5 vjet festivali ndërkombëtar “Dea Open Air”, 43 vepra filmike në konkurrim

Tuesday, 28 August 2018 13:21

Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea Open Air” do të zhvillojë edicionin e tij të pestë. Festivali vijon traditën në rivierën shqiptare, Sarandë. Edicioni i pestë i festivalit dhe këtë vit premton për publikun tituj të kinemasë shqiptare dhe të huaj, nga data 2 deri më 8 shtator. Numri i aplikantëve të festivalit sipas organizatorëve ka ardhur në rritje nga viti në vit. Edhe edicioni i sivjetëm konfirmon të njëjtën tendencë rritëse. Të gjithë aplikuesit dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e festivalit. Ata vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, çka i jep pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale. Filmat e paraqitur dhe autorët pjesëmarrës në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars. Këtë fazë e kaluan 258 filma (34 të gjatë dhe 224 të shkurtër), të ardhur nga Afganistani, Argjentina, Armenia, Australia, Belgjika, Brazili, Britania e Madhe, Bullgaria, Danimarka, Emiratet e Bashkuara Arabe, Estonia, Federata Ruse, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Holanda, Hungaria, India, Indonezia, Irani, Irlanda, Italia, Izraeli, Kandaja, SHBA, etj. Për drejtorin e “Dea Open Air”, Edmond Topi, edhe ky edicion do t’u japë kineastëve skenën dhe publikut mundësinë, për t’u zhytur në kinemanë e bukur dhe frymëzuese. “Këtë vit, festivali do të ofrojë mundësinë e zbulimit të 43 veprave tërheqëse - vepra madhore që trajtojnë tema të mëdha, si problemet e gjinisë, racës, statusit shoqëror apo të drejtave të njeriut, po edhe vepra sensible, që fokusojnë çështje intime, probleme të jetës sonë private apo rolin shoqëror të artit dhe kinemasë”, pohon Edmond Topi, drejtor i festivalit. Dy programet kryesore të festivalit janë ai i filmit me metrazh të gjatë dhe i filmit të shkurtër. Në kinema Bougainville do të organizohet programi “Miqtë e Kinemasë”, me shfaqje speciale filmash jashtë konkurrimit, si edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit V të “Dea Open Air Festival” Sarandë, 2018.

Në garë për çmimet “Dea” komisionet përzgjedhëse kanë menduar të përfshijnë sivjet 6 filma të gjatë për seksionin e filmit me metrazh të plotë ose konkurrimin kryesor si dhe 31 filma në seksionin e filmit të shkurtër. Vetë filmi i shkurtër ofrohet edhe këtë vit në dy nënkategori: në konkurrimin ndërkombëtar dhe në konkurrimin studentor. Kategorizimi reflekton si natyrën e krijimtarisë ashtu edhe profilin e autorëve të tyre. Programi special “Miqtë e Kinemasë” do të ofrojë edhe 6 filma të tjerë me metrazh të plotë, ku këtë vit përfshihen tituj të përzgjedhur filmash, të prodhuar nga autorë vendas. Konkurrimi do të ndiqet nga disa juri, të përbëra me personalitete të njohura të kulturës, kinemasë dhe medias në rajon dhe më gjerë. Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga Clemens Erbach (regjisor - Gjermani), Isabelle Welter (producente - Austri), Rusomir Bogdanovski (skenarist dhe pedagog i skenarit - Maqedoni), Genc Përmeti (skenarist dhe producent -Shqipëri), Luan Kryeziu (regjisor dhe skenarist -Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë si edhe do të akordojë çmimet “Dea” për: aktorin/aktoren më të mirë në rol kryesor; fotografinë/kameran më të mirë; skenarin më të mirë, regjinë më të mirë dhe filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë. Kjo juri ndan çdo vit edhe çmimin special të destinuar për kontribute të spikatura të artistësh të rinj me karrierë premtuese në kinematografi. Po ashtu është dhe juria e filmit të shkurtër si dhe juria e medias, që do të vijojë me të tjerë çmime në festival. Edicionin e pestë të “Dea International Film Festival” e mbështet Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, si dhe Bashkia Sarandë.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Kosova, të martën bëhet anëtare e INTERPOL-it

Bota Shqiptare

Kosova, të martën bëhet anëtare e INTERPOL-it

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, u shpreh optimist se Kosova nga nesër do të jetë anëtare e organizatës policore ndërkombëtare - INTERPOL. "Vota pro është...

LAJM I FUNDIT/ Kërkohet dorëheqja e deputetit të PS, fyeu fëmijët autikë

Aktualitet

LAJM I FUNDIT/ Kërkohet dorëheqja e deputetit të PS, fyeu fëmijët autikë

Ndaj gjuhës fyese të deputetit socialist Alket Hyseni kundrejt autikëve ka reaguar edhe drejtuesja e fondacionit “Down Syndrome Albania” Emanuela Pepkola Zaimi e cila ka kërkuar dorëheqjen. “Alket Hyseni jepni dorëheqjen”...

5 vjet pa Sokol Olldashin, Basha status të veçantë

Politikë

5 vjet pa Sokol Olldashin, Basha status të veçantë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka përkujtuar ish-ministrin dhe deputetin demokrat Sokoll Olldashi në 5-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. kryetari i PD-së Lulzim Basha, e kujton përmes një mesazhi...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!