Basha: Kavaja, leksion për të gjithë demokratët se si bashkimi sjell fitoren

bashaaa

Zgjedhjet për kreun e PD – Basha e nis turin nga qyteti i Kavajës/ Ai kujton se mazhoranca e sotme ia doli të konstituohet nga blerja e votës dhe përfshirja e shtetit dhe e bandave në zgjedhje. Është koha për të marrë përgjegjësi, thotë kreu i opozitës, për të mësuar nga ajo çfarë ndodhi në Kavajë, ku bashkimi i të gjithë demokratëve solli fitoren e Bashkisë, përkundër krimit e parave të pista të drogës

Lulzim Basha e nisi turin e garës për kryetar partie dhe të analizës së zgjedhjeve, në Kavajë. Basha theksoi se mazhoranca e sotme doli nga blerja e votës dhe përfshirja e shtetit dhe e bandave në zgjedhje. Është koha për të marrë përgjegjësi, tha Basha, dhe për të mësuar nga ajo çfarë ndodhi në Kavajë, ku bashkimi i të gjithë demokratëve solli fitoren e Bashkisë, përkundër krimit e parave të pista të drogës. “E vetmja forcë që qëndroi, e vetmja forcë që tregoi moral, e vetmja forcë që tregoi vendosmëri, e vetmja forcë që nuk bleu asnjë votë, që nuk ofroi para dhe favore për votën, që nuk përdori krimin dhe bandat, e vetmja forcë që u ofroi shqiptarëve perspektivën e daljes nga kriza, e vetmja forcë me një plan për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike, e vetmja forcë me program, e vetmja forcë që ka moralin të vazhdojë dhe ta fitojë këtë betejë është Partia Demokratike e Shqipërisë”, tha Basha. Ai pohoi se është koha për të marrë përgjegjësi, duke nisur nga ai vetë.  “Nuk kam ardhur vetëm për t’ju uruar dhe as për të marrë vetëm duartrokitjet tuaja sepse kjo është ora për të marrë përgjegjësitë e mia. Është ora për të marrë të gjithë përgjegjësitë e mia për të gjithë vendimmarrjen, për të gjykuar bashkë me ju, a bëmë gjithçka që mundëm? A qëndruam apo jo fuqishëm në kauzat që besonim, në kauzat e drejta të shqiptarëve; me dekriminalizimin, me luftën kundër drogës, me luftën për një drejtësi të pa kapur e të panënshtruar politikisht  dhe me luftën për zgjedhje të lira e të ndershme? Dhe nëse po, le të mos e konsiderojmë këtë fundin e një betejë, por njësoj si në vitin 1991, stacionin drejt betejës tjetër, betejës përfundimtare për të rrëzuar një herë e mirë këtë regjim. E për t’i rikthyer shqiptarëve shpresën në vend të frikës”, theksoi Basha. Kavaja është leksioni që duhet të shërbejë si mësim e frymëzim për të gjithë demokratët. “Për ne, në të gjithë vendin, njësoj si Kavaja, në nivele bashkish dhe nivele qendrash votimi, ky është mësimi. Aty ku demokratët u bashkuan siç u bashkuan të gjithë nën drejtimin e Isa Sakes, të gjithë pa asnjë mungesë, pa asnjë përjashtim, pa asnjë zemër thyerje, kudo ku kjo ndodhi, bandat dhe milionat e drogës dhe të korrupsionit nuk bënë fajde. Arritën ta ndikonin, por jo ta përmbysnin rezultatin. Dhe, ky është mësimi dhe thirrja ime sot, jo si kandidat, por si demokrat. Bashkohuni demokratë kudo ku jeni, lini mënjanë qejf mbetjet. Nuk është ora për të parë se çfarë kemi marrë nga Partia Demokratike, por njësoj si në vitin 1991 është ora për të parë çfarë mund të japim për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë dhe demokracinë”, deklaroi Lulzim Basha.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>