Basha-Ramës: Mos shih ëndrra diktatoriale, në të kundërt do të kesh fundin e një diktatori

bas

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bën thirrje Edi Ramës që të mos shoh ëndrra diktatoriale, në të kundërt do të ketë fundin e një diktatori. Nga Çadra e Lirisë, kreu Basha i kërkoi Ramës që të mos abuzojë me qëndresën paqësore të demokratëve, pasi jeta e shqiptarëve nuk është një lojë shahu. Në ditën e 87 të protestës kryetari i PD theksoi se qeveria teknike mbetet e domosdoshme, ndërsa zgjedhje pa opozitën më 18 Qershor nuk do të ketë

Skandali/Rama ofron 15 deputetë që një parti e opozitës të braktiste protestën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bën thirrje Edi Ramës që të mos shoh ëndrra diktatoriale, në të kundërt do të ketë fundin e një diktatori. Nga Çadra e Lirisë, kreu Basha i kërkoi Ramës që të mos abuzojë me qëndresën paqësore të demokratëve, pasi jeta e shqiptarëve nuk është një lojë shahu. Në ditën e 87 të protestës kryetari i PD theksoi se qeveria teknike mbetet e domosdoshme, ndërsa zgjedhje pa opozitën më 18 Qershor nuk do të ketë. “Le t’i themi sot, ta harrojë se do të ketë një Parlament të emëruar nga droga dhe krimi, një Parlament monist dhe gojëmbyllur. Sepse kjo do të thotë edhe më shumë dhunë, edhe më shumë terror edhe më shumë papunësi dhe varfëri mbi qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Ky binom; parlament pa zë, pa opozitë dhe një popull i shtypur, nuk ka për të ndodhur! Parlament të tillë, as nuk ke për të pasur, as nuk ke për të gëzuar, asnjë orë të vetme! Prandaj thirri mendjes kur artikulon ëndrra diktatoriale sepse përndryshe të vjen fundi i diktatorit. Vëllezër e motra, ai, bashkë me shpurën e tij kriminale, e konsideron këtë një lojë shahu, një lojë force. Këto halle, këto probleme që ngreni ju bashkë, 87 ditë e net me radhë, halle që ju mblodhën dy herë në vërshimet më të mëdha popullore, më 18 shkurt, edhe më shumë më 13 maj, këto probleme nuk i sheh Edi Rama dhe kupola e tij politike e republikës së vjetër. Sepse, për ta, pushteti ka vetëm një qëllim, ka vetëm një axhendë, axhendën e pasurimit dhe kontrollit total të vendit nga ana e tyre. Por, kjo nuk është axhenda juaj, ky nuk është interesi juaj. Ky është vetëm interesi i Edi Ramës dhe çetës së korruptuar kriminale në pushtet. Ndaj nuk e sheh të vërtetën, siç refuzon të shohë problemin e krimit dhe të drogës. Për të, gjithçka është një lojë shahu, e tha vetë apo jo?! Unë i kam thënë se është teatër kukullash. Nuk jemi shumë larg, e ka pohuar vetë. E pohoi me ndërgjegjen e tij, e pohoi këtë që kemi thënë. “Kjo është lojë shahu”. Lojë shahu apo teatër kukullash, pak rëndësi ka. Ai ju sheh ju, ai sheh politikanët, ai sheh miqtë tanë ndërkombëtarë, si gurë shahu në lojën e tij të shahut. Sigurisht që jo! Sepse kjo nuk është lojë. Kjo lëvizje, ky bashkim shqiptarësh nuk është lojë. Hallet tuaja nuk janë lojë. Shpresat tuaja nuk janë lojë. Republika e Re që po vjen nuk është lojë”, tha Basha. Më tej, kreu i PD theksoi se për Ramën vetëm  pushteti i tij ka rëndësi. “Shikoni se çfarë bëri me procesin monist dhe farsë që po gatit me 18 qershor. Pasi e futi procesin në kolaps ligjor, listat i ka 24 orë me vonesë dhe nëse ia dalin ata burra dhe gra të Kolegjit Zgjedhor të çlirohen nga dara e presionit qeveritar që ka filluar dhe nga zhaget qe po u tundin, do ta konstatojnë këtë, sepse çdo shqiptar mund të numërojë nga zero deri në 50 apo jo? Nëse jo, faqja e tyre e zezë, por le të shohim. Le të shohim, a do të kenë kurajon dhe integritetin të numërojnë, siç numëron çdo shqiptar nga zero deri në 50 dhe të deklarojnë, siç deklaron çdo shqiptar, çdo fëmijë, se afati ka kaluar dhe 18 qershori është rrëzuar edhe ligjërisht. Tani çfarë po bëjnë? A e patë? U kanë dalë lakrat në shesh. A i patë listat e partive që kishin futur të gjithë fisin? I patë apo jo? Gjithë fisin! Turp i madh! Po ato partitë e tjera që s’ia kishin dalë të fusnin kandidatë as me shkollë të mesme, a i patë? I patë apo jo? Nuk kam asgjë kundër, që përfaqësuesit e popullit nëse janë zëdhënës të vërtetë të popullit, të ketë çfarëdo arsimi që kanë pasur mundësinë të ndjekin, por kjo nuk është arsyeja, sepse në ato lista kishte njerëz me shtatë vjeçare. Nuk janë tribunë të popullit. Se mund të jenë tribunë edhe me shtatë vjeçare e të përfaqësojë njerëzit e popullit, se ne për këtë luftojmë, për republikën e qytetarëve, për republikën e popullit. Po nuk janë të tillë! Janë gurë shehu, në lojën e shahut të Edi Ramës.

