Basha: Largimi i çirakëve nuk na ndal-të bashkuar deri në krijimin e qeverisë teknike

basha-me-hilen

Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se ndryshimet në qeveri nuk stepin protestën e opozitës. Nga çadra e lirisë në ditën e 24 të protestës, Basha theksoi se ndryshimet janë thjesht fasadë dhe nuk mund të mbulojnë skandalet e rilindjes Rama. Për të bashkëbiseduar me kryetarin demokrat Basha, ne çadrën e lirisë ishin Dritan Hila, dikur zv/ministër në Qeverinë Rama dhe Patrik Sadikaj, të dy drejtues emisionesh në Ora Neës, të cilët shprehën mbështetjen për këtë lëvizje popullore

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se kjo qeveri po bie duke përsëritur qëndrimin se lëvizja e opozitës nuk do të ndalet deri në largimin e Ramës. Nga çadra e lirisë në ditën e 24 të protestës, Basha theksoi se ndryshimet janë thjesht fasadë dhe nuk mund të mbulojnë skandalin e madh me mbetjet e rrezikshme që mendohet të kenë hyrë në vend. Për të bashkëbiseduar me kryetarin demokrat Basha, ne çadrën e lirisë ishin Dritan Hila, dikur zv/ministër në Qeverinë Rama dhe Patrik Sadikaj, të dy drejtues emisionesh në Ora News .Teksa protesta e opozitës ka hyrë në ditën e 24, ndërsa palët vijojnë të palëkundura në qëndrimet e tyre, Partia Demokratike kërkon largimin e Ramës, ndërsa theksoi se ndryshimet nuk vijnë si kërkesë e opozitës, por si kërkesë e qytetarëve. “Dita e 24-të e protestës na gjen më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë. Sot mes jush, si çdo ditë, ka jo vetëm demokratë dhe mbështetës të opozitës por edhe qytetarë, madje edhe mbështetës të Partisë Socialiste, të cilët ndajnë me ne kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndajnë me ne kauzën e dekriminalizimit. Sot, këtu na nderon me praninë e tij një përfaqësues i spikatur i mendimit dhe veprimit politik të së majtës, që është gazetari Dritan Hila. Duartrokitët dhe mbështetët mesazhet e z.Hila dhe ju të gjithë e kuptoni që ai nuk është këtu për të mbështetur Partinë Demokratike, ai nuk është këtu për të mbështetur thjesht dhe vetëm opozitën apo aksionin opozitar në vetvete, nuk është këtu aspak për të mbështetur Lulzim Bashën, por është këtu për të mbështetur kauzën kombëtare dhe evropiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e dekriminalizimit të politikës. Në këto 24 ditë, ne kemi parë e kemi takuar shumë qytetarë dhe anëtarë të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në këto 27 vite të pluralizmit politik, socialistët shqiptarë kanë qenë kundërshtarët tanë në çdo palë zgjedhje. Në çdo palë zgjedhje jemi ndeshur me ta dhe kemi fituar ose kanë fituar ata. Por ne nuk kemi harruar për asnjë çast se pavarësisht prej përplasjeve apo platformave politike, na bashkonte shqetësimi i drejtë se; ku po shkonte vendi. Pavarësisht prej zgjidhjeve që shikonim për problemet e vendit, na bashkonte të qenit shqiptarë. E pra sot, socialistët shqiptarë që kanë patur dhe kanë guximin të jenë pjesë e këtij bashkimi të madh popullor, dhe nuk janë të paktë në numër, por janë shumë dhe janë këtu ditë për ditë, dhe demokratët shqiptarë, dhe çdo qytetar shqiptar, i bashkon një shqetësim shumë i madh. Dhe ky është shqetësimi i kriminalizimit total të politikës. Ky është shqetësimi i kriminalizimit total të vendimmarrjes së institucioneve