Basha: Situata alarmante, qeveria i ka braktisur banorët në zonat e përmbytura

bashaaa

Partia Demokratike po u qëndron pranë qytetarëve në zonat më problematike të vendit si pasojë e përmbytjeve. Ditën e djeshme, kreu Basha ka vizituar qarkun e Fierit dhe të Vlorës, duke u ndalur fillimisht në Darëzezë, Ferras e më vonë edhe në Novoselë. Kreu i PD theksoi se është emergjente ndihma me ushqime, veshje dhe strehim për zonat e përmbytura. Në fshatin Ferras, banorët iu ankuan kreut të opozitës se nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme nga qeveria

 

Kreu demokrat Lulzim Basha ka vizituar zonat e përmbytura në qarkun e Fierit, duke ndaluar fillimisht në Darzezë. Në këtë fshat lëvizja e banorëve bëhet vetëm përmes varkave, pasi përmbytjet kanë shkatërruar tërësisht rrugën. Basha përgëzoi pjesëtarët e Forcave të Armatosura që po punonin për rivendosjen e lidhjes mes zonës së përmbytur dhe pjesës tjetër të Fierit. Ai u shpreh se është emergjente ndihma me ushqime, veshje dhe strehim për zonat e përmbytura. “Në Darzezë, në Fier, futja në fshat ishte e pamundur. Fshati i përmbytur ishte i izoluar nga shkatërrimi i rrugës. Transporti i banorëve bëhej me varka. Përgëzova ushtarët që po punonin për rivendosjen e lidhjes mes zonës së përmbytur dhe pjesës tjetër të Fierit. Kryebashkiaku Armando Subashi më njohu me masat e marra për shpëtimin e njerëzve. Tani që reshjet treditore janë në minimum, është emergjente ndihma me ushqime, veshje dhe strehim për zonat e përmbytura”, shkruan Basha në një postim në rrjetet sociale. Kryeopozitari Basha falënderoi edhe anëtarët e Forcave të Armatosura, të cilët po punonin për riparimin provizor të rrugës së shkatërruar. Në Ferras, zona më e prekur nga përmbytjet, banorët i thanë kreut të opozitës se janë braktisur plotësisht nga autoritetet qEndrore dhe lokale.

Basha: A ju kanë sjellë ndonjë ndihmë?

Banore: Jam e përmbytur dhe nuk kam asnjë lloj ndihme.

Banor: Kemi nevojë për shumë. S’kemi ujë dhe drita të lahemi. S’kemi as ku të flemë.

Basha: JO ka ardhur njeri t’Ju ndihmojë?

Banore: Jo jo asnjë. Ti je i pari.”

Një banore në Ferras i tregoi Bashës sesa e rëndë është situatë nga mungesa e ujit të pijshëm. “Basha: Duhet të vijnë këtu t’Ju mbështesin me ujë dhe ushqime se u bënë disa ditë në këtë gjendje.

Banore: U bënë 3 ditë kështu. Tani po kullon uji dhe sot u hap rruga që u dhamë diçka fëmijëve”.

Kreu i PD, Basha vizitoi edhe zonën e Novoselës në Vlorë, një tjetër zonë e përmbytur, ku realiteti ishte i njëjtë si në Ferras, braktisje e banorëve nga qeveria.

“Banore: Dritan Leli më tha mua nuk ta solla unë shiun. i kërkova bar për bagëtinë se po më ngordhin matanë. S’ta solla unë shiuN më tha dhe ta ngrije barin se u lajmërua për 3 ditë. Kush ta ngrinte i thashë. Ta ngrinte çupa më tha. i thashë mos më jep mend mua dhe i thashë ik.

Banor: Dalin në televizor me paturpësinë më të madhe dhe thonë kemi sjellë ujë e ju kemi sjellë këtë dhe atë.

Basha: Ju kanë sjellë gjë?

Banori: Deri tani nuk ka ardhur njeri. zero.

Basha: U kanë sjellë ujë apo ushqim?

Banorët: Jo jo fare”

Banorët denoncuan me dokumente edhe mashtrimin e qeverisë me dëmshpërblimet.

