Argatët e dreqit kundër Partisë Demokratike

selia-e-pd

Fushata histerike kundër Partisë Demokratike për shpartallimin e shkatërrimin e saj, e shitur si luftë ndaj kryetarit dhe jo ndaj Partisë, vazhdon nën dhe’ e mbi dhe’.

Fushatë e pafisme, e shëmtuar, e pahijshme.

Luftë tinzare, e padinjitetshme me një armiqësi të pamatshme, të pallogaritshme, që luftëtarët në vend t’i shohim si tigra, apo si gjigantë, po shfaqen liliputë të dëshpëruar që e urrejnë për vdekje Guliverin.

Në vjeshtën e 2007 apo në fillim të 2008, kam dëgjuar për herë të parë në tavolina shprehjen “kur ta heqim atë plakun…”, nga eksponentë të rëndësishëm të Partisë Demokratike, që janë e nuk janë sot aktorë në skenë. Ishte fjala kur ta heqim Sali Berishën, para të cilit u pikonte shurra në pantallona të gjithëve.

Thoshin “kur ta heqim atë plakun” dhe kur qëllonte që ai “plaku” i telefononte ndonjërit, ata ngriheshin në këmbë të flisnin me atë “plakun”.

Nuk po përmend emrat e atyre që ngriheshin në këmbë të flisnin në telefon me atë “plakun”, që iknin nga tavolina dhe flisnin me të, që ndalonin muzikën në makinë që të flisnin me të, që i bënin shenjë shoferit ta ndalonte makinën që të flisnin me atë “plakun”.

Nuk po përmend as emra as data as vende. Por jam dëshmitar i këtyre që thashë.

Lufta për ta heqë atë “plakun” nuk ka pushuar kurrë, është shfaqur në forma të ndryshme. Por ai “plaku” rezultoi e rezulton ende të jetë më i riu ndër të gjithë.

Sot lufta e pandershme, në brez e poshtë, në kohën e momentin e paduhur, duke shkelur çdo kod nderi e dinjiteti, në thelb është “për ta heqë atë plakun”. Argatët që janë thirrë në skenë sot kundër PD janë autorë të zvogëlimit e tkurrjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe nuk mbajtën përgjegjësi morale, nuk shkuan në shtëpitë e tyre si sjellës të humbjes e të fatkeqësisë, janë ata arkitektë të humbjes në zgjedhjet e kaluara politike kur dha dorëheqjen Berisha.

Argatët janë sharës me pagesë ndaj PD, dhe pagesën e kanë marrë ndër vite në të holla, në valutë e lekë vendi, në portofole, në privilegje, në emërime, në shitje postesh e detyrash, janë paguar sa sot nuk besojnë se nuk janë pronarë të partisë, qeverisë e të gjithë jetës së vendit.

Unë llomotis pa pagesë, pa post partiak a politik, pa privilegje, pa mandat deputeti apo këshilltari, pa rrogë, pa teserë partie, pa shitë kurrë ndonjë post a mandat, thjeshtë si një njeri që nuk pranon t’i vdesë ëndrra dhe as t’ia përdhunojnë ëndrrën përdhunuesit e PD dhe të pushtetit të saj ndër vite. Nëse Berisha dha dorëheqjen se vartësit e tij e patën bërë PD pazar i gjësë së gjallë, që shumë nëpunës e zyrtarë të lartë të PD e patën bërë PD bunker ku strehoheshin pasi bën plaçkë në ushtrimin e pushtetit, këta sjellësit realë të humbjes në qarqet e tyre duhet të fusnin bishtin ndër shalë e të ikin në shtëpiat e tyre.

Nuk ikën. Pritën të dëbohen. U dëbua një pjesë që me arrogancën e vet, me fodullekun e vet mendoi se është adn e partisë, dhe se partia nuk frymon pa to.

Partia Demokratike doli keq në këto zgjedhje. Por në fakt nuk doli aq keq sa do ta dëshironin anti Bashët, nuk doli aq keq sa të gëzojnë pa fre e limit ata që luftojnë Bashën dhe hiqen vetë të vigjër edhe pse të qepur… Para se të hidhen të gjitha rrufetë mbi Lulzim Bashën, çdo argat hakmarrës që mezi ka pritë këtë humbje, duhej të bënte me veten një minianalizë. A është fajtor i vetëm Basha? A ka faj dikush tjetër? A ka punuar për këtë humbje dikush tjetër? Unë që e shoh shahun nga larg, por që kam qenë në vorbull të fushatave të paktën që nga 1996, them se kontributorë të mëdhej të kësaj humbje janë ata që nuk ishin në listën Basha, listë që nuk ishte e përsosur dhe që kishte mangësi përfaqësimi të shoqërisë, se ata jo vetëm që nuk morën pjesë në fushatë, jo vetëm që nuk nxorën njerëz në fushatë, por abstenuan vetë, dhe ftuan me fjalë e heshtje mbështetësit e përkrahësit ta refuzonin PD e Lulzim Bashës. Absurdi kulmoi kur thuhej mos votoni Bashën, kur Basha ishte PD, dhe nuk gabuan që të thonin mos votoni Ramën. Të përjashtuarit nga lista Basha morën hak dhe u bënë argatë të dreqit. Një qytetar i këtij vendi, natyrisht shumë më i dijshëm se shumica e deputetëve të deshpëruar që dolën kundër PD, habitet, si ka mundësi. A nuk jetojnë dot pa mandat deputeti këta njerëz.

