Basha: Akt i paprecedentë, ja 400 milionët që Rama duhet t’i investojë në shëndetësi

Kreu demokrat Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e mjekëve të urgjencës së QSUT-së, duke e cilësuar një akt të paprecedentë, që pason eksodin në këto 4 vite të qindra mjekëve të tjerë, dhe tregon gjendjen e mjerueshme të shëndetësisë. Kreu demokrat i bën apel mjekëve ta rishikojnë vendimin e tyre pasi qytetarët kanë nevojë për ta, ndërsa po ashtu i bën apel edhe Ramës që t’i sigurojë mjekëve kushte normale pune. “Arsyeja e dorëheqjes për shkak të mungesës së kushteve minimale të punës është dëshmia më e dhimbshme e dështimit te eksperimentit fatal të Edi Ramës me “shëndetësinë falas”. Në emër të misionit të tyre human, u kërkoj mjekëve të rishikojnë vendimin e tyre, të mos e braktisin Urgjencën, sepse qytetarët kanë nevojë për ta! I bëj thirrje Edi Ramës të reagojë menjëherë për t’u siguruar mjekëve të urgjencës kushte normale pune! Nga këto kushte varet jeta dhe shëndeti i qytetarëve shqiptarë. Mjafton që Rama të anulojë 4 koncesionet korruptive në shëndetësi për të siguruar 400 milionë euro investime jetike për sistemin shëndetësor në kolaps”, thuhet në një deklaratë të kreut të PD-së.

Vokshi: Dorëheqja e mjekëve e pazakontë, paratë e konçensioneve shkojnë për klientët/Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ish-kryetare e komisionit parlamentar të Shëndetësisë e cilëson të pazakontë dorëheqjen e tetë mjekëve të Shërbimit të Urgjencës në QSUT. Vokshi tha se qeveria duhet të negociojë menjëherë me mjekët, të rrisë pagat dhe të përmirësojë kushtet e punës në spitale. Sipas saj, vitet e fundit janë 400 mjekë dhe infermierë të cilët kanë lënë Shqipërinë dhe janë larguar jashtë vendit për një rrogë më të mirë dhe kushte optimale. “Dorëheqja e mjekëve do të thotë se aty nuk mban më, është e papranueshme nga vetë këta njerëz, të cilët do t’i quaja edhe heronj për kushtet ku punojnë, i falenderoj që s’kanë vendosur të lënë Shqipërinë, sepse janë 400 mjekë, infermierë që kanë lënë Shqipërinë vitet e fundit, pra një mjek në dy ditë lë Shqipërinë. Personeli më i specializuar në Shqipëri sa i takon Shëndetësisë, është i detyruar të lërë Shqipërinë dhe në pyetjet që u janë drejtuar, 99% kanë thënë se rroga është shumë e ulët dhe për të njëjtin shërbim, punë, e marrin rrogën shumë herë më të lartë, kanë të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Në 2018 qeveria të reduktojë paratë për koncesione dhe t’i çojë për mjekët, t’u rriten pagat dhe të përmirësohen shërbimet. Qeveria të ulet me mjekët dhe të gjejë një zgjidhje sa më parë me mjekët. Nuk kemi luksin të lejojmë jo 8, por asnjë mjek që të largohet nga spitali”, u shpreh Vokshi.  Deputetja demokrate akuzoi sërish koncesionet e qeverisë se janë para të cilat hidhen për klientelistët dhe jo për përmirësimin e shërbimit për pacientët. Ajo kërkoi që paratë e llogaritura në buxhetin e shtetit për koncesione vitin e ardhshëm, të shkojnë për rrogat e mjekëve dhe investime në spitale. “Për shkak të politikave të qeverisë, mjekët sot ose po ikin në botë, ose si kjo që është e paimagjinueshme ku mjekët japin dorëheqje, se nuk kanë mjetet e duhura, pajisjet e duhura, nuk kanë ilaçet e duhura. Çdo qytetar që shkon edhe në QSUT, pacientët janë të detyruar t’i blejnë vetë ilaçet. E gjithë kjo është vërtetim i akuzave që ne kemi bërë në këto katër vite. Politikat e qeverisë nuk janë në interes të qytetarëve,  por oligarkëve, sponsorëve dhe klientëve.  Janë mbi 35 mln euro në buxhetin e 2018 për të shkuar për katër koncesionet check up, sterilizim, dializë dhe laboratorët, dhe janë të dështuara, krejt klienteliste dhe të pa nevojshme. Imagjinoni çfarë do ishte bërë për kushtet e mjekëve me këto para, sa do ishte rroga e mjekëve për të mos parë rrugën e azilit, por do punonin. Ne i rritëm 100%, sa janë rritur në katër vitet e fundit? Zero. Këta mjekë që sot po japin dorëheqje mund të kishin rroga më të mira, mund të kishin kushte më të mira. Politika klienteliste e Ramës po bën që mjekët të vuajnë. Spitalet dhe Qendrat Shëndetësore janë si në gjendje lufte”, tha Vokshi.