shqiptare. Kjo është gjëma e madhe dhe unike në Ballkan e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Pasojat e kësaj ndihen kudo. Ata njerëz janë sot në bankat e parlamentit dhe janë sot kryetarë bashkish sepse i solli Edi Rama për pushtetin e tij dhe për fatin e tij personal. Për të marrë pushtetin politik u lidh me krimin e organizuar. Për të mbajtur pushtetin politik është gati që bashkë me krimin e organizuar dhe drogën të prishë institucionin fondamental të demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ju e dini këtë fare mirë, shqiptarët e dinë këtë fare mirë. Ndaj u mblodhën me 18 shkurt në bashkimin më të madh popullor, në lëvizjen më të madhe, për të marrë një vendim të madh, një vendim të rëndësishëm. Vendimin për të mos u larguar nga ky shesh, derisa të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të thotë domosdoshmërisht, dhe pa asnjë kusht, largimin e Edi Ramës si kryeministër i qeverisë shqiptare”, tha Basha. Më tej, ai theksoi se ministrat e larguar kanë lidhje me skandalet e mëdha në vend, por nuk mund të shërbejnë si koka turku për të mbuluar Ramën. “Ne e dimë se Saimir Tahiri shërbeu denjësisht për kriminalizimin e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, çka solli kanabizimin e vendit dhe ngritjen e kriminelëve në fron. Ne e dimë se, Ilir Beqaj, shërbeu përulësisht për krimin më të rëndë, shpenzimin  e parave të taksapaguesve shqiptarë që duhet shkonin për shëndetin e të sëmurëve, e pacientëve, e familjarëve tanë, e fëmijëve, tanë në xhepat e dy apo tre oligarkëve të lidhur drejtpërdrejtë me pushtetin. Por ne po kështu, të gjithë e dimë se këta të dy dhe ata dy të tjerët janë shërbëtorë të njeriut që është në krye të kupolës së krimit dhe korrupsionit në këtë vend. Ndaj flijimi i tyre, largimi i çirakëve, jo vetëm nuk na shtendos nga qëndrimi që kemi mbajtur, por na inkurajon për t’i shkuar deri në fund betejës që kemi nisur. Tani në teorinë e konspiracionit, të shkarkuarit, ju kanë thënë disa gazetarëve dje se na shiti Ed Rama ke Lul Basha, na shiti te Lul Basha, që Lul Basha të ndalë protestën. Kujton se Lul Basha është në gjendje të ndalë këtë protestë? Nuk e kuptojnë që kjo lëvizje nuk ndalet, e nuk do të ndalet, derisa republika e vjetër e krimit, e korrupsionit, e drogës, e paligjshmërisë, e antikushtetueshmërisë, republika e vjetër që i trajton zgjedhjet si një mundësi për të kapur pushtet dhe jo si tempullin e shenjtë të demokracisë, do të bjerë deri në kullën e fundit”. Në përfundim, Basha tha se Republika e Re është integrimi i vërtetë evropian i Shqipërisë. “Republika e Re, është dhe do të jetë e tillë, vetëm kur të kemi demokraci të vërtetë, që do të thotë, zgjedhje vërtetë të lira dhe të ndershme dhe Po, z. Hila, Po, të gjithë ju qytetarë që doni një sistem zgjedhor që ju përfaqëson ju, dhe jo kryetarët e partive në Parlamentin e ardhshëm shqiptar, fuqizimi i qytetarit, kufizimi i pushtetit, janë parime të shenjta, mbi të cilat janë ndërtuar vendet e Evropës Perëndimore, vendet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë ndërtuar mbi këto parime dhe garantojnë progres, pikërisht sepse në këto vende, qytetari është Zot i fateve të tij, brenda Kushtetutës dhe ligjit dhe pushtetari është shërbëtor i qytetarit, brenda Kushtetutës dhe ligjeve. Në