Basha: Votim monist nuk do të ketë – kryeministri, destabilizuesi kryesor i Shqipërisë

1

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se qëllimi kryesor i Edi Ramës është të diktojë zgjedhjet me paratë e krimit dhe drogës. Në ditën e 80 të rezistencës qytetare, ai u shpreh se gjatë këtyre katër viteve, Rama e ka destabilizuar vendin, pasi u dha pushtet të pakufizuar vetëm miqve dhe klientelës

Deklarata/ Më 13 Maj, me protestën masive të thirrur në Tiranë, bie Republika e Vjetër dhe institucionalizohet Republika e Re

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se qëllimi kryesor i Edi Ramës është të diktojë zgjedhjet me paratë e krimit dhe drogës. Në ditën e 80 të rezistencës qytetare, kreu demokrat u shpreh se gjatë këtyre katër viteve, Rama ka destabilizuar vendin, duke shkatërruar ekonominë, arsimin, shëndetësinë, ndërsa u dha pushtet të pakufizuar vetëm miqve dhe klientelës. Kryeopozitari Basha tha se të shtunën e 13 Majit, me protestën masive të thirrur në Tiranë, bie Republika e Vjetër dhe institucionalizohet “Republika e Re”. “Edi Rama ka disa ditë që flet për destabilizimin e Shqipërisë. Në fakt Edi Rama e destabilizoi Shqipërinë me themele në këto 4 vite. Faktorët kryesorë të destabilizimit të Shqipërisë janë krimi i ngritur në pushtet, në institucione, me deputetë kriminelë, me kryetarë bashkish kriminelë, me kryepolicë kriminelë, me doganierë kriminelë, me tatimorë kriminelë, me drejtorë kriminelë dhe me njeriun që drejton këtë ushtri krimi dhe droge, që është vetë Edi Rama, projektuesi, arkitekti, përfituesi i Shqipërisë së inkriminuar dhe të droguar. Kush i solli kriminelët në Kuvendin e Shqipërisë? Kush i solli kriminelët në krye të bashkive të Shqipërisë? Kush i solli kriminelët në Policinë e Shtetit? Kush i solli kriminelët në krye të institucioneve? Kush i solli eskobarët? I solli kriminelët e mbushi Shqipërinë me drogë, prishi çdo palë zgjedhje që pati në dorë, që nga Korça, e mbani mend apo jo?Dy muaj pasi kishte marrë pushtetin, në një situatë të vështirë për opozitën, kur ne garuam për hir të garës qytetare me një qytetar të jashtëzakonshëm, e mbani mend apo jo, me Sotiraqin?! Vetëm e vetëm për t’i dhënë demokracisë garën e ndershme, realisht dy muaj pas humbjes në nivel kombëtar dhe pas promovimit të ish-kryetarit të bashkisë si zv.kryeministër. Ajo që vlente, ishte beteja. Por jo, Edi Rama nuk u mjaftua, u filmua duke shpërndarë para për vota. Mbani mend 2015-ën si e vonoi ligjin për dekriminalizimin që të çonte Roshin në Kavajë, Tur Bushin në Krujë, Artur Ndojin apo Bardhin, apo si të dojë, se ka nja 7 emra, në Kurbin, kandidatë me rekorde kriminale në Fushë-Arrëz, në Pukë, në Has, Tërmetin e famshëm në Tepelenë. Tërmeti, ai është shoku i Edi Ramës, ta dini, me atë krenohet Edi Rama. Unë kam krenari kur ulem e pi një kafe me Artan Fugën dhe shokët e tij, ky krenohet kur pi kafe me Tërmet Peçin, me Klement Ndonin, edhe me Gjushin, të mos harrojmë Gjushin, poliedrikun e krimit, injorancës dhe korrupsionit. Dhe pas kësaj, kur OSBE/ODIHR i tha se me këto zgjedhje ke shkatërruar besimin e shqiptarëve tek procesi elektoral, çfarë bëri, për t’iu rikthyer besimin shqiptarëve në procesin elektoral? E mbushi Shqipërinë me drogë, ia dorëzoi PS-në e Dibrës kryekriminelëve të Shqipërisë, dhe futi duart edhe në zgjedhjet në Kolonjë. Sepse, Edi Rama ka tmerr nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, prandaj projekti i tij i vetëm politik ishte dhe mbetet, shkatërrimi i zgjedhjeve, diktimi i Parlamentit dhe qeverisë së ardhshme, jo nga vota juaj, por nga krimi dhe droga në pushtet. Ky është plani, ky është projekti, këtë ka bërë 4 vite me radhë. E ka destabilizuar Shqipërinë e ka shkatërruar ekonominë, ka rrënuar shëndetësinë, e ka çuar vite e dekada mbrapa arsimin, ka varfëruar shqiptarët; nga pensionistët që sot blejnë më pak me pensionin e tyre, tek biznesi i vogël që është në pikë të hallit, tek investitorët e mëdhenj shqiptarë apo të huaj që kanë filluar të gjithë njëri pas tjetrit të largohen dhe të mbyllin bizneset e tyre dhe vendet e punës në Shqipëri. Sepse projekti i kriminalizimit të Shqipërisë, projekti i drogimit të fëmijëve shqiptar, është vetë projekti politik i Edi Ramës, që ka qenë në gjendje dhe është në gjendje të bëjë gjithçka për pushtetin dhe pasurinë e tij dhe asgjë për ju qytetarë të këtij vendi, qytetarët sovranë të Shqipërisë”, tha Basha.

