Analiza/Sharlatani kryeministër po përdor besimin fetar për të kërcënuar BE-në

berisha me 55

Vetëm kryeministri Rama dhe armiq të shqiptarëve, e imagjinojnë Shqipërinë si hapësirë të islamit radikal për shkak të besimit mysliman të shumicës së shqiptarëve

Në një akt skandaloz dhe mirëfilltas antikombëtar, Edi Rama përdor besimin fetar të shumicës së kombit shqiptar për të kërcënuar me këtë besim Bashkimin Europian. Kështu në një intervistë për gazetën “Financial Times” Rama shprehet:
“Nëse Europa na refuzon atëherë në Ballkan ka për të ardhur islami radikal” dhe “Nëse BE nuk është në gjëndje të na tregojë rrugën që presim atëherë do ketë një hapësirë të madhe për islamin radikal”. Këtë deklaratë deri tani nuk kam dëgjuar ta bëjë njeri apo politikan serioz përveç Edi Ramës. Kjo është deklaratë skandaloze dhe antikombëtare, pasi vetëm armiq të shqiptarëve, me urrejtje të lindur ndaj tyre, ose njerëz injorant që nuk njohin shqiptarët apo fanatik të besimeve të tjera, mundet që me mendjen e tyre të sëmurë të përfytyrojnë apo imagjinojnë Shqipërinë si hapësirë të mundshme të islamit radikal për shkak të besimit musliman të shumicës së shqiptarëve. Me këtë rast dua t’i them Edi Ramës se kjo është një deklaratë e papërgjegjshme, që fyen rëndë çdo shqiptar pavarësisht nga besimi fetar dhe cilindo që njeh këtë vend dhe kombin tonë. Kjo sepse:

– Së pari, Shqipëria është një vend pluri-religjioz dhe shqiptarët, në dallim nga shumë e shumë kombe afër dhe larg nesh, identitetin e tyre kombëtar nuk e kanë dhe nuk e kanë patur kurrë të bazuar në besimet fetare por në gjuhën dhe kulturën e tyre, gjë që përbën dhe kodin e tolerancës fetare, aksionere në të cilën janë në proporcion shqiptarët e të gjitha besimeve. Shekuj më parë, kur ata kanë shpallur se feja e shqiptarit është shqiptaria, shqiptarët kanë qenë shumë më besimtarë në besimet e tyre fetare se sa sot, por nga thellësitë më të mëdha të vetëdijes së tyre kanë deklaruar para botës se “jemi shqiptar aty ku flitet shqip”. Ndaj dhe Hobhouse në fillimin e viteve 1800 në udhëtimin e tij në rajon shkruan se këtu vetëm shqiptarët kanë vetëdije kombëtare dhe flasin për identitet kombëtar. Në qoftë se si pas teje ne qenkemi vend i kërcënuar nga islami radikal, atëherë në pikëpyetje është vetë ekzistenca jonë si komb. Këtë mund ta thotë vetëm një mendje e sëmurë si e jotja.

– Së dyti, në rast se e thua këtë duke e lidhur me zhvillimet në Irak dhe Siri, nga frika se në Shqipëri për shkak të besimit të shumicës së kombit do të ketë një hapësirë të madhe për islamin radikal duke të krijuar përshtypjen se Kalifati do shtrihet në territoret tona, je akoma më skandaloz. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe liria, paprekshmëria e saj është e sigurt dhe e garantuar nga aleanca ushtarake dhe politike më e fuqishme e kohërave. Por njeriu që ka protestuar kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO këtë nuk mund ta besoj!

– Së treti, është e vërtetë se individë të caktuar, qytetarë shqiptarë janë bashkuar me palët ndër luftuese në Siri dhe Irak si terroristë e islamikë, disa prej të cilëve kanë vendosur me këtë akt besimin para kombit duke tradhtuar kombin e tyre, të tjerë kanë bërë të njëjtën gjë si mercenarë. Ata janë shqiptarë që së bashku me të tjerë vrasin çdo ditë qindra e mijëra musliman që falin pesë vaktet, fëmijë, gra, të moshuar si dhe të krishterë, por nuk përfaqësojnë aspak besimin fetar të moderuar dhe tolerant të shqiptarëve. Nuk ka asgjë me qesharake dhe idioteske se sa të mendosh se ata mund të konvertojnë në radikal, islamin europian të shqiptarëve. Këtë e thonë vetëm ata dhe armiq të tjerë të shqiptarëve dhe në mënyrë të papërgjegjshme edhe ti e ndonje papagall mjeran i yti për qëllime absurde. – Së katërti, është e vërtetë se këta individë, terroristë mercenarë ose fanatikë islamistë mund edhe të ndërmarrin akte terroriste në Shqipëri dhe gjetiu. Terroristët me origjinë të ndryshme kanë marrë e do ndërmarrin aktet e tyre monstuoze edhe në vendet më të sigurta. Por, Shqipëria është anëtare e koalicionit antiterrorist botëror dhe me kontribute të caktuara e të pamohueshme në këtë luftë dhe kam besim se agjencitë e zbatimit të ligjit dhe ato të shërbimeve inteligjente në bashkepunim dhe me partnerët ndërkombëtarë do të japin përgjigjen dhe kundërpërgjigjen e merituar çdo akti terrorist dhe organizatorëve të tij. – Së pesti, në qoftë se ti mendon se me deklarata të tilla, deri diku dhe kërcënuese, bën presion mbi

