AUDITORI I MARK KRASNIQIT

mark krasniqi

Rubrika/Në gjuhën tonë të bukur: shqip

 

 

Mark Krasniqi nuk është më. U përcoll këtë të dielë. Shkoi në shtëpizën që pati përgatitur vetë, sipas një filozofie realiste e të ftohtë për jetën. Një intelektual që lufton çdo ditë të jetës për të bërë diçka të mirë dhe paralelisht nënshkruan e materializon një paqe të hershme me vdekjen, është, veç të tjerash, dëshmi e një karakteri të pazakontë.

Me trokitjen kah qindvjetëshi, me jetësinë dhe energjinë që u bënte karshillëk moteve, na dukej sikur s’do të vdiste kurrë. Sikur ishte i përjetshëm, si Atdheu.

Tek ai krahasimi me Atdheun vjen vetvetishëm.

1.Duhet të ketë qenë viti 1971 kur në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës u hap fjala se një profesor prej Prishtine do të ligjëronte për studentët e histori-gjeografisë. Po fillonte një hapje e lehtë me Kosovën, kryesisht në kulturë.

Mark Krasniqi u shfaq në hyrje të fakultetit me çantë të zezë lëkure e me flokë krejt të bardhë, që i shkonin pamjes fisnike prej dijetari. Ecte pa këqyrur majtas as djathtas. Ne studentët e letërsisë, që ishim të interesuar, s’u lejuam me e dëgjue ligjëratën. Për të shmangur mbingarkesën e sallës, u tha. Por arsyet qenë politike. Kosova duhej me mbetë gjithnjë e huaj. E largët, e panjohur.

Mbetëm jashtë auditorit.

Dhjetë a dymbëdhjetë vjet më vonë në Tiranë u botua përmbledhja me studime etnografike “Mark Krasniqi, Gjurmë e gjurmime”. Më përpara kish dalë në Prishtinë. Nëpër librari s’po gjindej. Me gjasë shumica e kopjeve qenë shitur nën dorë.

Auditori i Krasniqit qe rritur. Po bëhej sa Shqipëria.

2.Kur profesor Krasniqi themeloi Partinë Demokristiane të Kosovës njëzet e tri vjet më parë, ishte 72 vjeç. Në këtë moshë nuk hyn kush në politikë për karrierë. Në këtë moshë vetëm një shtysë madhore të çon kah tribunat politike.

Kjo shtysë te Krasniqi lidhej me Kosovën. Me Shqipërinë, me Kombin Shqiptar. Me thirrjen e brendshme me u shërbye deri në fund. Vijim i tërë veprimtarisë krijuese – dhjetëra vepra që përfshijnë kërkime shkencore, publicistikë, letërsi artistike, tekste shkollore, përkthime. Krahas veprimtarisë qytetare.

Kujt më shumë se atij i ka hije kjo nismë?, mendova kur erdhi në Tiranë në krye të një përfaqësie për vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Prishtinë. Shtatorja u përurua atje me 28 Nëntor 2002.

Ndihej i ri, hapin si gjeth. Ani pse tetëdhjetë e dy vjeç.

3.Me atë rast më dhuroi botimin e tij të fundit: “Rrënjët tona etnike” (Dukagjini, Prishtinë 2002). Përmbledhje studimesh, ligjëratash nëpër universitete shqiptare e perëndimore për autoktoninë e shqiptarëve, për identitetin shqiptar europian, për tolerancën. Në anën tjetër: për mizoritë serbe mbi shqiptarët, për t’ua copëtuar trojet dhe për t’ua ndryshuar ngulin.

Sipas autorit, libri (si krejt vepra e tij) ndihmon “për të kundërshtuar me argumente shkencore propagandën sllavo-ortodokse, me të cilën përpiqen të mohojnë autoktoninë, lashtësinë e popullit shqiptar në trojet tona etnike…, të drejtën legjitime për vetëvendosje”. Dhe “të drejtat historike janë në favor të shqiptarëve…”.