Kur doli lista Basha unë u shpreha kritik që nuk ishte në listë Jozefina Topalli, pasi ajo në parlament pati spikatur duke folur për dekriminalizimin, u përball me emra të frikshëm në debate. Jam i bindur se ka merita më shumë se sa për të qenë deputete. Por sjellja e saj gjatë fushatës dhe aktualisht është sjellje jo prej aristokrateje por si sjellje e një shtëpiake të deshpëruar. Jozefina duhet të shkojë tek PD se nuk shkon PD tek Jozefina që duhet konsideruar aset i madh i PD.

Imoraliteti i luftës kundër PD dhe jo në fakt thjeshtë kundër Bashës shfaqet sa thotë tjetri njëmijë të zeza edhe pse pati dhënë dorëhqje. Nëse ke dhënë dorëheqje, ruaje dinjitetin e të dorëhequrit. Por frika se hija e atij “plakut” endet dhe i tremb të gjithë është e madhe shumë dhe prish qetësinë e verës së nxehtë.

Kandidatët për kryetarë PD duan të jenë kryetarë PD por u rri shumë i madh kostumi i kryetarit dhe ata janë aq të trembur në garë saqë marrin hunj mbështetje e spila gjithandej nga qeveria për të qëndruar në këmbë.

Partia Demokratike është parti ëndrrash, është frymë, ata që e kanë shndërruar në ndërmarrje biznesi, që kanë shitë poste, tituj, ndere, që kanë shitë mandate, portofole, karrige, nuk e kuptojnë, as ata që në katërvjetëshin e fundit synuan ta trajtojnë si OJQ dhe përmes saj të aplikojnë si OJQ, nuk e kuptojnë se çfarë është Partia Demokratike në thelbin e saj.Humbi PD në këto zgjedhje. Të huajt thonë se janë shitë votat, jo tani, jo në fushatë, por pazari është bërë me vakt, elegant, i fisëm, aq sa është e fisme shitja e shpirtit.

Pas humbjes u ndez garë e shfrenuar kush t’ia presë kokën Lulzim Bashës, u ndezën qirinj feste për humbjen e Bashës dhe u sulën joshës për kurorën e kreut të PD.

Është shumë e vështirë t’ia besojnë kurorën çdo koke demokratët e këtij vendi edhe pse në emrin e tyre është abuzuar rëndë dhe demokratët kanë duruar shumë në kurrizin e tyre, kanë duruar hipokrizi, kanë duruar pordhë zyrtarësh të ndryshëm që ecin nëpër koridore e në oborr të PD apo nëpër kafet e oborrit sikur ata janë që mbajnë në supet e tyre gjithë botën, gjithë qeverinë, gjithë fatet e vendit. Demokratët, për fat të keq të zyrtarëve demokratë, janë të gjithë gjeneralë, më gjeneralë se zyrtërat demokratë që ta shpifin me shtirje e tangërllëk, që sillen tiranë me vartësit e servilë të pështirë me eprorët. Pronarët e opinionit publik, të emëruar nga qeveria sot dhe dje edhe nga kryedeputete diktonjëse të PD që për fat janë jashtë liste sot, nuk arrijnë të besojnë se folësit me pagesë apo sharësit me pagesë janë inferiorë para shumë njerëzve që nuk i lejon kush të flasin nëpër televizionet e qeverisë.

Lufta ndaj Lulzim Bashës si individ e kryetar është më shumë e pandershme. Ai ka plot të kritikohet por jo t’i pritet koka për t’ia marrë fronin si hakmarrje. Anti Bashët duhej ta bënin luftën hapur me vakt dhe jo në fushatë elektorale sepse nuk dëmtuan kryetarin e partisë, por dëmtuan rëndë partinë. Në fushatë elektorale duhej të ishin bashkë në fushatë, nëse mendojnë të sillen si politikanë. Sjellja e tyre siç e bënë është pabesi ndaj PD.

Partia Demokratike do të bëjë zgjedhje. Por nëse do të përsërisë spektaklet bajate për me zgjedhë (emëruar) anonimë në drejtimin e saj, në administratën e saj, nëse do zgjedhë anonimë në listat e këshilltarëve bashkiakë nëpër Shqipëri, anonimë dhe të pakonsultuar për deputetë, pushtetarë. do të vonojë të vijë në pushtet.

Partia Demokratike nuk ka organizim gati shekullor si Parta Socialiste, që ka arkiv e memorie përfekte dhe do patur zili, por PD është frymë, valë, vullnet që duhet mbajtur gjalë, duhet ndezur. Duke i dashtë njerzit, duke mos i përbuzë mbështetësit, duke u mbështetë edhe tek njerëz me peshë që e duan e mbështesin por u rri e ngushtë partia, duke mbushë parlamentin jo me anonimë por me emra me peshë para të cilëve i thahet përshtyma kryeministrit apo kryebashkiakut.

Argatët, që janë thirrë në skenë kundër PD, mund të thirren në emra e pseudonime se kështu janë thirrë, por nuk është koha e tyre dhe Partia Demokratike nuk ka mbetë poshtë urës e braktisur që pret mëshirën e ndonjë pijaneci apo hamshori që shkëlqente në poshtrime e abuzime kur i shkëlqenin spaletat e pushtetit.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>