Basha: Dita e sotme, kujtesë për përgjegjësitë e rënda dhe të rënduara të politikës

Politikanët kanë uruar besimtarët myslimanë në ditën e Kurban-Bajramit. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, është ndalur në mesazhin e tij për të pamundurit dhe përgjegjësinë e madhe që ka politika. Edhe Presidenti Meta e vizitoi selinë e myslimanëve, si dhe u ndal në ngjarjen e fundit të krimit në familje teksa tha se duhet të adresohet ky fenomen që po shkatërron shoqërinë

 

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka uruar  të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke nënvizuar se kjo është dhe një ditë përkushtimi, zotimi dhe kujtimi për përgjegjesitë e gjithësecilit në raport me një shoqëri më të drejtë dhe në veçanti për përgjegjësitë e rënda dhe të rënduara të politikës. “Dua t’ju uroj të gjithë besimtarëve muslimanë Gëzuar festën e Kurban Bajramit. Është një ditë feste dhe solidariteti mes njerëzve. Është dita kur individi dhe shoqëria bashkohen me përkujdesin ndaj  më të pamundurve. Ndaj sot lutjet dhe mendimet e mia janë për më të pamundurit, të vobektit, për ata që jo vetëm sot, por shumicën e vitit i kanë tryezat bosh. Natyrisht për të moshuarit, për të sëmurët, në veçanti për fëmijët. Lutja ime dhe mendimet e mia janë për një shoqëri më solidare,  të zemrës së dhembsur, për një shoqëri me më shumë mundësi, që jo vetëm ditën e Kurban Bajramit, jo vetëm ditën e festave, por çdo ditë,  tryezat e shqiptarëve të jenë plot, buzëqeshja të kthehet në fytyrat e fëmijëve dhe familjeve të pamundura. Prandaj kjo është dhe një ditë përkushtimi, zotimi dhe kujtimi për përgjegjesitë e gjithësecilit, në raport me një shoqëri më të drejtë dhe, në veçanti për përgjegjësitë e rënda dhe të rënduara të politikës”.

Presidenti Meta uron Kurban Bajramin dhe garanton qëndrime të qarta ndaj dhunës në familje/ Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Selinë e Komuniteti Mysliman Shqiptar në Tiranë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Gjatë kësaj vizite Presidenti Meta u prit nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, të cilit i përcolli urimet më të përzemërta për këtë ditë të shenjtë. Gjithashtu, z. Meta ishte për vizitë edhe në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve ku u prit nga kryegjyshi Baba Edmond Brahimaj. Pas vizitave, Presidenti Meta dha edhe një prononcim për mediat, ku uroi besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për më shumë paqe, lumturi dhe begati. “Në këtë ditë të shenjtë dua të uroj të gjithë besimtarët mysliman, por edhe të gjithë qytetarët për sakrificat e tyre. Uroj që kjo ditë ripërtëritje besimi të ndihmojë për të çliruar shpirtrat nga brengat dhe vështirësitë e përditshme dhe njëkohësisht të japi më shumë forcë edhe besim për të ardhmen. Në këtë ditë sakrificash hyjnore dhe tokësore do të urojë për të gjithë shoqërinë tonë dhe për të gjithë familjet tona më shumë paqe, mirëqenie, harmoni, dhe mbi të gjitha, dashuri për njeriun dhe për njëri tjetrin”, – tha Presidenti. Lidhur me vrasjen e një dite më parë, Meta tha: “Do të mbahen qendrime edhe më qarta lidhur me këtë çështje dhe adresuar problemet brenda familjes.”

Ish kryeministri Berisha uron shqiptarët: Gëzuar Kurban Bajramin!

Ish-Kryeministri Sali Berisha u ka uruar besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve sot, festën e Kurban Bajramit. “Gëzuar Kurban Bajramin! – shkruan Berisha në Fb, ku publikon edhe një foto familjare. – Nga zemra urojmë që Bajrami tjetër, më mirë të gjejë të gjithë shqiptarët. Gëzuar!”

Kryemadhi uron nga Elbasani për festën e Kurban Bajramit

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, i ka uruar sot besimtarët myslimanë shqiptarë nga Elbasani, ku ajo vizitoi Komunitetin Mysliman. “Iu urojmë të gjithë shqiptarëve në këtë festë të Kurban Bajramit, – tha Kryemadhi, – mbarësi, begati , lumturi, paqe, fat në familjet e tyre. Zoti u plotësoftë dëshirat dhe I shoqëroftë në rrugën e jetës së tyre, në një rrugë e cila çdo ditë e më shumë do të jetë edhe e vështirë, por edhe e bukur. T’i dhurojmë sa më shumë dashuri e buzëqeshje njëri-tjetrit, sepse kështu edhe Zoti do ta dojë edhe më shumë Shqipërinë, por edhe ne do ta duam edhe më shumë njëri-tjetrin. Gëzuar edhe ju gazetarëve, përfundoi kryetarja e LSI, që në këtë ditë feste keni dalë në punë dhe i shërbeni qoftë politikës, qoftë qytetarëve me informacione”.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>