Boris Bazhanovi nuk i duroi dot intrigat në oborrin stalinist

I arratisuri në Perëndim dhe zbardhja i një rreziku botëror

 

 

Që të kuptohet më mirë sesi njeriu ishte ujk për njeriun në një bashkësi kanibalësh përreth Stalinit, (me intrigantin e përsosur bash Josif Visarionoviçin në krye të një grumbulli njerëzish të verbuar për pushtet vetjak, do të citoj qysh në fillim një gjë të pazakontë nga kujtimet e B. Bazhanovit: “Vëllain e Byroistit Llazar Kaganoviç, Mihailit, ministër i Aviacionit, e intrigoi Çeka (Sigurimi sovjetik). Stalini e pyeti kolegun e B. Politike: – Ç’mendim keni për akuzën që i bëhej vëllait? Ndonëse byroisti e dinte se Mihaili ishte krejt i pafajshëm iu përgjigj: – Këtë e dinë më mirë organet e hetuesisë! Ll. Kaganoviçi i telefonoi të vëllait Mihail se ishte nën hetuesi. Minsitri Mihail vrau veten para se ta arrestonin…Dhe komenti i Boris Bazhanovit: << Kur Krushovi i dha drunë treshes Molotov, Malenkov, Kaganoviç, kjo treshe nuk pranoi ta kritikonte Stalinin, pas vdekjes. “Vetëm në atë regjim mund të flinin të qetë. Liberalizmi mund t’i shndërronte në njerëz “të thjeshtë”>>. Sqarime për lexuesin: Gruaja e Molotovit ishte internuar në Azinë Qendrore, pasi kishte pas qenë zv/ministre e sendeve kozmetike (profumerive…). Molotovi, që e donte shumë të shoqen, i dërgonte ndonjë mesazh se e donte gjithmonë… Kur mori vesh lajmin e vdekjes së Stalinit, asaj i ra të fikët (!). Një sqarim i dytë: Bazhanovi me atë mbiemrin njerëz “të thjeshtë”, duket se portretizonte vetveten, që nuk i duhej të bëhej “i rëndësishëm” me gjakun e miliona viktimave, siç ishin njerëzit rreth tij…

Natyrisht që tani është e udhës që të dimë si u ngrit kaq shpejt, gjer në postin e sekretarit të Stalinit, ky njeri kaq “i thjeshtë”. Në vitin 1919 Borisi ishte anëtar i PK-së. Dëshironte të ndiqte Fakultetin e Fizikë – Matematikës. Në vitin 1920 ishte student në Shkollën teknike të Moskës. Atje ishte sekretar i Organizatës Bazë. Në vitin 1921 në të tërë vendin bënte kërdinë uria. I shpjegoi shokut që do ta zëvendësonte si sekretar të Organizatës, se do të shkonte në Ukrainë, meqë nuk e duronte dot urinë. – “Pse nuk merr shembullin tim, – i tha ai shoku. Gjysmë dite mësoj, gjysmë dite punoj në K.Q. të Partisë”. U caktua të punonte në sektorin e organizimit. Në një mbledhje të drejtuar nga Kaganoviçi, u caktua si sekretar. Kaganoviçi ishte i zoti e i gjallë, por tepër injorant,- sipas sekretarit të ri të tij. Përshtypjet për shefin e tij, Kaganoviçin: Pa kulturë dhe shkruante me gabime të shumta gramatikore. – “ Meqë kisha mbajtur procesverbalin, redaksia m’ u drejtua mua. Mendimet e shefit i derdha në trajtën e një artikulli. Meqenëse mendimet për ndërtimet sovjetike ishin të Kaganoviçit, i thashë: – “Mendimet e juaja i kam paraqitur si një artikull. I kam nxjerrë nga procesverbali i mbledhjes, për redaksinë”. E lexoi. Mbeti i mahnitur. – Sa mirë që e paskeni bërë, – më tha. Redaksia e botoi menjëherë. S’kishte nevojë ta nxirrte nga procesverbali. “Veçse ta shihje shefin tim sesi mburrej. Qé artikulli i tij i parë. Ua tregonte të gjithëve! U bë njëri ndër stalinistët kryesorë, krahas Molotovit. Kur erdhi puna e Statutit të Partisë, që nuk ishte ndryshuar që nga viti 1903, e bëra vetë një statut të ri. Sekretari i tij (i dytë) më tha se ishte i zënë: – Sh. Bazhanov, do të pritni vetëm tri minuta.- më tha. Por unë ia preva shkurt: – I kam prurë shefit projektin e ri të “Statutit të Partisë”! Kaganoviçi u çudit, pasi i hodhi një sy: – Vetë e keni shkruar? – më pyeti. U mor dy orë me projektin e Statutit. I tha sekretarit, – atij që më tha të prisja vetëm tri minuta – të mos na shqetësonin. Mori në telefon Molotovin. Edhe ky u habit: – Shkojmë te Stalini! Kështu hyra në orbitën e Molotovit. Konferenca e Partisë miratoi Statutin e ri. “Në Komisionin për hartimin e Statutit, unë u zgjodha sekretar i këtij Komisioni. Tani Sigurimi përgjigjej edhe për jetën time!…”. Nga treshja Molotov-Malenkov- Kaganoviç, këta dy të fundit përshkruhen si të paarsimuar. Kaganoviçi: një ish-këpucar. Malenkovi: pa arsim të lartë, me aftësi të kufizuara, “kishte gjithmonë pamjen e një njeriu të fryrë e kapadai”. Të tre: karrieristë pa ndërgjegje, përgjegjës për miliona viktima të pafajshme. Historianë të tjerë vënë në dukje se, në çastet e fundit (1953), Stalini e kishte humbur besimin edhe te kjo treshe, duke u bërë brutal herë me njërin, herë me tjetrin. Kësisoj, treshja që thamë u mbështet te Beria për ta hequr qafe tiranin, ndonëse nuk para kishin besim tek ai, që vinte Sigurimin mbi gjithçka dhe do t’ua rrezikonte edhe jetën e këtyre. Stalini, ndaj Trockit, kishte ndihmën e Kamenievit e të Zinovievit, si antitrockistë që ishin. Por, si manovrues e i pabesë, pasi i lau hesapet me Trockin, i ekzekutoi edhe ata që e kishin ndihmuar kundër tij (Zinovievin dhe Kamenievin). Në njërën nga faqet e librit citohet Lenini në këtë thënie: “Mos i besoni Stalinit. S’e ka për gjë mashtrimin dhe kompromisin e paprinciptë”. Mehlisin dhe Kanerin nuk i duronte dot, si çifutë që ishin. Stalini ishte antisemit. Megjithatë i mbajti si sekretarë, që Trocki të mos kishte argumente për antisemitizmin e Stalinit. Por prapë se prapë i eliminoi, kur iu dha rasti. Fjala “eliminim” ka kuptimin e ekzekutimit fizik, në fjalorin e Stalinit.

