Basha: Nisim protestat, si përgjigje ndaj interesit kombëtar për largimin e Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur në një takim në selinë blu aleatët parlamentarë për të vendosur piketat për aksionin intensiv opozitar që do të mbahet gjatë këtë muaji. Kreu i PD theksoi pas konsultimit, se qëllimi i aksionit opozitar është bashkimi i shqiptarëve në një aleancë vlerash për të bërë të mundur largimin e Ramës. Basha për gazetarët tha gjithashtu se marrëdhënien e opozitës me Parlamentin do ta kenë të kushtëzuar me interesin publik dhe me aktin e rëndë e të pafalshëm që është dhunimi i Kushtetutës

 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur në një takim në selinë blu aleatët parlamentarë për të vendosur piketat për aksionin intensiv opozitar që do të mbahen gjatë këtë muaji. Takimi midis Bashës dhe aleatëve nisi rreth orës 10:00 dhe zgjati për gati një orë e 30 minuta, ndërsa në përfundim të takimit kreu i PD theksoi se qëllimi i aksionit opozitar është bashkimi i shqiptarëve në një aleancë vlerash për të bërë të mundur largimin e Ramës. Basha për gazetarët tha gjithashtu se marrëdhënien e opozitës me Parlamentin do ta kenë të kushtëzuar me interesin publik dhe me aktin e rëndë e të pafalshëm që është dhunimi i Kushtetutës. “Së pari, dua t’ju uroj të gjithë punonjësve të medias dhe bashkëqytetarëve që na ndjekin që ky të jetë një vit i kurajës dhe përballjes me të keqen dhe i fitores mbi të keqen. Ky është edhe motivi që mban bashkë koalicionin opozitar dhe që udhëheq edhe aksionin që kemi nisur që në fund të vitit të kaluar, aksion i cili do të intensifikohet. Sot në diskutim me aleatët e koalicionit opozitar, kemi vënë piketat për këtë kalendar veprimesh, i cili do të shtrihet dhe do të përqafojë të gjithë shtresat e shoqërisë. Duke iu bërë thirrje të gjithë zëdhënësve të opinionit qytetar, intelektualëve, medias, profesionistëve t’i bashkohen këtij sezoni të protestës qytetare për t’u përballur me krimin të bërë njësh me politikën, me paligjshmërinë, që janë faktorët kryesorë të mjerimit ekonomik, të krizës ekonomike dhe krizës shpirtërore dhe psikologjike që ka kapluar vendin. Opozita e ka marrë këtë angazhim në një kohë kur 300 mijë shqiptarë nuk sigurojnë dot bukën e gojës, ku 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e ujit dhe të dritës dhe krimi i veshur me pushtet, pushteti i bërë njësh me krimin me figurën e Edi Ramës, bëhet gati të fillojë aksionin për ujin. Kjo është arsyeja që po zbrazen burgjet nga kriminelët, po largohen kriminelët, trafikantët e drogës nga qelitë e burgjeve që t’i bëjnë gati qelitë për qytetarët që nuk paguajnë dot faturat e ujit. Kjo është t’i shpallësh luftë popullit për hesap të krimit dhe kriminelëve. Të shpëtosh trafikantët e drogës nga një drejtësi e nëpërkëmbur dhe e kapur politikisht duke shkelur Kushtetutën, siç ndodhi më 18 dhjetor, vetëm e vetëm që të ushtrosh terror mbi popullin. Ndaj ne kemi marrë përsipër gjithë përgjegjësinë tonë. Kemi diskutuar në detaje për një aksion intensiv dhe kompleks opozitar. Natyrisht kemi diskutuar edhe për sezonin e protestave dhe me protestën e parë, që do të nisë brenda këtij muaji”, tha Basha.

Ka një datë z.Basha?

Konsultimin me aleatët opozitarë e kemi bërë sot, kam marrë mendimin e tyre dhe vendimin do ta marr së bashku me drejtuesit e Partisë Demokratike ditën e nesërme dhe do ta bëj publik ditën e nesërme.

  1. Basha a do të jetë Partia Demokratike në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe çfarë qëndrimi do të keni? Reforma Zgjedhore është një interes themelor i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Jemi këtu sepse janë vjedhur zgjedhjet, janë vjedhur zgjedhjet që t’u vidhet liria, t’u vidhet ekonomia, t’u vidhen pensionet, t’u vidhet shëndetësia, t’u vidhet e ardhmja shqiptarëve dhe fëmijëve të shqiptarëve. Prandaj opozita mbetet e vendosur për reformën zgjedhore, për t’iu rikthyer shqiptarëve një sistem të drejtë, europian që të përfaqësojë interesat e njerëzve, të përfaqësojë qytetarët dhe jo interesat e një pakice të bërë njësh me krimin.

A do të merrni pjesë në Parlament?

Parlamenti dhe marrëdhënia e opozitës me Parlamentin do të diktohet tërësisht nga interesi publik.

Në 15 janar a do të jeni në Parlament?

Ne marrëdhënien me Parlamentin do ta kemi të kushtëzuar me interesin publik dhe me aktin e rëndë e të pafalshëm që është dhunimi i Kushtetutës. Një institucion politik, siç është Parlamenti, nuk mund të bëjë akt më të rëndë ndaj qytetarëve, sesa të dhunojë dokumentin me të cilin dhe për të cilin ai ekziston. Është Kushtetuta arsyeja pse ka Parlament dhe jo Parlamenti arsyeja pse ka Kushtetutë.

  1. Basha cili do të jetë fokusi i protestave, çfarë do të kërkoni nëpërmjet këtyre protestave dhe çfarë strategjie do të keni?

Siç ju thashë protestat janë pjesë e një aksioni kompleks opozitar, qëllimi i të cilit është të mobilizojë të gjithë energjitë pozitive të shqiptarëve. Të thërrasë të gjithë shqiptarët në një aleancë vlerash, që përfaqëson ky koalicion opozitar dhe, së bashku me çdo forcë tjetër politike të bëjmë të mundur largimin e shkaktarit dhe arsyes kryesore të zhytjes së Shqipërisë në një krizë politike, ekonomike dhe morale, që është Edi Rama dhe aleanca e tij me krimin.

A mund të kemi një përsëritje të çadrës 2?

Përsëritje nuk do të ketë, do të ketë të reja. Do të jetë një vullnet edhe më të fortë të opozitës dhe jam i sigurt një përgjigje akoma më të madhe popullore. Sepse kjo është rruga e vetme për ta çliruar Shqipërinë nga zgjedha e krimit dhe për t’i dhënë çdo shqiptari e çdo shqiptareje shpresën për të nesërmen.

Të hënën nuk na e sqaruat, do të jetë Partia Demokratike në Parlament apo jo?

Partia Demokratike dhe aleatët  do të marrin vendimet e duhura dhe do t’jua komunikojmë në momentin e duhur.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>