Votim monist nuk do të ketë, bëhuni pjesë e konsensusit kundër shtetit të drogës/ Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar se Rama e ka destabilizuar vendin, pasi e ka lënë në dorë të kriminelëve dhe trafikantëve. Kreu demokrat nënvizoi se më të fortë para protestueseve se votim monist më 18 qershor nuk do të ketë, ndërsa e ftoi sërish Ramën që të bëhet pjesë e dialogut për të gjetur zgjidhje në të mirë të vendit. “80 ditë qëndresë janë 80 ditë investim në shpresën e re që ka lindur. Ajo është në sytë, në shpirtrat, në zemrat tuaja dhe të çdo shqiptari të ndershëm. Republika e vjetër ka mbaruar. E reja ka lindur në shpirtrat tuaja dhe me 13 maj nisim marshimin për ta institucionalizuar, për ta bërë realitet ligjor, kushtetues, institucional, qytetar, popullor kombëtar, Republikën e Re të qytetarëve shqiptarë. E dimë fare mire, që bisha e plagosur në fund fare, ulërin më shumë. Krimi dhe droga kanë arsye për të ulëritur, sepse, nëse Republika e Re ka vend për këdo madje edhe për Edi Ramën e penduar, për krimin dhe drogën s’ka vend dhe nuk do të ketë vend. Por Edi Rama dhe çeta e tij politike që në këto katër vite i shërbeu vetëm agjendës së vet politike dhe pasurore, dhe asnjë ditë agjendës tuaj, asnjë ditë halleve dhe probleme të shqiptarëve, asnjë ditë punësimit, arsimit shëndetësisë, ta mendojë mirë hapin tjetër që hedh. Jeni jashtë ligjit, jeni jashtë moralit, jeni jashtë politikës, dhe si të tillë do të trajtoheni nëse nuk tërhiqeni menjëherë. Votim monist në 18 Qershor nuk do të ketë. Votim pa opozitën nuk do të ketë. Parlament të diktuar nga krimi dhe droga, nuk do të ketë. Ne bashkohemi për të nisur në 13 maj, themelimin e Republikës së Re për çdo qytetare e qytetar shqiptar. Ne njohim dhe do të njohim vetëm këtë Republikë të Re. Bëhuni pjesë e konsensusit popullor për të shembur të vjetrën, shtetin e dështuar, të korruptuar e të inkriminuar e për të ndërtuar së bashku Republikën e Re. Bëhuni pjesë e konsensusit, ose përballuni me popullin”.

Deklarata/Ata që u shesin drogë fëmijëve do t’i asgjësojmë/Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar shpërndarësit e kanabis sativës në vend, se në Republikën e Re do të ketë dënime shumë të ashpra ndaj tyre. Gjatë fjalës së tij në Çadrën e Lirisë, Basha i vuri theksin fenomenit negativ të shitjes së drogës nëpër shkolla. Me fjalë të ashpra, Basha kërcënoi shpërndarësit e kanabisit që të heqin dorë nga shitja e drogës nëpër shkolla. “Nuk do të ketë asnjë investim më të rëndësishëm për shqiptarët, sesa shkolla për fëmijët. Nuk do të ketë kurrë me drogë për fëmijët, ndryshe e pret burgu i gjatë dhe i vështirë. I bëj thirrje, kriminelëve që helmojnë fëmijët shqiptarë, hiqni dorë, se e zeza do ju pijë! Do t’i dënojmë njëlloj si ata që i drejtojnë pistoletën policit, edhe ata që i drejtojnë drogën fëmijëve. Do t’ju asgjësojmë”, tha kryetari i opozitës Lulzim Basha.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>