Ekspozitë pikture një ditë para ditëlindjes….

E mërkurë, 28 Mars 2018 19:08

-Me piktorin mirditas Pjetër Marku-

Nga Martin DEDAJ
Piktori mirditas Pjetër Marku i është rikthyer përsëri Lezhës, teksa ditë më parë (23 Mars 2018) në Galerinë e Arteve të këtij qyteti, në praninë e shumë njerëzve të artit dhe kulturës, intelektualë e përfaqësues të pushtetit vendor të Lezhës dhe Mirditës, miq dhe të ftuar ka promovuar ekspozitën e tij, me 35 punime të llojeve dhe tematikave të ndryshme, së bashku me 71-vjetorin e lindjes..Aktiviteti në fjalë është zhvilluar  në vijim të programit që Shoqëria Kulturore Artistika Mirdita, ka hartuar në kuadër të vitit kombëtar të Gjergj Kastriotit Skendërbeut dhe është moderuar nga gazetari Aleksandër Ndoja, njëherësh edhe kryeredaktor i revistës “Mirdita” botim i Shoqërisë Kulturore Artistike “Mirdita”. Nga ana e tij përgjegjësi i Galerisë së Arteve Lezhë dhe kuratori i kësaj ekspozite piktori skulptor Ymer Metaliaj ka folur rreth krijimtarisë artistike ndër vite të piktorit Pjetër Marku dhe veprave të ekspozuara në këtë ekspozitë, ku ndër të tjera ka thënë se; “Subjekti inspirues i artistit, natyra në tërësi dhe natyra njerëzore në veçanti janë në shprehjen sintetike të nivelit më të lartë të veprave në artin e pikturës; Kohë-Lëvizje-Hapsirë. Në këto vepra këto janë shprehur me ngjyra të ëmbla, të thekshme dhe transparente përmes një realizimi mjeshtror dhe emocional jo vetëm në ngjizje e realizim por edhe lëvizje fizike në inspirim dhe për tu ekspozuar. Vlerat artistike të mjeshtrit Pjetër Marku janë pasaporta kombëtare në zhvillimin e artit pamor shqiptar”.Ndërsa Ardian Laçi, drejtor i Arsimit, Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve në bashkinë Lezhë, ka falenderuar piktorin për pranverën e sjellë përmes punimeve të tij, në keto ditë të ftohta të fundmarsit të këtij viti.Në emër të përfaqësuesëve vendor të Mirditës ka përshëndetur kryetari i Këshillit të Bashkisë Mirditë,  z. Pjetër Pjetri i cili ndër të tjera ka falenderuar autoritetet vendore të Lezhës e në veçanti kryetarin e bashkisë z. Fran Frrokaj, duke shprehur urimin dhe besimin se ai shumë  shpejt do ti kthehet ushtrimit të detyrës. Piktori i njohur Kosovar Refki Gollopeni, që është njëherësh  autori i realizimit të emblemës së bashkisë Mirditë, i ka vlerësuar punimet e piktorit Pjetër Marku, për larushinë e ngjyrave dhe tematikat e tyre. Me interes për të pranishmit janë pritur kujtimet e z. Xhavit Lashi, nënkryetar i Shoqatës “Luma” dhe shok klase i piktorit Marku, ku ndër të tjera ai solli edhe një fakt që mbase shumë kush nga të pranishmit nuk e dinte, atë të qenurit kampion kombëtar në mundje e Pjetër Markut. Pra pëveçse një piktor i talentuar Pjetër Marku shton në cv-në e tij edhe atë të kampionit kombëtar në mundje me ekipin e “Perparimit” të Kukësit.Autori i ekspozitës, piktori Pjetër Marku përmes emocioneve ka përshëndetur të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vlerësimit që i bënë punimeve të tija, dhe ndër të tjera ka thënë se; “Lezha për vetë mozaikun dhe natyrën që ajo ka, të krijon mbresa të pashlyera. Ndaj për secilin artist dhe krijues, padyshim edhe për mua promovimi i krijimtarisë në këtë qytet të begatë në histori, kulturë, trashëgimi dhe vlera turistike të jep sadisfaksion të veçantë dhe të len mbresa të pashlyera në kujtesë. Pavarësisht se kam hapur shumë ekspozita individuale dhe marrë pjesë në shumë të tilla kolektive brenda e jashtë vendit, kjo ekspozitë këtu në Lezhë padyshim më ka impresionuar dhe frymëzuar jashtë mase. Pasi Lezha është pllaja e begatë ku marrin frymëzim artistët dhe krijuesit”.Në ekspozitën e pikturës çelur në Lezhë e cila do të qëndrojë e hapur  për artëdashësit dhe të interesuarit për disa ditë, mbizotërojnë punimet kryesisht të peisazhit përmes të cilave na vijnë bukuritë magjepse të natyrës së bukur shqiptare dhe portretit, ku spikasin personalitete me kontribut në histori, kulturë etj. Në këtë ekspozitë piktori Pjetër Marku ka ekspozuar gjithësejt 35 punime në teknikën e ngjyrave të vajt në kanavacë. Impresionet e frymëzimit të tij ai i merr nga natyra dhe shumëllojshmëria e saj, epika, figura të spikatura, vendlindja, tematika kombëtare etj. Rryma e përfaqësimit të artit të tij pamor është ajo post impresioniste. Ashtu siq dhe tek krijimtaria e tij ndjehet ndikimi i artit modern të shekullit XX-të, që sinkronizohet shpirtërisht tek ai. Ndikimi i artit pamor global si dhe influenca e pedagogut Ismail Lulani janë përthithur dhe absorbuar, si dhe kanë ndikuar jo pak në krijimtarinë e piktorit Pjetër Marku, i cili ka mbi pesë dekada që lundron me penelin e tij dhe larushinë e ngjyrave të hedhura mbi shumë e shumë punime të realizuara prej tij.  