Për të mbështetur këtë tezë, Krasniqi u sillet shumë burimeve të besueshme, që dëshmojnë fakte interesante dhe fakte të skëterrshme. Për shembull, më 1913 ushtria serbe i lidhte gratë e fëmijët shqiptarë, i mbulonte me kashtë dhe në prani të burrave e etërve ua vinte flakën për së gjalli (o Zot, në vendlindjen time kështu i pjekin gështenjat në fier të thatë, në pyll!). Diçka të përafërt kemi parë në një pikturë të Abdurrahim Buzës: burra që i kanë lidhur me shoqi-shoqin dorë për dorë duke krijuar një unazë me trupa të gjallë rreth një mullari me bar, të cilit pushtuesit serbë i vënë flakën!

Si dijetar, Krasniqi argumenton me fakte, nuk bën propagandë. Kurrfarë urrejtjeje nuk shfaq për serbët si serbë; pushtuesit e vrasësit janë tjetërgjë. Bashkimi kombëtar është pengu i tij i varur. Të ardhmen e shqiptarëve e sheh në Europë. Të bashkuar e të integruar aty. Dëshmon se me vlerat tona e pasurojmë thyezimin e qytetërimit europian. A nuk është e tillë, për shembull, harmonia fetare? Një përmasë që përshkon thellësitë e botës shqiptare nëpër qindvjeçarë. Krasniqi citon të dhëna e raporte si ai i priftit katolik Marin Buci me 13. 07. 1610, sipas të cilit në Kurbin, “në fshatin e varfër Kalivaç, edhe myslimanët japin ndihma për ta mbajtur priftin katolik”. Ndërsa flet për Besën Shqiptare, kallëzon se si nëna vazhdon me e fshehë vrasësin e djalit, vetëm sepse, pa e ditur kush qe, e pati marrë në besë, kur e ndiqnin. Edhe kur mësoi se ai sapo i kishte vrarë të birin, prapë nuk e dorëzoi!

Ky popull paqësor me humanizëm të natyrshëm a nuk e meriton lirinë si rrallë ndonjë tjetër, a nuk e meriton qytetarinë europiane?

Këto kumte i gjejmë në veprat e Mark Krasniqit.

4.Jo rrallë një mjegull vërtitet mbi shqiptarët. Aq sa herë-herë duket sikur ka “dy Shqipëri”, përkatësisht “dy Kosova”. Njëra Shqipëri (përkatësisht njëra Kosovë) e pavërtetë, e sajuar. Një lloj identikiti i prodhuar prej industrisë së medias, që amplifikon raste jopërfaqësuese. Herë për sensacion e mosnjohje, herë me vetëdije, sponsorizuar prej qarqesh kundërshqiptare. Ky portret i rremë i paraqet shqiptarët si vrasës, hajdutë e trafikantë. E ndihmojnë këtë paraqitje edhe problemet e shumta të brendshme, ngecja e reformave, vërshimi i azilantëve drejt Europës si në fillim të nëntëdhjetës.

Tjetra Shqipëri (përkatësisht tjetra Kosovë), ajo e njëmendta, e pastra, me rrënjë të lashta europiane. Ajo e Krasniqit. Ajo e miliona shqiptarëve, që punojnë ndershmërisht me sytë kah Perëndimi.

Në veprën e Krasniqit zbulohen të vërteta përtej kësaj tymnaje.

Ai na thotë se ajo që quhet kombëtarizëm, atdhedashuri, nuk është modë që ndryshon bashkë me stinët. Eshtë përmasë thelbësore, pa të cilën mund të vijë rrenimi.

5.Profesori i dashur shkoi.

Dhe nuk shkoi.

Rilindas, si ata të qindvjetëshit të nëntëmbëdhjetë, i mbrami, i mbijetuar në mijëvjeçarin e tretë.

I mbijetuar si modern.

Auditori i Krasniqit është i mbushur tej e tej.

Auditori i tij është sa Trojet Shqiptare.