Basha: Nuk do të bëjmë ndarje interesash – s’do ndalemi së shërbyeri njerëzve

425a1903-1349x565

 

Mbahet mbledhja e grupit të ri parlamentar të PD, kreu Basha flet për një Opozitë të fortë. Në legjislaturën e re, Edmond Spaho do jetë kreu i grupit parlamentar, ndërsa Edi Paloka nënkryetar Parlamenti

Mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar, kryetari i PD, Lulzim Basha e nisi me një mesazh të qartë dhe të prerë. Forca politike që ai drejton nuk do të jetë e përfshirë në qeverisje dhe nuk do të ketë ndarje pushtetesh. Kryedemokrati tha se PD do të propozojë zgjidhje ligjore dhe politike në interes të publikut, ndërsa u shpreh se do të luftojnë kundër drogës dhe krimit. Basha paralajmëroi deputetët e rinj të kësaj force politike se i pret një punë jo e lehtë, por ata duhet të ruajnë dinjitetin dhe durimin dhe të mos ndalen së shërbyeri njerëzve dhe së luftuari për të drejtat e tyre. “Dua ta filloj me një mesazh të qartë: qëndrimi ynë është i qartë. Ne jemi opozita dhe do të bëjmë opozitën deri kur shqiptarët të na besojnë me votë drejtimin e vendit. Nuk mund të ketë e nuk do të ketë asnjë ndarje pushteti dhe asnjëlloj përfshirje të PD në qeverisje në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast. Opozita ka një rol të madh në çdo shoqëri demokratike dhe një opozitë e fortë është më shumë se kurrë një domosdoshmëri e madhe për vendin”. Basha renditi tre sfidat kryesore të PD në këto 4 vite opozitë, ndërsa tha se do jetë jo vetëm alternativë politike, por edhe alternativa morale. “Qëllimi i vetëm i yni është ta përmbushim me përkushtim dhe dinjitet këtë mision në interes të njerëzve, në interes të vendit tonë. Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë. Do të përcaktohet nëse Shqipëria do ti rikthehet integrimit europian, demokracisë dhe shtetit ligjor, po do të zhytet në krimin e organizuar në bashkëpunim me elitën e korruptuar të vendit. Ne kemi tre sfida të rëndësishme. Na takon ne PD dhe deputetëve të saj që të bëhemi pengesë që vendi mos rrëshqasë në kaosin e autokracisë dhe kriminalitetit. Droga, krimi, korrupsioni po e vdesin çdo mundësi për zhvillim në Shqipëri dhe po izolojnë vendin. Na takon ne të ndryshojmë politiken dhe ti ofrojmë shqiptarëve alternativën e lirisë dhe demokracisë dhe do të reformojmë dhe modernizojmë PD që do ti paraprijë reformimit të sistemit politik që do fillojë nga sistemi zgjedhor. Na takon ne që të jemi jo vetëm alternativë politike, por edhe alternativa morale”, deklaroi kreu i PD.
Kryedemokrati tha se PD do të propozojë zgjidhje ligjore dhe politike në interes të publikut, ndërsa u shpreh se do të të luftojmë kundër drogës dhe krimit. “Ne do të propozojmë zgjidhjet tona politike dhe ligjore në interes të publikut. Do të informojmë dhe sqarojmë njerëzit mbi problemet reale të vendit. Do të denoncojmë kundër keqqeverisjes dhe korrupsionit, ne do të luftojmë kundër drogës dhe krimit. Mbi të gjitha ne do të jemi alternativa e njerëzve, pranë njerëzve dhe me njerëzit. Shqiptarët janë më të braktisur se kurrë nga elita politike e vendit. Ne duhet jo vetëm ti kthejmë ata në qendër të politikës, por edhe të ngjallim shpresën dhe besimin e tyre te politika si një instrument ndryshimi”.
Kreu i PD paralajmëroi deputetët e rinj të kësaj force politike se i pret një punë jo e lehtë. “Opozita jonë nuk do të jetë e lehtë. Sistemi ynë politik nuk i jep opozitës asnjë pushtet real, ndërkohë qeveria kontrollon të gjitha instrumentat. Madje kontrollon edhe pushtetet jo politike që janë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë, siç janë mediat dhe shoqëria civile. Deputetëve të rinj dua t’i uroj një fillim të mbarë të misionit politik në shërbim të njerëzve: Mirë se vini në botën e ashpër të politikës shqiptare. Do t’ju fyejnë, sulmojnë, do t’ju vënë në dyshim, por ju duhet të ruani dinjitetin dhe durimin dhe mos ndalni së shërbyeri njerëzve dhe së luftuari për të drejtat e tyre. Puna juaj do të shpërblehet me mirënjohjen e njerëzve”.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>