Basha: Qeveria ka rënë, gati paketa ekonomike për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza

basha

Kreu i Opozitës: Të votohet projektligji për hetimin ndërkombëtar të aferave korruptive me CEZ, si pjesë e dekriminalizimit

 

 

Deklarata/“Qeveria Rama-Meta nuk ekziston më. Pushteti është në ditën me të keqe. Ligji ka vdekur. Sundon arbitrariteti. Njerëzit janë lënë vetëm për sa i përket mbrojtjes së qeverisë dhe institucioneve që duhet të garantojnë liritë dhe të drejtat e individit. Por janë nën thundrën e përditshme të kërbaçit dhe lakut në fyt si të vetmet instrumente që ka vërtitur e vërtisin mbi kokat e shqiptarëve kjo qeveri e dështuar në çdo rrafsh

 

Kreu i Opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar se mega skandali me aferën e CEZ-it ka përgjegjës qeverinë tashmë të rënë Rama-Meta. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, kreu demokrat u shpreh për një hetim ndërkombëtar të çështjes CEZ, ndërsa bëri përgjegjës Ramën për faljen e 600 milion eurove çekëve, kur vendi në arbitrazh do kishte fituar dy miliardë. Kreu i të djathtëve ndërsa flet për hetim ndërkombëtar, thotë se opozita nuk do të ndalet pavarësisht diversioneve mes Ramës e Metës në aferën me CEZ – in dhe DIA -n. Për kreun e Kuvendit u kërkua sërish dorëheqja. Basha foli për konsensus sa i takon reformës në Drejtësi dhe çështjes së dekriminalizimit, por shton se opozita nuk do të bëj asnjë lëshim nëse preket Kushtetuta. Krye demokrati Basha njoftoi se opozita është duke punuar për një paketë shpëtimi që do të nxjerrë vendin nga kriza dhe kolapsi ekonomik ku është zhytur vendi, ndërsa lajmëroi se kjo paketë shpëtimi pritet të diskutohet me grupet e interesit. Për kreun demokrat, vjedhja e shekullit me 600 milionë euro është një pazar i ndyrë, një korrupsion i padëgjuar i ndonjë qeverie me pasuritë e popullit të vet.“Megaskandali i vjedhjeve, shpërdorimeve, abuzimeve dhe korrupsionit kolosal në një prej pasurive më të mëdha kombëtare, atë të energjisë elektrike i cili ka tronditur këto ditë mbarë qytetarët shqiptarë ka vulosur rënien de-fakto të qeverisë Rama-Meta, të cilës për shkak të dështimeve, mashtrimeve dhe skandaleve të njëpasnjëshme i kishte ardhur fundi edhe pa të. 600 milionë euro të thata është shuma që Shqipëria, qytetarët shqiptarë, i madh dhe i vogël, u kanë paguar skemave të zhvatjes dhe ryshfeteve në një anë, dhe marrëveshjes kriminale të qeverisë Rama-Meta me kompaninë CEZ nga ana tjetër. Kjo është vjedhja e shekullit, ky është pazari i ndyrë, ky është korrupsioni i padëgjuar i ndonjë qeverie me pasuritë e popullit të vet. E kemi thënë, e kemi denoncuar me zë të lartë përpara seancës parlamentare famëkeqe të 31 korrikut 2014, kur shumica e kartonave anonimë e shurdhmemecë apo me rekorde kriminale votuan marrëveshjen që kish për qëllim t’i vinte kapakun, aferës së mega korrupsionit që kishte bërë bashkë hijenat e njohura e të panjohura të kësaj pasurie publike”, tha Basha. Më tej, kreu Basha u shpreh se qeveria Rama-Meta i fali, ia fali CEZ-it në tavolinë, i fali si mall skarco, gjatë të ashtuquajturave bisedime “shumë të suksesshme”, siç njoftoi asokohe ministri i Ramës. “Shqiptarët duhet ta dinë se qeveria shqiptare mori përsipër në marrëveshjen e turpit me CEZ edhe vlerën 135 milionë Euro, të padisë që kishte ngritur DIA kundër CEZ. Shqiptarët duhet ta dinë se pas një pune të gjatë dhe voluminoze, ku ishin mbledhur mijëra dokumente dhe prova, avokati ndërkombetar i Shqipërisë dhe institucione financiare me rëndësi botërore që ndiqnin procesin, këshilluan se qeveria shqiptare i kishte të gjitha letrat në rregull për të fituar 2 miliard euro në arbitrazhin kundër CEZ. Opozita i ka akuzuar dhe i akuzon, unë si kryetar i PD-së i kam akuzuar dhe i akuzoj dyshen Rama-Meta, ideuesit dhe autorët e kësaj marrëveshje si dëmtues të interesit publik, si shpërdorues dhe humbës të të paktën 600 milion eurove, pasuri e