Analiza/Erdogani i mori të gjitha

Presidenti Erdogan mori gjithçka që deshi, por jo në një fitore plebishitare. Shumë pyetje nuk kanë marrë përgjigje kur AKP nxiton të kremtojë fitoren. Sezoni i votimit kaloi apo vetëm po nis? Turqia nuk është më në udhëkryq. Një epokë e re ka nisur. Pesëdhjetë e një përqind të qytetarëve turq votuan me “po” në referendum, duke shtruar rrugën për një sistem presidencial alla turka. Duke vepruar në këtë mënyrë, këta votues i pasuan Presidentit Erdogan dhe cilitdo që do ta pasojë atë pushtet të plotë. Megjithatë, duke pasur parasysh sa burime kishte në dispozicion AKP, numri i votave “po” që u dha flet për disa dinamika interesante. E para, pakti me Devlet Bahceli, lider i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP) nuk rezultoi aq fitimprurës sa pati shpresuar Erdogani. Opozita brenda MHP ishte më e fuqishme se u pëlqeu të besonin AKP dhe Bahceliu. A mund të krijohet një parti e re, që do t’i thellonte edhe më shumë çarjet brenda MHP-së së Bahceliut? Sigurisht që kjo nuk mund të përjashtohet. Së dyti, e rëndësishme është që të mos harrohet se referendumi u zhvillua kur në Turqi sundon gjendja e jashtëzakonshme. AKP -ia i kishte të gjitha mjetet dhe avantazhet financiare të qeverisë, plus pushtetin mbi median. Por arriti të marrë vetëm 51 përqind të votave. Dhe nuk duhet të harrojmë që humbi kryeqytetin Ankara, si dhe qytete si Adanaja, Antalaya dhe madje Stambolli, të cilat kanë qenë kështjella të AKP-së në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor 2015 dhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014.

Fitore korrekte apo jo?

Kur po numëroheshin votat, Bordi i Lartë Zgjedhor (YSK) deklaroi se do të numëroheshin edhe fletëvotimet pa vula zyrtare. Kjo, pa dyshim, krijoi shpejt përshtypjen e një manovre jo korrekte. Opozita do të ndërmarrë gjithçka në pushtetin e saj për ta kontestuar referendumin dhe që votat të rinumërohen, në ato raste ku ajo beson se kanë ndodhur manipulime. Njëkohësisht, video dhe pamje që qarkullojnë në mediat sociale ngrenë një pyetje të ngjashme. Qeveria duhet t’i marrë seriozisht në konsideratë këto shqetësime, veçanërisht kur rezultati qe kaq i ngushtë dhe kur amendamentet do të kenë një rëndësi thelbësore për të ardhmen e demokracisë në Turqi. Megjithatë, për AKP-në, e vetmja gjë që kishte rëndësi dukej se qe fakti që arritën të marrin në shumicë votat “po”.

Megjithëse udhëheqësit e AKP-së kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se sistemi i ri do të hyjë në fuqi në vitin 2019, që tani po qarkullojnë fjalë për zgjedhje të parakohshme. Pse të presim për ta zbatuar vullnetin e popullit? Ky argument ka kohë që është shprehur dhe Erdogani nuk dëshiron të humbasë më shumë kohë përpara se të jetë ribashkuar sërish zyrtarisht me partinë e tij. Kjo do të thotë se sezoni i zgjedhjeve ka shumë gjasa që të jetë në prag. Megjithëse një person fitoi fuqi të konsiderueshme si rezultat i referendumit, gati gjysma e popullit votoi kundër kësaj. Me fjalë të tjera, Presidenti Erdogan përballet me një shoqëri tepër të polarizuar. Fjalimi i unitetit që mbajti në mbrëmjen e referendumit është tepër larg një fillimi për të bashkuar çarjet e thella të shkaktuara në vite. Erdogani në fakt ka shumë çështje në tryezë: Sirinë, marrëdhënien delikate me aleatët e Turqisë, çështjen e refugjatëve dhe çështjen kurde, po të përmendim vetëm disa prej këtyre çështjeve. Në vend që të fokusohet në këto çështje të nxehta, duket se ai do të preferonte të stabilizonte me shpejtësi pushtetin e sapofituar.

Gjermania proteston: Turqia duhet të sqarojë kritikat/Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière ka kërkuar nga Turqia që të sqarojë kritikat e vëzhguesve ndërkombëtarë për manipulime në referendum. “Tani duhet të shpjegohet shpejt nëse vërtet votimi ka kaluar në një atmosferë fer dhe të pastër – nëse në Turqi mund të flitet për kushte normale”, tha politikani i CDU, për gazetën “Rheinische Post”. De Maizière shpreson se qeveria turke do të jetë “aq e arsyeshme” sa të evitojë përshkallëzimin e mëtutjeshëm të gjendjes, sepse gati gjysma e votuesve ishin kundër ndryshimeve kushtetuese. Duke folur për numrin e madh të votuesve turq në Gjermani, që i thanë “po” ndryshimeve, ministri i Brendshëm tha: “Unë pres që pikërisht turqit që jetojnë në Gjermani të marrin pjesë në një debat konstruktiv për të ardhmen e përbashkët”. Një përplasje tjetër mes kulturave tona nuk guxon të ketë”. Kryetari i ekologjistëve Cem Özdemir deklaroi për “Passauer Neuen Presse”, se votimi i turqve në Gjermani e ka tmerruar. “Ne kemi nevojë për një ofensivë për integrim më të mirë”, theksoi ai. Tani po na hakmirren lëshimet e CDU-së dhe SPD-së nga vitet e kaluara, mendon ai. Özdemir ka kërkuar në një deklaratë për gazetën “Bild” nga turqit që jetojnë në Gjermani që të deklarohen për vlerat e vendit ku jetojnë. “Njeriu duhet të respektojë vlerat dhe Kushtetutën e vendit tonë ku jetojmë, nëse duam të jemi të lumtur këtu”. Komisioni zgjedhor në Turqi ka konstatuar se 63,1 % e votuesve turq në Gjermani kanë votuar për ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që numri i përgjithshëm ishte 51,4 %. Kjo do të thotë se në Gjermani ka qenë përqindja shumë më e madhe e atyre që kanë mbështetur Erdoganin. Vëzhguesit e OSBE-së kanë shprehur rezerva ndaj votimit, për shkak të parregullsive të shumta gjatë procesit zgjedhor. Të njëjtat kritika janë dëgjuar edhe nga Këshilli i Evropës. Vëzhguesit kanë kritikuar Erdoganin për “keqpërdorimin e resurseve shtetërore”. Ndërsa Erdogan i ka quajtur “jo serioze kritikat dhe raportet e vëzhguesve”. “Vendi ka pasur votim demokratik  më të mirë se në të gjitha vendet tjera perëndimore”, tha ai.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>