Stalini, në këndvështrimin e B. Bazhanovit/Në 3 prill 1922 vendin e Sekretarit I Stalini ia mori Molotovit. Kamenievit dhe Zinovievit u interesonte që këtë post ta zinte një armik i betuar i Trockit. Në Luftën Civile Trocki ishte në vend të parë, Stalinit ishte vartës i Trockit. Në mars-prill të 1923-shit zhvilloi punimet Kongresi XII i K.Q. Lenini i sëmurë paraqiti një projekt për zgjerimin e anëtarëve të K.Q. Stalini shfrytëzoi rastin që letrën e Leninit ta paraqiste si të tijën, që përputhej(!) me idenë e Leninit. Por ai futi njerëzit e vet, në kundërshtim me mendimin e Leninit. Në 24-25 dhjetor kemi letrën e dytë të Leninit, Testamentin. Atje nuk paraqitej Stalini si Sekretar I i K.Q. Sipas Leninit, Stalini ishte harbut dhe nuk komunikonte si duhet me njerëzit. Në testament preferohej Trocki. Stalini ra në konflikt edhe me Krupskajën (bashkëshorten e Leninit). Pas një letre të ashpër që i bëri Stalinit, ky bëri autokritikë. Ai që do të mbante raportin në Kongresin XII do të nënkuptohej si Sekretar. Lenini propozoi ta mbante Trocki. Ky nuk pranoi. Nuk donte të mendohej se po përfitonte nga sëmundja e Leninit. Trocki propozoi ta mbante Stalini. As ky nuk pranoi. U propozua që raportin ta mbante Zinovievi, që ishte edhe kryetar i Kominternit. Tani renditja mbetej: Zinoviev, Kameniev, Stalin. Të tre kundërshtarë të Trockit. Kur Trocki ishte në një vend të largët të Azisë Qendrore, gjendja shëndetësore e Leninit u keqësua befasisht. Këta ia bënë telegramin Trockit në kohën e fundit, kur ishte e pamundur që ai të ishte në ceremoninë e varrimit. Një kurth dinakërie. Krerët e ceremonisë ishin përqendruar në treshen që thamë, si edhe dhe të tjerë, të ‘enturazhit’ të Stalinit. Ishin kambanat e para të terrorizmit të Stalinit përbrenda familjes politike, me gjyqet e njëpasnjëshme nën tortura që përfshinin edhe familjarët e miqtë, që u bënë viktimat e pashmangshme. Edhe ministrat e Brendshëm i priste ‘spastrimi’. Jagoda pati kurajën të thotë në gjyqin e tij të pohimit të krimeve të bëra e të pabëra, se nuk ia fal vetes, që nuk i përlau ata, kur kryesonte Sigurimin Sovjetik ; pikërisht ata të cilët tani po bënin ndaj tij ato që kishte bërë vetë Jagoda, më parë. Sipas Bazhanovit, Jagoda ishte një hajdut ordiner. Gruaja e Jagodës ishte e mbesa e Sverdlovit. Një fakt plus, përveç mizorisë së karakterit …

