Basha: PD në betejë me mazhorancën fiktive të dalë nga shitblerja e votave 

basha

Lulzim Basha vijon turin e takimeve me demokratët e Tiranës në zonën e Vorës, Kombinatit, Kasharit, Dajtit e Farkës. Ai deklaroi dje se mazhoranca e zgjedhjeve të 25 Qershorit është fiktive dhe reflekton vetëm shitblerjen masive të votës së shqiptarëve dhe si e tillë nuk do mundet dot të qeverisë

 

Lulzim Basha vijon turin e takimeve me demokratët e Tiranës në zonën e Vorës, Kombinatit, Kasharit, Dajtit e Farkës. Kryetari i opozitës tha dje se mazhoranca e zgjedhjeve të 25 Qershorit është fiktive dhe reflekton vetëm shitblerjen masive të votës së shqiptareve dhe si e tillë nuk do mund të qeverisë. “E vetmja forcë politike që nuk u angazhua në këtë proces imoral ishte Partia Demokratike. E vetmja forcë politike që u ofroi një alternativë shqiptarëve ishim ne. Kjo që ka dal nga këto zgjedhje është një mazhorancë fiktive që reflekton vetëm shtrembërimin e votës. Kjo që ka dal nga këto zgjedhje kurrsesi s’mund të jetë një qeveri legjitime dhe nuk ka shansin të qeverisë në mënyrë legjitime dhe të drejtë. Jo vetëm sepse vjen me një defiçit demokratik pa votën e vërtetë të qytetarëve, pa vullnetin e vërtetë të qytetarëve, por se ardhja pa plan e pa vizion po duket që këto orë, ditë e javë të para. E keni parë që s’kanë para të paguajnë rrogat e mësuesve. Ekonomia është në kolaps, këta nuk kanë zgjidhje. Financat publike janë në kolaps, këta nuk kanë zgjidhje”, tha Basha. Ndonëse 18 Maji legjitimoi kauzën e zgjedhjeve të lira, tha Basha, Edi Rama minoi terrenin elektoral me projektin e tij politik për të blerë votën e shqiptare duke përdorur  paratë e drogës, korrupsionin e parave publike dhe bandat. “Përkulem me respektin më të thellë, me mirënjohje time të përjetshme për sakrificën tuaj në Çadrën e Lirisë për 90 ditë e 90 netë me radhë, e cila u dha shqiptarëve jo vetëm kauzë e drejtë për zgjedhje të lira por edhe shpresën për një të nesërme ndryshe. Një raport tjetër midis qeverisë dhe qytetarit. Dhe ky është pikërisht programi i Partisë Demokratike. Ky është programi ynë, një qeveri për qytetarët. Ne e dinim se çfarë gatuhej nga qeveria që erdhi në pushtet me ndihmën e krimit. Droga që mbuloi Shqipërinë ishte dhe është një projekt politik i Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Por siç e dimë fare mirë, ndonëse 18 Maji legjitimoi kauzën tonë të drejtë para çdo shqiptari dhe para komunitetit ndërkombëtar, nuk arriti as ta frenojë dhe as ta shkatërrojë mekanizmin që ishte vënë në lëvizje. Këtë e dini fare mirë ju. E dinë gjithë demokratët, e dinë gjithë qytetarët. E di unë, e di i madh dhe i vogël se me çfarë u përballëm që javën e parë pas kësaj marrëveshje politike. Me një kundërshtar politik që tashmë kishte minuar tërësisht terrenin elektoral, me shpërndarjen masive të parave të pista të drogës dhe përqindjen e tenderave dhe koncensioneve korruptivë, për të detyruar qytetarët të tjetërsojnë vullnetin e tyre apo duke mbledhur kartat e identitetit. Me angazhimin e plotë të makinës shtetërore në favor të partive të pushtetit dhe natyrisht si gjithmonë shoqëruar nga bandat dhe narkotrafikantët. Në këtë terren u zhvilluan fushata dhe zgjedhjet e 25 Qershorit”, tha Basha.