Rama edhe partnerët ndërkombëtarë i sheh si gurë shahu/ Kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi se Edi Rama edhe partnerët ndërkombëtarë i sheh si gurë shahu, ndërsa është i përqendruar totalisht tek pushteti i tij. Edhe partnerët ndërkombëtarët që vijnë, i trajton si gurë shahu. Në lojën e tij, sigurisht nuk është fushë shahu tamam, sepse fusha nuk është fushë prej druri, gurët nuk janë prej druri, apo jo? Dhe nuk lëvizen thjesht me dorë, por lëvizen edhe me gjëra të tjera e keni parasysh apo jo? Çfarë është kjo? Zhagia? Edi Rama nuk ka lekë, por ofron 500 mijë euro vetëm për një kryetar partie që ta fusë në zgjedhje. Lekët e kujt janë këto? Tuajat dhe të gjithë shqiptarëve. Janë lekët që kurrë nuk shkojnë tek kryefamiljari këtu, që ka fëmijën 6 muajsh, që ka mbaruar shkollën dhe kualifikimet, por s’ka punë. Ja ku është prej mishi e prej gjaku. Nuk është gur shahu, e si ky ka me qindra e me mijëra në Shqipëri që nuk kanë punë e nuk kanë mundësi për punë sepse narko-republika dhe narko-kryeministri, lekët që hapin vende pune, i ka për vete dhe i përdor me pikatore në lojën e tij të shahut. Ju e njihni shumë mirë këtë realitet. Ju e dini se, ekonomia jonë është shkatërruar nga taksat e larta, nga keqqeverisja, nga pasiguria. Ju e dini fare mirë se motivimi i forcës sonë punëtore dhe konkurrueshmëria e tyre, është më e ulëta në Ballkan për shkak të keqqeverisjes, çmimit të lartë të naftës dhe të energjisë. Ju e dini fare mire, se sa e vështirë është bërë sot të mbash vendin e punës e jo më të gjesh një vend tjetër pune. Sa e vështirë është të marrësh kredi, akoma më e vështirë, të shlyesh kredinë e marrë. Se sa të larta janë çmimet në tërësi e në veçanti çmimet e energjisë dhe të naftës. Të gjitha këto, ju i dini fare mirë, sepse kjo nuk është lojë shahu. Kjo është jeta e përditshme e shqiptarëve të zakonshëm. Ndaj dhe jemi këtu, ndaj dhe jam këtu. Nuk e harrojmë, dhe mos harroni. Nuk është lojë shahu. Mos e merr kaq lehtë Edi Rama, është jeta e miliona shqiptarëve”. Në përfundim, kreu i DP theksoi se nuk ka për të pasur zgjedhje pa opozitën. “Thirri mendjes! Nuk ka për të pasur zgjedhje pa opozitën dhe pa popullin. Nuk ka për të pasur një parlament monist. Mos abuzo me natyrën tonë demokratike, paqësore dhe europiane sepse kur gjithçka të shterohet, shqiptarët dhe unë në krye të tyre, do të ta mësojmë që nuk është lojë shahu. E dini që vetëm në Elbasan, 1/3 e kartave të identitetit i kanë mbledhur. I kanë mbledhur. Mendoni që kështu shkohet në zgjedhje? Mendoni se kështu do ta marshoni Shqipërinë dhe shqiptarët deri në zgjedhje? Gaboheni rëndë. Kjo nuk ka për të ndodhur. Qeveri teknike, që do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, që do të luftojë paktin e drogës dhe parave të drogës në zgjedhjet e ardhshme, që do të garantojë votën e lirë të shqiptarëve, e të pa cenuar. Ne kemi qenë dhe jemi të bashkuar. Ne kemi qenë shumë, dhe sot jemi më shumë. Kemi qenë të fortë e sot jemi akoma më të fortë. Kemi qenë të duruar, por sot jemi më të paduruar. Ose zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose zgjedhje të tjera në Shqipëri nuk do të ketë. Bashkimi i shqiptarëve nuk do të lejojë më kurrë kthimin në monizëm. Ka vetëm një rrugë përpara: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rikthimin e Shqipërisë tek shqiptarët. Republikë e Re”, tha Basha.

Skandali/Rama ofron 15 deputetë që një parti e opozitës të braktiste protestën/Kreu i PD u shpreh se Rama ofroi 15 deputetë për një parti të opozitës të braktiste protestën. “Faqja tjetër, janë ofertat e ndyra që i bëjnë aleatëve tanë për t’u bërë pjesë e procesit. Një partie i ofruan 15 deputetë, dikujt tjetër 10, dikujt tjetër 5, për të lënë dhe braktisur luftën e përbashkët të interesit qytetar të kësaj lëvizje popullore. Kryetarët e partive aleate i thanë JO! I thanë JO! I thanë JO kësaj oferte të ndyrë, për t’i bërë pjesë të lojës së shahut, për arsyen e thjeshtë, sepse njësoj si unë, njësoj si Partia Demokratike, edhe ata janë në këtë betejë krah për krah jush qytetarëve shqiptarë, jo për interesat e tyre politike, por për një Shqipëri të re të qytetarëve shqiptarë, e cila po vjen e do të vijë sepse kjo nuk është lojë shahu por është bashkimi më i madh i shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>