Basha: Me Gjermaninë dhe Perëndimin, po punojmë për një alternativë të re qeverisëse

basha

 

 

Kreu i Opozitës, Lulzim Basha ka zhvilluar një vizitë në Gjermani ku është takuar me deputetë dhe zyrtarë të lartë gjermanë. Ai ka marrë mbështetjen e Partisë Kristian Demokrate të Kancelares Angela Merkel për aksionin politik dhe hartimin e programit të ri, si një alternativë urgjente që po paraqitet nga kriza aktuale politike në Shqipëri

Deklarata/Për Mega-aferën e CEZ, mbështetje e plotë për të angazhuar hetues ndërkombëtarë për zbardhjen e saj

 

Kreu i Opozitës, Luzim Basha ka deklaruar se Partia Kristian Demokrate (CDU) e Kancelares Angela Merkel ka dhënë mbështetje të plotë për partinë Demokratike për aksionin politik dhe hartimin e programit qeverisës. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se dekriminalizimi mbetet kusht i panegociueshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE.

“CDU e Kancelares Merkel i jep mbështetje të plotë dhe të gjithanshme Partisë Demokratike në aksionin e saj politik dhe në hartimin e programit qeverisës. Me zyrtarët e lartë gjermanë, ndamë shqetësimet lidhur me zhvillimet në Shqipëri, të cilat po shkojnë në drejtim të kundërt me parimet e vendeve demokratike dhe janë larg përmbushjes së standardeve europiane. Kusht i panegociueshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet për partnerët gjermanë, dekriminalizimi i politikës shqiptare. Gjatë takimeve që zhvillova në Berlin, deputetët gjermanë vlerësuan propozimet e Partisë Demokratike dhe inkurajuan miratimin me konsensus të ligjit për dekriminalizimin”, shkruan Basha në facebook. Më tej, ai thotë se një tjetër shqetësim i diskutuar në takimet me deputetët gjermanë ishte dhe procesi zgjedhore i 21 qershorit. “Deputetët gjermanë dhe kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, i kanë cilësuar tërësisht të papranueshme për një vend që aspiron të bëhet anëtarë i Bashkimit Europian, shkeljet e konstatuara në raportin e OSBE-ODIHR-i, për zgjedhjet. Mega afera CEZ, ishte po ashtu çështje e bisedës. Mora mbështetjen e plotë të partnerëve tanë gjermanë, për iniciativën e Partisë Demokratike, për të angazhuar hetues ndërkombëtarë për zbardhjen e kësaj afere si mënyra më e mirë për një hetim të plotë dhe të besueshëm. Partia Demokratike po bashkëpunon ngushtësisht me kristiandemokratët e Kancelares Angela Merkel për hartimin e alternativës së saj; programin qeverisës të demokratëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. CDU, po na jep ekspertizën e saj për ofertën tonë të zhvillimit të vendit dhe kthimit të shpresës qytetarëve tanë që të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri dhe jo të shohin si shpresë emigrimin”, thotë kreu demokrat, Lulzim Basha

 

Intervista/Basha:Shqiptarët meritojnë përgjigje për skandalin e shekullit, megafera e CEZ-it- të hetohet ndërkombëtarisht

 

Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha i ftuar në Bundestag, pas takimeve me deputetët gjermanë në intervistë me Deutsche Welle mbi skandalin e CEZ, ngecjen e dekriminalizimit e reformën në drejtësi. Kreu demokrat thotë se, opozita është e vendosur të mos tërhiqet nga procesi i dekriminalizimit, duke mos pranuar asnjë nismë që cenon thelbin e tij. Për sa i përket Reformës në Drejtësi ai thekson se përpjekjet për të rikthyer në sistemin e drejtësisë hetues, prokurorë, gjyqtarë të kohës së komunizmit, dhe për të larguar nga vendimmarrja faktorë kushtetues siç është Presidenti i Republikës apo për të zeruar kontributin e opozitës në kundërshtim me doktrinën e Komisionit të Venecias, tregojnë se dyshja Rama-Meta është e interesuar në kapjen e drejtësisë. Kreu Basha gjithashtu informoi se nuk është realizuar asnjë takim midis tij dhe Edi Ramës. “Nuk ka asnjë takim sekret të Lulzim Bashës me asnjë nga bashkëpërgjegjësit e gjendjes ku është katandisur vendi, familjet e të cilit kanë marrë rrugën e eksodit si asnjëherë më parë në këto 20 vite”, shprehet Basha

Zoti Basha ju vizituat papritur Berlinin më 1 Tetor: ardhja juaj në Berlin ishte thjesht një vizitë e radhës, apo kishte ndonjë lidhje me zhvillimet e fundit të ndezura në Shqipëri?

Vizita sot në Berlin është në kuadër të shkëmbimeve me partinë tonë simotër kristiandemokrate të kancelares Merkel dhe sigurisht gjatë vizitës janë diskutuar edhe zhvillimet shokuese në skenën politike shqiptare të dy javëve të fundit.

