Arratisja e Dalai Lamas dhe objektivat kineze në Tibet

Histori: 50 vjet më parë

Para 50 vjetësh tibetianët u rebeluan kundër pushtuesve kinezë. Mao shfrytëzoi një kryengritje të stisur për të nënshtruar përfundimisht një popull të pambrojtur. Por Dalai Lama u iku nga duart – i veshur si fshatar i thjeshtë, simboli i Tibetit të lirë, ia doli të arratisej në një përpjekje aventurore përmes maleve të Himalajas. Gjeneralët kinezë e ftuan për një shfaqje vallëzimi ku do shërbehej çaj. Mysafirit të tij ata duhet t’ i dukeshin si të ardhur në paqe. Entourage-i i Dalai Lamas sëbashku me 25 rojat e tij personale të armatosura, duhej të prisnin para urës së gurtë që të çonte tek kuartieri i shtabit të ushtrisë kineze që ndodhej para portave të Lasas (kryeqytetit të Tibetit). Si një zjarr që shpërndahet me shpejtësi, manovra demonstrative e fqinjëve të padëshirueshëm e të stërmëdhenj kinezë, ushtria e të cilëve kishte zaptuar vendin qysh në vitin 1951, më 5 mars 1959 u zuri rrënjë në kryeqytet: Dalai Lama, kryetari religjoz dhe njëkohësisht edhe figura më e lartë politike e tibetianëve, i cilësuar e thirrur nga populli i vet si “guri i çmuar që përmbush dëshirat “,  në atë kohë ndodhej në pikën më kulmore të rrezikut që ka përjetuar ndonjëherë në jetën e vet. Thashethemet mbi tradhtinë dhe pushtimin, po e bënin atë në ato ditë të vërtitej në rrugicat që të çonin në tempullin e famshëm të Lhasas, “Jokhang”. Nomadë që përpiqeshin të iknin, mblidheshin me dhjetra-mijëra të shtyrë nga ushtria kineze të qëndronin para portave të qytetit. Pelegrinët budistë vërtiteshin ashtu të shushatur nëpër pluhur dhe pëshpërisnin instiktivisht emrin e shenjtores “Mantra”, për të mbrojtur  qytetin. Të gjithë derdheshin drejt pallatit të Dalai Lamas. Më 10 mars, situata në Lhasa kishte arritur kulmin. Rreth 30 mijë njerëz ishin mbledhur në muret e Pallatit veror të “Norbulinka”-s. Të gjithë donin të jepnin kontributin e tyre për shëptimin e kryetarit të tyre shpirtëror, të cilit i ishte paraparë një rrëmbim apo arrestim nga organet kineze; ishin gati, ta mbronin “bariun” e tyre me jetën e vet. Ndërsa murgjit u bënin thirrje zotave për t’ i mbrojtur, gratë përgatisnin barut për të bërë të mundur rezistencën e rojave të barrikadave. Populli, tek i cili është rrënjosur thellë besimi budist, ishte i përçarë rreth çështjes, nëse duhej përdorur forca për të arritur qëllimin, dmth mbrojtjen nga kinezët, apo jo, siç ndodh shpesh në të tilla raste. Dhe shumë shpejt gurët fluturuan ndaj ministrave tibetianë  miqësore ndaj Pekinit; një zyrtar i lartë që mbante veshur uniformë kineze, u linçua nga turma.

