Manifestimi “Takimet poetike në Sharr", tuboi poetë të njohur nga të gjitha trevat etnike shqiptare 

Hënë, 14 May 2018 10:34

Me homazhe para busteve të veprimtarëve të kombit, rilindësit Rexhep Voka, poetit martir Sadudin Gjura dhe dëshmorit Xhemil Abdurahmani, në fshatin Shipkovicë, më 12 maj 2018, i filloi punimet edicioni i parë i manifestimit kulturor „Takimet poetike në Sharr”. Këtë manifestim kulturor e organizoi Shtëpia botuese „Menada” nga Tetova, e cila në këtë veprimtari të rëndësishme kulturore, tuboi veprimtarë të njohur, poetë e shkrimtarë eminentë nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe nga qytete të ndryshme të vendit tonë – Republikës së Maqedonisë. Prof. dr. Ejup Ajdini - organizatori i manifestimit, pas homazheve i përshëndeti të gjithë artdashësit, pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje dhe mbështetësin kryesor, Ministrinë e Kulturës.

“Përshëndesim të gjithë artdashësit, përshëndesim Ministrinë e Kulturës, e cila e përkrahu këtë projekt kaq të rëndësishëm, të cilin e kemi menduar që më herët, por tani me ardhjen e strukturave të reja e panë të arsyeshme dhe e kuptuan thelbin e këtij manifestimi dhe ne sot jemi shumë krenarë pasi janë figura shumë të rëndësishme historike, pasi në këtë vend lindi Rexhep Voka, i cili para 150 viteve e shkroi librin e parë shqip në krahun e këtyre anëve, pra të Maqedonisë, pastaj pasuesi është Sadudin Gjura, i cili në rrethana misterioze u zhduk nga pushteti i atëhershëm, pastaj vlerat e letërsisë kombëtare i ngritën përsëri malësorët nga fshati Gajre, poetët Abdylazis Islami dhe Murat Isaku. Ka edhe vlera të tjera, por ne sot për të gjallët nuk do të flasim, sepse manifestimi tregon ndjenjën, shpirtdëlirësinë e njerëzve që janë prezentë dhe besojmë edhe opinioni do të na kuptojë mbarë”, theksoi prof. dr. Ejup Ajdini.
Organizimin e këtij manifestimi e ka përgëzuar dhe vlerësuar lartë edhe Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri, i cili shprehu gatishmërinë e tij për të siguruar edhe në të ardhmen mbështetje për organizime të kësaj natyre.
“Jemi këtu për të ndjekur për së afërmi manifestimin “Takimet poetike në Sharr”. Për mua është takimi i dytë i poetëve për këtë vit, pasi takimin e parë e patëm në Karadak dhe Ministria e Kulturës me politikat e saj të reja për një kulturë më ndryshe, për një përfaqësim më ndryshe të shqiptareve në këtë ministri, dihet mirëfilli që Ministria e Kulturës ndau një buxhet mbi 35 për qind për botimet dhe aktivitetet që tangojnë poetët tanë shqiptarë. Ne jemi këtu për të siguruar të gjithë artdashësit, sidomos poetët tanë, që mbështetja e Ministrisë së Kulturës do të jetë e parezervë dhe të gjitha projektet që kanë të bëjnë me kultivimin e vlerave të figurave të shquara kombëtare të popullit shqiptar të çdo sfere, ne do të jemi aty për t’i përkrahur”, deklaroi Valmir Aziri, Sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë.
Hapja solemne e edicionit të parë „Takimet poetike në Sharr” u realizua në Shkollën fillore „Rexhep Voka” të fshatit Shipkovicë, pikërisht në katundin që sipas organizatorit krijimtaria popullore dhe ajo letrare ka qenë dhe tenton të mbetet farkëtari më i mirë dhe më i veçantë i vlerave tona kulturore dhe shpirtërore në përgjithësi.
Në hapjen solemne, organizatori i manifestimit, prof. dr. Ejup Ajdini u shpreh se poezia është një harmoni poetike që tregon një ngritje, një lartësim të veçantë të shpirtit njerëzor, ajo është një kombinim i shpirtit me mendjen, ajo ekziston te çdo njeri, si minerali në brendi të tokës dhe sipas tij mjafton një emocion, një mbresë, një gëzim ose hidhërim i veçantë dhe tek njeriu lind dëshira që të shpërthejë me fjalë të zgjedhura, qoftë nga gëzimi, dëshpërimi, e bukura natyrore, e madhërishmja, tragjedia apo komedia.
