Analiza/Kalifi i shekullit të XXI-të

​Pasioni për futbollin, ngritja kontradiktore, ulërima e luftës në Twitter dhe ambiciet e al Baghdadit

Abu Bakr al Baghdadi është shfaqur dhe gjithçka ka ndryshuar. Deri të premten, përpara se al Baghdadi të fliste në xhaminë e Mosulit dhe të ravijëzonte projektin e tij politik me saktësi prej studiuesi, siç është, figura e tij ishte e mbështjellë në mister. Rrëfehej për një të kaluar të errët prej funksionari të xhihadit, më i dalluari në futboll i xhamisë së tij në Samarra, një lidership të arritur pothuajse rastësisht, me fatin që kishte një bahçe, në të cilën korrierët e al Qaedas në Irak linin pakot e tyre pa qenë të përgjuar dhe duke përfituar nga hutimi i inteligjencës ndërkombëtare, që akoma sot nuk di të thotë me saktësi se kush është al Baghdadi (autoritetet irakiane vazhdojnë të theksojnë se njeriu me çallmë që ka folur në Mosul nuk është drejtuesi i shtetit islamik).

Që pastaj ndërkohë nuk është më as ai, nuk është më vetëm Abu Bakr al Baghdadi al Qurashi al Husseini (dhe ndoshta kjo “al Qurashi” sikur është e shpikur ditën për diell, për të treguar një prejardhje inekzistente nga Profeti Muhamed): sot është Ibrahim Awad al Badri ose Kalifi Ibrahim, kreu i atij kalifati të madh të shpallur zyrtarisht me 29 qershor, midis Sirisë dhe Irakut, një shtet me një drejtues, një hierarki, një ushtri dhe një konsensus popullor. “Bota le ta dijë se po jetojmë në një erë të re”, ka thënë al Baghdadi ditën e lindjes së Kalifatit, që ishte edhe dita e parë e Ramazanit, pasi asgjë, asnjë simbol, asnjë frymëzim, nuk i lihet rastësisë në erën e Kalifatit. Ka një përzierje modernizmi dhe tradite tek Kalifi Ibrahim që ka bërë që gjatë këtyre ditëve të mos flitet për gjë tjetër veçse për sahatin e tij. Ai kërkon bindjen e të gjithë botës myslimane në një diskutim të kuruar, i veshur me kaftanin dhe çallmën e zezë e traditës së Abasidëve, kalifëve të Bagdadit, epoka e artë e islamit, dhe pjesa tjetër e botës çmendet pas sahatit që del nga mënga e dorës së djathtë.

Është një Rolex, jo një Sekonda, jo një Omega, është njëlloj me atë që mban James Bond, kushton mbi 6000 dollarë, jo më shumë, por ka bërë kastile për të na e treguar, nuk të ngrihet mënga vetë, doje të na bëje të shikonim se je i pasur, i fuqishëm dhe i gatshëm për të na sfiduar dhe shkelur, ne që përtypim Nicorette të mërzitur dhe që mbajmë syze me numër.

Natyrisht, nuk ishte e vërtetë asgjë: është një orë dore kineze Shenzhen Jingri, kushton 25 dollarë tek uebsajti Alibaba, shërben për të kontrolluar orën, dhe në këtë mënyrë sqima e tij – që në këtë pikë duket e rastësishme – e vendos Kalifin në modën “cheap and chic”, i të cilës janë mjeshtre zonjat angleze, duke filluar nga Princesha Kate. Modernitet i arritshëm nga të gjithë, që është pastaj sinteza e projektit të Kalifatit, me strategjinë komunikuese të pamëshirshme e pagabueshme, me aftësinë për të grumbulluar fonde me armët dhe me sharmin (më shumë me të parat, është gjithsesi një grup terrorist, jo një menaxher i ndonjë start-up), me lëvizjen e marketingut final të tij: ky projekt ka nevojë për një fytyrë, ja ku është, ne mendonim për orën e dorës dhe nuk pyesnim sesi vallë një njeri mbi kokën e të cilit peshon një shpërblim prej 10 milion dollarësh, njeriu “most wanted” i Lindjes së Mesme, ka mundur të krijojë, në ditën e zbulimit të tij, një perde mbi të gjithë zonën e xhamisë së Mosulit (nuk funksiononin më celularët), ka mundur të arrijë pa paralajmërim, me ndjekësit e tij të ulur të disiplinuar në radhë të parë, ka mundur të flasë për 40 minuta dhe më pas ka mundur të largohet, me statusin e Kalifit dhe mbështetjen popullore që nevojitet për t’i dhënë forcë planit të tij (thuhet se tani është ai që shkruan predikimet e faljes së xhumasë në të gjithë Mosulin).