qytetarëve shqiptarë, si bashkndarës plaçke dhe hajdutë të kësaj shume kolosale. Ka njerëz që mendojnë se marrëveshja kriminale e 31 korrikut 2014 me CEZ dhe skandali i pagesave fiktive dhe ryshfeteve CEZ-DIA që ka plasur këto ditë janë dy gjera të ndryshme. Të ndryshme janë padyshim. Por ato janë të lidhura dhe pjesë e një skandali të vetëm”, deklaroi Lulzim Basha. Basha thekson se pikërisht për shkak të këtyre akuzave të rënda, ne kemi kërkuar dhe kërkojmë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe që ky të vihet në dispozicion të hetimit si një deputet i zakonshëm. Sipas Bashës, “Opozita jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund, me gjithë çfarë varet nga ne, zbardhjes së mega skandalit dhe rekuperimit maksimal të dëmit që i është shkaktuar financave të vendit, financave të qytetarëve. Njëherësh me kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, kemi paditur në Gjykatën Kushtetuese klauzolën që ndalon hetimin për aferat e CEZ dhe ortakëve e bashkëpunëtorëve të saj; kemi dorëzuar dje në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për hetimin ndërkombëtar të akuzave nën autoritetin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë; kemi kërkuar dhe kërkojmë zbardhjen nga prokuroria të të gjitha padive që qeveria Berisha ka depozituar në organin e akuzës kundër ish-zyrtarëve të lartë të CEZ dhe firmave të kontraktuara apo të sajuara nga CEZ për mbledhjen e borxheve të këqija”. Kreu demokrat tha se kërkojmë nga Kuvendi një votë konsensuale për projektligjin tonë të hetimit ndërkombëtar, presim nga Prokuroria veprime të shpejta, profesionale dhe kurajoze për hetimin dhe çuarjen para drejtësisë të personave përgjegjës. Ne i garantojmë mbështetjen tonë të plotë.As gjë nuk na ndal në këtë betejë. As diversioni i trashë, as diversioni i hollë, as manovrat e trasha, as manovrat e holla të Ramës dhe Metës”. Sipas Bashës,”Gjithë Shqipëria flet, gjithë Shqipëria zien për skandalin më të madh, vetëm Rama nuk flet, vetëm Rama bën sikur nuk kupton për kë e kanë fjalën avokatët e qeverisë së tij. Nga njëra anë nuk përgënjeshtron asgjë, bilez duket i kënaqur që ndokush e tregon si njeriun që qëndron prapa evidentimit të ryshfetit që ka dhënë DIA. Nga ana tjetër, nuk bën detyrën elementare të kryeministrit: të dalë në skenë, të kërkojë hetim të plotë të akzuave, kombëtar e ndërkombëtar. Edi Rama sillet sikur nuk është kryeministër. Nuk është rasti i parë, nuk është skandali i parë. Ai ka kohë që ka humbur ndjenjën e detyrës. Është rob i politikës së cicmiceve dhe intrigës. Edhe kur përmasat e skandaleve janë të tilla që kërkojnë përballje, ai fshihet. Më e shumta që bën, hedh gurin e fsheh dorën. Pse e bën këtë? Sepse ka hallin e marrëveshjes kriminale të 31 korrikut. Hedhja e saj në erë do ta qelbte vendin me të panjohurat që përmban. Nuk janë 6 milionë, as 60 milionë, por 600 milionë Euro. Ankthi i daljes në shesh të të palarave po e ndjek pas kokoshin 200 milionësh në çdo përçapje. Sepse nuk ka shqiptar t’i besojë dënglat e tij dhe zarave apo kopacëve që mbledh andej këndej, se 600 milionë Euro para të thata paskësh qenë gjoba çeke për të mos vënë veton për statusin kandidat. Sipas Bashës,“Qeveria Rama-Meta nuk ekziston më. Pushteti është në ditën me të keqe. Ligji ka vdekur. Sundon arbitrariteti. Njerëzit janë lënë vetëm për sa i përket mbrojtjes së qeverisë dhe institucioneve që duhet të garantojnë liritë dhe të drejtat e individit. Por janë nën thundrën e përditshme të kërbaçit dhe lakut në fyt si të vetmet instrumente që ka vërtitur e vërtisin mbi kokat e shqiptarëve kjo qeveri e dështuar në çdo rrafsh”. Në vazhdim, kryetari i opozitës u shpreh se “Si opozitë kemi qenë, jemi e do të jemi zëri i standardeve më të përparuara të demokracisë perëndimore, kemi qenë, jemi e do të jemi në përballje dhe në luftë të pa kompromis me kriminalizmin dhe korrupsionin në qeverisje dhe kudo, kemi qenë, jemi e do