Basha: “Mbështetje e plotë nga ndërkombëtarët për dekriminalizimin dhe luftën kundër korrupsionit”

basha

Ambasadori amerikan, Donald Lu, takim me Kreun e Opozitës

 

 

Deklarata/ “Kryeparlamentari të mbledhë konferencën e kryetarëve dhe të enjten ligji për hetim ndërkombëtar të aferës së CEZ, të votohet nga Parlamentit duke i hapur rrugë pranisë së prokurorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë në hetimin e aferës më të madhe korruptive në Shqipëri”

 

Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha i kërkoi kreut të Kuvendit, Ilir Meta të fusë sa më parë në axhendën e Parlamentit projektligjin e propozuar prej saj, për hetim ndërkombëtar të çështjes CEZ. Kreu i të djathtëve deklaroi se ka kërkuar dorëheqjen e Metës lidhur me çështjen e CEZ që u nxorr nga avokatët e Qeverisë, e jo dorëheqjen si Kryetar Kuvendi. Pasi ka dalë nga takimi me Ambasadorin e SHBA-së, Donald Lu, Basha shpjegoi se me partnerët tanë u diskutua për çështjen e mbështetjes së hetimeve ndaj akuzave për korrupsion. Ju konfirmoj se sot Partia Demokratike sapo depozitoi në Parlament ligjin për hetim ndërkombëtar të aferës së CEZ dhe CEZ-DIA, pra të faljes së 600 milion euro, fatura të njohura nga CEZ, fatura, detyrime ndaj shqiptarëve nga qeveria Rama si dhe të akuzave për 135 milion euro, afera të DIA-CEZ , akuza ndaj krye parlamentarit. Dua të përshëndes gatishmërinë e krye parlamentarit për të mbështetur këtë iniciativë ligjore në Parlament dhe t’i kërkoj që këtë mbështetje me fjalë, ta kthejë në një veprim të menjëhershëm, duke thirrur që sot konferencën e kryetarëve, duke e futur ligjin që sapo kemi depozituar për shqyrtim këtë të enjte në Parlament. Nuk besoj se ka asnjë alibi për ta vonuar këtë, aq më shumë kur ligje të tjera që kanë pasur kundërshtimin e plotë të grupeve të interesit, siç ka qenë Ligji për Arsimin, janë futur në tejkalim edhe të procedurave parlamentare, në shkelje të Kushtetutës; prandaj kërkoj duke e përshëndetur për qëndrimin që ka pro për hetimin ndërkombëtar, që sot, të mbledhë konferencën e kryetarëve dhe të enjten ligji për hetim ndërkombëtar të aferës së CEZ, të votohet nga Parlamentit duke i hapur rrugë pranisë së prokurorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë në hetimin e aferës më të madhe korruptive në Shqipëri.

Pyetje: Zoti Basha ju po thoni që ta votojmë të enjten dhe kjo sikur varet vetëm nga votat tuaja dhe të LSI. E harroni PS?

Basha: Aspak, por kryetari i LSI që është dhe kryetari i Parlamentit, ka shprehur gatishmërinë dhe ky është momenti që nga shprehja, të kalojë në vepra, dhe të njëjtën gjë, të njëjtën thirrje i bëj dhe Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj që është kreu i ekzekutivit, të votojmë bashkarisht sepse edhe ai sigurisht, me siguri do të ketë interes të zbardhet pjesa e tij, në faljen apo ndarjen e 500 milion euro po ti heqim 135 të CEZ-DIA, ku akuzat janë për ortakun e tij. Pra të votojmë ligjin ti hapim dritën jeshile pranisë së prokurorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë në hetimin e aferës më të madhe korruptive në vend.

Pyetje: A e mbështesin amerikanët këtë iniciativë?

Basha: Këto janë pyetje që ju duhet t’ua drejtoni ambasadave apo qeverive mike. Por unë dua t’u them që për luftën kundër korrupsionit, sikundër për dekriminalizimin e politikës shqiptare, ne kemi mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Pyetje: Z. Meta ka mbështetur një tjetër çështjen tuaj që është çështja për dekriminalizimin. Ndiheni komodë si Parti Demokratike që LSI, në një farë mënyre, e ka kushtëzuar Partinë Socialiste me votat e saj për këtë çështje?

