Basha: “Dy rrugë ka: Zgjedhje të lira ose përmbysje e sigurt”

bashaaa

Një ditë pas protestës masive, kreu i opozitës konfirmoi se kërkesat e opozitës për qeveri teknike, votim dhe numërim elektronik, mbeten të pandryshuara dhe se nuk do të ketë pazare mbi to. Nga Çadra e Lirisë, kreu demokrat shprehu bindjen se zgjidhja do të vijë ose përmes dialogut, ose përmes përmbysjes

Deklarata/Çdokush që bën avokatin e qeverisë të lidhur me bandat, krimin e drogën, ta dijë se pazar me zgjedhjet e lira nuk ka për të pasur kurrë

 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se kërkesat e opozitës për qeveri teknike, votim dhe numërim elektronik, mbeten të pandryshuara, duke nënvizuar se nuk do të ketë pazare mbi to. Rruga që kemi zgjedhur,- tha Basha është e vetmja rrugë për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Nga çadra e Lirisë, kreu demokrat theksoi gjithashtu  se  zgjidhja do të vijë ose përmes dialogut, ose përmes përmbysjes. Kreu i PD, gjatë fjalës së tij, falënderoi të gjithë të pranishmit që morën pjesë në protestë, ndërsa u shprehu mirënjohje edhe aleatëve për qëndresën në kauzën e zgjedhjeve të lira. “Mesazhi ynë është i qartë. Shqiptarët folën. Nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Nuk ka dhe nuk do të ketë parlament të diktuar nga krimi dhe droga. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë më zgjedhje pa popullin, zgjedhje pa opozitën, zgjedhje moniste. Republika e Re e cila së shpejti do të zëvendësojë institucionalisht, ligjërisht dhe realisht të vjetrën që po bie, kërkon tranzicionin e butë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të cilat mund të sigurohen vetëm përmes një qeverie teknike që ndahet nga krimi, që lufton drogën, që përpiqen të japë të gjitha garancitë dhe besimin përmes reformës zgjedhore, votimit elektronik dhe numërimit elektronik. Por le të jemi fare të qartë. Republika e Re e ka nisur rrugën e saj, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë hap prapa. Nëse republika e vjetër e krimit, drogës dhe e vesit nuk tërhiqet nga plani ogurzi dhe i papranueshëm për shumicën dërmuese të shqiptarëve për të bërë zgjedhje fasadë, për të zgjedhur parlament dhe qeveri me diktatin e krimit dhe drogës dhe jo me votën e qytetarëve shqiptarë, për t’u angazhuar në një proces farsë elektoral monist, nëse nuk pranon përmes dialogut politik t’i hapë rrugë zgjidhjes së butë me zgjedhje të lira e të ndershme, atëherë Republika e Re do të marrë në dorë në dorë në të gjitha format dhe mënyrat fatet e qytetarëve, institucionet e republikës, Kushtetutën e re, ligjin e ri të republikës dhe së bashku, paqësisht por me vendosmëri totale do të përmbysim republikën e vjetër. Me popullin nuk mund të luhet më. Zgjidhjet para nesh janë të qarta. Krimi dhe droga duhet të çmontohen. Ose përmes një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira, ose përmes përballjes totale, midis të vjetrës që do të ikë dhe të resë që ka ardhur. Ndaj le të jemi fare të qartë për rrugën që na pret. Le ta dinë skeptikët, cinikët, ndonjë media e blerë që dje rrekesh si e mjerë të pasqyronte përmes propagandës dhe censurës qeveritare, të censuronte pjesëmarrjen gjigante masive të paprecedentë dhe çdo vegël tjetër të blerë nga Edi Rama me lekët e shqiptarëve, le ta dinë mirë se, ajo që nisëm dje, nuk do të ndalet”, u shpreh Basha. Më tej, kreu i PD theksoi se nuk ka e nuk do të ketë kompromise mbi interesat qytetare. “Kishim dy zgjidhje përpara. Njërën e kemi bërë, tjetrën e ka në dorë republika e vjetër. Zgjidhja e parë ishte: nëse do të ulnim kokën e do të pranonim fatin tonë si skllevër të republikës së vjetër të krimit, të drogës e të oligarkëve. Përgjigjen republika e vjetër e mori dje, masivisht nga bashkimi më i madh i shqiptarëve. Kurrë! Kurrë! Zgjedhja e dytë është le ta dëgjojë çdo mik, çdo mbështetës, çdo qytetar i Republikës së re, çdo shqiptar që i do të mirën vetes së vet, familjes së vet dhe vendit, çdo mik i huaj, ta dëgjojnë miqtë tanë, ta dëgjojnë kundërshtarët tanë, zgjidhja tjetër është kjo; ose do ta çmontojmë krimin dhe drogën në pushtet e do të rikthejmë pushtetin dhe Shqipërinë qytetarëve, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ose do ta përmbysim republikën e vjetër përmes bashkimit, marshimit, qëndresës popullore të qytetarëve të Republikës së re. Rrugë tjetër nuk ka. Në një mënyrë apo tjetër, krimi do të çmontohet, droga do të çmontohet , republika e vjetër do të përmbyset. Rruga që kemi zgjedhur është e vetmja rrugë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Çdokush tjetër që bën avokatin e qeverisë të lidhur me bandat, krimin dhe drogën, çdokush tjetër që nuk gjen akoma guximin për të braktisur interesat e veta personale të pushtetit  apo të pasurisë dhe për të luftuar për të vetmin interes që lufton sot Partia Demokratike, Koalicioni Opozitar, që është interesi i qytetarëve shqiptarë në braktisje totale të interesave tona të ngushta, le ta dijë se pazar dhe kompromis me zgjedhjet e lira e të ndershme,  nuk ka për të pasur kurrë. E pra këto janë mesazhet e mëdha të ditës së djeshme, 13 Majit të Republikës së Re së qytetarëve shqiptarë. Fatlumë janë ata, që përjetojnë këto ditë të mëdha të historisë tonë kombëtare. Ditët e zgjimit të ndërgjegjes individuale europiane të çdo shqiptari e çdo shqiptareje. Ditët kur luftojmë për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë që të kenë një Shqipëri si gjithë Evropa. Sakrificat që keni bërë deri më sot, nuk na kanë lodhur, na kanë bërë më të fortë, më të mençur, më të vendosur më të pathyeshëm. Beteja vazhdon e do të vazhdojë deri në fitoren totale”.