“Banor: Kryeministri na tha nga A dhe Zh do dëmshpërblehen të gjithë personat. këtu kemi llogaritë bankare dhe dëmin e vitit 2015 dhe asnjë nuk na ka dëmshpërblyer. Të parat, mbetën ato.  Ndërsa tani nuk na vjen njeri të na shikojë. “

Situata e përmbytjeve/ Presidenti Meta viziton nga afër zonën e Fierit dhe Beratit/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte në Ferras të Fierit për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit. Presidenti Meta, cili shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, u takua me përfaqësues të institucioneve të angazhuara në operacionin për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet. Duke folur për mediat Presidenti Meta falënderoi punën e bërë nga të gjitha autoritetet shtetërore në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e ditëve të fundit. Një falënderim të veçantë Presidenti Meta bëri për mbështetjen e ardhur nga Kosova.“Dua t’ju falënderoj për punën tuaj, të ushtrisë, të prefekturës, të shtabit të emergjencave, jo vetëm këtu në Fier, por kudo, të policisë. Një falënderim të veçantë për forcat speciale të ardhura nga Kosova për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Të gjithë jemi dëshmitarë të kapriçove të natyrës përveç problemeve që edhe ne vetë i kemi krijuar duke nënvlerësuar ligjet e natyrës. Por për fat të mirë eksperiencat e së kaluarës kanë qenë mjaft pozitive për të përballuar këtë proces për të mos pasur humbje të jetës së njerëzve, për të mos pasur as dëme serioze sa i takon gjësë së gjallë, të cilat kanë ndodhur në përmasa të mëdha në të kaluarën, – tha Presidenti. – Megjithatë, çdo përmbytje ka dëmet e saj dhe është e rëndësishme që edhe këto të evidentohen, por dua të shpreh mirënjohjen sidomos për forcat e ushtrisë që kanë bërë operacione të vështira edhe falë këtij angazhimit të tyre të policisë dhe të pushtetit vendor ne kemi një situatë më pozitive, gjë që nuk duhet të na ulë vigjilencën pasi kemi hyrë në kulmin e dimrit dhe përballë kapriçove të kohës duhet të qëndrojmë gjithmonë syhapur për arsye sepse dihen këto eksperienca”.Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore në menaxhimin e kësaj situate. “Janë edhe vende shumë më të zhvilluara se ne të cilat kanë vështirësi në menaxhimin e përmasave të tilla, megjithatë unë besoj se kur koordinohet mirë, kur bashkëpunohet mirë dhe kur komuniteti e vetë banorët bashkëpunojnë me autoritetet dhe me ushtrinë e policinë, situata kalon me dëme më minimale. Kështu që urime të gjithëve për këtë punë të mirë që po bëni dhe që vazhdoni ta bëni”, – theksoi Presidenti Meta. Pasi pa nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet në Qarkun e Fierit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta është ndalur në qytetin e Beratit për të inspektuar zonën e përmbytur në pedonalen e qytetit dhe u takua me Prefektin e Qarkut Berat, Harilla Dafa, ku u njoh me masat e marra për të përballuar emergjencën. Gjithashtu, Presidenti Meta u takua edhe me banorët e prekur nga përmbytjet që janë strehuar në konviktin e shkollës industriale të Beratit. Në një prononcim për median Presidenti i Republikës e vuri theksin te menaxhimi i situatës për t’iu qëndruar pranë banorëve të prekur nga përmbytjet.“Besoj se situata është më mirë se dje aq më tepër edhe këtu në qytetin e Beratit, Osumi është qetësuar në krahasim me një ditë më parë pavarësisht se pasojat ndjehen, ashtu sikurse është rasti i disa banorëve të cilët janë të strehuar dhe janë në kujdesin e bashkisë në një nga konviktet e qytetit apo qoftë për dëmet që mund të kenë pasur banesa apo bizneseve të caktuara. Megjithatë, kjo situatë përveç kujdesit për menaxhimin e dëmeve të deritanishme dhe për të qëndruar pranë banorëve dhe për t’u krijuar atyre kushtet për të vazhduar jetën sa më normalisht kërkon edhe kujdes për të ardhmen sepse jemi në një kohë kur dimri bëhet i vështirë dhe i paparashikueshëm”, – deklaroi Presidenti Meta

Deputeti i LSI, Endrit Braimllari vizitoi banorët e përmbytur në Rrikaj të Kavajës/ Deputeti i LSI, Endrit Braimllari vizitoi banorët e përmbytur në Rrikaj të Kavajës

Braimllari deklaroi se situata është në kushtet e emergjencës. “Humbja e gjësë së gjallë dhe dëmtimi i banesave ka shkatërruar përfundimisht ekonominë e banorëve të kësaj zone pasi e kanë të vetme mënyrë jetese”, tha Braimllari. Ai theksoi se “sot më shumë se kurrë këto banorë kanë nevojë për ndihmën e shtetit. Të gjitha strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjithë vendin janë pranë qytetarëve duke ofruar mbështetjen dhe solidaritetin e tyre”.

           

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>