BE, vendet anëtare, tregon se ke mendësinë e etërve të tu dhe ke njohuritë e Haxhi Qamilit për Europën, pra nuk njeh as Europën as dhe BE. Ti bëhesh qesharak dhe më shumë sepse BE vërtetë është “soft”, është ngritur mbi vlerat e lirisë dhe paqes, por Europa sot është më e fortë se kurrë në historinë e saj. Ajo as nuk kërcënohet dhe as nuk impresionohet nga asnjë lloj aventurieri mbi tokë. Dhe në rast se, qoftë dhe vetëm për një moment, ndonjë shtetar europian do ndalej në deklaratën tënde dhe ta merrte atë seriozisht, gjëja më e parë që do thoshte me vete do të ishte, jo t’i pranojmë se po na i merr Kalifati, por ç’na duhen këta, larg këtyre, madje sa më larg, se këtu paska mundësi të vijë islami radikal! Por, fatmirësisht deklaratat e tua idioteske vetëm sa i neverisin shtetarët europian. Ato i përfillin vetëm ekstremistët e spektrit politik europian. – Së gjashti, me deklaratën tuaj të bërë në prag të vizitës shumë të mirëpritur nga shqiptarët e të gjitha besimeve të Kancelares Gjermane në Shqipëri duket se i thua Mirëserdhe Kancelare po mos harro se për shkak të besimit musliman të shumicës së shqiptarëve jeni në një vend me rrezik në potencial për islamin radikal, hapësirë e madhe për këtë lloj islami. Dhe këtë mund ta thotë vetëm një i sëmurë psiqik që përshkak të sëmundjes urren vendin e tij! Në rast se e berë deklaratën në prag të vizitës së kancelares për të mbuluar faktin se për herë të parë nga viti 1992 Shqipëria është bërë një problem serioz i brendshëm për vendin e saj me eksodin e shqiptarëve, që konkuron dhe atë të sirianëve në luftë, përsëri ke bërë një gafë që vetëm ti do mund ta bëje. Qeveria gjermane e di mirë se përgjegjëse për eksodin e shqiptarëve është qeveria që burgos 38 mijë qytetarë në një vit, që ka sipas organizmave ndërkombëtare në paraburgimet e saj në kushtet më ç’njerëzore më shumë të paraburgosur se sa Siria dhe Iraku, që prishi në kundërshtim me ligjet bizneset dhe banesat e mbi 9 mijë familjeve shqiptare, që ka hequr nga ndihma sociale për motive politike mbi 20 mijë familje dhe që me korrupsionin dhe krimin ka përmbysur klimën e biznesit dhe shkatërrruar dhjetëra mijëra vende pune. Një studim i njoftuar nga ambasada gjermane 3 vjet më parë, tregonte se 80% e investitorëve gjerman ishin të kënaqur me klimën e biznesit dhe do t’i investonin të ardhurat e tyre në Shqipëri. Kurse një studim tjetër gjerman i botuar vitin që kaloi tregonte se 67% e investitorëve gjerman ishin të pakënaqur me klimën e biznesit në Shqipëri. Qeveria gjermane e di se me gjithë heqjen e vizave në vitin 2010, në vitet 2011-2012 të marra së bashku, nga Shqipëria pati vetëm 430 kërkesa për azil politik kundrejt mbi 4900 që pati vetëm muajin Maj që kaloi. Qeveria gjermane e di se shkaku i eksodave janë qeveritë e këqija dhe se ti mashtron kur deklaron se shqiptarët po ikin se kanë keqkuptuar një thirrje gjermane për krah të specializuar pune. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën. Kjo praktikë gjermane ka ekzistuar edhe vite më parë, por kërkesat për azil nga shqiptarët ishin më të ultat e rajonit, vetëm 250 në vitin 2012. Qeveria gjermane e di se ti ke mashtruar shqiptarët duke deklaruar me zëdhënësin tënd se eksodi nuk kërcënon rivendosjen e vizave. E kundërta është e vërtetë! Së fundi, si një sharlatan i vërtetë, shprehesh me akuzë dhe kërcënim ndaj BE duke thënë se: “nëse BE nuk është në gjendje të na tregojë rrugën që presim atëherë do të ketë një hapësirë të madhe për islamin radikal”. Bashkimi Europian e ka të qartë se je i vetmi politikan që ke bllokuar dy vite më radhë statusin e vendit kandidat për një megaaferë korruptive. Për Shqipërinë dhe për politikanët e saj dhe për çdo vend tjetër, BE ka faktuar në mënyrën më serioze se ai di dhe ofron hartë të qartë rruge për procesin e Integrimit. Kjo hartë rruge është paraqitur me hollësi në dokumentin dhe kriteret e Kopenhagenit. Por, ti me lidhjet e tua personale me krimin dhe korrupsionin, etjen e papërmbajtur për pushtet dhe para, zhdukjen e pavarësisë së institucioneve, shkatërrimin përfundimtar të standardeve zgjedhore i ke zëvendësuar me kohë ato me kodin e mafies shtetërore.