Basha: Drejtësia që nuk vepron është propagandë e narko-shtetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në përfundim të takimit me deputetët e grupit parlamentar tha se rendi dhe siguria, si dhe sistemi i drejtësisë kanë qenë temë kryesore e diskutimit. Drejtësia që nuk heton shkelësit e ligjit të veshur me pushtet sipas Bashës nuk është gjë tjetër veçse propagandë e krimit të infiltruar në sistemin e drejtësisë. Kreu i PD tha se nuk do të ketë drejtësi nëse nuk shkon para drejtësisë, Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Damian Gjiknuri

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në përfundim të takimit me deputetët e grupit parlamentar tha për mediat se rendi dhe siguria, si dhe sistemi i drejtësisë kanë qenë temë kryesore e diskutimit. Drejtësia që nuk heton shkelësit e ligjit të veshur me pushtet sipas Bashës nuk është gjë tjetër veçse propagandë e krimit të infiltruar në sistemin e drejtësisë. Kreu i PD tha se nuk do të ketë drejtësi nëse nuk shkon para drejtësisë, Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Damian Gjiknuri. “Sot kemi diskutuar për një numër të madh çështjesh. Një pjesë të madhe të diskutimit e ka zënë gjendja e rendit dhe e drejtësisë në vend. Kam një mesazh për të gjithë qytetarët. Mos heshtni! Kërkoni llogari se çfarë po bën drejtësia për çështjet kapitale në vend!  Ne duam të dimë, kur do të dalë Sajmir Tahiri para drejtësisë, i akuzuar dhe i interceptuar nga antimafia italiane, si njeriu kyç i drogës dhe i trafikut të drogës, kur ishte Ministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe krahu i djathtë i Edi Ramës. Ne duam të dimë,  kur do të kapen dhe do të vihen përpara drejtësisë kokat e policisë, drejtorët në arrati të kupolës së Policisë së Shtetit, po kështu, të akuzuar si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të trafikut të drogës dhe bashkëpunimit me organizatat kriminale. Ne duam të dimë, se kur do të dalë përpara drejtësisë Vangjush Dako, i akuzuar se ka bërë pazare, në shkëmbim të vjedhjes së votave, me tenderat dhe koçensionet, në Bashkinë e Durrësit, dhe më gjerë. Ne duam të dimë se kur do të dalë përpara drejtësisë Qazim Sejdini dhe grupi kriminal i Elbasanit, nyjes ballkanike të heroinës. Ne duam të dimë se kur do të kapen anëtarët e pakapur të bandës “Habilaj”, kur do të dalë përpara drejtësisë Klement Balili. Ne duam të dimë se kur do të dalë përpara drejtësisë, kur do të hetohet Damian Gjiknuri, i akuzuar publikisht se ka bërë pazare me banditët, në shkëmbim të skemës së blerjes së votave, që në zgjedhjet e Dibrës, e deri në zgjedhjet e fundit në Vlorë dhe në të gjithë vendin. Këto janë çështjet të cilat ne nuk mund të lejojmë kurrsesi, as të harrohen, as të anashkalohen, as të mbulohen nga farsa apo skandale të tjera të vogla, të cilat duhen zbardhur dhe duhen vënë para drejtësisë. Një gjë duhet të jetë e qartë, pa u vënë këta njerëz para përgjegjësisë, pa funksionuar drejtësia, në këto raste flagrante të denoncuara me fakte nga opozita, nuk ka drejtësi, por ka vetëm propagandë, farsë dhe kjo përbën një rrezik për vendin. Kjo do të thotë që më së fundi, narko-shteti, i ka shtrirë tentakulat tek drejtësia duke pamundësuar drejtësinë e barabartë përpara ligjit për këdo, duke mbrojtur dhe duke fshehur përgjegjësinë penale të njerëzve me pushtet dhe pushtetarëve të lidhur me krimin”, deklaroi Basha.

Funksionoi drejtësia sot për z.Fran Frrokaj, kryetarin e Bashkisë së Lezhës, z.Basha?

Nuk kam marrë kurrë përsipër të gjykoj apo të jap vlerësimet e mia, për vendimet e gjyqësorit, por mund t’ju them se drejtësi është vetëm ajo që funksionon në mënyrë të barabartë në raste të barabarta.  Përse nuk është arrestuar Elvis Rroshi?  Përse nuk është ndjekur i njëjti standard për të njëjtat akuza për dhjetëra pushtetarë socialistë? Erjon Veliaj po tjetërson pronë publike në qendër të Tiranës, tek Teatri Kombëtar bashkë me Edi Ramën.  Është tjetërsuar prona në Fier për të favorizuar inceneratorët e Arben Ahmetajt. Përse nuk vepron drejtësia në këto raste? Ky është shqetësimi. Kjo është kërkesa që kam ndaj qytetarëve. Mos harroni! Mos heshtni! Kërkojini llogari drejtësisë të bëjë punën e saj e pavarur nga axhenda politike e Edi Ramës, axhendë e cila ka një dhe vetëm një qëllim: të shpëtojë varkën, që po përmbytet, me në krye Sajmir Tahirin, autorët e drogës së Maminasit, për të cilin akoma nuk ka drejtësi, por ka vetëm një shofer dhe një administrator, si dhe autorët e drogës së Xibrakës. Ku janë “kokat” e Xibrakës? Përse? Sepse janë të gjithë të lidhur dorë për dorë në vallen e narko-mafias dhe narko-shtetit në Shqipëri.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>