Aurel Plasari promovon “Kartën europiane të identitetit të shqiptarëve”

plasari

 

 

Shqiptarët duhet të dinë më shumë lidhur me historinë e tyre si dhe me praninë e tyre të vazhdueshme në hapësirën europiane. Pas disa sprovave mbi këtë temë si dhe monografisë për Skënderbeun, studiuesi i njohur ka promovuar dje në mjediset e Akademisë së Shkencave punimin 240 faqesh me titull “Shqipëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II”

 

Pas një studimi të gjatë e me mjaft fakte të reja profesor doktor Aurel Plasari ka promovuar dje në ambientet e Akademisë së Shkencave librin me titull “Shqipëria dhe Shqiptarët në Europën e Piut të 2”.

Vetë Plasari u shpreh i kënaqur nga prezenca e miqve në këtë aktivitet ku nuk la pa falenderuar edhe ata që ndihmuan në botimin e librit. “Është kapur thelbi i punës sime me këtë libër, tha në ceremoni studiuesi Plasari.  Europa nuk është han me pronarë dhe me mysafirë. Shpresoj që e kam thënë në mënyrë pak më elegante, kur kam folur për shqiptarët, kam folur për pjesëmarrjen dhe pjesëdhënien e tyre në këtë Europë, e mesa kuptoj unë është kuptuar dhe shpresoj të kuptohet më tej”. Të pranishëm në këtë event ishin emra të njohur të akademisë shqiptare si pedagogë e letrarë të shquar, por nuk munguan as figurat politike. Ceremoninë e çeli Akademikja Floresha Dado, ndërkohë që rreth studimit 240 faqesh, folën profesorët Agron Gjekmarkaj dhe Persida Asllani.

Në studimin historiko – kulturor “Shqipëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II”, sillet për lexuesin dhe publikun e gjerë një nga figurat e shquara të humanizmit evropian, Enea Silvio Piçolomini apo Papa Piu II, që aktualizoi konceptin Europë, si bashkësi gjeografike, historike dhe kulturore. Ky është në fakt edhe shqetësimi që sjell autori, mosngatërrimi i konceptit të Europës me atë të Bashkimit Europian. Për autorin ky studim cilësohet si një dashuri e heshtur për të cilën mendja ka nisur të punojë,  paralelisht në kohën kur hulumtonte për të nxjerr në dritë studimin “Skënderbeu”. Libri interpreton sipas dokumenteve të kohës pozicionin ndërkombëtar të arbërit dhe Arbërisë, në kohën e Mesjetës së vonshme dhe Kohës së Re.

Në “Parafjalën” e librit të studiuesit Plasari lexojmë: “Karta europiane e identitetit e shqiptarëve”: edhe kështu mund të titullohej ky libër për nga rëndësia kulturore-historike që paraqet pozicioni i Arbërisë dhe i arbërve në veprën e Enea Silvio Piccolominit, veçan te De Europa e tij, por edhe në pjesën tjetër të saj. Përfshirja në Europën e tij si e pjesës së saj perëndimore, ashtu edhe e asaj lindore, – çfarë e zhdukte tendosjen e dikurshme mes Lindjes dhe Perëndimit si pa baza reale gjeografike, historike, kulturore, – i mundësoi vizionit politik të Piut II t’ua pohonte sa arbërve, aq edhe Arbërisë vendin e tyre në konstruksionin e Europës humaniste. Nga studiuesit e historisë europiane të shqiptarëve kjo situatë pothuajse nuk është vënë re”.