Praktikisht, mjafton t’u përmbaheshe fjalëve. Quhet shtet islamik dhe është një shtet. Gjatë këtyre ditëve kanë qarkulluar imazhe të pasaportave të Kalifatit të shtypura në zyrën e Gjendjes Civile të Mosulit, por ishte një gënjeshtër e trashë e krijuar nga al Arabiya, për momentin, siç është tradita, pasaportat e Kalifatit digjen. Objektivi territorial, siç deduktohet nga të gjitha lëvizjet e Kalifit Ibrahim (përpara se të flasë ka pastruar gojën me miswak, furçën për higjienën orale të parapëlqyer nga Muhamedi, lëre sahatin), është ai i Kalifatit të traditës, që shtrihej nga Libia në Iranin aktual, nga shekulli i VIII-të në shekullin e XII-të: kryeqyteti ndryshoi në dekada, qe Samarra, që është edhe qyteti në të cilin al Baghdadi ka lindur në vitin 1971, qe Raqqa, qyteti sirian që deri në rënien e Mosulit konsiderohej selia qendrore e shtetit islamik, qe natyrisht Bagdadi, që është edhe objektivi i ardhshëm i avancimit të Kalifit. Ka kufij, ka një identitet fort të qartë në traditën islamike, ka një burrështetas. “Jam “wali”-u (drejtuesi, shënimi im.) që ju qeveris, por nuk jam më i mirë se ju, kështu që nëqoftëse shikoni se jam në të drejtë, më ndihmoni. Por nëqoftëse më shikoni se gaboj, më këshilloni dhe më sillni në rrugën e drejtën dhe me bindnin deri sa unë i bindem Allahut”, ka thënë al Baghdadi. Në daljen e tij të parë publike, Waliu ka dashur të demonstrojë se koha për të qëndruar i fshehur ka mbaruar, Ramazani i 2014 bëhet kështu jo vetëm udhëtimi shpirtëror i zakonshëm, por edhe një celebrim i xhihadit, për të cilin të gjithë janë thirrur personalisht nga Kalifi, të cilit është e nevojshme t’i nënshtrohesh. Kur ka folur për Kalifatin, al Baghdadi është kujdesur edhe që të krijojë një frakturë definitive me al Qaedan, kur ka thënë se detyrimi i myslimanëve për të deklaruar një Kalifat “ka ardhur duke humbur për shekuj me radhë”. Usama bin Laden kishte projektin final të një Kalifati të madh, por mendonte se nuk mund të vendosej deri kur qeveritë e mbështetura nga Perëndimi nuk mundeshin dhe deri kur myslimanët të ishin të gatshëm për rregullat e duhura fetare. Në harkun e disa javëve, kjo ide është flakur tej, al Baghdadi fton islamikët që të udhëtojnë në shtetin e ri të tij, ndërsa në Twitter ndjekësit ekspertë të tij tallen haptazi me trashëgimtarin e bin Laden, atë Ayman al Zawahiri që nuk e ka çliruar kurrë një qytet të madh islamik me xhihadin, dhe lëre më pastaj nëse ka ditur ta mbajë një falje në publik. Komunikimi është ai që e bën Kalifin yllin e shtetit të ri islamik. Dikur ishin mesazhet shpellare të urrejtjes, sfonde të errëta, flamuj, zëra nga përtejvarri, nga vende të fshehta nëpër male në të cilat drejtohej një grup që nuk dinte më as të njihte. Sot janë filmat me metrazh të shkurtër që marrin filmat hollivudianë që flasin për terrorin, “Zero Dark Thirty” apo “The Hurt Locker”, citime që perëndimorëve u tingëllojnë si një kërcënim dhe që për xhihadistët janë grimasa e radhës, ndërsa mesazhi global është thirrja për xhihad dhe bindja ndaj Kalifit. Ndjekësit në Twitter e shtetit islamik, gjatë pushtimit të Mosulit, janë pajisur me një aplikacion, të quajtur Dawn of Glad Tidings, që mundëson të përmbyten mediat sociale me lajme lidhur me avancimin e Kalifatit, me video ekzekutimesh masive dhe ekzekutimesh individuale, me imazhe makinash ushtarake të vjedhura amerikanëve, me kërcënime ndaj ushtarëve irakenë: shikoni pak atë që ju ndodh nëse ndonjëherë përpiqeni të na pengoni, me njerëz që hapnin varrin përpara se të vriten, por edhe me aktivitete ëelfare islamik, shpërndarjen e ushqimit dhe udhëzimet për të mos qëndruar për shumë kohë pa rrymë apo pa ujë të pijshëm.