Republikën e Re, opozita e re do të ketë rolin e shenjtë të kontrollit dhe kufizimit të pushtetit të mazhorancës së re, përmes të drejtave institucionale, përmes një parlamenti që funksionon, përmes një Kushtetute që mundëson kontrollin dhe balancën reale të pushtetit, përmes një përfaqësimi të vërtetë të qytetarëve që do të thotë; jo noter i kryeministrit, por noter i qytetarëve dhe ditë për ditë, përballë kryeministrit e përballë ekzekutivit. Kjo është detyra e parlamentit të ri në Republikën e Re. Përndryshe, papërgjegjshmëria, makutëria dhe korrupsioni do të bënin në atë Republikë të Re, të njëjtën që kanë bërë me republikën e vjetër”, tha Basha. Kronika/Dritan Hila në Sheshin e Lirisë: Jam i majtë, por kam kërkuar i pari largimin e Edi Ramës/ Në ditën e 24 të qëndresës në Sheshin e Lirisë, për zgjedhje të lira e të ndershme, qytetarët u bënë pjesëmarrës në një bashkëbisedim me gazetarët Dritan Hila e Patrik Sadikaj. Patrik Sadikaj  tha se sipas tij varfëria është plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare sot. Njerëzit që luftojnë për vaktin e ditës, tha Sadikaj, nuk e kanë shumë mendjen dhe nuk kanë fuqi të luftojnë për votën e lirë.  Gazetari e quajti qëndresën popullore në sheshin e lirisë, në këtë kuptim një kontribut për shoqërinë. E vetmja gjë për të cilën intelektualët, njerëzit e angazhuar, përtej bindjeve politike apo ambicieve personale, Sadikaj tha se me rëndësi është që të ndihen të lirë në mendje dhe shpirt.  Dritan Hila, i cili nuk e kishte menduar se do të fliste ndonjëherë përballë demokratëve, sepse deklaron se më shumë mendimet e ndajnë sesa e bashkojnë me të djathtët, mbështetjen për kauzën e opozitës e mbështet fillimisht si qytetar e më pas si gazetar.  “Ne nuk mund ta bëjmë këtë vend të ndarë. Pavarësisht se na ndajnë mendimet, kjo nuk na bën armiq, thjesht kemi mendime të ndryshme për mënyrën se si duam të shkojmë përpara. Janë më të mëdha gjërat që na bashkojnë se ato që na ndajnë. Mua më tërbon kur dikush flet me arrogancë dhe akoma më tepër kur kjo bëhet ndaj opozitës e cila minimalisht përfaqëson 35% të shqiptarëve. Ne nuk e kemi luksin të humbasim Partinë Demokratike”. Hila shprehu gjithashtu mendimin se kjo qëndresë duhet të luftojë edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Partia Demokratike e ka potencialin për ta çuar këtë vend përpara ashtu si bëri edhe 26 vite më parë , tha Hila, i cili i kërkoi PD-së të përmbushë rolin e saj historik.  “Shikoni përpara, ndërtoni lidershipin tuaj të ri, krijoni një parti popullore sepse jeni parti e cila i ka të gjitha potencialet”. Disa studentë ngritën disa pyetje nga sheshi i lirisë. Dy prej tyre pyetën zotin Hila mbi vështirësinë e shprehjes së mendimit në rast kur ai shkon kundër vendimeve të qeverisë apo propagandës së saj. Hila u shpreh i zhgënjyer nga qeverisja e kryeministrit, të çilin e ka mbështetur në vitet e para të marrjes së pushtetit, pasi sipas tij  Rama nuk ndërtoi atë për të cilën qytetarët e votuan.“E kam thënë tezën që Rama duhet ndalur dhe nuk e tërheq. Unë jam i majtë në ambient të djathtësh. Duhet të jesh pak kokëkrisur që t’i dalësh pushtetit kundër dhe unë prandaj ju vlerësoj ju për këtë revoltë. Unë bëj timen, jo gjithmonë pa kosto, por ja vlen”.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>