të jemi zëri i të vërtetës që jetojnë qytetarët shqiptarë në familjet e tyre, në punën e tyre, në lagjen, qytetin dhe fshatin e tyre, një realitet krejt tjetër nga ai që vazhdon të paraqesë propaganda e Edi Ramës. Mburren në propagandën e tyre për faturat e energjisë elektrike dhe harrojnë qindra mijëra shqiptarë në errësirë, që nuk paguajnë dot sepse nuk kanë, sepse nuk i rimburson njeri, sepse nuk i llogarit njeri, sepse i kanë hequr nga defteri si njerëz; harrojnë se sot në epokën dixhitale kanë kthyer kandilin për qindra mijëra familje; harrojnë përmendoret e pashpirtësisë së tyre, vetëvrasjet në seri të njerëzve të poshtëruar nga faturat dhe gjobat e papërballueshme të energjisë, harrojnë çmimet e rritura që e kanë shtrënguar ku nuk mban më lakun në qafën e shqiptarëve të thjeshtë. Harrojnë se kanë vjedhur 200 milionë dollarë në dogana e tatime gjatë tetë muajve, harrojnë se kanë kthyer kontrabandën e duhanit dhe naftës si në kohërat më të zeza, harrojnë se kanë çuar në vdekje ekonominë e vendit me taksat e larta dhe me mentalitetin e tatimeve të jashtëzakonshme, harrojnë se kanë mbjellë epideminë e mjerimit anembanë vendit, harrojnë se kanë kthyer eksodin masiv të shqiptarëve, harrojnë se kanë ngritur krimin në sistem. Ata harrojnë, por nuk harrojmë ne për asnjë çast”, tha Lulzim Basha. Më tej, Basha deklaroi se “Ligji i hetimit ndërkombëtar të aferës CEZ doli si si një emergjencë në kushtet e shpërthimit të skandalit më të madh financiar në historinë e vendit, në valën e diskutimeve për projektligjin historik të dekriminalizimit. Ligji i hetimit ndërkombëtar është në funksion të ligjit të dekriminalizimit. Grupi ynë parlamentar do t’i avancojë njërin pas tjetrit duke kërkuar konsensus me shumicën por pa bërë lëshime dhe kompromnise që cenojnë thelbin e këtyre ligjeve. Kemi paraqitur treqind amendamente për reformën në drejtësi, investimi më i madh në vëllim dhe në cilësi që ndonjë opozitë ka paraqitur ndonjëherë. Është e kotë të deklarojmë vullnetin dhe disponimin tonë për një reformë të standardeve më të avancuara demokratike në fushën e drejtësisë. Treqind amendamentet tona flasim vetë. Vizioni ynë është aty. Qeveria mund të konfrontojë vizionin e saj me tonin për të shkuar së bashku drejt një varianti gjithëpërfshirës. Por askush të mos e çojë nëpër mend se me alibine e reformës së nevojshme në drejtësi mund të kapë politikisht drejtësinë për ta çuar prapa, për ta bërë më keq. Askush të mos mendojë se mund të përdorë e shfrytëzojë reformën në drejtësi për të shpërfytyruar balancat kushtetuese, për të risjellë në organet e drejtësisë prokurorë dhe gjyqtarë politikë të lidhur ngushtë me regjimin komunist para vitit 1990 dhe me kupolën e PS-së së Ramës sot”. Basha lajmëroi se opozita ka gati paketën kombtare ekonomike të shpëtimit.“Paketa jonë e shpëtimit ekonomik vjen menjëherë në radhë. Propozime të gjithanshme, e të mirë peshuara për të rindezur motorët e shpresës dhe zhvillimit ekonomik do ti bashka ngjiten qëndrimeve tona të shpallura tashmë për qeverisjen e ardhshme të demokratëve, siç janët taksa e sheshtë 9 përqind dhe ulja e çmimit të energjisë dhe naftës, dy masa këto që do të rikthejnë në xhepat e shqiptarëve mbi 300 milion euro në vit që aktualisht i vjedh mafia, oligarkia dhe dyshja Rama-Meta me gabzerrët e saj të pangopur. Megaskandalet korruptive dhe asfiksimi i ekonomisë, rënia de-fakto e kësaj qeverie kërkojnë nga ne të jemi gati për të thënë e bërë tonën në çdo situatë. Aleanca jonë është me Shqipërinë e vërtetë dhe me ndërgjegjen e shqiptarëve. Premtimi dhe zotimi ynë kongenital është Shqipëria e zhvilluar, moderne dhe perëndimore. Kjo na dikton të ngrihemi në standartin më të lartë të integritetit, kurajos dhe vendosmërisë duke shpërfillur çdo batak-pazar me fundin e kazanit të tranzicionit që është dyshja Rama-Meta”, u shpreh kreu demokrat Lulzim Basha.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>