E cila është mbështetja që morët nga kristiandemokratët gjermanë?

Partia Demokratike po bashkëpunon ngushtësisht me kristiandemokratët gjermanë dhe me Fondacionin Konrad Adenauer për hartimin e alternativës së saj para votuesve shqiptarë, programin qeverisës të demokratëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këtë kuadër ne vazhdojmë të marrim mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nga partitë simotra dhe në veçanësi nga kristian-demokratët gjermanë si për sa i përket anës përmbajtjesore të programit, ofertës sonë që kanë të bëjnë me aspektet e zhvillimit ekonomik, të ringjalljes së shpresës për një Shqipëri të zhvilluar mbi bazën e parimeve të konkurrencës së lirë, luftës kundër korrupsionit e mbi bazën e meritës, por po kështu edhe për sa i përket organizimit e riorganizimit të Partisë Demokratike për të pasur një përballje të suksesshme në sfidën elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme.

Aktualisht Shqipëria është tronditur nga një skandal i CEZ, ju e quani megaafera e CEZ – dhe i drejtoni akuzat si ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta ashtu edhe ndaj kryeministrit Edi Rama. Ju kërkoni hetim ndërkombëtar, pra doni që gjykatësit e huaj të hetojnë të dy krerët aktualë në qeverisje?

Akuzat ndaj Kryetarit të Kuvendit janë publikuar nga Rrjeti i Gazetarëve Investigativë të Ballkanit Perëndimor, BIRN, bazuar mbi dokumente zyrtare të avokatëve të qeverisë shqiptare e opozita ka bërë detyrën e saj duke mbajtur qëndrimin politik, të shpallur tashmë, kërkesën për dorëheqje të Ilir Metës dhe vënien e tij në dispozicion të një hetimi të plotë, të pavarur e të gjithanshëm. Po është bërë e qartë ana tjetër e kësaj afere, që ka të bëjë me 500 milionë euro, fatura e detyrime të njohura nga CEZ ndaj shqiptarëve, ndaj buxhetit të shtetit që u falën apo u ndanë në mënyrë misterioze përmes terminimit të papërgjegjshëm e jo transparent të arbitrazhit ndërkombëtar dhe një marrëveshje sekrete, për të cilën dëgjojmë lloj-lloj justifikimesh, por e vërteta vazhdon të mbetet e fshehur. Kush ka përfituar dhe sa ka përfituar nga kjo marrëveshje, ku kanë shkuar 500 milionë euro të shqiptarëve, këto janë pyetje legjitime, të cilat mund dhe duhet të marrin përgjigje përmes një hetimi ndërkombëtar. PD ka çuar në parlament draftligjin për këtë, në bazë të një përvojë të mëparshme, kërkesë e cila për fat të mirë, ka marrë edhe mbështetje nga brenda mazhorancës.

Por mazhoranca nuk është për një hetim ndërkombëtar, duke iu referuar institucioneve të drejtësisë shqiptare….

Përpjekjet për t’i ikur hetimit ndërkombëtar vetëm se demaskojnë përgjegjësinë e hapur të Edi Ramës si kundërshtar i vetëm deri më tani i propozimit tonë, për t’i ikur hetimit ndërkombëtar dhe për të mbuluar këtë skandal, këtë mega-aferë, këtë vjedhje të shekullit. U bëj thirrje deputetëve socialistë që të ngrihen në lartësinë e ndërgjegjes dhe pritshmërisë që kanë edhe votuesit e tyre, paratë janë të shqiptarëve, nuk janë as të Edi Ramës, as të Lulzim Bashës, as të Ilir Metës, shqiptarët meritojnë llogaridhënie se ç’u bë me paratë e tyre. Është e njëjta drejtësi, të cilën Edi Rama e anatemon, e shantazhon, shan në një fjalor të papranueshëm, dhe tek e cila kthehet dhe bën avokatin, kur nuk i leverdis të zbardhet e vërteta. Unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund, me çdo mjet demokratik deri në zbardhjen e së vërtetës e nxjerrjen e përgjegjësve para ligjit.

Por CEZ ka qenë aktive edhe në kohën që pushtetin e kishin demokratët, e ka shumë zëra që thonë se ka edhe demokratë që i kanë duart pis…

Sa herë që opozita dhe unë si kreu i saj drejtojmë gishtin bazuar mbi fakte, shifra e argumente ndaj Edi Ramës, ky kthehet jo me përgjigje ndaj akuzave, por me përpjekje për delegjitimim të opozitës. Ne jemi të hapur për një hetim të plotë e gjithëpërfshirës, për dy vjet me radhë qeveria e ka pasur patur shansin ta bëjë këtë, jo vetëm nuk e ka bërë, por nuk ka ngritur asnjë akuzë. Tani që akuza të rënda rëndojnë mbi Edi Ramën për humbjen, abuzimin, vjedhjen, shpërdorimin e 500 milionë eurove të shqiptarëve, ai kujtohet të bëjë akuza kundër atyre që po i ngrenë këto çështje jo për interesin e tyre politik, por për interesin publik të shqiptarëve. Ne nuk kemi asnjë rezervim ndaj subjektit të hetimit.

