Basha: Në “çadrën e lirisë” ngjallet e rilind shpresa për një Shqipëri më të mirë

basha

“Çadra e lirisë” dhe Dita e Pashkës, që të dyja simbolizojnë shpresën për një Shqipëri më të mirë, për një Shqipëri që do t’u përkasë vetëm qytetarëve. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka thumbuar deklaratat e paprecedenta të kryeministrit, i cili edhe në Ditën e Pashkës u fryu tamtameve të luftës

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zgjodhi ambientet e Katedrales Ortodokse dhe Vëllazërisë Ungjillore për t’i uruar besimtarët e krishterë në festën e Pashkëve. Basha i uroi gjithë shqiptarëve, bekimin e Zotit dhe shpresë e besim për një të nesërme më të mirë, duke u treguar i kujdesshëm me shmangien e mesazheve të mirëfillta politike.  “Gëzuar Pashkët! Zoti i bekoftë shqiptarët me paqe, me harmoni, me dashuri dhe shpresë të rilindur dhe të ripërtërirë në zemrat e tyre, familjet e tyre dhe mbarë vendin tonë e kudo ku janë shqiptarët. Gëzuar”, ishte mesazhi i urimit nga Basha. Lideri i opozitës gjithashtu u paraqit në “çadrën e lirisë” siç ka ndodhur përherë në këto 58 ditë të qëndresë opozitare, nga ku e nisi fjalën e tij duke uruar festën e Pashkëve për besimtarët e krishterë dhe siç u shpreh ai për gjithë vëllezërit dhe motrat e krishtera anembanë Shqipërisë e shqiptarët kudo ku ata janë. Basha theksoi se kjo ditë e shpresës pasqyron një pikënisje për një të ardhme më të mirë e më të frytshme për shoqërinë e kombin tonë. “Ndaj t’u uroj nga zemra, çdo besimtari të krishterë Gerzuar Pashkët. Besimtarët e Krishtit por edhe besimtarët e Zotit anembanë vendit tonë e dinë se kjo ditë përfaqëson ringjalljen e shpresës e cila është burimi i energjisë dhe i të mirave që njerëzimi ka krijuar ndër shekuj. Shpresa e individit, shpresa e fëmijës për prindin dhe e prindit për fëmijën, shpresa për familjet tona, për shoqërinë tonë, për kombin tonë, për të ardhmen tonë”, tha Basha. Ai hoqi një paralelizëm midis “çadrës së lirisë” dhe Ditës së Pashkës, teksa theksoi se të dyja simbolizojnë shpresën për një Shqipëri më të mirë që do t’i përkasë vetëm qytetarëve shqiptarë. “Ndaj për këdo që sot bashkohet në këtë festë me besimtarët e krishterë dua të them se këtu në këtë çadër, në këtë shesh të lirisë, tash 60 ditë, është ditë Pashkësh, dhe do të vazhdojë të jetë ditë Pashkësh, sepse ditë për ditë e natë për natë këtu ngjallet e rilind shpresa për një Shqipëri më të mirë. Për një Shqipëri të qytetarëve shqiptarë. Për një Shqipëri, resurset pasuritë e së cilës janë në dispozicion vetëm të qytetarëve shqiptarë. Kjo është një shpresë e madhe, një ideal i madh. Një kauzë e madhe për të cilën jemi  bashkuar dhe për të cilën jemi të vendosur të qëndrojmë deri në fitoren totale të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh lideri i opozitës. Duke iu drejtuar deklaratave të pa precedenta të kryeministrit Edi Rama, Basha tha se ai që edhe në Ditën e Pashkës i fryn tamtameve të luftës, duhet të mësojë se paqja po zbret dhe do të zbresë në zemrën e çdo shqiptari. Kreu i PD-së nënvizoi se paqja, bashkimi, vendosmëria dhe e mira do të pushtojnë zemrat, familjet, sheshet e qyteteve dhe të fshatrave e të gjithë vendin tonë.

“Avancimi i të mirës që ka nisur i kaq shumë qytetarëve, është i pandalshëm, ndaj pa dashur të flas për anën  e errët, sepse sot është dita të flasësh vetëm për anën e dritës, për shpresën, për paqen, më lejoni ta përfundoj këtë urim për të gjithë ju, misionarë të paqes, misionarë të shpresës, misionarë të fitores për çdo shqiptar e çdo shqiptare të ndershme.

Gëzuar Pashkën! Zoti e bekoftë Shqipërinë!Zoti i bekoftë shqiptarët!”, deklaroi Basha.

Berisha: Të gëzojmë së bashku ditën e shpresës, besimit dhe mirësisë së njeriut/Ish-kryeministri Sali Berisha zgjodhi të uronte besimtarët e krishterë dhe të gjithë shqiptarët në festën e Pashkëve nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social Facebook. “Gëzuar Pashkën, ditën e shenjtë të ringjalljes së Hyjit, Krishtit mbret, pavdeksisë dhe, së bashku me të, të shpresës, besimit dhe mirësisë së njeriut. Pashkët e tjera edhe më mirë t’i kremtojmë! Gëzuar! Sb”, uron ish-kryeministri Berisha.

Meta: Dialogu dhe bashkëpunimi janë themelet e shpresës për një të nesërme më të mirë/Kreu i Kuvendit Ilir Meta përcolli urimet e tij për besimtarët e krishterë me rastin e festës së Pashkëve nga ambientet e Katedrales Ortodokse “Ngjalla e Krishtit”.  Kryeparlamentari Meta në prononcimin e tij për mediat uroi besimtarët e krishterë dhe gjithë qytetarët shqiptarë për një të nesërme më të mirë, duke sjellë në vëmendje një mesazh domethënës të Papa Françeskut. “Kjo festë nisi dje me një mesazh të Papa Frençeskut për të ripërtërirë edhe dialogun për të rritur kapacitetet për të dialoguar. Sepse dialogu, bashkëpunimi, janë themelet e një shprese për një të nesërme më të mirë. Dhe kështu shpresojmë që këto Pashkë të sivjetshme të na ndihmojnë për këtë gjë që të kemi një të nesërme më të mirë”, u shpreh Meta.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>