Barroso letër Nishanit: Konsensus për reformat e integrimit

Nishani dekorimi

Presidenti i KE: Ndihem mirënjohës dhe i nderuar për dekorimin me Titullin e “Flamurit Kombëtar” nga ju

 

Presidenti Bujar Nishani ka marrë një mesazh nga Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso. Në këtë mesazh Presidenti i KE-së vlerëson dekorimin e bërë nga Nishani dhe e inkurajon këtë të fundit për të vazhduar punën për gjetjen e një konsensusi të gjerë lidhur me reformat që duhet të ndërmerren për integrimin në BE. Barroso thekson se është e nevojshme që reformat të ndërmerren me konsensus dhe gjithëpërfshirje. Mesazhi vjen pas vizitës që Presidenti i KE-së bëri në 30 qershor në Shqipëri.

MESAZHI I PLOTË
“I dashur President! Gjej rastin t’ju falënderoj edhe njëherë për bisedimet konstruktive që patëm në Tiranë më 30 qershor. Isha shumë i kënaqur të zhvilloja vizitën gjatë momentit historik kur Shqipëria mori statusin kandidat, dhe ndihem mirënjohës dhe i nderuar për dekorimin me Titullin e “Flamurit Kombëtar” nga Ju, të cilin e quaj një shenjë të angazhimit të përbashkët për perspektivën evropiane të kombit tuaj. Ne kemi hapur tashmë një kapitull të ri në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Jam i bindur se të gjitha forcat politike në Shqipëri, do të ndërtojnë mbi këtë sukses të përbashkët dhe do të intensifikojnë dhe përshpejtojnë përpjekjet e tyre për reforma, kryesisht në drejtim të prioriteteve kyçe të identifikuara për hapjen e negociatave, me fokus të veçantë tek shteti i së drejtës.
Siç diskutuam, është shumë e rëndësishme që reformat të ndërmerren në një mënyrë të qëndrueshme dhe përfshirëse. Më lejoni, për këtë arsye, t’Ju inkurajoj si zyrtarin dhe liderin më të lartë të shtetit të vazhdoni të punoni për këtë konsensus të gjerë kombëtar!
Jam i bindur se Shqipëria do të shënojë progres të mëtejshëm të rëndësishëm në rrugën e saj drejt Bashkimin Evropian në vitet në vazhdim, dhe pres më kënaqësi takimin tonë të ardhshëm”.