Dalai Lama në kurth

I mbajtur si një peng në pallatin e tij, djaloshi Dalai Lama, që sapo kishte mbushur 23 vjeç, po kalonte orët e tij më të vështira. Në dritën e qindra qirinjve, rrethuar nga murgjit më të moshuar e më të respektuar të Tibetit të moçëm, ai meditonte rreth gjetjes së një rruge për të dalë nga kriza. Por ai gjendjej para një nyje morale; aty, pa gjetur asnjë zgjidhje: nëse ai do të qëndronte, atëherë do të kishte dhunë. Nëse ai largohej – po njësoj. Jashtë, me fletëpalosje, bëhej thirrje për të bërë një luftë e kryengritje të armatosur ndaj pushtuesve. Armët ishin futur me shumë shpejtësi nga të gjitha anët e kufirit me Indinë. Konflikti kishte kohë që ziente. Në tetor 1950, ushtarët kinezë në rajonin Kham, kishin pushtuar për herë të parë territorin tibetian. Republika e sapothemeluar Popullore e Mao ce Dunit, e cilësonte marshimin kinez si “Çlirim paqësor” dhe “Ribashkim me mëmëdheun”. Në një marrëveshje të çuditshme “17-pikëshe”, Pekini,  në vitin  1951, garantonte lirinë religjoze për tibetianët, duke theksuar se tempujt dhe Dalai Lama vetë nuk do të prekeshin. Por po atë vit, 3000 ushtarë kinezë u futën në kryeqytetin e vendit, Lhasa – dhe shumica e tibetianëve, nisën të kuptonin se Pekini thjesht donte ta kthente atë në një provincë kineze pa asnjë të drejtë autonomie, duke synuar edhe rrënimin e kulturës së tij religjoze. Shumë herë, Dalai Lama, nga mesi i viteve pesëdhjetë, kishte qenë i detyruar të udhëtonte drejt Pekinit, për t’ u takuar personalisht me Mao Ce Dunin e folur mbi të ardhmen e Tibetit. “Ata kanë një histori të madhe dhe para shumë kohëve, ata kanë mbajtur të pushtuara pjesë të mëdha të Kinës “, thoshte me shpoti Mao, për të dalë më pas në kërcënime të hapura: “Por tashmë ata janë në prapambetje, e ne duam t’ u vijmë në ndihmë”.

Bëmat kineze në Tibet

Në Tibet, ndërkohë, kinezët po kujdeseshin të regjistronin shembuj konkretë dhune: tempujt u shpronësuan, u bënë reforma agrare të dhunshme, rajone të tëra iu nështruan “korrekturave dhe masave reformuese”. Politika kineze detyroi me mijëra tibetianë të fshiheshin maleve. Në grupe të vogla dhe të keqarmatosur, në vitet në vazhdim, ata luftuan herë të organizuar e herë shumë sporadikë: e raporti ishte 8000 tibetianë kundër 40.000 ushtarëve të Ushtrisë “Çlirimtare” Kineze  – siç ishin pjesëtarët e Ushtrisë (ilegale) për Çlirimin e Tibetit, të njohur me emrin “Chusi Gangdrung”. Disa nga luftëtarët u trajnuan madje edhe në SHBA, e nga avionët amerikanë u hodhën me parashutë madje edhe armë nga ajri hërë pas herë në ato kohë, në ndihmë të rebelëve. Në vitin 1956, luftëtarët e lirisë tibetianë mundën të kontrollonin sërish pjesë të konsiderueshme të Tibetit Lindor. Por Mao e donte Tibetin nën kthetrat e tij: fillimisht thjesht si një mburojë natyrale me vargmale për t’ u ruajtur nga India (asokohe kërcënimi kryesor i Kinës), e më pas si një poligon të vërtetë për provat e tij bërthamore; ndërsa më pas, për ta shfrytëzuar si hapësirë jetike për popullin e vet që numëronte miliardat e rritej me ritme të shpejta. Pra, me një fjalë, Tibeti duhej t’ i përkiste Kinës me çdo kusht, me çdo çmim. Budizmin, gjithashtu ai kishte ndër mend ta rrënonte e t’ ia shkulte rrënjët. “Problemet e Tibetit duhet të zgjidhen me dhunë”, citohej kryetari Mao të telegrafonte drejt shtabit të Ushtrisë kineze, të stacionuar në Lasa në ditët e marsit 1959 – e ky ishte në fakt urdhri për kalimin në një etapë tjetër: atë të mësymjes përfundimtare për ta shtënë Tibetin një herë e mirë në dorë. Më 10 mars 1959, kur turma e njerëzve rrethoi pallatin “Norbulinka”, si qeveria tibetiane, ashtu edhe pushtuesit kinezë, e kishin humbur tashmë kontrollin mbi qytetin. Me altoparlant “ushtarët çlirimtarë kinezë” u bënin thirrje tibetianëve, të shkonin në shtëpi. Madje dy predha mortaje ranë në oborrin e pallatit të Dalai Lamas. Por askush nuk u tut – tek e fundit, Dalai Lama nuk duhej të binte në ansjë mënyrë në duar të kinezëve.

