Basha: Kanabisi, një problem politik, jo teknik – Projekti 1 mld i Ramës, ujdi mes kriminelit, qeveritarit dhe bankierit

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje në parlament se projekti “1 Miliardë Euro” i Ramës është një sipërmarrje kriminale që synon pastrimin e parave të drogës përmes investimeve dhe bankave në Tiranë. Basha tha se projekti 1 miliardë është rruga e konsolidimit të konsorciumit politiko-kriminal i cili ka për synim të sundojë Shqipërinë për dekada. Kreu i PD shpjegoi se ky evoluim i krimit është kapja e ekonomisë, ku aktivitetet kriminale në Shqipëri nuk zhvillohen më në parcelat mes maleve, por në sheshet e ndërtimit dhe bankat në qendër të Tiranës

Deklarata/Me bekimin e Ramës, krimi i organizuar po vë nën kontroll trafikun dhe shpërndarjen e kokainës dhe heroinës në të gjithë Evropën

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi se projekti 1 miliardësh i Ramës është një sipërmarrje kriminale që synon pastrimin e parave të drogës përmes investimeve dhe bankave në Tiranë. Nga foltorja e Kuvendit, Basha tha se projekti 1 miliardë është rruga e konsolidimit të konsorciumit politiko-kriminal i cili ka për synim të sundojë Shqipërinë për dekada. “Çdo gjë do të thellohet me Projektin 1 Miliardë, një projekt kriminal që do shkrijë në një, krimin, biznesin dhe politikën. Projekti 1 miliardë është rruga e konsolidimit të konsorciumit politiko-kriminal i cili ka për synim: të sundojë Shqipërinë për dekada. Është formalizimi i trekëndëshit kriminal: qeveri-sistem bankar-krim i organizuar. Është një projekt në të cilin do të riciklohen dhe do të pastrohen miliardat e drogës dhe të krimit duke përdorur autoritetin e qeverisë dhe paratë e buxhetit. Justifikimi për projektin është diabolik. Pasi e ka shkatërruar ekonominë dhe vetë shtetin, Edi Rama deklaron se shteti nuk ka para. Dhe e vërteta e hidhur është se në të vërtetë sot vetëm krimi ka para. Krimi është më i fortë se shteti dhe se bizneset e ndershme. Sepse këto katër vjet krimi është pasuruar, kurse Shqipëria është varfëruar. Rrënimi ekonomik i vendit është avantazhi më i madh që ka sot krimi. Ndërsa bizneset nuk kanë para për të investuar, krimi ka pafund. Ndaj krimi po sposton gradualisht bizneset e ndershme nga tregu dhe shumë shpejt e gjithë ekonomia e vendit do të jetë në duart e krimit. Për të kuptuar këtë kontrast, mjafton një krahasim domethënës. 863 mijë eurot e Saimir Tahirit që u gjetën në makinën e ortakut të tij, janë gati sa i gjithë buxheti vjetor i Gjykatës Kushtetuese. 863 mijë eurot e Sajmir Tahirit janë sa 85 për qind e buxhetit të investimeve të Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo shumë është vetëm një thërrime nga paratë që ka sot krimi në Shqipëri. Kanabizimi i vendit ka qenë një projekt i qëllimshëm anti-kombëtar i Edi Ramës. Në këtë projekt ai derdhi gjithë urrejtjen dhe mllefin që ka ndaj shqiptarëve”, tha Basha. Kreu i PD tha se ky evoluim i krimit është kapja e ekonomisë, ku aktivitetet  kriminale në Shqipëri nuk zhvillohen më në parcelat mes maleve, por në sheshet e ndërtimit dhe bankat në qendër të Tiranës. “Riciklimi dhe pastrimi i parave dhe kapja e ekonomisë është sot aktiviteti kryesor i grupeve kriminale që u fuqizuan dhe pasuruan në mënyrë marramendëse nga trafiku i drogës. Forma më e rrezikshme e krimit nuk është një grup kriminelësh me armë në dorë që grabisin me forcë apo transportojnë drogën, por kur bëhen bashkë krimineli, qeveritari dhe bankieri dhe bien në ujdi për të plaçkitur dhe kontrolluar një vend të tërë. Kjo është faza ku ka hyrë krimi në Shqipëri. Nuk është rastësi që paratë dhe dokumentet që nuk donte që t’ ja kapte prokuroria, Saimir Tahiri ja dha në ruajtje një biznesmeni, të cilit i kishte dhënë më parë edhe tendera publikë. Nuk është rastësi që Qazim Sejdini ka një agjenci doganore që po hetohet për trafik droge. Nuk është rastësi që Elvis Roshi është ndërtuesi më i madh në zonën e Kavajës. Nuk është rastësi që Vangjush Dako është njëkohësisht, kryebashkiak, biznesmen dhe kryekapobanda i Durrësit. Nuk është rastësi që familjarët e pushtetarëve duke nisur nga i pari i qeverisë e me radhë befas kanë pasion për bankat. Apo që gjysmën e ditës e kalojnë me kriminelë dhe gjysmën tjetër me bankierë. Dhe nëse kjo vazhdon, nuk kemi parë gjë akoma”.