Ndërkaq Trockit nuk i mbetej vetëm se arratisja jashtë Shtetit. Por duart e Stalinit ishin zgjatur edhe përtej kufijve të B.S. Zëvendësit të Trockit në ushtri, Skljanskit i punuan një rreng. E bënë përgjegjës të Misionit Tregtar në Sh.B.A.-të. Atje “u mbyt aksidentalisht në liqen”. Me urdhër të Stalinit, “aksidenti” u organizua nga Kaneri dhe nga Jagoda. (Këto marifete i kishte përvetësuar për bukuri edhe Enveri (për B. Xhaferin etj.).. Frunzen e vranë dinakërisht, kur duhej të bënte një operacion, por qytetin “Frunze” e lanë të pandryshuar, që të mbulohej krimi (Rasti i Tuk Jakovës, në vendin tonë!). [ Por Boris Bazhanovin nuk mundën ta eliminonin dot pas arratisjes, sepse ai ua dinte mirë këto zgjatime duarsh dhe dinte të kamuflohej e t’u ruhej me mjeshtëri të rrallë këtyre kurtheve të Stalinit].

Telefonat gjurmues nën tavolinën e Stalinit/Një specialist i i përsosur i elektronikës, ishte komunisti çek, vizitues i B.S. Si e qysh, pa u zgjatur, ky specialist, njeri i ndershëm, që kishte vendosur t’i kalonte pushimet në atdheun e ëndrrave, kishte zgjuar interesimin e Stalinit. Çeku i shkretë u thirr në zyrën e Stalinit dhe ky i uroi punë të mbarë dhe sajoi do të dilte për diçka urgjente. E njohu me sekretarin privat të tij, Grisha Kanerin, para se të dilte. Ky Grisha kishte qenë agjent i Jagodës Në një tavolinë të vogël ishin disa lloje verërash të zgjedhura, uiski dhe fruta. Grisha i foli hapur mikut çek se Partia e tij i kërkonte një shërbim: Të instalonte, nën tavolinën e madhe të Stalinit, një central të vogël telefonik me disa numra të caktuar (që ishin, në të vërtetë, të anëtarëve të B. Politike dhe të funksionarëve të lartë.., për t’i eliminuar). Kur u kthye Stalini, i dha Grishës një shumë rublash që do t’i duheshin për pajisjet që do të psoniseshin në dyqanet, si edhe një veturë në dispozicion, që e ngiste Grisha. Dolën të dy dhe i blenë pajisjet, ndërsa paret i paguante Grisha. Çekut i mbetën për vete rublat, të paprekura. U kthyen me veturën e Grishës dhe çeku i bëri instalimet nën tavolinë, sipas ndërlidhjeve me numrat që ia kishte dhënë Grisha.

Autori i këtyre kujtimeve tërheqëse, Boris Bazhanovi, – që kishte të drejtën të hynte pa trokitur në hyrje-daljet e shpeshta – e gjeti Stalinin të përkulur nën tavolinë, për ato spiunimet e tij djallëzore. U kthye vrik në drejtim të derës, duke folur me zë të lartë: – “Kam harruar dokumentin në tavolinë? Erdha!” Dhe doli menjëherë… (Donte të jepte përshtypjen se nuk e kishte vënë ré ç’po bënte Stalini në atë çast). Megjithatë nuk vonoi që, si Grisha Kaneri, ashtu dhe vetë ministri Jagoda, madje edhe “Caprio espiatorio” (dashi i kurbanit), çeku i shkretë, kishin pësuar fatin e milionave!

E tani, për t’u dhënë fund këtyre rrëfimeve tronditëse, që ishin bërë të bujshme në të gjithë Perëndimin demokratik, po tregojmë episodin tragjik të njërit prej viktimave të mëdha, Tomskit, anëtar i B. Politike dhe udhëheqësi i Sindikatave. Në kohën fillestare të debateve relativisht të lira , kishte pas thënë: – “Jashtë Shtetit na kritikojnë se jetojmë në regjimin e një partie të vetme. Kjo s’është e vërtetë. Kemi shumë parti. Por, ndryshe nga Shtetet e huaja, një parti e kemi në pushtet, të tjerat i kemi në… burg! ( duartrokitje)”. <<A e pati parasysh Tomski kur para tij u hapën dyert e burgut stalinist? Gjithsesi ai vrau veten, duke mos dashur të kapërcente pragun e atij burgu… >>.