Më pas është vijuar me diskutime ku  folës të shumtë kanë falenderuar organizatorët për ftesën si edhe kanë vlerësuar jo vetëm ekspozitën e piktorit Pjetër Marku, por edhe revistën “Mirdita”, e cila tashmë ka krijuar stabilitet në periodicitetin e botimit të saj dhe është bërë e mirënjohur në të gjithë trojet mbarëkombëtare, dhe që ishte prezaent në këtë ekspozitë me numrin e 17-të të saj, drejtor i së cilës është piktori Pjetër Marku dhe kryeredaktor gazetari i njohur Aleksandër Ndoj. Duhet evidentuar fakti se ky event artistik është ndjekur dhe përcjellë nga shumë reporterë të mediave të ndryshme vizive dhe të printuara lokale dhe kombëtare.Piktori Pjetër Marku, u lind në Shëngjin të Fanit në Mirditë më 24.03.1947. Arsimin fillor dhe atë 7-vjeçar e kreu në vendlindje, atë të mesëm në Shkollën Pedagogjike-Peshkopi ndërsa arsimin e lartë në Institutin e Lartë të Arteve Tiranë në vitet 1968-1973, ku u titullua Piktor. Në vitin 1985-1986 përfundon kursin e lartë të filozofisë në Tiranë.Ai ka kryer detyra dhe funksione të ndryshme, duke filluar si mësues i ciklit të ulët në Fanë në vitet 1966-1968, më pas mësues i lëndëve artistike në Shkollën Pedagogjike Kukës (1973-1978), mësues në Shkollën “Bajram Curri” Kukës (1978-1985). Në vitet 1986-1991, instruktor në ish Komitetin e Partisë Mirditë, 1991-1992, sekretar i këtij komiteti dhe nënkryetar i Partisë Socialiste Mirditë dhe në vitet 1992-1993 në Komitetin Drejtues të Partisë Socialiste Mirditë. Nga viti 1993-1996 merret me aktivitet privat me biznes ambulant. Më pas nga viti 1996 deri në vitin 2001 i  pa punë. Në periudhën 1 Korrik 2001-5 Dhjetor 2007, drejtor i Qendrës Kulturore Mirditë dhe që nga Dhjetori i vitit 2007 deri në Nëntor 2012, kohë kur doli në pension, përgjegjës i Muzeut Historik Mirditë.Pjetër Marku ka qenë për shumë kohë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, që prej vitit 1976 e në vijim, më pas kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Kukës në vitet 1984-1991, kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Mirditë, që prej vitit 2002 e në vazhdim, dhe që prej vitit 2012 dhe aktualisht kryetar i Shoqërisë Kulturore Artistike “Mirdita”, dhe ka një aktivitet mjaft të pasur krijues dhe artistik. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, individuale dhe kolektive, ku punimet e tija në pikturë janë mirëpritur dhe vlerësuar nga artdashësit. Gjithashtu ai është autor i disa katalogjeve në pikturë, bashkëautor në disa botime të Këshillit të Qarkut Lezhë. Ka botuar në gazetën “Drita”, Kukësi i Ri”, “Mirdita”, revistën “Dituria” dhe në Revistën Kulturore Mirdita, drejtor i së cilës është. Pavarësish se ka dalë në pension, ai nuk i ndahet aktivitetit të tij kulturor dhe artistik, duke dhënë një kontribut të çmuar në promovimin e vlerave kulturore dhe artistike të Mirditës dhe jo vetëm.Piktori Pjetër Marku prej kohësh e ka merituar dhe e meriton një vlerësim nga autoritetet lokale dhe rajonale pse jo dhe ato kombëtare; Për kontributin e tij të spikatur në fushën e krijimtarisë në artet pamore dhe të promovimit të vlerave kulturore dhe artistike të trevës së Mirditës dhe me gjërë. Kjo ekspozitë pikture e Pjetër Markut ka qenë edhe prologu i ditëlindjes së tij të 71-të, nga ku për të pranishmit është shtruar një koktejl, prej të cilëve ka marrë  urimet; Për një jetë sa më të gjatë dhe krijimtari sa më të begatë.
Fund Marsi 2018

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

I zhdukuri që po kërkohej nga policia kthehet papritur në shtëpi

Aktualitet

I zhdukuri që po kërkohej nga policia kthehet papritur në shtëpi

Javën e kaluar një i ri 24-vjeçar nga fshati Trepçë i Mitrovicës, kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer. Familjarët e kishin raportuar të zhdukur në polici ndërsa më...

Nuk e pranoi si të dashurin e vajzës dhe e goditi me thikë, vdes 38-vjeçari

Politikë

Nuk e pranoi si të dashurin e vajzës dhe e goditi me thikë, vdes 38-vjeçari

Shtetasi Olsi Lelo, 38 vjeç, ka ndërruar jetë në spitalin e Tiranës pasi u plagos dje në zonën e Unazës së Re. Gjatë ditës së djeshme Rezmi Caushaj plagosi me thikë...

OKB ngre alarmin: 200 mijë shqiptarë janë pa bukë

Aktualitet

OKB ngre alarmin: 200 mijë shqiptarë janë pa bukë

Raporti i publikuar së fundmi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, agjencia për ushqim dhe agro-bujqësi, që i referohet gjendjes së ushqimit nëpër botë për 2018, nxjerr në pah të...