Berisha: Rinasin e vodhi banda qeveritare, po shndërrohemi në protektorat të mafias

berisha

 

Deklarata/Edvini të pranojë konsensusin për reformën në drejtësi, aferat i ka mbi kokë dhe mbi supe, nuk i shpëton dot

 

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka zbardhur dje në Kuvend, disa fakte krejtësisht të reja mbi grabitjen që ndodhi në aeroportin e Rinasit, duke akuzuar qeverinë jo vetëm për mungesën e transparencës, por edhe për lidhje zyrtare me bandën. “Më e neveritshme ishte mungesa e transparencës kur thatë se u vodhën më pak se 1 milionë euro. Por u vodhën më shumë se 30 milionë euro, se bankat atje nuk paguajnë transport për më pak se 20 milionë. Janë 115 kg moendha, janë rrëmbyer 85 kg, të paktën 20 milionë euro. Kjo nuk është vepër e një bande ordinaresh, por e një bande zyrtare qeveritare.”

Berisha e nisi fjalën në Kuvend duke thënë se ndien “një keqardhje të madhe për hilen që ka bërë mazhoranca e që me vellon e turpit që ka bërë, nuk mund të ulej këtu. Një mazhorancë unike në kohë, është e dominuar në çdo qelizë nga krimi i organizuar.”

Me këtë rast dua t’i garantoj se ulen si këtu si një maxhorancë unike në botë, e dominuar në çdo qelizë nga krimi i organizuar. Pse ndodh, pse çdo javë kemi të paktën një ngjarje madhore të krimit? Sepse kreu juaj është kaput meduze, është kreu i meduzës së krimit. Pse ndodh çdo javë një apo dy ngjarje të mëdha krimi? Sepse kreu juaj e ka shndërruar Shqipërinë në protektoratin e krimit. Sepse kriminelët, trafikantët, vrasësit ndjehen zotër të territorit të këtij vendi.

Ajo që ndodhi në aeroportin shqiptar, aeroportin e vetëm unik është një akt i mirëfilltë terrorizmi, natyrisht  jo ndaj personave por një grabitje e stilit terrorist. Për 12 minuta banda e armatosur me automatikë, kallashnikovë, pistoleta e të gjitha mjetet, pra jo për 3 min por 12 min pushtoi pistën e avionëve, pistë në të cilën ishin disa avionë, kreu krimin e shëmtuar dhe u largua pa iu futur ferra në këmbë. Çfarë mësuan shqiptarët mbrapa? Shqiptarët pas kësaj ngjarje nga ju mësuan se nuk keni asnjë përgjegjësi për aeroportin. A ka turp më të madh?! Nëse ka një pikë kufiri më nevralgjike siguria kombëtare, nëse ka një pikë kufiri më strategjike ky është aeroporti dhe vetëm aeroporti, pastaj janë portet e pastaj janë territore të tjera. Ju menjëherë latë duart, “nuk kemi përgjegjësi ne, por ka përgjegjësi kompania” që është e avokatit të kreut tuaj. Fati i shqiptarëve, siguria e aeroportit varej nga avokati i Edi Ramës. Po avokati ndjehej zot në protektoratin e tij të krimit. A ka gjë më të paimagjinueshme sesa një polici të lajë duart e të thotë se s’ka të bëjë me sigurinë në aeroport. Po nëse s’ke të bësh me sigurinë në aeroport atëherë për ty siguria nuk ekziston më.

E shëmtuar ishte mungesa e transparencës. Në mënyrën më të neveritshme deklaruat se u vodhën 1 milionë. Ja u them unë këtu se janë nisur nga bankat 115 kg euro, pra rreth 30 mln euro. Nën 20 milion euro avionët nuk pranojnë të transportojnë, se edhe avionët kanë problemet e veta të transportit nga shkarkimi deri në destinacion. Janë nisur 115 kilogramë, janë rrëmbyer mirë e bukur, qetë e qetë 85 kg. Janë rrëmbyer të paktën 20 mln euro. Kjo nuk është vepër e një bande ordinere, kurrën e kurrës nuk mund të jetë. Kjo është vepër e një bande zyrtare qeveritare.