Tani propaganda përqendrohet mbi objektivin e ardhshëm: “Bagdad, po vijmë” është ulërima e luftës që udhëton nëpër Twitter, një ulërimë mediatike që, sipas Martin Chulov, reporter lufte i “The Guardian” në kryeqytetin irakian, është shumë më e forrtë sesa kapacitet reale e shtetit islamik për të kapur Bagdadin e mbrojtur nga Kryeministri Nouri al Maliki dhe nga aleatët e tij të shumtë e luftarakë, iranianë dhe rusë – ama askush nuk është vërtet i gatshëm të kuptojë nëse Chulov ka të drejtë apo jo. Një detaj: makina e përkryer e komunikimit për ironi të fatit ka ngecur në momentin më të rëndësishëm, atë të Kalifit Ibrahim. Sipas disa burimeve, videoja e predikimit në Mosul nuk duhej të dilte të shtunën, është karikuar në arkiv dhe nga aty ka dalë, papritmas, duke krijuar një të çarë në siguri: në 24 orë Kalifi nuk mund të shkonte shumë larg nga xhamia, vërtet që rrezikonte rëndshëm.

Nuk është se efekti i zbulimit të al Baghdadi ka shkuar kot. Edhe pse ishte prej 10 muajsh që kreu i shtetit islamik planifikonte pushtimin e Mosulit dhe në të njëjtën kohë kërkonte një photo opportunity të përshtatshme për zbulimin. Kur ka ardhur, në fillimet e qershorit (por sipas shumë njerëzve ishte aty prej majit), në qytet ka shkuar personalisht për të hapur dyert e burgut Badush për lirimin e të burgosurve sunitë.

Dukej një moment simbolik, por dukshëm jo i mjaftueshëm. Pastaj ka ardhur rasti i përshtatshëm, xhamia e madhe e Mosulit, e famshme në të gjithë Lindjen e Mesme, simbol i qytetit më të madh të pushtuar ndonjëherë nga forcat xhihadiste. Ka qenë kurorëzimi i projektit të një djaloshi shëndetlig që gjithmonë i është dashur të mbajë syze, shikonte shumë keq (Tani mban lente kontakti?), që ka jetuar në Samarra, ka studiuar për Teologji, më pas ka shkuar në Tobchi, në periferinë perëndimore të Bagdadit, rrinte gjithmonë në afërsi të xhamisë, dashuronte futbollin (duhet të jetë për këtë arsye që videot me sfond futbollistik të bëra nga propaganda e shtetit islamik me rastin e Botërorit janë kaq të saktë), mbante faljen e xhumasë kur imami kryesor nuk ishte “sepse kishte kishte një zë të bukur”, siç i ka thënë një fqinj i tij Ruth Sherlock të “The Telegraph” e cila ka shkuar në Tobchi duke zbuluar se ka pasur se ka pasur një sfidë nga ana e al Maliki, të gjithë ata që kishin ndonjë lidhje me al Baghdadi janë larguar dhe ka mundësi të jenë vrarë.

Ka studiuar Sheriatin, thonë se një herë kishte parë burra e gra që vallëzonin në një ceremoni martese dhe ishte ndalur për t’u ulëritur: “Burrat dhe gratë nuk mund të vallëzojnë bashkë, nuk është konforme me fenë” dhe u kishte fikur muzikën. Pëlqen jetën familjare, është martuar me një grua (ndoshta siriane), kanë një djalë që duhet të jetë rreth 11 vjeç, ka qenë në burg dhe më pas, në 2010, askush nuk e di se në çfarë logjike, “kishte shumë njerëz nga pikëpamja hierarkike më përpara se ai”, thonë, një këshill islamik në provincën Ninive i përbërë nga 11 persona e ka votuar si liderin e al Qaedas në Irak: 9 vota në favor, një plebishit. Është nuhatja e tij për të luftuar në Siri kundër regjimit të Bashar al Assad për të grumbulluar fonde dhe territor, është i tij rregulli që të gjitha misionet e rrezikshme duhet të ndalohen, është e tija ideja e përgatitjes së një organigrame të saktë, të dihet gjithmonë kush duhet të bëjë çfarë, është e tija strategjia për ta trajtuar Kalifatin si një kompani, me një buxhet dhe një njësi marketingu. Kurse është krejtësisht e jona vetëdija se Kalifi Ibrahim është njeriu më i nënvlerësuar i terrorizmit modern.

Marrë nga portali “bota.al”