Arratia drejt Indisë

Shtatë ditë më pas u mor vendimi: Në Lhasa ishte tashmë një natë e errët, kur Dalai Lama më 17 mars 1959, rreth orës 22 të mbrëmjes, hoqi mantelin e tij të kuq budist dhe në vend të tij veshi një palë pantallona të gjata të zeza dhe një mantel të errët që e hodhi krahëve. Perëndeshave të tij në altarin personal ai u hodhi mbulesa të bardha që simbolizojnë fatin e mbarë – shenja gjithashtu të ndarjes, por edhe të shpresës për rikthim. Pa e vënë re, kreu i tibetianëve u nis drejt arratisë, duke ia dalë të shkonte në ekzil e të shmangte kësisoj një gjakderdhje në rrugët e Lhasas. Dalai Lama dhe katër nga rojat e tij të besuara, çanin rrugën përmes turmës së mbushur me inat e urrejtje, e cila ndërkohë tashmë kishte kapur numrin e rreth  300.000 vetëve. Duke u mbrojtur nga errësira e natës mes përmes një stuhie rëre, grupi i vogël e la më në fund Lasën. Nga kalldrëmet në përrenj, e më pas me anë të një barke të vogël me lëkurë dhije, përmes lumit të furishëm të Kyichu-s. Më këmbë, me kuaj, gjithnjë duke ecur përpara, duke çarë natën. Arratisja ishte organizuar mirë nga luftëtarët e lirisë dhe itinerari i Dalai Lamas ishte i mirëvëzhguar. Rrugës, para syve dilnin ministra, murgjër të nivelit të lartë, roja personale e anëtarë të familjes së Dalai Lamas që i bashkangjiteshin grupit.  Vetëm dy ditë më vonë nisi të flitej e të merrej vesh arratia e Dalai Lamas nga Pallati në Lhasa – e kështu ai që pasoi ishte kaosi. Në mënyrë brutale, tashmë ushtria kineze kishte dorë të lirë të veprnte ndaj tibetianëve, e për ditë me radhë ajo e mbushi Lhasan me rrënoja e dhunë. Vetëm mes datave 20 e  22 mars 1959, u vranë rreth dhjetë mijë tibetianë në betejat dhe bombardimet e shtëpive dhe manastireve e tempujve të tyre; rezistenca e organizuar u shua shumë shpejt nga zjarri i ushtarëve kinezë. “Atëherë, ne e paskemi humbur betejën” Dalai Lama, së bashku me 37 të besuarit e tij, ndërkohë kishte kaluar vendkalimin Sabo-La-Pass, të fundmit pengesë që të çonte drejt Indisë. Ndërsa ndodhej akoma në territorin tibetian , ai organizoi një konferencë të improvizuar për shtyp në “Lhüntse”, ku përmendi pikat e traktatit të nëmur 17-pikësh të vitit 1951 me Kinën, të cilin ajo e kishte shkelur tashmë me këmbë. Në Pekinin e largët, Mao besohet  të jetë përgjigjur kështu pas marrjes së lajmit mbi arratisjen e Dalai Lamas: “Atëherë ne e paskemi humbur betejën”. Më 30 mars 1959, Dalai Lama me njeërzit e tij mbërrijnë në Indi. Kryetari i qeverisë indiane,  Nehru, i priti miqësisht refugjatët tibetianë; në Dharamsala, në këmbët e Himalajas, ai u dhuroi atyre një copë tokë, për të themeluar një koloni e për t’ u ndjerë praktikisht si në shtëpinë e tyre. Atje lindi me kalimin e kohës edhe një demokraci funksionale, ku dhjetra-mijëra tibetianëve të raskapitur nga përndjekja kineze u jepej mundësia të takonin liderin e tyre në ekzil. Edhe Dalai Lama, ndërkohë 73 vjeç, jeton akoma dhe sot e kësaj dite, atje mes malesh, shumë pranë kufirit me Tibetin. Ai akoma nuk e ka parë atdheun e tij qysh prej asaj arratie dramatike, 50 vjet më parë.