Basha me Alfano-n: Zgjedhjet e lira e të ndershme, rruga e integrimit evropian të Shqipërisë

alfano-jpg

Kreu i opozitës i tha dje Ministrit të Jashtëm italian se Qeveria teknike është mënyra e vetme për të dalë nga kriza dhe për të siguruar votë të lirë e të ndershme. Ai theksoi se integrimi europian është proces jetësor për Shqipërinë dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë Shqipëri Evropiane

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua dje në Tiranë me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Angelino Alfano. Diskutimi u fokusua tek aktualiteti politik në vend, dhe tek kërkesat e Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme. Basha i tha Ministrit të Jashtëm italian se qeveria teknike është mënyra e vetme për të dalë nga kriza dhe për të siguruar votë të lirë e të ndershme, sipas standardeve europiane. Integrimi europian është proces jetësor për Shqipërinë dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë Shqipëri Europiane, pohoi Basha. Kryetari i Opozitës sqaroi se këto standarde europiane në zgjedhje mund të realizohen vetëm duke pasur një qeveri teknike që angazhohet për të zbatuar prioritetet kryesore integruese si; dekriminalizimi, lufta pa kompromis ndaj drogës dhe parave që clirohen nga ky trafik, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatim i i refromës në drejtësi në përputhje me ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut të miratuara me konsensus. Basha dhe ministri italian Alfano diskutuan në lidhje me rritjen e shqetësimit për shumëfishimin e kultivimit të kanabisit në veçanti, dhe trafikimit të kësaj droge që ka afektuar rëndë vendin fqinj. Kjo e konfirmuar edhe nga Prokurori Kombëtar i Antimafies, Franco Roberti. Fatkeqësisht, raporti i fundit i Europol dhe Departamentit të Shtetit flasin me shqetësim për Shqipërinë si një port në Europë për tranzitin e drogave të rënda, dhe e nxjerrin vendin tonë si burim kryesor për kanabisin. Basha përcolli me shqetësim dhe moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit nga qeveria, si dhe faktin që akoma në parlament, në bashki dhe në poste publike, ka persona me rekorde kriminale. Gjithashtu, Basha shprehu bindjen në thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Edhe Kreu i Shtetit, Bujar Nishani priti në takim ministrin e Jashtëm të Italisë, Angelino Alfano/Presidenti Bujar Nishani priti në një takim ministrin e Jashtëm të Italisë Angelino Alfano, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për ndihmën e madhe e shumë dimensionale që Italia dhe populli italian i kanë dhënë, veçanërisht pas viteve ’90, për rimëkëmbjen ekonomike e sociale të vendit, pas dekadash izolimi nga diktatura. “Marrëdhëniet dhe lidhjet mes dy vendeve tona janë sa historike aq edhe kulturore, dhe partneriteti ynë strategjik i ka të gjitha mundësitë dhe hapësirat për t’u zhvilluar dhe pasuruar më tej, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë evropian”, u shpreh Presidenti Nishani. Kreu i Shtetit shprehu në mënyrë të veçantë, mirënjohjen për mbështetjen shumë domethënëse e përmbajtjesore që Italia i ka dhënë Shqipërisë në kuadrin e procesit të integrimit evropian. Duke theksuar se, integrimi evropian mbetet projekti strategjik më madhor i shqiptarëve, Presidenti Nishani u shpreh se “Italia ka qenë dhe mbetet një nga avokatet më të mira të Shqipërisë në këtë proces dhe kam shumë besim se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen”. Presidenti Nishani vlerësoi dhe përshëndeti gjithashtu angazhimin e Italisë në kuadrin e ruajtjes së vëmendjes së Bashkimit Evropian ndaj të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe shprehu besimin se në Samitin e Triestes, procesi i Berlinit do të pasurohet me projekte konkrete zhvillimore. Në këtë kontekst, Presidenti e konsideroi vizitën e Ministrit Alfano në Shqipëri dhe rajon, si shprehje e qartë e vëmendjes së lartë që Italia i kushton këtij rajoni anëtarësimit të tij sa më të shpejtë në BE.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>