Basha: Nesër nis Lëvizja, do të jetë bashkimi më i madh qytetar i parë ndonjëherë

bashaa

Lideri i PD në kryeqytet, takon qytetarët dhe sipërmarrësit, siguron mbështetje për protestën

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një takim me qytetarë dhe sipërmarrës të vegjël të njësisë 4 në Tiranë. Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook Basha ka pasqyruar takimin duke theksuar se të gjithë qytetarët duan ndryshimin. Basha shprehet se bashkimi qytetar i së shtunës ka trembur qeverinë e inkriminuar, por është ilaçi që do të zgjojë shpresat e shqiptarëve. “Ata që i frynë tamtameve të frikës, janë ata që kanë frikë nga bashkimi qytetar, nga bashkimi popullor. Është ilaçi i vetëm i popujve të qytetëruar. Është ilaçi i vetëm për demokracinë e grabitur për ëndrrat e nëpërkëmbura, për shpresat dhe mundësinë që kanë vrarë çdo qytetar e veçanti për rininë shqiptare. #NgrihemiBashkë më #18Shkurt”, shkruan Basha në Facebook. Ndërkohë gjatë takimit lideri i opozitës ka deklaruar se qeveritarët janë bërë milionerë brenda tre viteve me paratë e taksapaguesve shqiptarë, por nuk kanë plotësuar asnjë premtim me të cilin morën votën. Duke nënvizuar faktin se Shqipëria është në  një gjendje kolapsi, Basha ka akuzuar qeverinë se nuk ka mbajtur premtimet për 300 mijë vendet e punës, shëndetësinë falas dhe refoRmën në arsim. Ftesën për bashkimin e të gjithë shqiptarëve më 18 shkurt, krye demokrati Basha e ka shpjeguar si nevojë për një protestë paqësore dhe demokratike, që do të vendosë realizimin e objektivit të qytetarëve shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas tij vetëm një lëvizje e tillë mund t’ia kthejë qeverisjen qytetarëve shqiptarë dhe të largojë oligarkinë e inkriminuar.“Ajo që shoh kudo është një vendosmëri e madhe për të mos lejuar këtë të keqe të mos ndodhë më. Ditën e shtunë shqiptarët do kenë një shans të jashtëzakonshëm të mos jenë vetëm, por të bëhemi të gjithë bashkë, do jetë bashkimi më i madh që shqiptarët kanë bërë në 26 vite përtej ndasive politike, një bashkim jo thjesht në përgjigje të opozitës por hallleve që kanë kapluar vendin. U premtoj qytetarëve në emër të PD që këtë bashkim qytetar, më të madhin ndonjëherë që do të ndodhë të shtunën në 12 këtu në Tiranë unë e marr si shenjë përgjegjësie dhe së bashku me këtë bashkim të madh popullor të shtunën do marrim një vendim shumë të madh për të nesërmen e çdo shqiptari. Askush nuk duhet të ketë frikë të bashkohet me ne. Ata që i fryjnë tam-tameve të frikës janë ata që kanë frikë nga bashkimi i qytetarëve, bashkimi popullor është ilaçi i vetëm i popujve të qytetëruar”, u shpreh kreu i opozitës.

Lulzim Basha merr pjesë në përkujtimin e 72 vjetorit të qëndresës antikomuniste të Kelmendit:Themelin e shqiptarisë së këtyre trojeve e zbresim në Tiranë më 18 shkurt për të ndalur tiraninë/ Në përkujtimin e 72 vjetorit të qëndresës antikomuniste të Kelmendit, që është zhvilluar një ditë më parë ka marrë pjesë edhe Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook ka deklaruar se është përkulur me respekt para heroizmit të bijve të Kelmendit, të cilët i thanë jo komunizmit të dhunshëm. Sipas Bashës është nder vlerësimi ndaj kësaj krahine, popullit të saj krenar pasi asaj iu lëshua me barbari forca nënshtruese e komunizmit. Basha shkruan se banorët e këtij vendi janë përbëjnë themelin e vlerave të shqiptarisë, sepse kanë derdhur gjak për të ruajtur flamurin kombëtar, vatrën, nderin dhe dinjitetin. “Vullneti i shkruar me gjakun e heronjve të Kelmendit është sot një vullnet mbarëpopullor. Një vullnet mbarëpopullor për të ruajtur themelin e demokracisë, votën e lirë dhe të ndershme, zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, thuhet në postimin e Bashës. Duke ftuar banorët e atjeshëm për pjesëmarrje masive në protestën e 18 shkurtit, Basha u shpreh se atdhetaria fillon me të drejtën elementare të demokracisë, që është e drejta për të zgjedhur i lirë.“Ta harrojë klika në pushtet se do t’i ulë kokën Kelmendit, Malësisë dhe Shqipërisë. Më 18 shkurt ju ftoj të gjithëve vëllezër e motra që themelin e shqiptarisë, e lirë që përfaqësojnë këto troje dhe kjo kujtesë historike ta zbresim së bashku në zemër të Tiranës. Bashkë kundër tiranisë dhe padrejtësisë. Ju jap fjalën që këtu nga ky vend, ku jemi sot për të kujtuar sakrificën sublime për liri do të kthehem si kryeministër i Shqipërisë”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha merr pjesë në mbledhjen e FRPD, jep porositë e fundit për protestën e 18 shkurtit/ Kreu i FRPD, Këlliçi: Më 18 shkurt të gjithë në shesh për të vendosur të ardhmen e Shqipërisë/ Këshilli Kombëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një mbledhje në lidhje me organizimin për protestën e 18 shkurtit kundër qeverisë Rama, ku  ishte i pranishëm edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha. Në këtë mbledhje Kreu i FRPD, Belind Këlliçi ka theksuar se të rinjtë demokratë janë gati të prijnë këtë lëvizje kundër papunësisë dhe padrejtësive në vend. Këlliçi nëpërmjet një postimi në Facebook konfirmon vullnetin e të rinjve të FRPD-së për t’u kthyer në zërin e protestës së të shtunës dhe fton të gjithë qytetarët për pjesëmarrje në masive në shesh, sepse 18 shkurti është dita kur vendosaet për të ardhmen e gjithsecilit.“Porositë e fundit nga Kryetari Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të FRPD. Ne jemi gati t’i prijmë kësaj lëvizje pa kthim, kundër mashtrimit, kundër papunësisë, kundër padrejtësisë siç ndodhi me ligjin e arsimit të lartë, kundër varfërisë, kundër inkriminimit të pushtetit dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Atë që rinia fitoi 26 vite më parë, ne nuk do ta lejojmë të dhunohet sot. Më 18 shkurt FRPD do të jetë aty. Eja dhe ti, bashkë do të vendosim të sotmen dhe të ardhmen tonë”, ka shkruar në Facebook kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>