Fushata në PD – Selami: Do të rikthej në identitet vlerat e së djathtës/Në takimet me strukturat e Qarkut të Tiranës, kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Eduard Selami, ka theksuar se platforma e tij synon të rikthejë  të djathtën në  identitet. Partia Demokratike, tha ai, po  shkon nga humbja në humbje, pasi ka braktisur shtyllat kryesore, nga çështja e pronave deri tek të përndjekurit. “Po vazhdojmë të humbasim se kemi braktisur demokratët, kemi braktisur strukturat, kemi braktisur demokracinë, dhe do të rikthehemi më të fuqishëm vetëm kur të vendosim këto themele,  më të forta se i kemi pasur”, tha Selami. Selami, kërkon një analizë të sinqertë, pasi  siç u shpreh ai  asgjë  nuk zgjidhet duke dalë në dritare dhe  gjetur gabimet tek të tjerët. “Është koha për një analizë të sinqertë, dhe ti shikojmë gjerat në sy. Nuk mjafton të shohim ca bën kundërshtari,  kundërshtari atë punë ka. I përkas atij grupi që kur diçka nuk shkon,  gabimin e gjej të vetja. Njerëzit që shikojnë në dritare për të fajësuar të tjerët,  nuk janë ata që ecin përpara dhe kanë  sukses”, tha Selami. Ai thotë se në këto zgjedhje do fitojë modeli bashkëkohor i lidershipit, që sipas tij  fatkeqësisht  Shqipëria nuk e ka. Por si më të rëndësishëm, Selami, sheh që nga ky proces, Partia Demokratike të  dalë e bashkuar  dhe të gjejë rrugën e ri ngritjes. “Unë jam i bindur që në këto zgjedhje do fitojë modeli bashkëkohor i lidershipit që fatkeqësisht Shqipëria e ka humbur. Po kaq ka rendësi që nga ky proces të dalim të bashkuara të ri ngrihemi, kundërshtari nuk është mes nesh”, tha Selami. Garën, Selami e cilëson të pabarabartë, por thotë se është futur me qëllim  për të përmirësuar  dhe për të dhënë eksperiencën e tij për ringritjen e Partisë Demokratike.

Reagimi/PD Korçë: Peticioni kundër zgjedhjeve në parti, një ‘fake news’ i vërtetë/Një peticion me emrat dhe firmat e anëtarëve të Partisë Demokratike në Korçë u publikua një ditë më parë në media. Në peticion kërkohej të “anulohej procedura farsë që ka nisur Lulzim Basha për votimin për kryetar”. Por, dega e Partisë Demokratike në Korçë, bën me dije se janë kontaktuar disa persona që e kanë emrin në peticion, të cilët kanë thënë se nuk kanë djeni për këtë dhe se nuk kanë firmosur asnjë peticion. PD Korçë, njofton se: Duke ju referuar komunikimit të drejtpërdrejtë me anëtare që figurojnë pjese e listës, konfirmon se shume nga këta persona nuk kane idenë më të vogël se emri i tyre ndodhet në ketë liste dhe të tjerë që pranojnë se janë telefonuar, por që nuk kanë lexuar asnjë resht të shkruar. Ka gjithashtu edhe raste kur emri, mbiemri dhe firma nuk korrespondojnë fare, pra një ‘fake news’ i vërtetë! “Zgjedhjet për Kryetar të PDSH-së do të mbahen më 22 Korrik 2017 dhe Kryesia e Degës Korçë, me vendimin e saj të datës 09/07/2017, mori përsipër përgjegjësinë e organizimit të këtyre zgjedhjeve në rajonin tonë duke përcaktuar vendin e votimit si dhe komisionin zgjedhor. Vendimi i Kryesisë së Degës u mor në përputhje të plotë me Udhëzimin nr 1 dt 4 Korrik 2017, Udhëzimit nr 2 datë 7 Korrik 2017 dhe Shkresës nr 61 datë 07 Korrik 2017 të PDSH-se”, sqaron PD e Korçës.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>