Basha: Arsimi në vend i degraduar – qeveria i shërben klientelës

Në Ditën e Mësuesit, kreu i Opozitës Lulzim Basha foli për arsimin në vend, i cili sipas tij është në ditët më të vështira. Nga çadra e ngritur përpara Kryeministrisë, ai theksoi se kjo qeveri nuk ka ndërtuar asnjë shkollë dhe se mësuesit janë zëvendësuar me militantë

Në ditën e 18 të protestës, kreu i opozitës Lulzim Basha tha se nuk ka ditë më të përshtatshme se 7 marsi për të treguar se cili është modeli i vërtetë i qeverisjes së kryeministrit Rama. “Në vend që të marrë studentët e ekselencës, zgjedh të marrë llumin dhe turpin, kriminelët e dënuar për drogë, të cilët i merr e i bën deputetë dhe kryetarë bashkish”, deklaroi Basha.  Basha thotë se e ka të thjeshtë modelin e tij në drejtimin e vendit, që ka 9.700 të rinj të diplomuar në Perëndim dhe mijëra studentë të shkëlqyer në vend.  “Republika e re ka një premtim: modelin e dijes, sakrificën e 7 Marsit, më të mirët në krye të vendit”, tha Basha.  Por opozita thotë se kjo nuk mund të arrihet pa zgjedhje të lira e të ndershme. “Nuk duam dhe nuk do të pranojmë kurrë pushtet në tavolinë. Duam zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie të palidhur me krimin dhe drogën”, theksoi Basha. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në bashkëbisedimin e pasdites së vonë me mësuesit në çadrën e protestës është shprehur se “Po qe për llafe, mësuesi i hartimit të Ramës duhet të marrë medalje ari”. Basha tha se mësuesit shqiptarë në këto 4 vite të qeverisë Rama nuk kanë pasur asnjë përkrahje të vërtetë shtetërore. Sipas tij, buxheti i Rilindjes është më regresivi që Shqipëria ka patur dhe rrogat e mësuesve janë në vend numëro. Lideri i opozitës gjendjen e arsimit e krahasoi me shëndetësinë apo fusha të tjera që vuajnë nga korrupsioni qeveritar dhe mungesa e vizionit europian të zhvillimit. “Goditja dhe diskriminimi ndaj mësuesve është një e keqe e dyfishtë se godet mësuesin dhe brezin e ri, nxënësit dhe prindërit e tyre. Nuk ka investim më të mirë që një qeveri mund të bëjë se sa në arsimin e brezit të ri. Nuk ka krim më të rëndë se sa të presësh fondet për arsimin. Të gjithë jemi dëshmitarë se kjo e fundit ka ndodhur në arsim. Drejtoritë e arsimit janë kthyer në qendër krimi, e mësuesit ndodhen para një presioni psikologjik e politik ku i ka vendosur qeveria e krimit dhe e drogës,” tha Basha. Në festën e “7 Marsit” Lulzim Basha në bashkëbisedimin që zhvilloi me mësuesit në çadrën e protestës dha dy premtime të forta të cilat u zotua t’i mbajë brenda mandatit të parë të asaj që ai e quan “Republika e Re”. Kreu i opozitës premtoi se nëse zgjidhej Kryeministër, në fund të katër vite do të dyfishonte pagën e mësuesve. “Ne dyfishuam pagat e mësuesve dhe e pamë si ndryshoi”- u shpreh kreu i PD-së për qeverinë e shkuar. Premtimi tjetër që Basha bëri ishte se ai do të kryente një investim të fortë në infrastrukturën arsimore, duke u siguruar nxënësve drekën në shkolla, kurse kulture, linguistikë e sportive pas mësimit. Basha gjithashtu akuzoi Edi Rama se e urren shkollën. “Ky Ramë mashtruesi, se është dhe injorant, prandaj urren shkollën, ngelës është, sepse nuk tregon që rezultatet e Pizës ishin shumë të mira para se të vinte ai në pushtet. Kjo do të marrë fund”.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>