Bizarritete politike edhe në Francën demokratike kontemporane!

Në shtetet e së drejtës, politikat dhe praktikat shtetërore apo publike, kurdoherë, kërkohet të jenë në shërbim të plotë të përfilljes së padiskutuar të normave juridike në aplikim. Në anën tjetër, politikat dhe praktikat në fjalë, e kanë autorizimin që, në procedurë të caktuar, të  veprojnë për  modifikime, novelime, amendime (jo” amandamentime”) të  normave juridike në aplikim. Pas   novelimeve legale të miratuara në procedurë të kërkuar, juridike përkatësisht e drejta, prapë, i  mbivëhet politikës dhe praktikave të saja. Gjithsesi, politikat  dhe praktikat shtetërore, përderisa normat juridike të caktuara janë në fuqi, të njëjtat, Nolens Volens, doemeos duhet (Ius Imperativum, Cogens) t’i përfillin. Aq më parë, parimet juridike ndërkombëtarisht të mirënjohura e valide , obligojnë për përfillje të padiskutuar nga të gjitha institucionet publike   shtetërore e ndërshtetërore përkatësisht ndërkombëtare e veçanërisht nga titullarët respektivë   sikundër nga cili do entitet natyral apo legal!

Ne Bis In Idem & Res Iudiciata/Në doktrinat juridike, në dimensionin historik, pozitiv, shtetëror e ndërshtetëror (ndërkombëtar), njihet, kultivohet dhe përgjithsisht  përfillet parimi juridik valid “Res Iudiciata” përkatësisht “Ne Bis In Idem” referuar ndalimit të procedimit juridik të rastit juridik të trajtuar, proceduar dhe të përfunduar më parë! Ky parim juridik është fondamental dhe në funksion të sigurisë juridike, të stabilitetit juridik, socio-ekonomik e posaçërisht politik dhe, si i tillë, në shtetet demokratike qe synojnë të jenë shtete të së drejtës (jo “shtete juridike”) është i inkorporuar dhe i afirmuar në rendet juridike respektive. Inkorporimi i këtij parimi ,varësisht nga rendet juridike të shteteve të ndryshme, praktikohet në postulate ose dispozita kushtetutare. Në vendin tonë, ky parim juridik i mirënjohur, përkitazi me çështjet penale, është normuar në dispozitën e nenit 34 të Kushtetutës, me të cilën është përjashtuar   gjykimi më se njëherë për të njëjtin akt penal! Ndalimi i Ramush Haradinaj-t në Francë, në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare madje edhe me të drejtën pozitive franceze! Vite më parë, z Ramush Haradinaj, padrejtësisht, ishte i akuzuar për kinse kryerje të akteve penale të caktuara! Konform me të drejtën aplikative, Tribunali për Krime Lufte në Hague, z Ramush Haradinaj-n, me aktgjykime meritore, të njëjtin, duke konstatuar se ishte i akuzuar padrejtësisht, e ka liruar nga të gjitha alinetë e aktakuzave penale! Ndryshe, po ai institucion  gjyqësor ndërkombëtar z Ramush Haradinaj-n, e ka shpallur dy herë (sic) të pafajshëm si të akuzuar pa bazë, pa të drejt! Rastet e tilla perkojnë me institutin  juridik të mirënjohur Res Iudiciata, rast i gjykuar dhe i përmbyllur përkatësisht me “ Ne Bis In Idem” apo jo më tepër se një herë për raste juridike – penale të njëjta! Sëandejmi, organet e drejtësisë franceze ,aq më parë,të një shtetit me traditë  demokratike të afirmuar, sëpakut, nga Revolucioni Borgjez Francez ( 1798) përkatësisht nga miratimi  i  Code Civile në fillimin e shekullit XIX-të, sëpakut, është dashtë të dijnë se, askush, pra, as z Ramush Haradinaj, nuk lejohet të procedohet juridikisht , në këtë rast penalisht, mëse një herë!