Basha: Nuk bëj komente se për çfarë kushtëzohen, për çfarë shiten dhe për çfarë blihen ata mes njëri-tjetrit. Axhenda jonë është e shpallur, publike dhe në interes të qytetarëve. Në këtë kuptim, i bëjmë thirrje çdo deputeti të Kuvendit, dhe çdo deputeteje të Kuvendit, të votojë nismat tona ligjore; dekriminalizimin në radhë të parë, hetimin ndërkombëtar të aferës korruptive në CEZ, dhe të respektojë interesin qytetar në reformat e tjera të rëndësishme të vendit siç është reforma në drejtësi, duke u bërë palë me qytetarët për të luftuar korrupsionin por jo palë me dyshen Rama-Meta për të kapur drejtësinë.

Pyetje: Hetimi ndërkombëtar a kërkon 84 vota në Kuvend?

Basha: Teknikalitetet diskutojini me ekipin tim ligjor.

Pyetje: Z.Basha, kreu i Kuvendit është çuditur që ju kërkoni vetëm dorëheqjen e tij dhe jo të kryeministri Rama kur në fakt afera kryesore që ju keni denoncuar është ajo e faljes së borxheve të CEZ?

Basha: Së pari, unë nuk kam kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës si kryetar Kuvendi, ndonëse ai është një shkelës serial i Kushtetutës siç e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese, ku parlamenti i drejtuar prej tij, në disa raste ka dhunuar rregulloren dhe Kushtetutën e vendit, ka dhunuar të drejtat e opozitës, për të cilat nuk mund të rrahë gjoksin. Unë e kam kërkuar dhe e kërkoj dorëheqjen e Ilir Metës për akuzat që i janë bërë për kohën që ishte zv-kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, si personi që ka lobuar, që qëndron prapa kompanisë DIA dhe marrjes së 135 milionë euro të shqiptarëve nga kjo kompani. Dhe këto janë akuza që nuk i kam bërë publike unë, por i kanë bërë publike avokatët e qeverisë, avokatët e ortakut të tij, të cilin nuk ka pse ta kërkojë prapa pemëve në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, sepse e ka në krah. E ka poshtë kur e ka në parlament dhe e ka në krah politikisht që prej marrëveshjes së 1 Prillit. Pra kjo është e vërteta. Nuk ia kam kërkuar dorëheqjen dhe nuk ia kërkoj si kryetar Kuvendi, por ia kërkoj se është nën një akuzë me dokumente zyrtare të bëra publike nga media ndërkombëtare si personi që ka përfituar ryshfet në aferën më të madhe të korrupsionit në Shqipëri. Këto janë fjalët e avokatit të qeverisë shqiptare. Dua të kujtoj këtu se ky është minimumi që mund t’i kërkoj, sepse për një akuzë tjetër shumë më të pakët në shumë, ortaku i tij i sotëm jo vetëm mori dorëheqjen e Ilir Metës, nuk u mjaftua me këtë, por i vuri edhe flakën institucioneve të shtetit.

Pyetje: Por 600 milionëshi është më i madh se 135 milionëshi…

Basha: Por nuk është më pak se 700 mijë euro

Pyetje: Për këtë shqetësohet z. Meta që ju kërkoni vetëm dorëheqjen e tij dhe jo të z.Rama…

Basha: Sepse deri tani akuzat tona të Partisë Demokratike për bashkë ndarjen apo për vjedhjen e 500 milionë eurove nga qeveria Rama, nga kryeministri Rama dhe ministri i tij përgjegjës për marrëveshjen me CEZ, mbeten në rrafshin e akuzave që ne duam ti nënshtrohen një ekspertize të plotë juridike me pjesëmarrjen e prokurorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë. Ndërsa në rastin e Metës akuzat janë publikuar. Lidhur me bisedën që pati me ambasadorin amerikan, Basha tha se me ambasadorin Lu diskutuam çështjet kryesore që prekin qytetarët shqiptarë si çështjen e dekriminalizimit, prioritet i të gjitha prioriteteve, nyja gordiane për të zgjidhur krizën e gjithanshme politike, parlamentare dhe ekonomike të vendit. Pra largimin e kriminelëve nga Parlamenti, nga pushteti vendor, nga administrata publike. Jam i lumtur për mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme që partnerët ndërkombëtarë i japin kësaj beteje jetike për vendin, dekriminalizimi është një çështje jetike për vendin. Dua të përsëris edhe një herë se për këtë çështje jetike për vendin dhe për luftën kundër korrupsionit, Partia Demokratike është e vendosur të mos bëjë asnjë kompromis apo pazar politik. Do t’i shkojmë deri në fund me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë do ta realizojmë qëllimin tonë, duke e fituar këtë betejë jetike të dekriminalizimit, kalimin e ligjit të dekriminalizimit dhe zbatimin e tij të menjëhershëm.

