmorën sulmin këtë herë; por herën tjetër mund të jenë iranianët apo kinezët. Këtë radhë u sulmuan demokratët, herën tjetër mund të sulmohen republikanët nëse nuk e ndalim këtë përpjekje,” thotë senatori republikan Lindsey Graham. Ky qëndrim dypartiak ndaj sulmeve kibernetike nuk gjen jehonë në komentet e presidentit të zgjedhur Trump, i cili ka ngritur idenë se përfundimet e agjencive të zbulimit mund të jenë frymëzuar nga motive politike. Pas skepticizmit që ai ka shprehur për muaj me radhë nuk pritet që sesioni i sotëm informues me shërbimet e zbulimit të arrijë t’ia ndryshojë rrënjësisht mendimin zotit Trump.

Deklarata – Trump kërkon largimin e ambasadorëve të emëruar nga politika/Në dallim nga protokolli i deritanishëm diplomatik, Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump ka urdhëruar të gjithë ambasadorët, të emëruar politikisht, të lënë postet përpara inaugurimit të tij më 20 janar. Tradita diplomatike u ka lejuar në të kaluarën të emëruarve politikë në poste diplomatike një periudhë të arsyeshme kohore për të vënë në vijë aspektet familjare dhe personale. Sipas agjencisë Reuters dhe gazetës New York Times, tashmë po lindin pikëpyetje për pasojat e mundshme të largimit të përfaqësuesve më të lartë amerikanë nga vende si Britania, Gjermania apo Kanadaja, dhe boshllëkut që do të krijohet derisa Senati të konfirmojë ambasadorët e rinj. Zoti Trump ka mbajtur një qëndrim të prerë në favor të largimit të të gjithë të emëruarve politikë në administratë nga Presidenti Barack Obama. Të emëruarit politikë në diplomacinë amerikane mund të përballen me çështje logjistike, që nga sigurimi i vizave për fëmijët që të mbarojnë vitin shkollor, apo marrjes me qera të banesave të reja private deri në përfundim të vitit shkollor.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>