„Vlerat kulturore janë krijuar dhe vazhdojnë të krijohen gjatë tërë procesit të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, pasi vlerat poetike dhe të arteve të tjera në përgjithësi, janë orientim për sjelljet dhe nivelet e zhvillimit kulturor e moral të njerëzimit. Fuqia e mendjes, imagjinata, por edhe fuqia e ndjenjave, si dashuria, gëzimi, frika, dhembja, pikëllimi, etj., kanë qenë dhe mbeten përherë faktorë për krijimin e vlerave shpirtërore e humane si ndërveprim i bukur midis njeriut dhe natyrës. Krijimtaria popullore dhe ajo letrare në Malësinë e Tetovës ka qenë dhe tenton të mbetet farkëtari më i mirë dhe më i veçantë i vlerave tona kulturore dhe shpirtërore në përgjithësi. Dëshmi më e mirë janë traditat kulturore të festive si, këngët e motmotit, këngët e kurbetit, të dasmës, fejesës, këngët e punës, kanagjegjit, synetisë, lindjes, vdekjes, bletës, luleve dhe natyrës në përgjithësi. Ky talent krijues i malësorëve të Sharrit u reflektua 150 vite më parë edhe te shkrimtari i Rilindjes Kombëtare të këtij krahu, Rexhe Voka, pikërisht nga ky katund, ku edhe sot jemi përqendruar me manifestimin tonë ,,Takimet poetike në Sharr”, që do të thotë se nuk jemi rastësisht sot në Malësinë e Sharrit të Tetovës, pikërisht këtu në Shipkovicë, Pasi Voka është i pari, i cili, para një shekulli e shkroi librin e parë shqip „Mendime” që edhe sot e kësaj dite i ruan vlerat e mirëfillta letrare – filozofike. Ai shkroi edhe alfatetaren, vepra të tjera pedagogjike e fetare, por, për ne, libri “Mendime”, na bën krenarë për jetë të jetëve”, tha gjatë fjalës së tij, prof. dr. Ejup Ajdini.
Ai, më tej theksoi se pas Rexhep Vokës, si trashëgimtar i letrave shqipe në këto anë, vjen Sadudin Gjura, pikërisht nga Shipkovica, i cili përjetoi fatin e Zhan Valzhanit, njeri më i shkolluar, tejet i bukur për nga natyra që ia kishte falur perëndia dhe më i përgatituri i viteve 50-ta, i cili do të torturohet jashtë çdo norme njerëzore, për të cilin dëshmojnë vargjet e tij, që për ironi të fatit, kemi ndriçuar vetëm në disa poezi me nga një katrenë.
“Edhe pse Vokës nuk i dihet varri, pasi vdiq në Stamboll, Gjura vdiq në rrethana të pasqaruara deri më sot, por arti letrar i këtyre anëve pasoi me Murat Isakun dhe Abdzlayis Islamin, të cilët e ngritën letërsinë bashkëkohore shqipe të këtij krahu në nivel kombëtar dhe më gjerë, të cilët ishin nga katundi Gajre, fshatra këto të Sharrit, lindur e zhvilluar bashkërisht nëpër shekuj dhe në rrethana të njëjta shoqërore, historike dhe kulturore në përgjithësi. Malësia e Sharrit ka edhe plot vlera të tjerë, por, për të gjallët sot nuk do të flasim. Këta shkrimtarë e poetë kanë qenë dhe mbeten qenia më sublime e shoqërisë sonë, që me shpirtin e tyre të dëlirë dhe talentin e tyre krijues, ndërthurën harmoni estetike me fenomenet jetësore, dramat dhe tragjeditë e jetës së njeriut tonë, që kësisoj dhanë nga vetja sublimen më të mundshme, duke dhënë shfaqjet më të bukura e më të madhërishme, dhe gjithmonë duke kërkuar vizion dhe zgjidhje të përhershme, siç shkruante edhe Abdylazis Islami. Nuk janë vetëm këto vlera dhe vetëm këto katunde... Kalaja e Tetovës është një epope më vete, aty ku u dëgjua jehona e madhe, pastaj në Bozovcë u lind Fadil Sulejmani, rektori i parë i Universitetit të Tetovës, universiteti që edhe sot udhëhiqet nga njeriu me gjysh e katragjysh sharrjan, prof. dr. Vullnet Ameti. Nga katundi Gajre e zhdukën Shaip Komberin, prefektin e parë të Tetovës, intelektualin