Saranda hap dyert për filmin, mirëpret festivalin ndërkombëtar “DEA OPEN AIR”

Premte, 31 August 2018 17:07

Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “DEA OPEN AIR” do të ngrejë siparin më 2- 8 shtator në qytetin bregdetar të Sarandës.

Shfaqjet “Open Air” do të organizohen në kinema “Limani” dhe kinema “Bougainville”. Në kinema “Limani” është planifikuar të organizohet ceremonia zyrtare e hapjes së këtij edicionit. Po aty do të ofrohen edhe dy programet kryesore të festivalit: programi i Filmit me Metrazh të Gjatë dhe programi i Filmit të Shkurtër.

Në kinema “Bougainville” do të organizohet edhe këtë vit programi “Miqtë e Kinemasë”, me shfaqje speciale filmash jashtë konkurrimit, si edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të festivalit.

Numri i aplikantëve të DEA OPEN AIR ka ardhur në rritje nga viti në vit. Edhe edicioni i këtij viti konfirmon të njëjtën tendencë rritëse. Të gjithë aplikuesit dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur kanë aplikuar në platformat “Film Freeway” dhe “Festhome”, ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e festivalit.

Ata vijnë jo vetëm nga vendet europiane, por edhe më gjerë, çka i jep pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale. Filmat e paraqitur dhe autorët pjesëmarrës në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars.

Këtë fazë e kaluan 258 filma (34 të gjatë dhe 224 të shkurtër), të ardhur nga: Afganistani (2), Argjentina (1), Armenia (1), Australia (3), Belgjika (6), Brazili (7), Britania e Madhe (10), Bullgaria (2), Danimarka (1), Emiratet e Bashkuara Arabe (1), Estonia (1), Federata Ruse (26), Finlanda (1), Franca (25), Gjeorgjia (1), Gjermania (17), Greqia (6), Holanda (1), Hungaria (1), India (13), Indonezia (1), Irani (11), Irlanda (2), Italia (16), Izraeli (8), Jordania (1), Kanadaja (2), Kili (1), Kina (2), Kolumbia (2), Korea e Jugut (4), Korea e Veriut (6), Kosova (1), Kroacia (1), Lituania (1), Mali i Zi (1), Maqedonia (2), Maroku (1), Meksika (2), Moldavia (1), Polonia (7), Portugalia (2), Rumania (2), SHBA (9), Sllovenia (1), Spanja (26), Tajlanda (1), Turqia (6), Ukraina (2), Venezuela (1) dhe Zvicra (5).

Përfundimisht në garë për Çmimet DEA komisionet përzgjedhëse kanë menduar të përfshijnë sivjet 6 filma të gjatë për Seksionin e filmit me metrazh të plotë ose konkurrimin kryesor, si dhe 31 filma në Seksionin e filmit të shkurtër. Vetë filmi i shkurtër ofrohet edhe këtë vit në dy nënkategori: në konkurrimin ndërkombëtar dhe në konkurrimin studentor. Kategorizimi reflekton si natyrën e krijimtarisë ashtu edhe profilin e autorëve të tyre. Programi special “Miqtë e Kinemasë” do të ofrojë edhe 6 filma të tjerë me metrazh të plotë, ku këtë vit përfshihen tituj të përzgjedhur filmash, të prodhuar nga autorë vendas.

Për drejtorin e “DEA OPEN AIR”, Edmond Topi, edhe ky edicion “do t’u japë kineastëve skenën dhe publikut mundësinë, për t’u zhytur në kinemanë e bukur dhe frymëzuese. Edhe këtë vit, festivali do të ofrojë mundësinë e zbulimit të 43 veprave tërheqëse – vepra madhore që trajtojnë tema të mëdha, si problemet e gjinisë, racës, statusit shoqëror apo të drejtave të njeriut, po edhe vepra sensible, që fokusojnë çështje intime, probleme të jetës sonë private apo rolin shoqëror të artit dhe kinemasë.”

Sipas traditës edhe në këtë edicion konkurrimi do të ndiqet nga disa juri, të përbëra me personalitete të njohura të kulturës, kinemasë dhe medias në rajon dhe më gjerë:

Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Clemens Erbach (regjisor – Gjermani), Isabelle Welter (producente – Austri), Rusomir Bogdanovski (Skenarist dhe pedagog i skenarit – Maqedoni), Genc Përmeti (skenarist dhe producent – Shqipëri), Luan Kryeziu (regjisor dhe skenarist – Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë si edhe do të akordojë çmimet DEA për: Aktorin/Aktoren më të mirë në rol kryesor; Fotografinë/kameran më të mirë; Skenarin më të mirë, Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë. Kjo juri ndan çdo vit edhe Çmimin Special të destinuar për kontribute të spikatura të artistësh të rinj me karrierë premtuese në kinematografi.

Juria e filmit të shkurtër, e përbërë nga: Dominik Streib (pedagog – Gjermani); Kimete Berisha (zyrtare e lartë e kinematografisë – Kosovë) dhe Eliodor Markja (regjisor montazhi) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të shkurtër si edhe do të akordojë çmimet DEA për: Montazhin më të mirë, Regjinë më të mirë, Filmin e shkurtër më të mirë si edhe dy çmime, që ndahen nga partnerët mediatikë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR: DEA për Angazhim qytetar (Çmimi i TV Klan) dhe DEA për Idenë më të spikatur (Çmimi i RTV 21 – Kosovë)

Juria e medias, e përbërë nga: Ylli Sula (drejtor i Çelësi Media Grup – Shqipëri), Kamuran Goranci (drejtues i Divizionit të Arteve në MKRS- Kosovë) dhe Eda Merepeza – gazetare dhe përkthyese.

Edicionin e pestë të DEA International Film Festival e mbështet Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, të cilat së bashku me bashkinë e Sarandës krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota.

Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera europiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Trump deklasifikon dokumente të hetimit për ndërhyrjet ruse në zgjedhje

Globi

Trump deklasifikon dokumente të hetimit për ndërhyrjet ruse në zgjedhje

Presidenti Donald Trump urdhëroi Departamentin e Drejtësisë që të deklasifikojë një sërë dokumentesh që lidhen me hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se...

Qeveria në mandatin e dytë nuk kishte çështjen çame, por timon e tepsi

Politikë

Qeveria në mandatin e dytë nuk kishte çështjen çame, por timon e tepsi

Shpëtim Idrizi, në një intervistë në Top Show, sqaroi pse PDIU-ja vendosi që të kalojë në opozitë. Por, përpara se të zbulonte pse u largua, Idrizi rikujtoi arsyen pse u bashkua...

Dhunë fizike dhe psiqike, të burgosurit: I kemi larë muret me gjak

Aktualitet

Dhunë fizike dhe psiqike, të burgosurit: I kemi larë muret me gjak

Në redaksinë e emisionit “Stop” kanë mbërritur shumë letra nga persona që vuajnë dënimin në burgun e Fierit apo familjarë të tyre.Ata ankohen për sjellje të padenja nga ana e...