Mediat kanë folur këto kohë për një takim Basha-Rama, duke nënkuptuar me këtë prapaskenat vepruese në politikë për koalicione të reja, sa të vërteta janë këto zëra?

Nuk ka asnjë takim sekret të Lulzim Bashës me asnjë nga bashkëpërgjegjësit e gjendjes ku është katandisur vendi, familjet, të cilat kanë marrë rrugën e eksodit si asnjëherë më parë në këto 20 vite. Por ka një përballje të fuqishme të Lulzim Bashës, Partisë Demokratike dhe opozitës me shkaktarët e kësaj gjendjeje, me Edi Ramën dhe Ilir Metën, me politikat e tyre të gabuara, me politikën e lakut në fyt, të kërbaçit për qytetarët e të korrupsionit e mega-aferave për qeveritarët, me politikën e ndëshkimit të berberëve, por të lartësimit të ministrave të lidhur me narkotrafikun, siç është Ministri i Brendshëm. Në këto kushte është jo vetëm qesharake, por edhe e papranueshme, e refuzueshme, unë e refuzoj me përbuzje çdo insinuatë për pakte me ta.

Dekriminalizimi – një çështje që u ngrit dhe u ndërkombëtarizua nga opozita, por ende sot nuk është mbyllur- me gjithë përpjekjet për një ligj e komision të posaçëm dekriminalizimi. Ku ngec kjo çështje?

Aktualisht po negociohet për draftin e opozitës, ne jemi të hapur për këtë, i cili kërkon konsesusin e dy palëve të tjera në parlament, ne jemi të vendosur të mos heqim dorë nga asgjë që dëmton thelbin e këtij ligji. Thelbi është ndalimi i kandidimit të personave me rekorde kriminale e largimi i menjëhershëm i këtyre personave nga zyrat publike që kanë okupuar vitet e fundit për shkak të përzgjedhjes së tyre enkas nga Edi Rama për të shërbyer si deputetë, kryetarë bashkish, duke poshtëruar popullin shqiptar, siç janë shprehur aleatët tanë, me kandidatura të padenja e kriminale që populli shqiptar nuk i meriton. Duke mos kompromentuar thelbin e propozimit tonë ne jemi gati e presim bashkëpunim për kalimin e ligjit në parlament.

Po ju vetë jeni të sigurt se njerëzit tuaj janë me kostum të papërlyer?

Sigurisht që jo, por unë jam i sigurt në atë që kam thënë e dua ta përsëris sot se në Partinë Demokratike nuk ka vend për njerëz të tillë, se pavarësisht stadit në të cilin gjendet përpjekja jonë, ligji për dekriminalizimin, unë kam nisur iniciativën time për komisionin e përhershëm të integritetit në Partinë Demokratike të kryesuar nga Dr. Halim Kosova, detyra e të cilit do të jetë skanimi i çdo zyrtari të Partisë Demokratike në strukturat partiake, administrative apo shtetërore me qëllim shmangien e çdo personi me të shkuar kriminale dhe mos infiltrimin e këtyre personave në strukturat e Partisë Demokratike. Partia Demokratike e ka dëshmuar jo me fjalë, por me vepra, se sa herë që janë evidentuar persona me rekorde të mundshme kriminale në gjirin e saj ka vepruar.

Drejtësia është ende thembra e Akilit në Shqipëri. Edhe kancelaria Merkel në vizitën e saj të parë e vuri theksin aty. Kërkohet një konsesus pozitë-opozitë për reformën, e cila ende nuk është arritur. Ju si demokratë çfarë do të ishit të gatshëm të ofronit që kompromisi të funksionojë – dhe reforma në drejtësi të marrë udhë?

Ne kemi ofruar 300 amendamente, nuk ka pasur asnjë forcë politike në historinë e pluralizmit që të jetë angazhuar kaq shumë për të kontribuar realisht në një reformë të drejtësisë. Ne e duam reformën në drejtësi, ne duam një drejtësi të pa korruptuar, të pastër nga korrupsioni, ku luftohet korrupsioni, ku hiqen e dërgohen para ligjit prokurorët e korruptuar, por ne nuk mund të pranojmë kurrë një drejtësi të kapur nga politika. Përpjekja për të rikthyer në sistemin e drejtësisë hetues, prokurorë, gjyqtarë të kohës së komunizmit, përpjekja për të larguar nga vendimmarrja faktorë kushtetues siç është Presidenti i Republikës apo për të zeruar kontributin e opozitës në kundërshtim me doktrinën që ka paraqitur Komisioni i Venecias, tregojnë se dyshja Rama-Meta më shumë se reformën në drejtësi është e interesuar në kapjen e drejtësisë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për ta parandaluar këtë e në këtë beteje kemi si mbështetje edhe faktorin ndërkombëtar, pa të cilin kjo reformë nuk mund të realizohet.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>