Tritan Shehu: Dorëheqja e mjekëve konfirmon problemet e mëdha të shëndetësisë sonë/Deputeti demokrat Tritan Shehu ka reaguar ndaj paralajmërimit të mjekëve të urgjencës së QSUT-së për dorëheqje. Ish-ministri i Shëndetësisë, aktualisht ligjvënës i PD-së, thotë se fakti që kolegë ndërmarrin një hap të tillë vetëm se konfirmon problemet e mëdha të shëndetësisë sonë. “Pa asnjë dyshim nuk funksionojnë mekanizmat kryesore të sistemit, qendrore apo periferike këto, duke vënë në vështirësi personelin apo duke shkarkuar të gjithë peshën mbi QSUT. Për të mos folur këtu për mungesat e mëdha në teknologji e materiale konsumi, për rrogat minimale përballë një shërbimi kaq të vështirë, siç është ai mjekësor në përgjithësi e i urgjencës në veçanti. Nga ana tjetër drejtuesit shtetërore kërkojnë të shkarkojnë të gjithë përgjegjësinë e presionin publik padrejtësisht mbi personelin shëndetësor, që veçse kërkon të bëjë më të mirën e mundshme. Të tilla situata e probleme janë në themel të eksodit masiv të mjekëve, të kërkesave e protestave të tyre të drejta, të cilësisë së shërbimit të ofruar, shumë larg parametrave europiane”, shkruan Shehu në rrjetet sociale.

Dorëheqja e mjekëve/Spahia: Qeveria i ka fondet, por Rama ua jep miqve/ Edhe deputeti i PD-së Bardh Spahia do të zhvillojë një takim në QSUT me mjekët e dorëhequr të urgjencës. Anëtari i Komisionit Parlamentar  të Shëndetësisë bëri një deklaratë për çështjen. “Është tronditëse dorëheqja e mjekëve të Urgjencës së QSUT. Kemi pasur gjithmonë probleme me sistemin shëndetësor, kemi patur mungesa dhe difekte, por kjo qeveri shkatërroi sistemin nga brenda. Kërkesat e mjekëve të urgjencës janë të drejta. Ata kërkojnë kushte normale pune, për të cilat qeveria i ka fondet, por ia jep miqve te Edi Ramës. 4 koncesionet e Edi Ramës në shëndetësi vlejnë 400 milionë euro, por mjekët nuk kanë pajisje, kanë paga të ulëta, janë të pavlerësuar. Dorëheqja dhe eksodi janë dy alternativat e Edi Ramës për shëndetësinë.”

Dorëheqjet nga Urgjenca e QSUT alarmon edhe Presidentin, i dërguari i tij kontakton me mjekët/ Pas lajmit dhe letrës së publikuar në media, se 8 mjekë të Urgjencës së QSUT kanë dhënë dorëheqjen, drejtori i Kabinetit të Presidentit Ilir Meta, Arben Cici me porosi nga Presidenti po ndjek nga afër problemin e ngritur me mjekët e Urgjencës së Tiranës.

Sipas burimeve mësohet se Cici ka kontaktuar mjekët e Urgjencës për t’u njohur me problematiken e krijuar në Urgjencën e Tiranës pas letrës ku shkruanin se kushtet e punës dhe mbingarkesa e krijuar i kishin bindur për të marrë këtë lëvizje. Dorëheqja e mjekëve/LSI: Rama të zgjidhë kërkesat, në të kundërt të dorëhiqet/ LSI akuzoi Edi Ramën se nuk ka mbajtur premtimet për shëndetësinë. Deputetja Nora Malaj përmes një deklarate për mediat i bëri thirrje kryeministrit dhe ministres së Shendetësisë që të zgjidhin sa më parë problemet që kanë ngritur mjekët. “Nëse nuk mund të mbani premtimet që keni bërë, atëherë minimalisht jepni dorëheqjen, pasi vetëm kështu historia nuk do ju gjykojë. Kini vëmendjen, pasi kur një mjek flet situata duhet marrë me përgjegjshmëri”, tha Malaj. Sipas saj, kur mjekët e QSUT ngrenë shqetësime të tilla që çojnë deri në dorëheqje, atëherë nuk është e vështirë të kuptohet situata ku ndodhet sistemi shëndetësor shqiptar në qytete të tjera.  Deputetja e LSI tha se buxheti i 2018 kaloi dhe shëndetësia jo vetëm nuk është falas, por ajo është në ditën e saj më të keqe.  “Një pjesë e mjekëve të QSUT kërkojnë rishikimin e pozicionit, pasi kushtet ku punojnë janë të pamenaxhueshme dhe të pamotivuara. Mjekët ngrenë shqetësime për kushte skandaloze, për mungesë vendesh në pavione etj, janë shumë të drejta”, tha Malaj, e cila në emër të LSI shprehu mbështetjen ndaj bluzave të bardha.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>