Fletë arresti i shtetit serb, tendencioz, politik dhe hipotezë juridike e diskutueshme/Autoritetet franceze, është dashtë të dijnë, nëse, eventualisht nuk e kanë dijtë se, shteti serb, gjithnjë i motivuar nga apetite hegjemoniste, makijavelisht dhe pa skrupulla elementare, kurdoherë ka vepruar dhe aktualisht vepron kundër çështjes shqiptare, në përgjithësi e, veçanërisht kundër  shtetit Kosovës , në veçanti! Në këtë kontekst, po ato dhe, autoritete ndërkombëtare si dhe të shteteve tjera, kurdoherë  duhet të dijnë, të mos harrojnë dhe të përkujtojnë seriozisht se, forcat militare e politike të shtetit serb, veçanërisht, gjatë periudhës 1998-9, edhe në Kosovë kanë kryer shumë krime lufte madje gjenocidiste kundër  civilëve shqiptarë të të gjitha moshave e gjinive- Alas, sic! Poashtu , po ato autoritete është dashtë të dijnë se, shteti serb, në saje të statusit anëtar në Eupol përkatësisht Interpol, ad hoc dhe për aq makijavelisht mund të lëshojë urdhër arrestim kundër cilit do  person (shqiptarë veçanërisht nga Kosova) në rastin konkret, edhe kunder z Ramush Haradinaj-t, aq më parë kur  akti i tillë, apriori, është hipotezë juridike diskutabile qe, fillimisht mund të apelohet vetëm në prezumime (sic) dhe, tek në vijim, në  argumente përkatëse. Mirëpo, gjatë periudhës së procedimeve preliminare, personi i  “mbajtur” praktikisht i arrestuar, pashmangshëm pëson vuajtje morale e fizike të intensitetit të lartë e tok me to dëmtime morale e fizike të pamatura dhe virtualisht të pakompensuara. Rrjedhimisht, poqese kërkuesi i fletëarrestit, konkretisht, autoriteti përkatës i  shteti serb, nuk e argumenton kërkesën në fjalë, personi përkatësisht pala e arrestuar lirohet!  Megjithatë kërkuesi i fletë-ndalimit të atillë, edhe pse tërësisht arbitrar, arrin satisfaksionin e vet të pandershëm nëpërmjet arrestimit të personit të caktuar, në rastin konkret, të personalitetit të shquar të Kosovës, z Ramush Haradinaj-t! Kërkuesi i fletë-ndalimit kur nuk e argumenton  pretendimin e vet, çfarë edhe rasti konkret, i pandehuri do të lirohej! Inicuesi i procesit të tillë, virtualisht dhe mjerisht, zakonisht mbetet i papërgjegjshëm juridikisht, pos, eventualisht, i përgjegjshëm për rimbursimin e dëmit të shkaktuar personit padrejtësisht të arrestuar. Përkitazi me papërgjegjësinë morale të kërkuesit të arrestimit tendencioz, të motivuar politikisht dhe pa baza juridike, çfarë është rasti konkret, kur është në çështje shteti serb, të mos flitet- Sic!

Ndryshe, autoritetet serbe, gjatë ushtrimit të politikave hegjemoniste antishqiptare-veçanërisht antikosovare, kanë vepruar në mënyrën e sipërthënë, kanë keqshfrytëzuar okasionin e statusit të shtetit sërb – anëtar në  EU Pol përkatësisht në Interpol ashtu që, kundër, jo pak personave përkatësisht personaliteteve shqiptare-kosovare, edhe në ato institucione ndërkombëtare, kanë depozituar kërkesa për arrestime të caktuara ndryshe juridikisht të paargumentuara e tërësisht të motivuara politikisht!

Memorandë/ Eupoli përkatësisht Interpoli e konkretisht autoritetet franceze, nder të tjera, Nolens Volens, do të duhej që, paraprakisht, jo t’i refuzonte, por, t’i flakte (rejections) kërkesat e autoriteteve të shtetit sërb për ndalime përkatësisht për arrestime të  qytetarëve kosovarë, sëpakut, nga se, të njëjtat janë arbitrare dhe tendencioze, janë të karakterit makiavelist, kanë tendenca për degradime, denigrime, etiketime dhe fusnotime negative të qytetarëve përkatësisht personaliteteve shqiptare të caktuara posaçërisht nga Kosova, titullohen si të shtetit “jugosllav”, ndryshe, shtet inekzistent, shtet i disolucionuar më kohë dhe, shtet i panjohur aktualisht, ishin, janë dhe ngelën  krejtësisht të paargumentuara, të motivuara nga politika serbe hegjemoniste dhe për aq antishqiptare! Në këtë kontekst, vlen të apostrofohet dhe, autoriteteve  ndërkombëtare në fjalë e veçanërisht atyre franceze konkretisht, se z Ramush Haradinaj, ish-komandant i shquar i UÇK-së, posaçërisht gjatë  periudhës 1998-9, ka zhvilluar luftë çlirimtare të  drejtë dhe të afirmuar edhe nga e drejta ndërkombëtare publike pikërisht kundër forcave militare e paramilitare të shtetit serb (të cilat, vetëm gjatë poasaj periudhe, në territorin e UÇK-së, në Kosovë, nder të tjera, kanë privuar nga jeta barbarisht rreth 13 mijë civilë shqiptarë të të gjitha moshave, kanë perdhunuar mijëra femra shqiptare, nder të cilat, jo pak të mitura, kanë  plaçkitur e shkrumuar mbi 150 mijë ndërtesa të destinimeve të ndryshme, disa mijra civilë  shqiptarë të masakruar i kanë hedhë në kanale masive dhe, mijra sish nuk janë zbuluar ende, pasi që, “autoritetet serbe nuk dijtkan se në cilat hendeqe e gropa masive nëpër territorin e shtetit serb qenkan groposur”). Z. Ramush Haradinaj, sëpakut, konform me parimet juridike ndërkombëtarisht valide dhe afirmative “Ne Bis In Idem” & “Res Iudiciata”, nga autoritetet ndërkombëtare, çfarë është Interpol-i, Europoli e, veçanërisht nga ato të Francës së Revolucionit Borgjez të shek. XVIII-të dhe të Code Civile-s të shek. XIX-të, kurdoherë do të duhej ta nderonin e, kurrsesi, ta arrestonin për hir të tekave hegjemoniste serbe!

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>