dhe gazetarin, njeriun me shkencat juridike të kryera asaj kohe në Beograd, të cilin atëherë e sot, politika sllavo-komuniste e la pa varr e pa nishan. Edhe rilindësit nga Shipkovica, Vokës nuk i dihet varri, pasi detyrohet të vdes në Stamboll, kurse, profesorin e parë të Sharrit e të Pollogut, poetin e dramaturgun, Sadudin Gjura, pushteti sllavo-komunist e nxori nga klasa kur ishte duke ligjëruar para studentëve të Normales së Tetovës. E burgosën duke ushtruar torturat më çnjerëzore, deri te dhuna me karrige elektrike. Edhe të dëmtuar psiqikisht, pushteti barbar i kohës, gjatë viteve të pesëdhjeta, nuk kishte durim ta shikonte gjallë, deri sa e hodhën në mes të dimrit dhe atë në maje të bjeshkëve të Sharit, ku në pranverë trupin e Sadudin Gjurës barinjtë e gjetën të shformosur. Heshturazi, dy familjarë dhe hoxha i fshatit e varrosën Gjurën mu në atë vend ku kishte ndërruar jetë, pasi nuk lejohej nga barbarët sllavë të sillej në varrezat e fshatit, vetëm i bënë një gropë të thjeshtë, si luftëtarit në fushë të betejës. Me eliminimin tinëzar të Sadudin Gjurës nga kjo botë, u thye pena më sublime e kombit shqiptar, u shua zëri më protestues i këtij vendi, dhe as një pikë loti për te, as një rrasë mbi varr, asnjë ceremoni fetare, asnjë fjalë mortore, vetëm heshtje, vetëm e vetëm të ekskomunikohet e të zhduket përgjithmonë. Por, Zoti nuk tha si thoshin sllavët komunistë.
Gjura edhe letërsia shqipe e këtyre anëve, më vonë erdhi duke u rritur dita më ditë. Nuk u harrua asnjëherë nga populli, pasi shpirti i këtij populli është i madh dhe dashurinë për te e kishte fshehur diku thellë në oqeanin e shpirtit, me të cilin sot krenohet populli, krenohemi ne dhe gjeneratë pas gjenerate kjo krenari do të rritet, pasi tani më disa nga veprat e Gjurës, janë ndriçuar, si drama “Lalë Bajrami”, “Dasma shqiptare”, “Kryengritja e Dervish Carës”, pjesë nga “Fejesa në djep” nënvijëzoi në mes tjerash profesor Ejup Ajdini.
Ai, fjalimin e tij e përmbylli me bindjen se të gjithë e kuptojnë rëndësinë e këtyre takimeve poetike në Sharr dhe sikurse u shpreh, kjo është Malësia e Sharrit në Tetovë, për të cilën ia vlen të bëhej një eveniment i këtillë, ku duken qartë vlerat shpirtërore të kësaj ane dhe vlerat e mëdha.
Shtëpia botuese “Menada”, për mbështetjen e “Takimeve poetike në Sharr” i ndau mirënjohje rektorit të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ametit, sipërmarrësit të njohur Islam Ramizit dhe Sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Azirit. Pas pranimit të mirënjohjes, z.Valmir Aziri u shpreh se ndjehej i emocionuar pasi pjesën më të bukur të jetës së tij e kishte kaluar në në fshatin Shipkovicë.
“Jam me emocione pasi që gjendem në një vend ku e kam kaluar pjesën më krenare të jetës time dhe Shipkovica na ka bërë strehë, na ka bërë dhe populli shqiptar i Malësisë së Sharrit, i cili ka ndihmuar që ne të bëjmë një luftë të suksesshme dhe si rezultat i asaj lufte, ne sot jemi të lirë për të ushtruar aktivitetet tona kulturore, për të kontribuar për kulturën shqiptare. Ne si Ministri e Kulturës për vitin 2018 kemi ndarë 35% të buxhetit të ministrisë për kulturën shqiptare, e kemi krijuar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqipe që do të kontribuojë shumë në kultivimin e etnosit shqiptar, po ashtu si Ministri e Kulturës kemi mbështetur një numër rekord të botimeve për këtë vit. Është hera e dytë që marr pjesë pjesë në një aktivitet të kësaj natyre pas “Takimeve të Karadakut”. Ju përshëndes të gjithëve, Ju falënderoj për prezencën, unë jam këtu për të siguruar një mbështetje të vazhdueshme të Ministrisë së Kulturës dhe në strategjinë