Iu thatë shqiptarëve u vodhën 1 mln, iu thatë shqiptarëve se s’keni punë me aeroportin. Por një gjë shqiptarët shohin, se dy vjedhjet më të mëdha ndodhin nën kompanitë e partisë. Se vjedhja ditën për diell tek banka në Bulevard, ishte e tëra në duart dhe kthetrat e kompanisë Gjici. Gjici famoz ka fituar 54 tendera në rojë. Pas tij vjen Nazeri, kompania e avokatit të Edi Ramës.

Kompania Nazeri është një nga kompanitë kryesore të fitores së të gjitha tenderëve tuaja. Ju peshon në kandar, ju peshon në euro ndaj i fiton të gjitha tenderët. Deklaroni pra një shumë fallso. Ky është një akt edhe më i shëmtuar.

Natyrisht atyre që jua vjedhin, ja u vratë barkun. Të dashur qytetarë ato janë kursimet tuaja. Mos kujtoni se ata u dobësuan apo humbën gjë. Jo, ata i kanë të siguruara ndaj vjedhin bashkërisht brenda 12 minutave 20 mln euro në zemrën e vendit që duhet të jetë më i sigurti në Shqipëri, por që është bërë vendi më i pasigurtë, pre e akteve terroriste të mirëfillta, jo kundër njerëzve por kundër eurove”.

Qeveria, një makineri babëzie e pashembullt – nuk po ngopet duke vjedhur!

Degradimi juaj është ekstrem. Jeni shndërruar në një makineri babëzie të pashembullt ndoshta në historinë e njerëzimit. Dje mediat ndërkombëtare ju denonconte se keni blerë një kosh plehrash 1 milion e 550 mijë lekë të reja. 100 kosha plehrash që keni vendosur në Park i keni 3.1 milionë euro. Se vetëm për llampat e Parkut dhe koshat e plehrave po shpenzoni fiks 12 milionë euro. A e kuptoni o qytetarë që pse nuk ju rriten rrogat? Ju keni tre vjet që ja u ngrini rrogat qytetarëve, s’kanë parë një qindarkë. Sot ju o qytetarë merrni 12% më pak në sajë të inflacionit dhe rritjes së çmimeve sesa merrnit tre vjet më parë. Natyrisht ju merrni tonelata gënjeshtrash nga këta qeveritarë. Por e vërteta është se xhepat tuaj varfërohen çdo ditë e më shumë. Po si mund të ndodhë ndryshe, kur këta paratë tuaja edhe në plehra i vjedhin. E dëgjuat të fundit? Koshi “firmato” për të mashtruar vjedhjet. Pra duhet të ishte Dolce Gabana, apo Versaçe. Kosh 1200 euro.

Po a ka njëri në këtë vend që mund ti thotë vetes shqiptar që mund të bëj një shpërdorim të tillë me kosha plehrash. Vetëm koshat dhe llambat e Parkut janë 12 milionë euro. Po kush e bën këtë? Se duhet të jetë një njëri jashtë çdo lloj standardi që ti lejojë vetes të bëj një gjë të tillë. Ky është Albani, ky është Eftimi. Eftimiu i bën të gjitha. Po si i fiton Eftimiu projektet? Me 99.2% të fondit limit të caktuar. Ky mumuth, ky monstër që i merrte Ramës gjatë kohës që ishte kryebashkiak 80% të të gjitha lejeve të ndërtimit. Eshtë rikthyer tani po kaq i fuqishëm, si kanal i zi vjedhjesh të shqiptarëve. Nga të rriten rrogat? Si të ndërtohen rrugët? Nuk të lë vjedhja.