Me bekimin e Ramës, krimi i organizuar po vë nën kontroll trafikun dhe shpërndarjen e kokainës dhe heroinës në të gjithë Europën/ Kreu i PD ka folur edhe për çështjen e kanabisit, teksa ka nënvizuar se me bekimin e Edvinit, Shqipëria ishte kryeqendra e drogës ne Europë. Basha tha se Rama po i mashtron shqiptarët e ndershëm dhe ata që zbatojnë ligjin, ndërsa po i jep mbështetje pakufij krimit. “Nëse duam që gjërat të mbeten siç janë, gjërat duhet të ndryshojnë”. Askush nuk i ka zbatuar më mirë se Edi Rama këto fjalë legjendare të sicilianit Xhuzepe Tomasi i Lampeduzës. Ky që kur ulej me fshatarët i pyeste me vetëkënaqësi si shkonin me kanabisin, duke ju dhënë të gjithë shqiptarëve mesazhin shkatërrues se është mirë të kultivosh kanabis; Ky që përkëdhelte Elvis Roshin para gjithë shqiptarëve duke e quajtur “krimineli im i dashur”, duke i dhënë çdo krimineli mesazhin se për ta ka vetëm dashuri; Ky që Saimir Tahirin nuk e largonte nga krahu i tij i djathtë duke u thënë trafikantëve se policia dhe qeveria ishte e tyrja; Ky që solli dhe strehoi në Kuvend e në krye të bashkive më shumë kriminelë të rrezikshëm se në burgjet e vendit; Pikërisht ky, Edi Rama, Sot po shfaqet nëpër të njëjtat tribuna dhe studio ku deri dje ulërinte se në Shqipëri nuk ka as kanabis dhe as krim. Tani që e vërteta për kanabizimin e vendit dhe kriminalizimin e qeverisjes ka marrë dhenë, Edi Rama po përpiqet të ndryshojë çdo gjë në sipërfaqe, për të mos ndryshuar asgjë në thelb, Duke provuar t’i mashtrojë edhe një herë, për të disatën herë, shqiptarët e ndershëm, shqiptarët e mjeruar nga krimi dhe korrupsioni, shqiptarët që zbatojnë ligjin e rregullat, shqiptarët që ende shpresojnë se gjërat mund të bëhen më mirë. Në një sallë luksoze, me ekrane të mëdhenj e drita të shkëlqyeshme, i rrethuar me policë që shërbejnë si figurantë, Edi Rama deklaroi se do ta çlironte Shqipërinë nga krimi. Ata që bashkë me të, për katër vjet i gënjyen dhe i mashtruan shqiptarët për kanabisin, për Saimir Tahirin, për kriminelët e lidhur me Edi Ramën, duartrokitën. Me zor dhe me sytë poshtë. Sepse tani njerëzit dinë dhe kuptojnë fare mirë se çfarë ka ndodhur. Tani të gjithë e kanë parë se Edi Rama është gjithmonë në krah të kriminelëve dhe jo të njerëzve të thjeshtë, është gjithmonë në anën e krimit dhe jo të ligjit. Njerëzit e kanë provuar Ramën me dhjetëra herë. Prova e tij është Elvis Roshi. Prova e tij është Kelmend Balili. Prova e tij është Saimir Tahiri, Agron Xhafaj, dyshja Dako-Cela, Qazim Sejdini. Për të mos folur për Ilir Beqajn, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn. Edi Rama nuk do që të largohen ata, ai thjesht po përpiqet të gjejë çdo hile, çdo manovër çdo truk të mundshëm për të mos ndryshuar fatin e Roshëve, Tahirëve, Dakove dhe natyrisht fatin e tij.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>