e re të saj është paraparë një vend shumë i veçantë për këto takimet interaktive. Kështu që, Ju përgëzoj për punën dhe shpresoj dhe ju garantoj që gjërat që nisin në Shipkovicë kanë jetë të gjatë dhe shpresoj që edhe ky aktivitet të ketë jetë të gjatë”, tha Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, z.Valmir Aziri. Në hapjen solemne u recituan vargje dhe u lexuan pjesë nga vepra e Rexhep Vokës, Sadudin Gjurës, Murat Isakut dhe Abdylazis Islamit, vargjet dhe fragmentet e të cilëve i lexuan para pjesëmarrësve, studentë dhe profesorë të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës: Abdulkadër Selimi, Kaltrinë Sadiki, Gjylsime Jashari dhe Vjollcë Berisha. Hapja zyrtare e manifestimit përfundoi me interpretimin e këngëve të melosit tonë popullor nga artistja e njohur Shefqete Gosalci dhe me shtrimin e një kokteji të pasur me ushqime tradicionale të trevës së Malësisë së Sharrit.
“Takimet poetike në Sharr” vijuan programin e tyre me homazhe para bustit të atdhetarit Saip Kamberi në fshatin Gajre, takimin poetik në klubin artistik „Shend e Verë” dhe homazhe para shtatores së rilindësit Naim Frashëri në sheshin e qytetit të Tetovës.
Ky manifestim i rëndësishëm kulturor e përfundoi programin me mbajtjen e “Orës letrare” në restorantin „Ata” në Tetovë. Në këtë takim përmbyllës, para artdashësve dhe pjesëmarrësve të shumtë, poezitë e tyre i lexuan: Odise Plaku, Rozafa Shpuza, Shefqete Gosalci, Rabije Bytyqi, Jonuz Bytyqi, Puntorie Muça-Ziba, Nazmi Beqiri, Flora Peci, Fatos Rushiti, Nurije Emërllahu, Valdete Dulahi, Hyrije Vrangalla, Adem Abdullahu, Xhelal Ademi, Adem Xheladini, Shazim Memeti, Salajdin Salihu, Sadije Aliti, Ekrem Ajruli, Rahim Ganiu, Arlind Farizi, Salajdin Shabani dhe Ibrahim Koça. Juria profesionale e përbërë nga doc. dr. Salajdin Salihu, doc. dr. Esmije Vejseli dhe dr. sc. Vjollcë Berisha, i shpalli edhe çmimet për poezinë konkurruese në „Orën letrare” të edicionit të parë të manifestimit „Takimet poetike në Sharr”. Sipas vlerësimit të jurisë, Çmimi III i takoi poetes Puntorie Muça- Ziba, Çmimi II, Odise Plakut, ndërsa çmimi kryesor, Çmimi I, poetit nga Gostivari, Shazim Mehmeti. Me një program të mirfilltë artistik, me ndarjen e çmimeve të lartpërmendura dhe të mirënjohjeve për poetët e njohur, krijuesit e rinj, revista dhe shoqata të ndryshme të kulturës, i përfundoi punimet edicioni i parë „Takimet poetike në Sharr”.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Volkswagen do të shpenzojë 44 miliardë euro për makina elektrike

Teknologji

Volkswagen do të shpenzojë 44 miliardë euro për makina elektrike

Volkswagen tha se do të shpenzojë 44 miliardë euro për makinat elektrike, digjitalizimin, ngarjen autonome dhe shërbimet e reja deri në vitin 2023, si pjesë e një shtytjeje nga prodhuesi...

Ambasadori i SHBA, Scott: Më shumë guxim në bisedimet Kosovë – Serbi

Bota Shqiptare

Ambasadori i SHBA, Scott: Më shumë guxim në bisedimet Kosovë – Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i është ankuar të premten ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott për taksën shtesë të vendosur nga autoritetet e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia dhe...

Panucci: Duka nuk e ka thënë që rrezikoj, skuadra duhet të flasë në fushë

Sport

Panucci: Duka nuk e ka thënë që rrezikoj, skuadra duhet të flasë në fushë

Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, në konferencën e tij para ndeshjes kundër Skocisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve, tha se duhet fitoja me patjetër kundër djemve të MekLish. Në fjalën...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!