Basha: “Rama, përgjegjësi kryesor për mos hapjen e negociatave”

basha 2

Progres Raporti/Kreu i Opozitës: “Ka ardhur koha që kësaj qeverie t’i tregojmë vendin, përmes akteve të mosbindjes civile”

 

 

Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se Rama është përgjegjësi kryesor për mos hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në një deklaratë për media, pas takimit që zhvilloi me ambasadoren e BE-së, Vlahutin, kreu demokrat tha se Edi Rama po përpiqet të heq përgjegjësinë nga vetja duke ia kaluar tërë fajin sistemit të gjyqësorit. “Cenimi i votës së lire, korrupsioni galopant, kriminalizimi i qeverisjes janë arsyet e mos hapjes së negociatave për anëtarësim ne BE. Është koha që qeverisë dhe shumicës Rama-Meta ti tregojmë vendin përmes akteve të mosbindjes civile, të vrasjes së frikës dhe të marrjes në dorë të fateve të vendit, si evropianë në mënyrë dhe procese demokratike.

Ambasadorja Vlahutin më dorëzoi raportin vjetor të Komisionit Evropian, raport të cilin e vlerësoj për seriozitetin dhe për besueshmërinë në të cilin trajton shqetësimet e mëdha dhe problemet e thella që po kalon vendi. Raport, i cili në kushte normale duhet të përbëjë planin e punës për çdo qeveri. Për fat të keq, qëndrimi zyrtar i kreut të ekzekutivit tregon se kjo shumicë dhe ky kryeministër, në vend të analizimit me realizëm të problemeve që paraqet raporti për ti hapur rrugë një reflektimi në funksion të korrigjimit të kursit të gabuar politik, i la vend edhe njëherë një shfaqe aspak prej shtetari, një shfaqe bufatorike sulmesh kundër cilido që kishte përpara përfshirë edhe median, dhe një kanosje të mirë kalkuluar për të hequr çdo përgjegjësi nga vetja”, tha Basha. Më tej, ai deklaroi se “Fakti është që përgjegjësia për mos hapjen e negociatave është e atij që më 21 Qershor pamundësoi zgjedhje të vërteta demokratike duke shkatërruar procesin zgjedhor siç demonstroi raporti i ODIHR dhe përsërit raporti i Komisionit Evropian. Përgjegjësia për mos hapjen e negociatave është e njeriut i cili edhe sot e kësaj dite zvarrit pafundësisht konsensusin për ligjin për dekriminalizimin duke u bërë efektivisht përsëri mburojë e njerëzve që vetë promovoi në parlament, në pushtetin vendor, individë me rekorde kriminale, trafikantë të drogës, të prostitucionit, vrasës, të cilët sot në mënyrë të përsëritur i mbron duke mos pranuar marrëveshjen e firmosur një vit më parë me ndihmën e Parlamentit Evropian. Përgjegjësia për mos hapjen e negociatave është e njeriut i cili nga njëra anë ngre gishtin tek alibia e gjyqësorit por nga ana tjetër, siç raporti thotë qartë, refuzon të plotësojë vendet vakante në Gjykatën e Lartë pikërisht se përdor gjyqtarët me mandat të skaduar si masha për një pseudoreformë me qëllim kapjen e drejtësisë. Përgjegjësia është e njeriut , i cili sipas dokumenteve zyrtare të shtetit shqiptar, ka përgjegjësi për 777 milionë euro dëm ekonomik, është përgjegjës për 600 milionë euro të falura përmes një marrëveshje korruptive të CEZ Albanias, është përgjegjës për vjedhjen e 1 milionë dollarëve në ditë nga doganat dhe tatimet e shqiptarëve përmes kontrabandës dhe evazionit fiskal, që janë shtyllat e informalitetit në Shqipëri e për të cilat një grusht oligarkësh pasurohen bashkë me qeveritarët e korruptuar shqiptarë nuk ndëshkohen, ndërkohë që njerëzit e thjeshtë goditen me kërbaç, me arbitraritet, kërcënohen dhe burgosen për një kupon. Përgjegjësia për mos hapjen e negociatave është e një qeverie të korruptuar me një kryeministër të korruptuar, i cili sot e kësaj dite refuzon të largojë nga kabineti i tij ministrin e Shëndetësisë, hajdutin Beqja të kapur me 28 tendera me 11 milion euro, refuzon të largojë Damian Gjiknurin të kallëzuar penalisht për humbjen e 479 miolion eurove, refuzon të largojë Arben Ahmetajn ku vetëm këmba poshtë derës i tregon 300 mijë euro në muaj, pra 10 mijë euro në ditë me tenderin korruptiv të landiflldit të Elbasanit, refuzon të largojë ministrin e vetëm të Brendshëm në Evropë i cili komunikon me bandat e narkotrafikut për ti lajmëruar dhe për ti treguar se nuk është ai pas aksioneve të suksesshme në koordinim me partnerët tanë”. Nuk ka asgjë të përbashkët ëndrra jonë evropiane, aspiratat tona qeveritare të një populli që varfërohet e goditet çdo ditë dhe një qeveri që pasurohet çdo ditë”,tha Basha. Nuk kanë asgjë të përbashkët ëndrra jonë evropiane, aspiratat tona evropiane, me këtë realitet të dhimbshëm të një populli që varfërohet e goditet çdo dite dhe të një qeverie që pasurohet e bëhet çdo ditë e më arrogante. Mos reflektimi i Edi Ramës, edhe pas këtij raporti, nuk është më risi për shqiptarët. Nuk reflekton Edi Rama edhe kur shikon apo kur duhet të shikojë vuajtjet dhe problemet e qytetarëve anembanë vendit, kur flet opozita jo e jo, me median e ka tashmë të gatshme recetën e përbuzjes, e përbaltjes, sulmit dhe akuzave. Ndaj nuk kishte si të reagonte as ndaj këtij raporti të Komisionit Evropian, i cili për fat të keq Shqipërinë e rendit të vetmen në Ballkan me statusin e vendit Kandidat e pa negociata të hapura, sepse është vendi nga i cili shqiptarët largohen masivisht për të kërkuar azil, për të kërkuar shpresë për shkak të arbitraritetit dhe represionit të kësaj qeverie. Ndaj është koha që qeverisë dhe shumicës Rama-Meta ti tregojmë vendin përmes akteve të mosbindjes civile, të vrasjes së frikës dhe të marrjes në dorë të fateve të vendit, si evropianë në mënyrë dhe procese demokratike”, u shpreh kreu demokrat.