Basha falënderon protestuesit: Sfiduat provokimet, bashkë për Republikën e Re/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka falënderuar qytetarët që morën pjesë në protestën e zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë kundër Qeverisë Rama.“Mëngjesi i parë i Republikës së Re ka aguar në zemrat e çdo shqiptari e çdo shqiptareje që u bashkua dje në protestën më madhështore, në bashkimin më të madh shqiptar në Sheshin e Lirisë dhe miliona të tjerëve që u bashkuan me zemër me ne në referendumin për Republikën e Re të qytetarëve shqiptarë. Sot dua t’ju falenderoj nga zemra gjithsecilin prej jush, qindra mijëra shqiptarë që sfiduat frikën, që sfiduat provokimet, që sfiduat shantazhet, që sfiduat diversionet, që sfiduat propagandën qeveritare, që u ngritët mbi besimin dhe shpresën e zemrës tuaj për të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj në sheshin e Republikës së Re. Mirënjohja ime është mirënjohja e njërit prej jush por mbi të gjitha është mirënjohja e miliona shqiptarëve sot dhe brezave që do vijnë, për aktin madhor që shpallëm dje, për Republikën e Re, republikën e qytetarëve shqiptarë, republikën tuaj. Dua të falenderoj në veçanti ata mijëra të rinj e të reja, studente dhe studentë, të sapodiplomuar, të punësuar apo të papunë, gjimnaziste dhe gjimnazistë, brezin e ri që e kishte mbushur si asnjëherë Sheshin e Lirisë dhe që votoi me praninë e tij, me praninë tuaj për republikën evropiane, Republikën e Re të të rinjve dhe të rejave shqiptare. Sot ju jeni mishërimi i vlerave të përbashkëta evropiane. Sot ju jeni mishërimi, prova e gjallë e karakterit dhe identitetit evropian të shqiptarëve. Sot ju jeni përfaqësuesit e denjë të Shqipërisë evropiane dhe euroatlantike. Të vendosur përballë, të pathyeshëm ndaj së djeshmes që po largohet ndaj republikës së vjetër të vesit, të drogës dhe të krimit, me virtytin tuaj, me vlerat tuaja, me qëndresën tuaj. Këtu, me këtë qëndresë që lindi nga 18 Shkurti, këtu lindi dhe u bë realitet edhe ideja e Republikës së re, ku njëherë e përgjithmonë vendimmarrja do të jetë në duart e qytetarëve shqiptarë’, theksoi kreu i PD.

Basha mesazh partive aleate: Krenar për mbështetjen tuaj për kauzën e zgjedhjeve të lira/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur mirënjohjen për partitë aleate opozitare për protestën e djeshme dhe qëndresën për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Mirënjohje e thellë edhe për ata qindra mijëra shqiptarë që nuk u bashkuan dot në bashkimin më të madh të shqiptarëve fizikisht por ishin me ne me mendje e me shpirt, e na ndoqën deri në përfundimin e referendumit tonë popullor. Mirënjohje të veçantë kam për aleatët e koalicionit tonë opozitar, mirënjohja ime për partitë opozitare, për kryetarët e tyre. Askush në historinë 27 vjeçare nuk ka qenë me më shumë fat se unë si kryetar i opozitës për besnikërinë, qëndresën, besimin tuaj të patundur të dashur aleatë. Por mbi të gjitha për besnikërinë që keni demonstruar së bashku me mua ndaj qytetarëve shqiptarë dhe kauzës së tyre të drejtë”, tha Basha.

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>