Pyetje: Çdo të thotë nuk bëjmë asnjë pazar politik. Kush ka kërkuar pazar politik?

Basha: Nuk ka asnjë dyshim për ne, se në Parlament, në qarqet politike ka kundërshtarë të ligjit për dekriminalizimin. Dhe unë e kam thënë dhe në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, dhe gjej rastin ta përsëris; Partia Demokratike për këto dy çështje, pra për dekriminalizimin dhe luftën kundër korrupsionit, PD nuk bën pazare dhe kompromis. Jemi të vendosur ta çojmë deri dhe fund. E shohim veten tone, dhe jemi përfaqësues të interesit qytetar dhe vetëm të interesit qytetar. Nuk bëjmë pra asnjë pazar politik për këto dy çështje kryesore. Çështje të tjera që diskutuam kanë të bëjnë me reformën në drejtësi ku theksuam vendosmërinë për luftë pa kompromis kundër korrupsionit në drejtësi, por po kështu, për luftë pa kompromis kundër kapjes së drejtësisë apo çdo projekti që çon drejt zgjatjes së duarve të politikës në përgjithësi dhe ekzekutivit në veçanti, për të vënë nën gjunjë drejtësinë dhe për ta vënë në shërbim të interesave politike.

Kronika-Opozita depoziton në Kuvend projektligjin për hetimin ndërkombëtar të çështjes CEZ/Opozita ka depozituar ditën e djeshme në Kuvend, projektligjin për hetimin ndërkombëtar të çështjes CEZ, të cilin ia drejton krye parlamentarit Ilir Meta “për shqyrtim dhe miratim”. Për një hetim të besueshëm demokratët e konsiderojnë jetike ndihmën e organeve të posaçme të hetimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian, ndërkohë që hetimin do ta bashkërendojë prokurori i përgjithshëm shqiptar, si autoriteti kompetent për hetimin e plotë dhe të pavarur të akuzave publike mbi çështjen “CEZ SHPËRNDARJE” me Qeverinë shqiptare. Opozita kërkon zbardhjen e të gjitha akuzave që kanë përfshirë krerët më të lartë të shtetit duke hetuar ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publik, apo personave privatë, gjatë marrëdhënies midis shoqërisë “DIA” dhe kompanisë CEZ, por edhe akuzave të bëra publike për veprime korruptive, akuza këto që prekin ish-kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit Meta, dhe që opozita nënvizojnë se janë të avokatit të qeverisë Rama në arbitrazh. Po kështu, PD kërkon hetimin mbi faktet e bëra publike për dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar, nga zgjidhja me mirëkuptim e marrëveshjes ndërmjet qeverisë dhe CEZ-it. Projekt-ligji parashikon edhe shfuqizimin e marrëveshjes së shtetit shqiptar dhe CEZ për mospërfshirjen në procedim penal të drejtuesve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, pasi e konsideron si cenues të autoritetit të prokurorisë për të ndëshkuar çdo krim që kryhet në territorin e Republikës së Shqipërisë. “Z. Meta! Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, duke vlerësuar kompleksitetin që ka hetimi i çështje “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.”, si dhe për faktin se në këtë aferë janë të përfshirë zyrtarët më të lartë të shtetit (përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Ministrin e Energjetikës, Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, etj.), vlerësojmë se një hetim i pavarur nga ekspertë ndërkombëtar të organeve ligj zbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo vendeve të Bashkimit Evropian, do të garantonte besueshmëri tek opinioni publik, se hetimi është i plotë dhe i përgjegjshëm. Hetimi nuk mund të kryhet vetëm nga autoritetet ligj zbatuese shqiptare, për shkak se bëhet fjalë për të hetuar drejtuesit kryesor politik dhe shtetëror në vend. Presioni politik ndaj organit të prokurorisë dhe kërcënimet e vijueshme që i bëhen sistemit të drejtësisë nga mazhoranca aktuale, nuk krijojnë asnjë premisë për të pasur një hetim të plotë dhe të pavarur. Ne besojmë, se është në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që kjo çështje të hetohet në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, nën një ekspertizë të specializuar ndërkombëtare. Për këtë qëllim propozojmë për miratim nga Kuvendi projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi çështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.””, sipas tekstit bashkëlidhur dhe relacionit shoqërues. Për sa më lart, kërkojmë shqyrtimin e këtij projektligji në Kuvendit e Shqipërisë dhe miratimin e tij pas asnjë vonesë të pajustifikuar. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>