Basha në ditën Ndërkombëtare të Gruas: Sot ka nëna shqiptare që nuk kanë me se të ushqejnë fëmijët

Ditën ndërkombëtare të Gruas, kryetari i PD-së Lulzim Basha ia kushtoi grave pa ndihmë ekonomike. Në një reagim në media, kreu Basha përmendi gratë e përjashtuara nga skema e ndihmës ekonomike që nuk kanë me se të ushqejnë fëmijët e tyre tashmë. Kreu i PD thekson se çdo dhimbje e tyre është motiv që të bëj gjithçka për ta ndryshuar këtë realitet

-Ish kryeministri Berisha uron: Gëzuar festën e 8 Marsit

-Kryemadhi u drejtohet grave: Festoni si të doni e mos u trishtoni nëse kanë harruar t’ju urojnë

 

Ditën ndërkombëtare të gruas, kryetari i PD-së Lulzim Basha ia kushtoi grave pa ndihmë ekonomike. Në një reagim në media, kreu Basha përmendi gratë e përjashtuara nga skema e ndihmës ekonomike që nuk kanë me se të ushqejnë fëmijët e tyre tashmë. Kreu i PD thekson se çdo dhimbje e tyre është motiv që të bëj gjithçka për ta ndryshuar këtë realitet. “Në ditën ndërkombëtare të gruas dua t’u uroj të gjitha vajzave dhe grave sa më shumë suksese dhe lumturi për veten e tyre dhe fëmijët. Sot disa prej grave dhe vajzave janë kënaqur me një lule, disa të tjera janë ngritur në protestë për më shumë të drejta. Ka gra që i kanë folur publikut nga konferenca luksoze, por ka shumë edhe nga ato gra që janë pa asnjë ndihmë. Sot me mendje jam me të gjitha nënat që nuk kanë me çfarë ushqejnë fëmijët e tyre. Jam me Marijen në Kamëz, kryefamiljare e përjashtuar nga ndihma ekonomike, që mban frymën gjallë me gjysmë thesi miell. Jam me Mirelën, nënën e Maristelës në Vorë, që nuk kishte më para për të blerë ilaçet për vajzën e sëmurë rëndë me azëm, sepse i kishin hequr të drejtën e ndihmës ekonomike. Jam me Dritën në Kavajë, që kishte çuar të dy fëmijët pa ngrënë në shkollë, sepse emri i saj nuk ishte më në listën e ndihmës ekonomike.  Sot jam me Valentinën në Obot të Shkodrës, e cila, përveç heqjes nga ndihma ekonomike, tani vuan edhe përmbytjen e shtëpisë. Në mendje sot kam edhe Anitën nga Tirana, nënën që rri në radhë tek spitali onkologjik, por jo gjithmonë merr kurën e duhur, sepse ilaçet mungojnë.  Në mendje kam çdo nënë dhe grua që nuk ia del dot të mbyllë muajin, çdo grua që dhunohet, çdo grua që fle dhe zgjohet me brengën për fëmijën e paushqyer! Çdo dhimbje e tyre është motiv për mua që të bëj gjithçka për ta ndryshuar këtë realitet!

Ish kryeministri Berisha uron: Gëzuar festën e 8 Marsit/ “Gëzuar festën e 8 Marsit!Nënave, grave, motrave, vajzave shqiptare me respektin më të madh, mirënjohjen më të thellë ju urojmë nga zemra gëzuar 8 Marsin!”. Kështu shkruan në emër edhe të bashkëshortes së tij, ish-kryeministri Sali Berisha në “Facebook”.

Kryemadhi u drejtohet grave: Festoni si të doni e mos u trishtoni nëse kanë harruar t’ju urojnë/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u ka drejtuar një mesazh grave shqiptare ditën e 8 Marsit. Në mesazhin e saj Kryemadhi teksa uron të gjitha nënat dhe gratë e ka edhe një thirrje  ndërsa thotë që të mos bëhen fasadë e politikanëve, por revoltohuni përballë tyre. “Gëzuar 8 marsin nëna, gra, motra dhe vajza të dashura! Qofshi të lumtura e të gëzuara çdo dite të vitit, sepse e meritoni. Festoni sot si të doni e mundni, askush nuk mund t’ju gjykojë nëse keni vendosur të shkoni për drekë a darkë, të këndoni a vallëzoni, apo dhe të protestoni. Sepse është e drejta juaj të zgjidhni , jo vetëm në 8 mars, por për çdo ditë të vitit çfarë është më e mira për ju dhe familjet tuaja. Mos u bëni fasadë e politikanëve në një ditë si kjo, por revoltohuni përballë tyre sepse të gjithë duhet të bëjnë më shumë për ju. Mos u trishtoni nëse bashkëshortët kanë harruar t’ju urojnë sepse janë ata që kanë më shumë nevojë për ju dhe qortimet ndoshta do ti bëjnë të kujtojnë se jeni shtylla e familjes. Gëzojini urimet e fëmijëve, sepse ata do të bëhen më të mirë falë kujdesit tuaj! Qoftë dita e sotme festë dhe protestë për një jetë më të qetë, të sigurt dhe të lumtur për ju! Gëzuar dhe ti mami im sot, sado të mundem nuk të falenderoj dot për kujdesin dhe mirësinë që më ke falur, për sakrificat që ende vazhdon të bësh për ne, fëmijët e tu. 8 marsi më kujton që këtë falenderim duhet ta bëj çdo ditë për ty!

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>