Fadil Hasa do të mbetet një nga yjet më të shndritshëm të humorit shqiptar

Premte, 20 July 2018 18:03

Nga SHPENDI TOPOLLAJ

Kur ndjeva detyrimin moral që të shpreh pikëllimin tim në këtë ceremoni funebre mbushur me lot e pikëllim, nuk e di pse m`u kujtua Remarku që thosh se “Është e vështirë të gjesh fjalë kur ke për të thënë diçka”. Dhe për këtë njeri dhe aktor të shquar që në panteonin e humorit shqiptar, mund ta rendisim pa asnjë mëdyshje, krahas korifejve si Tano Banushi, Nikolin Xhoja, Skënder Sallaku, Albert Verria, i cili me një mjeshtëri e talent të rrallë e ktheu skenën në jetë dhe jetën në skenë, gjithkush prej nesh ka se ç`të kujtojë dhe ka se ç`të tregojë. Ashtu sikurse e parathotë profecia e emrit të tij: i zgjedhur e i përkryer, ai mbeti i tillë, pra koherent deri në fund në angazhimin e tij si qytetar dhe si artist. E donte botën të bukur, ndaj dhe e qortonte atë, pasi e njihte qysh kur qe student atje në San Peterburgun e Dostojevskit, përcaktimin e tij se “në këtë bukuri, Zoti dhe djalli luftojnë njëri - tjetrin dhe fushëbeteja është zemra e njeriut”. Ndaj dhe ai, jo vetëm e kishte zemrën e tij të mbushur me dashuri të pakufi për ta, por edhe arriti si pakkush të fitojë zemrat e tyre. Po kaq fisnik e besnik qe ai dhe në nderimin e kujtimit të gruas së tij të ndjerë apo në rritjen dhe edukimin e dy vajzave të mrekullueshme dhe plot dinjitet, duke u bërë për këdo shembulli më elokuent i bashkëshortit, prindit dhe gjyshit të përkushtuar. Nën drejtimin e regjisorëve nga më të shquarit dhe me frymë të sinqertë mirëkuptimi, përkrahje e ndihme reciproke për kolegët e koleget, Fadil Hasës, me rolet e tij aq të spikatura e mbresëlënëse, i takon një vend i veçantë nderi, si në lartësimin e prestigjit të estradës tonë, ashtu dhe në krijimin e shkollës durrsake të humorit. Si i tillë, vlerat e veprës së tij e identifikuan atë me këtë qytet të kulturës së lashtë dhe e shndërruan në simbol të tij. Me shfaqjet e tij anë e kënd vendit tonë, mes vështirësive të panumërta, me lojën e tij origjinale dhe plot individualitet, pra me karakteret e personazheve që krijoi, ai arriti të fitojë admirimin e kujtdo që e pa, dhe diti të mbajë ndezur flakën e humorit të vërtetë, kur njerëzit kishin më shumë nevojë për të. Humori i Fadilit qe i shëndetshëm, i pastër dhe me mesazhe kuptimplota; ai ngjallte te të gjithë gëzim, shpresë dhe optimizëm. Dhe ashtu si skeçet që realizoi dhe batutat e mençura e të përditshme të tij, edhe filmat ku luajti, deri te personazhi kryesor i Mao Ce Dunit, Hakurani, do ruhen gjatë në kujtesën e spektatorëve dhe teleshikuesve të shumtë. Se ai ishte ashtu siç e përcakton Enciklopedia jonë, një artist i humorit të zgjuar popullor. Konsekuent i bindjeve të tija dhe tolerant ndaj mendimeve të të tjerëve, Fadili asnjëherë nuk bënte dallime mes shokëve dhe miqve. Tavolina ku ai pinte çdo ditë kafenë, aty te Gjashtëkëndëshi, u bë modeli proverbial i harmonisë dhe i domosdoshmërisë të të kuptuarit dhe të zbatuarit të shprehjes demokratike “opozitarë por vëllezër”. Vajzat, të afërmit, miqtë, qyteti ynë dhe mbarë Shqipëria do ta vajtojnë gjatë humbjen e një artisti kurajoz dhe me integritet si Fadil Hasa. Por jeta kështu qenka; dhe pikërisht për këtë, nuk kemi se ç`t`i shtojmë tjetër vargut të Lamartinit se “Koha s`ka fare breg, ajo rrjedh e ne kalojmë”. Gjithsesi, në këtë përhumbje, sikur na zgjon gjenia e Stefan Cvajgut kur thotë se “Arti ka vetëm fillim”. Dhe është pikërisht ky art që nuk do ta lerë të vdesë Fadil Hasën, njeriun për të cilin është e vështirë të gjesh fjalë, edhe pse për të kemi për të thënë aq shumë. Ja pse edhe ne, ashtu si romakët e vjetër, sa herë do ta kujtojmë,  do të themi vetëm: jetoi!

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Zbulohet varri antik në Egjipt

Globi

Zbulohet varri antik në Egjipt

Arkeologët egjiptianë kanë zbuluar një varr antik më shumë se 4,400-vjeçar në kompleksin e piramidave të Sakaras. Varri privat, rreth 10 metra i gjatë dhe 3 metra i lartë, mendohet se...

U dënua me burg për korrupsion, por mori pafajësinë

Aktualitet

U dënua me burg për korrupsion, por mori pafajësinë

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto ka vendosur mos t’ia lërë harresës arrestimin dhe mbajtjen në paraburgim më tepër se një vit.   Përmes një padie civile, ish zyrtari i larte...

Mësuesit më të mirë të botës, mes tyre dhe një shkodrane

Aktualitet

Mësuesit më të mirë të botës, mes tyre dhe një shkodrane

‘Global teacher Prize 2019’  ka përzgjedhur finalistët e tij, ku mes mësuesëve më të mirë të botës renditet dhe një shqiptare . Liljana Luani është shkodrania që ka punuar për 38...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!