Analiza/Rilindja evropiane është ende e mundur

Çfarë mund të kujtojmë për këta muajt e fundit? Zgjedhjen e Donald Trump? Atë të Emmanuel Macron? Tensionet e shkaktuara prej lëshimit të raketave balistike dhe bërthamore nga Korea e Veriut? Të gjitha këto ngjarje – dhe jo vetëm – meritojnë vëmendjen tonë, por fakti më i shumëpritur dhe premtues është Rilindja Evropiane. Në vjeshtën e kaluar, gjithçka dukej se po kërcënonte Unionin. Një nga tre fuqitë kryesore ekonomike të një Evrope të bashkuar, Mbretëria e Bashkuar, sapo e kishte lënë klubin, dhe shumë kishin frikë se vendet e tjera do të ndiqnin shembullin e Londrës, për shkak se të djathtat ekstreme eurofobe kishte erën në favor të velave të tyre, kudo. E djathta radikale dukej gati për të marrë pushtetin në Holandë. Rritja e Le Penit në Francë ishte aq mbresëlënëse, sa që hipoteza e një Frexit dhe si pasojë, “vdekja” e Bashkimit Evropian nuk ishte më një gjë e pakonceptueshme. E ardhmja dukej shumë e pasigurt, aq sa asnjë udhëheqës i madh apo parti e madhe, nuk guxonte të mbronte unitetin evropian. Pastaj, krejt papritur, era ndryshoi. Bashkimi Evropian është kthyer në modë. Kurrë mos nënvlerësoni inteligjencën e popujve. Evropianët nuk e donin më Evropën, sepse e kishin parë të vinte në jetën e tyre të përditshme, në formën e reduktimit të shpenzimeve publike dhe jo në formën e rilançimit të rritjes ekonomike, uljes së papunësisë dhe historive të reja të suksesit ekonomik, si ai i Airbus. Për këtë arsye, nuk përbuznin ata që sulmonin BE-në dhe premtonin që të marshonin në Bruksel. Por, kur panë tendencat eurofobe të merrnin vrull dhe të rrezikonin të bëheshin mbizotëruese, ata ndryshuan orientim. Popujt e Evropës refuzuan që të tërhiqen në një aventurë të rrezikshme, sidomos pasi Donald Trump iu shtua grupit Shteti Islamik dhe Vladimir Putin. Ekzistonin tashmë xhihadistët në jug dhe nostalgjia ruse në lindje, por një i papërgjegjshëm në Shtëpinë e Bardhë ishte me të vërtetë tepër. Për evropianët kjo nuk ishte koha për t’u ndarë, por për të lënë mënjanë zemërimin dhe shtrënguar radhët. Pasiguria ndërkombëtare e imponoi këtë ndryshim. Ndërsa të djathtat ekstreme humbisnin terren dhe britanikët pyesnin se ku do i shpinte Brexit-i, francezët zgjodhën një president 39-vjeçar, i cili e kishte bazuar fushatën e tij zgjedhore në mbrojtje të BE-së, duke u zotuar të vinte rregull në Evropë. Disa javë më vonë Macron ka sanksionuar krijimin e një mbrojtjeje të përbashkët. Marrëveshja franko-gjermane e Antantës nuk kishte qenë aq e madhe, që nga koha e Kohl dhe Mitterrand. Gjërat janë duke lëvizur në këtë Union, i cili zgjohet nga një gjumë i gjatë, sepse skena ndërkombëtare (ashtu si politika) ka frikë nga zbrazëtia, dhe bota ka nevojë për një Evropë në gjendje të kanalizojë një kaos, që SHBA tani vetëm e përkeqësojnë. Kjo rilindje është një ringjallje. Tani, ashtu si në regbi, duhet dhënë vetëm goditja.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>