Një ditë po dëgjoja një debat që keni zhvilluar midis koalicionit për fondet për rrugë. Po ku ka fonde për rrugë? Të gjitha i keni për zyra, për lukse dhe vidhje. Prandaj nuk përfundon dot 1 km rrugë. Shko o zoti Pandeli e më thuaj një fjalë. Si ka mundësi që s’ka përfunduar për 3 vite rresht rruga Lin-Pogradec. Kur ne e kemi dorëzuar trasenë e shtrirë. Si ka mundësi që ti bëhet ajo që ju bë sot Vlorës, me famozen Lungomare që është shndërruar në Lungo-mundim. E kishin vlonjatët rrugën me 6 korsi., të cilën s’ja u kisha ndërtuar as unë as ju, ja u kishin ndërtuar që përpara dhe ju ja u kthetë me dy korsi rrugën. U thatë se do ndërtonit blloqe me lule dhe ja u kthyet në blloqë betoni meqë me beton vidhet. Tani për të dalë nga Vlora deri në Radhimë, nga 7-8 min që duhej më parë sot do 45 minuta. I kanë goditur Vlorës në mënyrë fatale turizmin. Ja reduktuat korsitë nga 6 në 2 korsi. Çfarë bëtë me rrugën e Arbrit? Ku e keni? Mashtrime dhe vetëm mashtrime. Çfarë bëtë me Bay-passin e Fierit o deputetë të Fierit? A e lamë ne të inauguruar dhe filluam punimet? A është kjo e vërteta? Me projekt dhe me çdo gjë. Tenderin e fitoi një kompani e madhe italiane. Pse nuk ngrini zërin ju? Apo mbushni xhepat? Cfarë ndodh me ju? A keni ju interesa zgjedhësish? Ka tre vjet, shkoni shifeni sa ka ecur. Dhe kreu juaj del këtu dhe thotë “na le 100 projekte” duke treguar se sdi ç’është projekti dhe zhvillimi. Në vend që të falenderonte që lashë projekte në vazhdim, se nënkuptohet që çdo qeveri për të bërë projektet e veta do një kohë të caktuar, po ky nuk ka anulluar një projekt të vetëm. Po pse? Sepse ishin të drejta, ishin të studiuara, sepse qëndronin plotësisht. Por ato nuk i zbaton ti, i vjedh. Cfarë bëtë ju me rrugën Lushnjë – Berat? A ka gjë më të turpshme, tre vjet pasi keni ardhur në pushtet nuk bëni dot një rrugë që në mënyrë absolute mbaron për katër muaj. Asnjë shkëmb nuk kishte ajo, por vetëm një zgjerim dhe një urë. Sot e kësaj dite rruga s’ka përfunduar sepse ju i gjobisni firmat dhe pastaj ato ju peshojnë ju me pare…

Rama të pranojë konsensusin, aferat i ka mbi kokë dhe mbi supe, nuk i shpëton dot/Rama të ketë kurajon dhe të mos pengojë reformën në drejtësi. Aferat i ka mbi kokë dhe mbi supe, nuk i shpëton dot, drejtësia vonon po nuk harron!

Ndaj dhe ju ftoj, siç po vijnë thirrjet nga të gjitha anët, të proçedojmë këtë reformë drejtësie, jo me idenë për ta përjashtuar opozitën por me idenë për të bashkëpunuar me opozitën, për të arritur në një konsensus. Ja u them dhe një herë, opozita ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me qëndrimet e saj, është bërë gardiane e rekomandimeve të Komisionit të Venezias dhe parimeve të drejtësisë së pavarur. Opozita nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon as edhe një lëshim në interes të saj por gjithçka në interes të drejtësisë së pavarur.

Ju ftoj edhe një herë të arsyetoni propozimin e fundit të PD-së. Një propozim që absolutisht garanton në shkallën më të lartë atë trupë që do të bëjë “vetting”-un e punonjësve të sistemit të drejtësisë e natyrisht,  jua them unë, nuk do të mund të kandidojë asnjë prej tyre që u gjet në konflikt interesi në këto organe.

Nuk do të mund të kandidojë Dvorani që shkeli ligj dhe Kushtetutë, mori dy vite me radhë rrogën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mbështetur nga Edi Rama. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjent hetimet ndaj tij dhe të zhdëmtojë qindarkë më qindarkë, dëmin që u shkaktoi shqiptarëve ky uzurpator i vendit.

Nuk mund të kandidojë aty kunati i bashkëkreut të partisë komuniste të Shqipërisë, Fatmir Xhafës.

Nuk do të mund të jetë në asnjë nga këto forume as dhe Ibrahimi, kunati i ministres, as Sadushi që urdhëron lirimin e kriminelëvë në gjykata.

Këta përjashtohen për një periudhë së paktën 8-vjeçare, në çdo emërin, nga instancat e larta të drejtësisë.

Ju ftoj edhe njëherë, të ulemi këto ditë bashkë me opozitën. Të ketë kurajon dhe integritetin Edi Rama. Aferat i ka mbi kokë dhe mbi supe, nuk i shpëton dot, drejtësia vonon po nuk harron. Bën mirë të përgatitet me avoketër e ç’të dojë, po reformën të mos e pengojë.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>